Vdekja Virtuale e Millosheviqit
Jugosllavët këta javë janë zhgënjyer kur kanë mësuar se një njoftim në faqen e internetit për vdekjen e presidentit Sllobodan Millosheviq ishte vepër e piratëve të kompjuterave.
Vdekja Virtuale e Millosheviqit
Jugosllavët këta javë janë zhgënjyer kur kanë mësuar se një njoftim në faqen e internetit për vdekjen e presidentit Sllobodan Millosheviq ishte vepër e piratëve të kompjuterave.
Sllobodan Millosheviq, presidenti i Republikës Federative të Jugosllavisë - i cili javën e kaluar ndryshoi kushtetutën për të qëndruar në pushtet deri në 2009 - më së fundi është mundur. Jo nga opozita, por nga vdekja.
Doktorët e një ekipi special në spitalin "Dragisha Misoviq" kanë lëshuar një njoftim ku lajmërohej se Sllobodan Millosheviq ndërroi jetë gjashtë minuta pas orës dy të mëgjesit duke u gdhirë e mërkurë. Pasi luftoi për jetën disa orë, presidenti më në fund vdiq nga një hemoragji e brendshme e shkaktuar nga një shpërthim në bunkerin e tij në lagjen ekskluzive të Beogradit, Dedinje.
Ky ka qenë afërsisht teksti i njoftuar në faqen e internetit të gazetës Politika rreth orës 10 të mëngjesit të mërkurën më 12 korrik. Piratë të panjohur kanë vendosur këtë lajm "ekskluziv" në krye të faqes dhe u kanë bërë thirrje lexuesve të "ndjekin këtë faqe interneti për lajme të tjera në këtë moment të tmerrshëm për të gjithë serbët".
Politika mbylli faqen e saj të internetit (www.politika.co.yu) menjëherë. Nga e enjtja për çudi nuk ishte e mundur të hyje dhe të lexoje titujt triumfues të Politikas që lavdërojnë presidentin për zgjuarësinë e tij të rrallë duke sulmuar shpesh edhe SHBA-në, Kroacinë, Malin e Zi, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Britaninë e Madhe, Hollandën, Gjermaninë dhe Francën. Në fakt Politika nuk mund të gjejë asnjë vend të ndershëm në botë - me përjashtimin e Kinës, Rusisë, Irakut, Miamar (ish-Birmania), Vietnami, Kuba dhe, natyrisht, Korea e Veriut.
Në Beograd vrasja virtuale e Sllobodan Millosheviqit ka shkaktuar kënaqësi dhe zhgënjim në të njëjtën kohë. Keqardhja që vdekja ka qenë vetëm e imagjinuar është përzier me admirimin për piratët e internetit.
Që Sllobodan Millosheviq është shëndoshë e mirë, i padëmtuar nga ndonjë shpërthim, është konfirmuar nga Politika të enjten më 13 korrik. Ai ishte si gjithnjë në faqe të parë duke takuar një delegacion nga Bashkimi Patriotik i Jugosllavisë. "Shumica dërrmuese e qytetarëve mbështesin Bashkimin dhe Pavarësinë e Republikës Federative të Jugosllavisë," njoftonte titulli për të konfirmuar kështu se çdo gjë është në rregull. Lexuesit janë informuar gjithashtu se "Amerika vjen pas Jugosllavisë" - natyrisht në volejboll.
Në fakt propaganda patriotike është rritur në ato nivele saqë Serbia në vitin 2000 ka marrë një pamje oruelliane. Propaganda e Millosheviqit na serviret rregullisht si një perlë që edhe vetë Xhorxh do të kishte qenë krenar. Këto janë nja dy shembuj.
"Punëtorët tanë të tekstilit ishin përpara planit edhe kur bombat binin dhe prodhimet tona, pavarësisht nga sanksionet mizore, kërkohen shumë pikërisht në ato vende që na sulmojnë" dhe "ata po sjellin këtu sindikata, fondacione, bursa dhe budallallëqe të tjera me qëllim që të bëjnë punëtorët të harrojnë interesat e tyre të vërteta."
As Kosova nuk e ka humbur vlerën e saj propagandistike. Disa ditë më parë, gjeneral Vladimir Lazareviq, komandant i armatës së tretë, ka deklaruar: "Askund në këtë planet nuk shihet më mirë imoraliteti i perëndimit se sa në Kosovë dhe Metohi. Sot kishat, manastiret, ikonat dhe afresket serbe po digjen në tokën e shenjtë serbe, por kriminelët dhe ndihmësit e tyre duhet të dinë se parardhësit tanë dhe shenjtorët digjen në zemrat tona. Armata e tretë është një ikonostas i fytyrës së shenjtë të një të fitoreje të ardhshme ndaj një agresori të degjeneruar që kërkon shkatërrimin e civilizimit. Ky monstër është NATO-ja - e drejtuar nga SHBA".
Por si mund të luftohet ky monstër? Natyrisht me fjalë.
Disa ditë më parë një tabelë përkujtimore është zbuluar në Beograd, këtë herë në vendin ku raketat e NATO-s qëlluan fabrikën "21 Maj". E bërë me mermer të zi, në tabelë shkruhej: "Ky monument, kjo gërmadhë, ëshë ngritur nga kriminelët e mëposhtëm gjatë jetës së tyre: Presidenti i Amerikës Bill Klinton, Kryetari i Anglisë Toni Bler, Sekretarja e Amerikës Medlin Ollbrajt, (kështu janë shkruajtur në origjinal) dhe shërbëtorët e tyre të bindur. Le të shërbejë ky monument si një memorial për brezat e ardhshëm për të keqen që sulmoi botën dhe për qëndresën heroike të popullit tonë në vitin 1999."
Elementare, e pasaktë dhe analfabete - ky është një shembull perfekt i "arritjeve" të regjimit serb, dialogu i vetëm i të cilit me perëndimin bëhet nëpërmjet shkrimeve mbi pllaka përkujtimore. Ky vend po marshon krenar dhe fuqimisht drejt shkatërrimit shpirtëror dhe intelektual duke zmadhuar gjithnjë e më shumë budallallëkun e tij.
Kjo na sjell prapë tek vrasësit virtualë. Me mënyrën e tyre ata kanë dhënë një goditje për të sjellë njerëzit në vete - ashtu si edhe ne, ata janë të ngopur me këtë gjendje.
Petar Lukoviq është komentator i mirënjohur në Beograd.