Trazira Para-Elektorale në Bosnje

Dhuna e kohëve të fundit në Bosnje mund të jetë pjesë e një fushate të planifikuar për të rritur tensionet ndëretnike dhe mungesën e besimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Trazira Para-Elektorale në Bosnje

Dhuna e kohëve të fundit në Bosnje mund të jetë pjesë e një fushate të planifikuar për të rritur tensionet ndëretnike dhe mungesën e besimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Shtatë njerëz u plagosën, 14 u arrestuan, tre shtëpi të djegura dhe rreth 50 të tjera të dëmtuara, kur refugjatë të kthyer muslimanë u sulmuan nga serbë të Bosnjes në qytetin verilindor të Janjas javën e kaluar. Dhuna shpërtheu si pasojë e dëbimit të planifikuar të serbëve të Bosnjes - në shumë raste edhe ata vetë të zhvendosur - nga shtëpitë e myslimanëve.


Myslimanët u sulmuan me shkopinj, gura dhe granata dore. Disa u larguan apo u mbyllën nëpr shtëpi. Të tjerët u përgjigjën në të njëjtën mënyrë. Dhuna zgjati për tre ditë me rradhë, duke i detyruar autoritetet lokale të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të kërkonin ndihmën e udhëheqjes së serbëve të Bosnjes.


Vetëm kur media boshnjake njoftoi se një forcë paqeruajtëse e drejtuar nga NATO-ja do të merrte nën kontroll qytetin nëse gjendja nuk qetësohej brenda 24 orëve, dhuna pushoi. Zyrtarë të NATO-s më pas përgënjeshtruan faktin se ata kishin lëshuar një paralajmërim të tillë.


Ndërmjetësuesi më i lartë ndërkombëtar i Bosnjes, Volfgang Petriç e dënoi këtë shpërthim dhune. "Ata që kanë marrë pjesë në demonstratat dhe sulmet jo vetëm që kanë sulmuar myslimanët e kthyer, por edhe ligjin dhe rendin dhe sjelljen e civilizuar demokratike," ka thënë ai në një deklaratë të bërë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR.


Disa njerëz mendojnë se dhuna në Janja - e cila pasoi episode të ngjashme në Maglaj dy javë më parë - nuk ka qenë një incident i izoluar. Sejfudin Tokiq, zëvendës president i Partisë Social Demokrate të opozitës, SDP, ka deklaruar publikisht se një fushatë e orkestruar ka filluar me synim rritjen e tensionit etnik dhe mosbesimin në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për në nëntor.


Tokiq mendon se në këtë mënyrë SDS e serbëve të Bosnjes, HDZ kroate dhe SDA myslimane, të gjitha parti nacionaliste, shpresojnë të përmirësojnë rezultatet e tyre në zgjedhje. Shumë analistë vendas dhe perëndimorë bien dakort me këtë pikpamje të tij.


Partitë nacionaliste në pushtet kanë pësuar një rënie konstante të përkrahjes duke filluar që nga zgjedhjet e vitit 1996, 1997 dhe 1998. Përkrahja për to ka rënë përsëri edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura prillin e kaluar.


Pas humbjes së saj në zgjedhjet lokale në prill, SDA-ja duket se është veçanërisht në gjendje të vështirë. Të vënë me shpatulla pas murit, nacionalistët mund të përdorin masa ekstreme për të qëndruar në pushtet.


Shqetësimi për zgjedhjet mund të jetë edhe arësyeja për shtrëngimin e kontrolleve ndaj mediave kohët e fundit. Pas disa vitesh përkrahje për SDA-në, e përditshmja e Sarajevos, Dnevni Avaz kohët e fundit ka marrë një pozicion gjithnjë e më të pavarur, dhe kritik ndaj partisë myslimane në pushtet. Si rrjedhojë, gazeta ka humbur mbështetjen financiare dhe lehtësira të tjera që ka pasur më parë dhe pothuajse u mbyll nga autoritetet e taksave.


Po ashtu, spikeri i njohur i televizionit dhe kryeredaktor i televizionit të Bosnjes, BHTV, Senad Haxhifejzoviq, është larguar nga posti i tij javën e kaluar. Haxhifejzoviq ka qenë për shumë kohë një njeri i afërt i drejtuesit të SDA-së dhe anëtarit mysliman të presidencës trepalëshe të Bosnjes, Alija Izetbegoviq. Ai thotë se është larguar nga gazetarët e punësuar në BHTV nga kryeministri federal dhe nënkryetar i SDA-së, Etem Biçakçiq, i cili mendohet se ka plane për të zëvendësuar Izetbegoviqin plak.


Ofensive e SDA-së ndaj mediave nuk ka ndaluar revistat e pavarura Slobodan Bosna dhe Dani të nxjerrin në dritë skandale të reja të cilat implikojnë Biçakçiqin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SDA-së në korrupsion dhe krim. Të enjten e kaluar Volfgang Petriç pushoi nga detyra drejtorin e zyrës së taksave Ramiz Xhaferoviq. Ai ishte përmendur si një nga njerëzit e korruptuar në një sërë artikujsh në këto dy revista.


"Si drejtor i Administratës së Taksave të Federatës, zoti Xhaferoviq, nëpërmjet veprimeve personale të gabuara, ka dëmtuar përpjekjet për reforma ekonomike," thuhej në deklaratën e OHR-së. "Zoti Xhaferoviq gjithashtu nuk ka zbatuar ligjet dhe regullat e Administratës së Taksave të Federatës në mënyrë të ndershme, sistematike dhe transparente."


Ndoshta drejtori i ri i zyrës së taksave do të mendohet mirë përpara se të lejojë të tjerët ta përdorin për të ngacmuar gazetat e bezdisshme. Si të gjithë zyrtarët publikë të shkarkuar nga OHR, Xhaferoviq përballet edhe me dënimin e moslejimit për të kandiduar në zgjedhje, apo për të zënë një vend në administratën publike.


Të nesërmen Petriç ka shkarkuar menjëherë Bordin e Guvernatorëve të stacionit më të madh televiziv të serbëve të Bosnjes, RTRS, dhe ka emëruar një bord të ri. "Ky vendim u morr si rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Republika Srpska dhe Asamblesë Kombëtare të RS-së për të aprovuar një ligj të ri për RTRS-në në mënyrë që të afrojë atë me standartet ndërkombëtare të transmetimeve publike," ka thënë ai.


Veprimet e Petriçit mund të shihen si pjesë e një spastrimi të gjerë në prag të zgjedhjeve. Të gjithë, si partitë nacionaliste edhe ato të opozitës, si edhe media e pavarur dhe ajo shtetërore, dhe komuniteti ndërkombëtar kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.


Në të vërtetë këto zgjedhje mund të jenë të një rëndësie jetësore për Bosnjen. Nëse partitë nacionaliste ruajnë pjesën e tyre të pushtetit, apo e rrisin edhe më tej atë, komuniteti ndërkombëtar dhe donatorët mund të vendosin se Bosnja Hercegovina është një rast i pashpresë dhe të abandonojnë vendin në fatin e tij të errët nacionalist.


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists