Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Zagrebi përballë një kundërsulmi për marrëveshjen për kufirin

Kroatët janë zemëruar për marrëveshjen kufitare të qeverisë së tyre me Slloveninë.
By Goran Ivanovic

Partitë nacionaliste të opozitës në Kroaci po e akuzojnë qeverinë se ka tradhëtuar interesat kombëtare në një marrëveshje kufitare të kohëve të fundit me Slloveninë. Anketimet sugjerojnë se shumica e kroatëve mendojnë se kryeministri Ivica Raçan iu dha në mënyrë të papranueshme kërkesave sllovene kur e nënshkroi marrëveshjen më 20 qershor.


Mosmarrëveshja e të dy vendeve lidhur me kufirin e tyre detar është që prej vitit 1991 kur të dy republikat u shkëputën nga federata jugosllave. Parlamenti kroat Sabor mundet edhe të mos pranojë ta sanksionojë marrëveshjen në vjeshtë, duke gjeneruar në këtë mënyrë një krizë të re në Ballkan.


Në qoftë si protestë Sllovenia do të vendosë kufizime kufitare, siç pritet, kroatët ka shumë të ngjarë të kenë probleme kur udhëtojnë përmes Sllovenisë drejt perëndimit dhe turistët e huaj mbi të cilët mbështetet ekonomia kroate mund të pengohen që të arrijnë në bregdetin e Adriatikut.


Ka disa mosmarrëveshje lidhur me kufirin tokësor, të cilat komisioni Badinter i përcaktoi pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Por nuk u krye asnjëherë një ndarje kufitare detare midis Kroacisë e Sllovenisë.


Bregdeti i Sllovenisë është vetëm 46 km i gjatë - rripi kroat në Adriatik është gati 40 herë më i gjatë-dhe nuk ka dalje në det tjetër.


Marrëveshja i jep Sllovenisë një korridor nautik dy milje të gjerë, përmes të cilit anijet sllovene mund të futen në ujërat ndërkombëtare. Në kthim, Sllovenia premtoi të përmirësojë lidhjet tokësore të Kroacisë me Europën Perëndimore duke aplikuar për qytetarët e saj një procedurë të përshpejtuar hyrjeje. Mosmarrëveshjet lidhur me disa zona në kufirin tokësor u përcaktuan gjithashtu në favor të Kroacisë.


Udhëheqja kroate thotë se marrëveshja është në të mirë të të dy vendeve. "Disa kompromise janë gjithnjë të domosdoshme," tha presidenti Stipe Mesiç, "dhe kjo është mënyra për të zgjidhur çështjet kufitare me Slloveninë. Në kompromise gjithnjë fitohet dhe humbitet diçka, por mendoj se Kroacia fitoi me shumë në këtë marrëveshje." Raçan paralajmëroi se pa zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare situata mund të përshkallëzohej në një krizë serioze.


Kroatët shpresojnë të nxjerrin përfitime të tjera nga marrëveshja, si rezoluta për problemet me të cilat përballen qytetarët kroatë që nuk janë në gjendje të kontrollojnë llogaritë e tyre në Ljubljanska Banka të Sllovenisë që prej shpërbërjes së Jugosllavisë.


Një tjetër nënprodukt i traktatit mund të jetë një marrëveshje për një uzinë të përbashkët bërthamore në Kërsko, në territorin slloven, që ka që në object debatesh. Të dy shtetet nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për një sërë çështjesh, përfshirë pronësinë e saj, sasinë e elektricitetit me të cilën duhet të furnizohet secila palë dhe vendi se ku duhet të depozitohen mbeturinat bërthamore. Spekullimet e shtypit sugjerojnë se Zagrebi dhe Lubjana mund të bëjnë një pagesë të përbashkët për Rusinë që të tërheqë mbetjet.


Megjithatë publiku në përgjithësi i ka pranuar pretendimet e opozitës se u arrit një marrëveshje e keqe dhe se Raçani do të bënte më mirë sikur të kërkonte ndërmjetësim ndërkombëtar. Anto Gjapiç, udhëheqës i Partisë Kroate të të Drejtave, një ekstremiste e djathtë, HSP, që është në aleancë me Bashkimin Demokratik Kroat, HDZ, të ish-presidentit Franjo Tuxhman, akuzoi qeverinë për përulje para kërcënimeve dhe për "shitjen e trashëgimisë së kombit".


Raçan do ta ketë të vështirë që ta kalojë marrëveshjen në parlament, gjë që kërkon një shumicë prej dy të tretash. Meqë edhe partnerët e koalicionit të tij në qeverinë e qendrës së majtë nuk janë të kënaqur me marrëveshjen, do të duhet një lobim jashtëzakonisht i madh për të marrë votat e duhura.


Por ai ka pak opsione në këtë nyje. Kroacia vetëm kohët e fundit ka ndërmarrë një pakt stabiliteti me Bashkimin Europian dhe nuk do të mund të përballonte një mosmarrëveshje kufitare me Slloveninë, që tashmë është një anëtare e asociuar e Bashkimit Europian. Pyetja e vetme është nëse parlamenti do të zgjedhë anëtarësimin potencial në BE ndaj krenarisë kombëtare.


Goran Ivanoviç punon si gazetar për shërbimin kroat të BBC-së.