VOJVODINA NËN NJË VALË SULMESH ETNIKE

Pakicat njoftojnë për një numër në rritje të sulmeve nga nacionalistët serbë.

VOJVODINA NËN NJË VALË SULMESH ETNIKE

Pakicat njoftojnë për një numër në rritje të sulmeve nga nacionalistët serbë.

Monday, 21 February, 2005

“Unë kam frikë nga huliganët të cilët na shajnë dhe sulmojnë sepse flasim shqip,” thotë Nusret Gashi. “Policia na mbron por ata nuk arrijnë gjithmonë në kohë”.

Gashi, 30 vjec, gruaja e tij dhe katër fëmijët jetojnë në një frikë të përherëshme nga sulmet e ekstramistëve serbënë shtëpinë e tyre të vogël në Veliki Rit, një rrethinë në Novi Sad, Vojvodinë.

Familja Gashi nuk janë shqiptarë por anëtarë të komunitetit ashkali, janë refugjatë të larguar nga dhuna shqiptare në Kosovë, të cilët janë larguar pas sulmeve ajrore të NATO-s dhe largimit të forcave serbe nga Kosova.

Në ndryshim nga shumë patriotë të tyre, të cilët janë detyruar të jetojnë në qendra kolektive për refugjatët dhe në qendrat e romëve, Gashi ka gjetur një punë dhe nxjerr jetesën e tij.

Por për familjen Gashi – ashtu si edhe për shumë anëtarë të pakicave të tjera në Vojvodinë – jeta është vështirësuar edhe më tepër pas sulmeve të dhunëshme ndaj serbëve në Kosovë në mesin e muajit mars, të cilat kanë shkaktuar sulme hakmarrëse ndaj jo serbëve në Vojvodinë.

Natën ndërmjet 17 dhe 18 mars, kur përleshjet kanë arritur pikën më të lartë në Kosovë, familja Gashi është detyruar të kalojë natën e fshehur në një kënetë pasi kanë pasur frikë nga ekstremistët serbë të cilët kanë kërcënuar se do të djegin shtëpitë e tyre.

Ndërsa drejtuesit politik të Vojvodinës kanë dënuar shkallëzimin e sulmeve ndaj pakicave kombëtare, dështimi i policisë për të arrestuar shumë prej fajtorëve ka shtuar tensionet në provincë.

Parrulla në të cilat shkruhet “vdekje hungarezëve” dhe “hungarezë shkoni në Hungari” (me mbi 300,000 banorë, hungarezët përbëjnë pakicën kombëtare më të madhe në Vojvodinë) shihen në muret e shumë qyteteve në Vojvodinë.

Por problemi është më i madh se vetëm parrullat. Në fund të muajit mars, një grup njerëzish ka dëmtuar një varrezë katolike në Subotica, një qytet në kufirin me Hungarinë ku hungarezët katolik dhe kroatët përbëjnë shumicën e popullsisë.

Pothuajse në të njëjtën kohë, disa huliganë kanë qëlluar me gurë një kishë protestante sllovake dhe një qendër kulture sllovake në Backa Palanka.

Në Gjurgjevo, dritaret e disa shtëpive të banorëve të pakicës rutheniane janë thyer, një qendër kulturore është dëmtuar dhe shenjat e rrugëve në gjuhën rutheniane janë dëmtuar.

Autoritetet serbe kryesisht bëjnë një sy të verbër ndaj kësaj dhune. Pas sulmit ndaj qendrës kulturore dhe kishës sllovake e në kishe adventiste në Backa Palanka, prokurori i qytetit, Pavle Kolar, ka ngulur këmbë se dhuna nuk ka dimension nacionalist për ta.

Vladimir Jesiq, një gazetar nga TV Novi Sad Apolo, mendon se ky lloj qëndrimi është pjesë e problemit. Autoritetet insistojnë se sulmet ndaj pakicave në Vojvodinë janë akte vandalizmi, duke mos pranuar motivet nacionaliste apo sektariane.

“Policia dhe sistemi i drejtësisë i trajtojnë dritaret e thyera të një kishe në të njëjtën mënyrë si xhamat e thyer të një kioske,” ka thënë Jesiq.

Zdravko Marjanoviq, nga Shoqata për Tolerancë, një grup civil me qendër në Backa Palanka, ku Partia Socialiste e Serbisë dhe e Majta e Bashkuar Jugosllave, kanë pushtetin, thotë se sulmet më të fundit ndaj kishave nuk janë raste të izoluara.

“Kryetari i bashkisë së fundi ka thënë gjatë një takimi ndërkombëtar se gjendja në bashki është e shkëlqyer,” ka thënë Marjanoviq. “Por kjo nuk është e vërtetë. Politikanët po përpiqen të paraqesin gjendjen në një mënyrë e cila është shumë larg nga e vërteta”.

Andras Agoston, kryetari i Partisë Demokratike të hungarezëve në Vojvodinë, thotë se “ngjarjet tragjike në mars në Kosovë” kanë pasur ndikimin e tyre edhe në Vojvodinë.

Ai ka thënë se ngacmimi i pakicave në Vojvodinë është bërë një ngjarje e përditëshme, megjithëse pjesa më e madhe e incidenteve, si sulmet fizike dhe ato me fjalë, shkrimet kërcënuese në mure dhe sulmeve ndaj varrezave dhe monumenteve të tjera, kalon pa u vënë re.

Viktimat nuk njoftojnë për incidentet në polici nga frika e raprezaljeve, ka thënë ai, sepse policia rrallë i kap apo dënon fajtorët.

“Më 22 maj, dy hungarezë në Temerin janë rrahur por askush nga media nuk ka njoftuar për këtë,” ka shtuar Agoston.

Agoston ka thënë se pakicat në Serbi tani janë më keq se sa në cdo moment që prej rrëzimit të regjimit nacionalist të Sllobodan Millosheviq.

“Më herët, përfaqësuesit politik kanë qenë në qendër të sulmeve, ndërsa tani këto probleme i kanë njerëzit e thjeshtë,” ka thënë Agoston, duke akuzuar qeverinë se “po anashkalon krejtësisht cështjen e pakicave kombëtare”.

Shtimi i sulmeve ndaj pakicës hungareze po shkakton shqetësim edhe në Hungari, tani një shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ministri i jashtëm i Hungarisë, Lazslo Kovac, i ka telefonuar kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica në fillim të prillit duke i kërkuar Beogradit të “ndërmarrë një qëndrim të fortë për sa i përket dhunë ndaj pakicës hungareze në Vojvodinë”.

Vojvodina ka qenë historikisht një zonë shumë etnike, me mbi 20 komunitete etnike të regjistruara në regjistrimin e popullsisë në vitin 2002, të cilat përbëjnë më tepër se një të tretën e popullsisë.

E njohur më parë për harmoninë e saj etnike, provinca është tronditur nga ndryshimet që kanë pasuar shpërbërjen e Jugosllavisë, kur regjimi i Millosheviqit ka filluar të nxisë nacionalizmin serb.

Një prej shenjave të para ka qenë spastrimi etnik i fshatit katolik Hrtkovci në vitin 1992, ku refugjatët serbë nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje kanë dëbuar banorët kryesisht kroatë me mbështetjen e drejtuesit të Partisë Radikale Serbe, SRS, Vojisllav Sheshelj.

Shumë nga fshatrat ku janë vendosur refugjatët serbë në vitet 1990 janë shndërruar në bastione të SRS, kandidati i së cilës, Tomislav Nikoliq, pritet të arrijë një rezultat të mirë në Vojvodinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 13 qershorit.

Të moderuarit politik, si Nenad Canak dhe Joszef Kasa, drejtuesit e Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës dhe Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, nuk kanë pasur sukses në ndalimin e përhapjes së dhunës.

Por nëse Nikoliq fiton zgjedhjet presidenciale, shumë njerëz presin që pozita e pakicave në Vojvodinë – dhe në të gjithë Serbinë – do të keqësohet edhe më tej.

Aleksandra Vujiq, një sociologe dhe analiste politike nga Qendra e të Drejtave të Njeriut në Novi Sad, ka thënë se dhuna ndaj pakicave në Vojvodinë është shtuar ndjeshëm, për shkak të zhvillimit të dobnët të koshiencës civile të popullsisë.

Të rinjtë në Serbi, ka thënë Vujiq për IWPR, kanë “nevojë të identifikohen”. Ai shton se “Ata e identifikojnë veten me gjënë më të lehtë, kombin, i cili në Ballkan lidhet edhe me përkatësinë fetare. Gjëja më e lehtë është të jesh një ortodoks serb dhe të shohësh cdo gjë tjetër si një kërcënim”.

Vujiq ka thënë se mungesa e veprimeve nga ana e policisë e ka përkeqësuar gjendjen: “policia është ende e paqartë kur bëhet fjalë për parimet demokratike dhe nuk i përballon mirë rastet e urrejtjes ndër etnike”.

Megjithëse pak njerëz besojnë se Vojvodina do të shohë përsëri dhunë në shkallë të gjerë si në kohën e Millosheviqit, shumë anëtarë të komuniteteve të pakicave kanë filluar të dyshojnë mbi të ardhmen e tyre në Serbi.

“Nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, kjo mund të shndërrohet në një pjesë të jetës së përditëshme,” thotë Dinko Gruhonjiq, një kroat nga Novi Sad. “Pjestarë të disa grupeve, si kroatët, nuk do të ndjehen të qetë dhe do të duan të largohen”.

Një grua serbe nga Novi Sad, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka thënë për IWPR se ajo është e shqetësuar për të ardhmen e dy fëmijëve të saj, të cilët studjojnë në universitetin e qytetit, për shkak të shtimit të veprimeve ultra nacionaliste.

“Indiferenca ndaj shtimit të nacionalizmit në kohën e Millosheviq na coi në luftë,” thotë ajo. “Për këtë arësye shtimi i nacionalizmit dhe suksesi i radikalëve duhet të na alarmojë të gjithëve, vecanërisht ata të cilët drejtojnë këtë vend”.

Jan Briza është një gazetar i së përditëshmes Dnevnik në Novi Sad. Tanja Matiq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.

Support our journalists