Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Zgjedhjet Shkaktojnë një Furtunë Politike

Partitë nacionaliste në Bosnje po kalojnë një betejë politike të shkaktuar nga rezultatet e dobëta të arritura në zgjedhjet e fundit.
By Janez Kovac

Partitë nacionaliste në Bosnje po përballen me probleme të shumta dhe kompromise të fshehta politike si rrjedhojë e zgjedhjeve lokale të muajit të kaluar.


Në Federatën Boshnjake, Partia Muslimane e Veprimit Demokratik, SDA, në pushtet, dhe Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, janë përfshirë në një betejë politike të brendshme. Në të parën përkrahësit e linjës së ashpër duket se po fitojnë terren, ndërsa në të dytën janë të moderuarit ata që po përforcojnë pozitat.


Në Republika Srpska, RS, Partia Demokratike Serbe, SDS, që ka fituar, e drejtuar më parë nga i dyshuari kryesor për krime lufte Radovan Karaxhiq, mund të detyrohet të qeverisë në koalicion me shumë parti të moderuara në disa bashki.


Megjithëse partitë myslimane, kroate dhe serbe triumfuan në më shumë se dy të tretat e bashkive të Bosnjes, pjesa e tyre e votave ka rënë shumë. Partia e ish-presidentes së RS, Biljana Plavshiq, ka patur rezultate kaq të këqia sa që ajo dhe gjashtë drejtues të tjerë të lartë të partisë kanë dhënë dorëheqjen.


Ndërkohë partitë e moderuara kanë fituar terren dhe rezultatet më të mira i ka arritur Partia Social Demokrate, e cila ka fituar në tre qytetet më të mëdha të Bosnjes dhe ka arritur rezultate të mira edhe në zonat e kontrolluara nga kroatët dhe serbët.


Fërkimet politike në gjirin e SDA-së u shfaqën haptazi të premten e kaluar kur presidenti i federatës Ejup Ganiq dhe tre guvernatorë kantonesh kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre në parti pasi humbën një votëbesim.


Këto dorëheqje janë një shenjë se përkrahësit e linjës së ashpër po marrin në dorë drejtimin e partisë, e cila gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka ndjekur një politikë të moderuar nacionaliste.


Hasan Cengiq, njeriu i fortë i SDA-së në Bosnjen qendrore, mendohet të jetë një nga drejtuesit e linjës së ashpër. Ai ka guxuar së fundi të hedhë idenë se presidenti i SDA, Alija Izetbegoviq, mund të ketë përgjegjësi për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhje. Kjo lloj akuze do të ishte e pamendueshme vetëm disa muaj më parë.


Influenca në rritje e përkrahësve të linjës së ashpër ka tronditur krahun e moderuar të partisë. Një nga drejtuesit më popullor të SDA-së, kryetari i bashkisë së Mostarit Safet Oruçeviq ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha postet partiake dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë në të ardhmen me politikanët e moderuar në Bosnje.


E tronditur nga humbja elektorale e simotrës së saj në Kroaci më parë këtë vit, HDZ është alarmuar kaq shumë nga rezultatet e dobëta të saj në zgjedhjet lokale në Bosnje saqë presidenti i saj Ante Jelaviq ka shkarkuar më shumë se 30 zyrtarë lokalë të korruptuar akoma pa përfunduar numërimi i votave.


Kjo lëvizje ishte pjesë e planeve të tij për të bërë partinë me centriste. Është e vështirë të thuhet nëse ai do të ketë sukses, sepse përfaqësuesit e linjës së ashpër nuk kanë pranuar shkarkimet. Megjithatë Jelaviq nuk po tregon shenja se mund të tërhiqet.


Të premten e kaluar ish-zëvendës-presidenti i qeverisë së përbashkët boshnjake, Neven Tomiq, një nga teknokratët më të mirë të krahut të moderuar të HDZ-së, është emëruar si kandidati i vetëm i partisë për postin e bashkë-kryetarit të bashkisë në Mostar.


Në RS fitorja në zgjedhje e SDS-së në shikim të parë duket se tregon për një rikthim në nacionalizmin ekstrem serb. Por radikalët e partisë ndoshta do të mbahen në kontroll duke dashur të bashkëpunojnë ngushtë me partitë e moderuara serbe në shumë zona të entitetit.


Ka gjithashtu shenja se SDS po përgatitet të luajë një rol më progresiv në politikën boshnjake. Partia është përpjekur të largojë imazhin ekstremist të saj gjatë dy vjetëve të fundit.


Në fakt diplomatët perëndimorë, të cilët janë takuar së fundi me drejtuesit e SDS-së për t'i paralajmëruar ata kundër pengesave të procesit të paqes, thonë se janë të habitur nga qëndrimi i matur dhe konstruktiv i partisë.


Ajo që është e qartë është se ndërsa zgjedhjet lokale u kanë dhënë fitore partive nacionaliste, politikanët e moderuar kanë pasur rezultate të mira, që do të thotë se ata kanë një influencë më të madhe në drejtimin e vendit.


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.