Trupat e KFOR-IT nën akuzë

Trupat franceze të KFOR-it në Mitrovicë akuzohen se nuk kanë ndihmuar viktimat e dhunës serbe.

Trupat e KFOR-IT nën akuzë

Trupat franceze të KFOR-it në Mitrovicë akuzohen se nuk kanë ndihmuar viktimat e dhunës serbe.

Friday, 11 February, 2000

Oficerë policie të Kombeve të Bashkuara dhe banorët shqiptarë lokalë kanë deklaruar se trupat franceze të KFOR-it nuk u janë përgjigjur kërkesave për ndihmë gjatë dhunës serbe në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës javën e kaluar.


Përleshjet, të cilat kanë shkaktuar gjashtë shqiptarë dhe dy turq të vdekur, kanë filluar pas sulmeve ndaj një kafeneje dhe një autobusi të KB-së gjatë të cilave u vranë dy serbë.


"Trupat franceze të KFOR-it mund të na kishin ndihmuar - dhe ndoshta kjo mund të kishte shpëtuar disa jetë njerëzish," tha një oficer i policisë. "Unë nuk dua të bëj me faj vetë trupat franceze, por dikush ka dhënë një urdhër shumë të gabuar, dhe për fat të keq disa njerëz kanë vdekur për shkak të atij urdhëri."


Pas një sulmi me granatë mbi një kafene të mbushur me të rinj serbë, ku u plagosën 15 njerëz, një turmë prej disa qindra serbësh të zemëruar u mblodhën në rrugën Lole Ribar përreth një apartamenti ku banonin disa familje shqiptare.


Oficerët e policisë së OKB dhe shqiptarët u rrethuan në një ndërtesë. Trupat franceze aty pranë u thirrën për të ndihmuar, por siç njoftohet u tërhoqën për në postkomandën e tyre.


Një dëshmitar okular shqiptar thotë se një grup serbësh të rinj në moshë u sulën në ndërtesën e tij. Ata hynë në apartamentin e tij dhe kërkuan që ai dhe familja e tij të largoheshin nga kjo zonë. Më pas ai dëgjoi një shpërthim dhe të shtëna armësh sipër apartamentit të tij dhe më pas zbuloi trupin e një fqinjes së tij plakë në apartamentin e saj. Më pas mbërritën dy ushtarë të KFOR-it dhe serbët u larguan nga ndërtesa.


Komandanti francez në qytet, kolonel Zhan Filip Bernar, ka hedhur poshtë deklaratat se trupave të tij u është kërkuar nga policia e KB-së që të ndërhyjnë.


Megjithatë, në librat e shërbimit të policisë së KB-së, janë shënuar dy kërkesa për ndihmë bërë trupave franceze të KFOR-it. Bernar ka thënë se trupat e tij ishin vendosur për të përmbajtur dhunën dhe parandaluar shpërndarjen e trazirave në pjesën jugore të qytetit, një detyrë të cilën ata e përmbushën. Për më tepër, ka thënë ai, trupat franceze atë natë kanë evakuar 120 persona.


Të enjten komandanti i KFOR-it gjenerali Klaus Reinhard tha se ai nuk ka asnjë dyshim që trupat franceze kanë bërë "maksimumin e mundshëm në ato rrethana të vështira. Dhe, meqënëse shtypi përmban akuza dhe ankesa të ngjashme nga të dyja palët ndaj KFOR-it, atëherë mendoj se përgjigja jonë duhet të ketë qenë të paktën e balancuar."


Ndërkohë, vazhdon të jetë në fuqi një ndalim qarkullimi gjatë natës, në të gjithë qytetin. Zëdhënësi i KFOR-it togeri Filip Anido tha të martën se gjëndja e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe se trupa gjermane dhe italiane u ishin bashkuar trupave franceze dhe daneze për të përforcuar operacionet e sigurisë të KFOR-it në atë qytet. Të premten një kontigjent tjetër prej rreth 140 ushtarësh britanikë ka arritur në qytet.


Ndërsa shqiptarët duket se kanë mirëpritur mbërritjen e trupave britanike, zëdhënësi serb Oliver Ivanoviq, një anëtar i Këshillit Kombëtar Serb të Mitrovicës, ka qenë më pak entuziast. "Gjatë këtyre muajve të fundit, ushtarët britanikë nuk kanë ndihmuar me prezencën e tyre për të mbrojtur serbët," ka thënë ai, duke theksuar se popullsia serbe në Prishtinë, e cila patrullohet nga forcat britanike, ka ardhur gjithnjë e më në ulje, dhe nga rreth 40,000 serbë, tani aty kanë mbetur vetëm disa qindra.


Ivanoviq tha se ai i kishte bërë thirrje gjeneralit Reinhard që të shtonte përpjekjet për të vendosur nën kontroll ekstremistët shqiptarë.


Shtimi më i fundit i dhunës ka përforcuar thirrjet serbe për ndarjen e Kosovës. Sipas Radio B92 në Beograd, Ivanoviq ka thënë se ai pret që pjesa veriore e Mitrovicës dhe pjesa veriore e Kosovës të ketë një status special më një nivel të lartë autonomie.


Në të njëjtën kohë, udhëheqësit shqiptarë kanë akuzuar "terroristët paraushtarakë serbë" se janë fajtor për shpërthimin e dhunës brenda dhe rreth qytetit të Mitrovicës. Sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara të botuara në median shqiptare, rreth gjashtë autobusë të mbushur me paraushtarakë serbë kanë arritur në Mitrovicë javën e kaluar.


Këshilli Administrativ i Përbashkët i sapokrijuar u ka bërë thirrje të dyja palëve për "t'u përmbajtur nga dhuna e mëtejshme dhe nga veprimet e hakmarrjes" dhe për të bashkëpunuar me KFOR-in dhe policinë e KB-së.


Megjithatë, ndërhyrja, ka bërë që udhëheqësit lokalë të akuzojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë për pazotësi. Hashim Thaqi, ish kryetar i qeverisë së përkohëshme të Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se si KFOR-i ashtu edhe policia e KB-së janë fajtor për neglizhencën e treguar prej tyre në Mitrovicë.


Llazar Semini është manaxher projekti i IWPR-së në Kosovë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists