Zagrebi kërnon një rilindje rajonale
Provincat e shumë vuajtura të Kroacisë po shpresojnë se qeveria e re do t'i nxjerrë ato nga gjendja e pasivitetit.
Zagrebi kërnon një rilindje rajonale
Provincat e shumë vuajtura të Kroacisë po shpresojnë se qeveria e re do t'i nxjerrë ato nga gjendja e pasivitetit.
Rajoni historik i Dalmacisë në brigjet e Adriatikut është cilësuar si "djepi i Kroacisë" nga udhëheqësit nacionalistë të vendit. Por megjithatë ata i ndryshuan me forcë emrin në Kroacia e Jugut kur Franjo Tugjman erdhi në pushtet në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Kjo ka qenë një fasadë gjuhësore, në përpjekje për të maskuar një proces nën të cilin rajoneve iu hoq autonomia politike, ekonomike dhe kulturore në emër të unitetit dhe rezistencës ndaj "shekujve të ndarjes kroate nga Viena, Budapesti dhe Beogradi".
Centralizimi i Kroacisë i lejoi Presidentit Tugjman dhe Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) të tij në pushtet për të shtrënguar kontrollin mbi të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, Zagrebi u shndërrua në një metropol ku është koncentruar pasuria, ndërsa provinca është varfëruar gjithnjë e më tepër.
Koalicioni i ri në pushtet planifikon të ndryshojë këtë trashëgimi të centralizimit duke ju dhënë provincave në Kroaci një autonomi më të madhe. Fakti që dy nga katër partitë pjesmarrëse në koalicionin qeveritar kanë një drejtim të theksuar rajonal të bën të mendosh se kjo cështje do të jetë një prioritet.
Në fakt, autoritetet kanë premtuar tashmë të shpërndajnë zhvillimin ekonomik në mënyrë më të barabartë në të gjithë vendin dhe tu japë rajoneve një pjesë më të madhe të të ardhurave nga taksat.
Ky qëndrim i ri është mirëpritur në Dalmaci e cila së bashku me Istrian ka qenë kritikja më e ashpër e centralizimit.
Banorët e Istrias e kanë shprehur kundërshtimin e tyre nga kësaj politike në zgjedhjet e fundit duke votuar në masë për partinë rajonale, Parlamentin Demokratik të Istrias. Përgjigja e Zagrebit ka qenë denoncimi i qeverisë lokale si irredentiste dhe pro-Italiane.
Autoritetet kanë goditur edhe më ashpër partinë rajonale të Dalmacisë, Veprimin Dalmat, në fillim të viteve 1990. Anëtarët e saj u akuzuan se kishin organizuar hedhjen në erë të zyrave të tyre në Split. Pas një farse të gjatë gjyqësore ata u liruan nga gjykata ushtarake. Por dëmi tashmë ishte bërë. Partia ishte penguar dhe kishte dalë jashtë loje.
Pabarazia ekonomike ishte një nga pasojat më të rënda të kësaj politike centralizimi.
Dalmacia ka qenë një rajon i pasur. Por papunësia është rritur së tepërmi gjatë dekadës së fundit, vecanërisht në portin e Splitit i cili dikur ka qenë një pikë e rëndësishme ekonomike. "Është gjendje katastrofike që sipas statistikave një ndër tre studentë nuk do të mund të gjejnë një punë pas përfundimit të studimeve," thotë Dr. Srxjan Vrqan, profesor në Universitetin e Splitit.
Megjithatë, disa praktika jo demokratike si udhëheqja autoritare e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) do të jenë më të vështira për tu ndryshuar. Megjithëse opozita fitoi zgjedhjet në Zagreb në vitin 1995, Tugjman vendosi me urdhër emërimin e kryetarit të ri të bashkisë duke manipuluar votat. Qytete me bukuri të jashtëzakonëshme dhe tradita, si Dubrovnik, Sibenik, dhe Zadar, të cilat janë dëmtuar rëndë gjatë luftës në Kroaci, nuk kanë përfituar sa duhet investime pas konfliktit. Ato kanë vuajtur një shpopullim dhe si rezultat ka pasur edhe një rënie drastike ekonomike.
Qytetet dalmate po shkatërrohen dhe po shndërrohen në qendra të varfërisë ku tregu i zi është bërë baza e ekonomisë dhe e jetës, thuhet në një studim të përgatitur për rajonin.
Qeveria e mëparëshme e HDZ-së kishte planifikuar të ndërtonte një autostradë nga Zagrebi në Dubrovnik, nëpërmjet Bosnjës, duke anashkaluar Dalmacinë. Autoritetet rajonale e kundërshtuan këtë ide me force,por pa sukses. Me sa duket obsesioni i HDZ për të lidhur Bosnien me Kroacinë, ishte aq i madh sa ata kanë lënë pas dore edhe një pjesë të vendit të vet.
Privatizimi në Kroaci ka shërbyer gjithashtu për të përforcuar pabarazinë gjeografike. Zyrtarët në Zagreb janë pasuruar duke blerë me cmime të ulta koncernet rajonale tregtare.
Në Dalmaci, shumë nga firmat e blera në këtë periudhë tashmë janë të shkatërruara, dhe puntorët janë hedhur në rrugë. Potenciali ekonomik i shtetit ka përfunduar në duart e elitës politike në Zagreb dhe jo në ato të punëtorëve.
Autoritetet e reja kroate kanë premtuar se do të ndryshojnë këto politika të së kaluarës. Por duke parë dëmet që kanë pësuar rajonet e Kroacisë në të kaluarën, detyra për rindërtimin e tyre mund të jetë një nga sfidat më të mëdha dhe më të vështira për qeverinë e re kroate.
Goran Veziq është bashkëpunëtor i ri i IWPR-së në Split.