Skifteri Maqedonas

Kryeministri paqësor i Maqedonisë është shndërruar në një skifter të rrezikshëm.

Skifteri Maqedonas

Kryeministri paqësor i Maqedonisë është shndërruar në një skifter të rrezikshëm.

Ndoshta viktima më e madhe politike e kryengritjes Shqiptare do të jetë kryeministri Ljubcko Georgievski.


Vetëm një apo dy muaj më parë, u duk se Georgievski, kryetari i një prej partive më të mëdha Maqedonase, VMRO-DPMNE, do të dilte si shpëtimtari i vendit.


Ai ngulte këmbë se kriza e tanishme mund të zgjidhej duke përmirësuar të drejtat politike dhe civile të komunitetit Shqiptar. Por së fundi, qëndrimi i kryeministrit ka ndryshuar në mënyrë radikale.


Paqebërësi dhe bashkuesi i grupeve etnike të Maqedonisë tani ka dalë si një skifter.


Ai mendon se e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën është shpallja e luftës ndaj militantëve Shqiptarë. Deklarimet e tij publike kanë shtuar tensionet, ndërsa konflikti duket se po shkon drejt përshkallëzimit në një luftë në shkallë të gjerë. Luftëtarët e UCK-së tani kanë mbërritur në afërsi të Shkupit dhe kërcënojnë të bombardojnë qytetin. Dhjetra mijëra Maqedonas dhe Shqiptarë po largohen në panik.


Por ndërsa kërkon një zgjidhje ushtarake, Georgievski ka shkaktuar një përgjigje armiqësore nga të gjitha krahët e spektrit politik dhe komuniteti ndërkombëtar.


Dikur ai shihej si pjesë e zgjidhjes, ndërsa tani konsiderohet nga shumë njerëz si pjesë e problemit. Si rezultat, popullariteti i tij dhe i partisë së tij ka rënë ndjeshëm.


Transformimi i Georgievskit është i habitshëm. Jo shumë kohë më parë, Maqedonasit e kanë akuzuar atë se është shumë i afërt me PDSH, partinë më të madhe të Shqiptarëve. Tani ai ka kërkuar që anëtarët e saj ose të dënojnë haptazi UCK-në ose të bashkohen me të. Një nacionalist i betuar në fillim të viteve Nëntëdhjetë, ky ish poet ka ndjekur një politikë bashkëpunimi me PDSH-në pasi ka ardhur në pushtet në vitin 1998, duke e futur këtë parti në qeveri. Analistët e huaj janë habitur nga kultura politike tolerante që ka shpalosur "Ljubcko i ri".


Pas dy vjetësh partneritet të paprecedent me PDSH-në, Georgievski nuk e priste aspak një kryengritje të Shqiptarëve.


Qëndrimi i ashpër i kryeministrit kohët e fundit është përforcuar nga sulmet e fundit të UCK-së ndaj forcave të sigurimit. Sulmi i parë ka ndodhur në Vejce në Maj, ku kanë humbur jetën tetë policë. Edhe pesë të tjerë janë vrarë në një sulm të dytë pranë Tetovës disa ditë më parë.


Sipas ish bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, Boris Zmejkovski, tani një anëtar i një partie të vogël që është kundërshtare e VMRO-DPMNE, incidentet e kanë shndërruar Georgievskin në një "gjeneral të çmendur".


Veprimet e tij të dy javëve të fundit në fakt mbështesin këtë pikpamje.


Ai ka kërkuarme forcë që shteti të deklaronte gjëndjen e luftës ndaj luftëtarëve Shqiptarë, pavarësisht kundërshtimeve të forta jo vetëm nga Shqiptarët por edhe nga rivalët e tij politik Maqedonas, media dhe komuniteti ndërkombëtar.


Ai mbështet një zgjidhje ushtarake të konfliktit, megjithëse dihet nga të gjithë se forcat e armatosura të vendit nuk janë të afta të arrijnë një fitore decizive ndaj një force partizane që vepron në mal.


Së fundi, mund të dallohet dora e Georgievskit në dhënien shtypit të një plani për të ndarë vendin sipas linjave etnike - një propozim i përgatitur nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, elita intelektuale e vendit.


Opozita ka deklaruar prej kohësh se kryeministri dhe VMRO-DPMNE po kërkonin ndarjen e vendit sipas linjave etnike dhe lidhje më të ngushta me Bullgarinë.


Sipas planit - i cili ka zemëruar shumë Maqedonasit - qytetet me shumicë popullsie Shqiptare, si Tetova dhe Gostivari, do të shkëmbeheshhin me Shqipërinë apo Kosovën.


Ndoshta e panjohura më e madhe është nëse intransigjenca e Georgievskit është reagimi i natyrshëm i një politikani i cili ndjehet i tradhëtuar nga miqtë e tij të dikurshëm Shqiptarë, apo një taktikë më e zgjuar.


Refuzimi i Georgievskit për të biseduar me luftëtarët, apo për të filluar dhënien e të drejtave më të mëdha për Shqiptarët, mund të jetë një përpjekje për të kundërshtuar këto zëra në prag të zgjedhjeve, të cilat janë planifikuar për në Janar.


Pavarësisht nga disa kufizime, Georgievski ka instikte të mira politike të cilat në të kaluarën i ka shfrytëzuar mirë.


Ai mund të jetë shumë i shqetësuar se në zgjedhjet e ardhëshme votuesit mund ta konsiderojnë si shumë të butë ndaj Shqiptarëve etnik. Megjithatë, është e qartë se pozicioni i Georgievskit është bërë gjithnjë e më i rrezikuar. Këto ditë, në Shkup ka filluar të diskutohet haptazi krijimi i një koalicioni të zgjeruar anti VMRO-DPMNE, dhe sipas disave ky koalicion do të ketë edhe mbështetjen e disa ambasadorëve Perëndimor.


Megjithatë, në këto momente, duket se i paparashikueshmi Ljubcko Georgievski do të vazhdojë të vendosë fatin e Maqedonisë.


Vladimir Jovanovski është një analist dhe gazetar i së përdyjavëshmes Forum në Shkup.


Macedonia, Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists