VAZHDON DHUNA NDER ETNIKE
Një kishë serbe dhe disa shtëpi janë djegur në qytetin e Obiliq, ndërsa kryeqytetet e Serbisë dhe Kosovës janë më të qeta pas përleshjeve të natës së kaluar.
VAZHDON DHUNA NDER ETNIKE
Një kishë serbe dhe disa shtëpi janë djegur në qytetin e Obiliq, ndërsa kryeqytetet e Serbisë dhe Kosovës janë më të qeta pas përleshjeve të natës së kaluar.
Dhuna etnike po vazhdon në Kosovë, pas një dite dhe nate përleshjesh të cilat kanë shkaktuar të paktën 22 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur.
Një kishë ortodokse dhe disa shtëpi të pakicës serbe njoftohet se po digjen në qytetin veri perëndimor të Obiliq. Në qendër të qytetit ka shumë tension ndërsa paqeruajtësit e NATO-s dhe policia e Kosovës kanë bllokuar rrugën dhe janë përballë një turme të madhe shqiptarësh.
Si rezultat i dhunës, NATO ka njoftuar se do të dërgojë përforcime nga trupat e SFOR në Bosnje në ndihmë të 17,000 trupave të KFOR të cilat gjenden momentalisht në Kosovë.
Një zëdhënës ka thënë për median se dy njësi të tjera janë në pritje dhe do të dërgohen në Kosovë nëse trazirat vazhdojnë.
Sulmet në Obiliq kanë ndodhur një ditë pas shpërthimit të dhunës në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Përleshjet të cilat mesa duket janë shkaktuar nga një informacion se mbytja e tre fëmijëve shqiptarë është shkaktuar nga një grup serbët të cilët i kanë detyruar ata të hidhen në lumin Ibër – kanë qenë më të rëndat gjatë pesë vjetëve të fundit që Kosova ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
Si rezultat i përleshjeve në Mitrovicë dhe Prishtinë, KFOR ka evakuar disa qindra serbë nga disa enklava natën e kaluar, dhe dëshmitarë okularë thonë se shqiptarët kanë sulmuar dhe shkatërruar pronat dhe shtëpitë e tyre.
Sot, një qetësi e frikëshme mbizotëron në të dyja kryeqytetet dhe në Mitrovicë. Trupat e KFOR nuk janë shumë të dukshëm në rrugët e Prishtinës, ndërsa dyqanet dhe shërbimet e tjera janë hapur si zakonisht.
Gjendja në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, gjithashtu përshkruhet si “normale”, pas një nate të dhunëshme në qytet. Disa qindra njerëz kanë dalë nëpër rrugë natën e kaluar për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si paaftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur pakicën serbe në Kosovë. Demonstrimet janë bërë të dhunëshme në orët e para të mëngjesit, dhe njoftohet se një xhami është shkatërruar në qytetin jugor të Serbisë, Nish.
Rreth njëqind djem të rinj, të cilët mendohet se kanë qenë tifozë të ekipeve të futbollit Ylli i Kuq dhe Partizan, kanë carë kordonin e policisë që mbronte xhaminë e shekullit të 17 Bajrakli në rrugën Gospodar Jevremova, në qendër të Beogradit.
Dëshmitarë okularë kanë përshkruar se si turma e djemve të rinjtë dehur kanë filluar të bërtasin “Vdekje Shqiptarëve” dhe “Serbia është Zgjuar”, përpara se të shpërthenin kordonin e policëve të pa pajisur me mjete mbrojtëse, dhe i kanë vënë flakën ndërtesës.
Pas kësaj, turma është zhvendosur në qendër të qytetit ku ndodhen edhe shumica e ambasadave të huaja, dhe ku janë përplasur me policinë deri në orën 3 të mëngjesit.
Shërbimi i lajmeve F18, ka njoftuar se pasi një drejtues i lartë i kishës Ortodokse, peshkopi Amfilohije i Malit të Zi, i është drejtuar turmës përreth xhamisë, zjarrfikësit kanë mundur të ndërhyjnë dhe të shpëtojnë ndërtesën kryesore të xhamisë.
Gazetarët e IEPR në vend po përgatisin një edicion të vecantë për krizën, përfshirë tregime nga dëshmitarë okularë mbi përleshjet në Kosovë dhe Serbi, dhe analizë mbi shkaqet që cuan në shpërthimin e luftës.
Alison Freebairn është një redaktor i IEPR në Londër.