TË ARMATOSUR DERI NË DHËMB

Çarmatimi i civilëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kërkon që ata t'i shohin armët si një kërcënim, dhe jo garanci për siguri.

TË ARMATOSUR DERI NË DHËMB

Çarmatimi i civilëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kërkon që ata t'i shohin armët si një kërcënim, dhe jo garanci për siguri.

Tuesday, 6 September, 2005

Emin Limani është i mbushur me djersë derisa i mbledh armët një nga një - dhe më pas i hedh për tu shkrirë në një furrë. Këto armë shkrihen në kuadër të një programi për çarmatim në Kosovë.


Por ky program është vetëm në fillimet e tij dhe mbetet shumë për të bërë. Mendohet se në Kosovë gjenden disa qindra mijëra armë të cilat mbahen në mënyrë të paligjëshme, dhe heqja e tyre nga qarkullimi është një detyrë shumë e vështirë.


Sfida e vërtetë është të binden njerëzit se dorëzimi i armëve është një veprim i drejtë. Dhe për këtë duhen bindur njerëzit e thjeshtë, si Emini. Pavarësisht nga puna që bën, ai nuk është i bindur për nevojën e çarmatimit. Ai nxihet në fytyrë kur IWPR e pyet se çfarë mendon për shkrirjen e armëve,


"Më vjen shumë keq që po i shkatërroj, por çfarë të bëj?" thotë ai nën zë, sikur t'i vijë turp për punën që po bën.


Në një kohë kur statusi përfundimtar nuk është zgjidhur ende, Emini, ashtu si edhe shumë të tjerë mendon se këto armë fuksionojnë si siguri, dhe jo një kërcënim për sigurinë, dhe do të dëshironin që armët të cilat shkatërrohen në furrnaltën e tij të zëvendësoheshin me të reja. "Këto janë të vjetra. Do të blejmë të reja - ndoshta edhe më të mira".


Luftërat në ballkanin e jugut mund të kenë përfundurar, por në rajon ka ende shumë armë në qarkullim. Shumë njerëz në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri kanë një kallashnikov, ose një armë tjetër në shtëpi. Për çdo rast, thonë ata.


Mijëra armët e mbajtura në mënyrë të paligjëshme janë pjesërisht trashëgimi e konflikteve të vitit 1998-1999 në Kosovë dhe 2001 në Maqedoni.


Por nëse këto armë janë vetëm mbetje e konflikteve të përfunduara, atëherë përse ka kaq shumë armë ende në qarkullim?


IWPR ka folur me disa prej njerëzve të cilët mbajnë armë si edhe me zyrtarë të cilët po përpiqen të çarmatosin këto shoqëri, dhe ka zbuluar se shumë njerëz janë të brengosur për të mbrojtur familjet apo bizneset e tyre në një atmosferë kriminaliteti të lartë. Disa të tjerë, ende ruajnë të freskëta kujtimet e konflikteve të kaluara. Edhe çështja e pazgjidhur e statusit përfundimtar të Kosovës, nëse ajo do të jetë e pavarur apo pjesë e Serbisë, së bashku me veprimet e dhunshme nga Armata Kombëtare Shqiptare në Maqedoni, si edhe grupime të tjera ekstremiste në rajon ndikojnë në mentalitetin e njerëzve.


Disa të tjerë thonë se mbajtja e një arme është pjesë e kulturës dhe trashëgimisë - prindërit tanë kanë mbajtur armë, dhe kështu do të bëjmë edhe ne. Dhe kjo ndjenjë është e ngulitur thellë në rradhët e të gjitha komuniteteve, atij maqedonas, serb dhe shqiptar.


Përpjekjet për të çarmatosur popullsinë civile, si ato në nivel lokal, ashtu edhe me përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar, kanë pasur një sukses të pakët për shkak të problemeve politike, për shkak se njerëzit janë të lidhur ngushtë me armët e tyre dhe për faktin se ka shumë armë në duart e civilëve. Një pjesë e madhe e armëve kanë ardhur nga Shqipëria, kur në vitin 1997 është plaçkitur një pjesë e madhe e depove të ushtrisë. Por shumë të tjera kanë ardhur nga ish ushtria jugosllave, pasi shumë armë janë vjedhur, shitur ose u janë shpërndarë paraushtarakëve.


Për të krijuar një ide më të qartë për këtë problem, ekipet e IWPR kanë folur me zyrtarë të qeverive, organizata jo qeveritare, trupa paqeruajtëse, policinë, dhe banorë të qyteteve dhe fshatrave në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Shumë shpejt është bërë e qartë se një sasi e madhe armësh janë ende në duart e civilëve - dhe përveç pasojave politike në këtë pjesë kaq të brishtë të botës, shumë njerëz po vriten dhe plagosen për shkak të përdorimit të këtyre armëve për vrasje me paramendim apo nga aksidentet e ndryshme.


Është tepër e vështirë të thuhet me saktësi se sa armë janë në duart e civilëve në këtë rajon, sepse shifrat mund të jenë të manipuluara për qëllime politike. Dhe të përpiqesh të përcaktosh se cili komunitet ka më tepër armë - shqiptarët apo maqedonasit, për shembull - është një temë tepër e nxehtë dhe e ndieshme.


ARMËT NË MAQEDON - TRASHËGIMI E NJË KONFLIKTI TË SHKURTËR


Maqedonia përballet me një problem të madh për sa i përket armatosjes së popullsisë civile. Ky është një problem pothuajse i pashmangshëm po të kihet para sysh vendosja gjeografike e vendit, ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.


Konflikti i vitit 2001 natyrisht që ka qenë një ndër arsyet që kanë ndikuar në armatosjen e civilëve - maqedonasit etnik ashtu si edhe luftëtarët shqiptarë. Në varësi të këndvështrimit të secilit, lufta ka qenë një nxitje për ardhjen e kaq shumë armëve në vend, ose një pasojë e këtyre armëve.


Edhe me kalimin e një viti e gjysëm, pavarësisht përpjekjeve të shumta në kuadër të programeve ndërkombëtare të çarmatimit, armët janë ende në duar të civilëve. Kjo kryesisht si pasojë e mungesës së vazhdueshme të stabilitetit, nivelit të lartë të papunësisë dhe kufinjve që nuk kontrollohen mirë.


Është vështirë të sigurosh shifra zyrtare për numrin e armëve në qarkullim, dhe shifrat në përgjithësi ndryshojnë shumë. Organizata Safeworld me qendër në Londër, në një raport të titulluar Maqedonia: Armët, Vendosja e Rendit dhe Ndarjet Etnike të botuar në tetor 2003, përmend një numër prej 80,000 deri 100,000 armë të mbajtura ilegalisht. Gjithashtu në të njëjtën raport jepen edhe një shifër zyrtare e qeverisë maqedonase e cila flet për rreth 700,000 armë. Të dhënat më të fundit të mbledhura nga Studimi për Armët e Vogla, një organizatë jo qeveritare me qendër në Gjenevë, tregojnë se rreth 100,000 deri 170,000 njerëz kanë armë të paligjëshme - dhe disa prej tyre më tepër se një armë.


Edhe shifrat më të vogla janë tepër alarmante për një popullsi me vetëm pak më tepër se dy milion banorë.


Për më tepër, deri në fund të muajit mars 2003 ka pasur edhe 156,000 armë me leje në pronësi private.


Armët kanë qenë gjithnjë prezente në shoqërinë maqedonase, dhe gjithnjë janë konsideruar si shenjë burrërie. Shumë armë të tjera kanë ardhur në vend në vitet nëntëdhjetë pas plackitjeve të depove të armatimit në të gjithë ish Jugosllavinë. Në vitin 1997, armët janë shtuar shumë më tepër pas plackitjes së depove të armatimit në Shqipëri.


Lufta në Kosovë e cila nisi një vit më pas shkaktoi një tjetër valë armësh, sepse ato trafikoheshin nëpërmjet territorit të Maqedonisë dhe në disa raste edhe ruheshin në pika të fshehta në pritje të trafikimit për në Kosovë.


Në vitin 2000, pas përfundimit të konfliktit, forcat e NATO-s filluan çarmatimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Sipas Safeworld, "vëzhguesit kanë njoftuar në atë kohë se shumë armë janë dërguar në veri të Shqipërisë dhe në disa rajone të Maqedonisë".


Si rezultat i këtyre lëvizjeve të armëve, ato nuk kanë qenë asnjëherë problem kur forca e armatosur e luftëtarëve shqiptarë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, UÇK, ka dalë në skenë në janar të vitit 2001 duke nisur një kryengritje të armatosur në veri të Maqedonisë. Forcat qeveritare të sigurisë kanë hasur në shumë vështirësi për të vendosur nën kontroll këto zona. Në gusht 2001, qeveria ka nënshkruar marrëveshjen e cila u bë e njohur me emrin Marrëveshja e Ohrit me përfaqësuesit e UÇK-së, të cilët kanë pranuar të ndërpresin luftimet në shkëmbim të lëshimeve politike. NATO pozicionoi trupa për të mbikqyrur paqen.


Gëzim Ostreni është kryetar i Zyrës Kombëtare të Koordinimit, e krijuar në vitin 2003 për të mbikqyrur dorëzimin vullnetar të armëve. Ai është një prej shumë ish luftëtarëve shqiptarë etnik të cilët janë përfshirë në strukturat qeveritare të Maqedonisë në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. IWPR ka kontaktuar me të për shkak të rolit të tij si shef i shtabit të UÇK-së në Maqedoni, dhe më parë një prej komandantëve ushtarak të UÇK-së në Kosovë. Gjatë intervistës, ai duke qeshur i është shmangur pyetjes sonë rreth mënyrës së furnizimit me armë të ish luftëtarëve, duke thënë se këto hollësi "janë ende një sekret ushtarak".


Ostreni ka theksuar vazhdimisht ndryshimin ndërmjet armatimeve të luftëtarëve dhe gjendjes së tanishme, ku armët janë në duar të civilëve. Ai ka thënë se armët e UÇK-së janë mbledhur nga paqeruajtësit e NATO-s në kuadrin e operacionit për çarmatimin i cili ka pasuar marrëveshjen e Ohrit.


"Të gjitha armët që ne kishim në përdorim i janë dorëzuar NATO-s, dhe ato janë shkatërruar," ka thënë ai. "Tani ne duhet të mbledhim armët të cilat janë në duart e civilëve, që është një problem krejtësisht tjetër. Këto armë nuk kontrollohen nga ndonjë strukturë komandimi dhe janë krejtësisht jashtë kontrollit, kështu që civilët nbien viktimë e tyre".


Deklarimet e Ostrenit mesa duket mbështeten në faktin që NATO ka mbledhur rreth 3,800 armë të vogla dhe të lehta - pra më tepër se 3,000 për të cilat UÇK kishte nënshkruar se do të dorëzonte. Por disa vëzhgues mendojnë se ky numër nuk ka qenë aspak i afërt me atë që kanë pasur luftëtarët në përdorim.


Momentalisht, Armata Kombëtare Shqiptare, AKSH, përbën sfidën më të madhe për forcat e armatosura të vendit. AKSH pretendon se ka në përbërje të cila një numër luftëtarësh të armatosur të cilët veprojnë në Kosovë, në rajonin e Luginës së Preshevës të banuar kryesisht nga shqiptarët në Serbinë e jugut, dhe në Maqedoni. AKSH është bërë e njohur në vitin 2003 kur ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sërë sulmesh të vogla të kryera në të trija këto rajone. Është e vështirë të vlerësosh me saktësi forcën e saj të vërtetë, por numri i anëtarëve të saj në Maqedoni mendohet të jetë disa qindra dhe jo mijëra. Ajo pretendon se lufton për bashkimin e të gjitha territoreve të banuara nga shqiptarët në rajon, një agjendë nga e cila është hequr dorë prej UÇK-së në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. Disa analistë mendojnë se AKSH është e lidhur me krimin e organizuar dhe shfrytëzon territorin "e zonave të krizës" i cili nuk kontrollohet si duhet nga policia maqedonase, ku lulëzon tregtia e paligjëshme.


Prezenca e vazhdueshme e AKSH dhe kriminelëve të armatosur në zonat e banuara kryesisht nga shqiptarët ushqen frikën e maqedonasve etnik për një shpërthim të ri të konfliktit të armatosur, përforcon bindjen e përhapur se pakica shqiptare është ajo që kryesisht zotëron dhe përdor armët e paligjëshme.


Në Kumanovë, ku kanë ndodhur disa nga luftimet me të ashpra gjatë vitit 2001, disa maqedonas etnik janë të bindur se kush janë fajtorët.


"Shqiptarët në Kumanovë dhe zonat përreth janë të armatosur deri në dhëmb," thotë një banor vendas i cili ka shërbyer në ushtrinë maqedonase si drejtues tanku gjatë konfliktit të vitit 2001. "Nuk ka shtëpi që të mos ketë të paktën një Kallashnikov. Policia duhet të shkojë në bodrumet e tyre dhe të konfiskojë pushkët dhe raketahedhësit".


Megjithëse të provohet kjo tezë, vëzhgues të cilët e njohin mirë gjendjen mendojnë se shqiptarët kanë më tepër armë. "Duket se armëmbajtja pa leje është një fenomen më i përhapur në rradhët e komunitetit shqiptar," thuhet në raportin e Safeworld. "Shkalla e lartë e mosbesimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe shtetit është arësyeja kryesore që shqiptarët nuk i regjistrojnë apo nuk i blejnë në mënyrë të ligjëshme armët, dhe një numër i madh armësh mbeten ende të pambledhura që nga kriza e vitit 2001".


Por siç theksohet edhe në raport, ideja që shqiptarët janë fajtorët e vetëm është vetëm pjesërisht e vërtetë. Armët gjenden edhe në duart e civilëve në zonat e banuara në shumicë nga maqedonasit etnik.


"Si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët kanë armë," thotë për IWPR, gjeneral Zehedin Tushi, zëvendësh shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë së Maqedonisë. "Është pjesë e së ashtuquajturës kulturë e armës në të gjithë Ballkanin".


Gjeneral Tushi, i cili është një shqiptar etnik, mendon se pjesa më e madhe e kontrabandës së armëve tanimë ka ndaluar për arësye se nuk ka më treg. Një sasi e vogël armësh që vazhdojnë të hyjnë në vend "vijnë kryesisht nga pikat e kalimit kufitar, nëpërmjet rrugëve nacionale, dhe jo nëpër male," thotë ai.


Edhe të tjerë pranojnë se armët janë një problem i të gjitha përkatësive etnike, dhe se qeveria duhet të ushtrojë të njëjtin presion për çarmatosjen e civilëve në të gjithë vendin. Boris Stojmenov, drejtuesi i partisë VMRO-Maqedoni dhe pronar i telvizionit Kanal 5 në Shkup ka thënë për IWPR se "çarmatimi nuk duhet të kryhet vetëm në Maqedoninë veriperëndimore, por edhe në pjesë të tjera të vendit, ku maqedonasit etnik përbëjnë shumicën".


"Pas luftës, shumë armë janë mbledhur në lindje, qendër dhe jug të Maqedonisë. Në Shkup, Stip, Manastir dhe Strumicë, ka më tepër vrasje se në Tetovë dhe Kumanovë".


Në Kumanovë, ku të dyja grupet etnike jetojnë ende në të njëjtat lagje, një i ri shqiptar ka thënë për IWPR se "Nuk është e vërtetë që vetëm shqiptarët janë të armatosur. Nëse do të kishit qenë në Kumanovë natën e Vitit të Ri, do të dëgjonit aq shumë shkrepje armësh saqë do t'ju dukej se ishit në Bagdad. Qëllohej nga të gjitha ndërtesat".


EDHE MAQEDONASIT ETNIK TË ARMATOSUR


Për maqedonasit etnik, pronësia mbi një armë nuk është vetëm çështje e armëve të mbetura pas nga konfliktet në ballkan. Qeveria nacionaliste e partisë VMRO, e cila është rrëzuar vitin e kaluar, ka qenë përgjegjëse për shpërndarjen e armëve në rradhët e civilëve gjatë konfliktit të vitit 2001.


Shumë prej këtyre armëve u janë shpërndarë policëve dhe ushtarëve rezervistë, dhe njësive të përbëra nga civilë të cilat janë krijuar në fshatrat e banuara nga maqedonasit etnik. Një prej këtyre grupimeve ka qenë Luanët, një forcë policore paraushtarake, e krijuar nga ministri i brendëshëm Ljube Boshkovski në qershor të vitit 2001. E krijuar rreth një grupi policësh profesionistë, njësia ka rekrutuar në rradhët e saj rezervistë të cilët shpesh kanë qenë anëtarë të VMRO, dhe i ka armatosur ata. Luanët janë shpërbërë në vitin 2002.


Pas përfundimit të konfliktit, janë bërë përpjekje për mbledhjen e këtyre armëve, por ka mendime të ndryshme në lidhje me suksesin e këtyre përpjekjeve. Ministri i brendëshëm i tanishëm, Hari Kostov, thotë se operacioni për mbledhjen e këtyre armëve pothuajse ka përfunduar. "Të gjitha armët që Ljube Boshkovski ka shpërndarë gjatë krizës, dhe që kanë qenë në duart e rezervistëve të policisë, janë dorëzuar. Janë vetëm tre apo katër njerëz të cilët kanë marrë rreth 500 pushkë automatike dhe nuk i kanë kthyer ato ende".


Pavarësisht këtij vlerësimi pozitiv, një officer i lartë i policisë në ministrinë e drejtuar nga Kostov ka thënë për IWPR se kjo çështje ende përbën një shqetësim të madh sepse është e vështirë të dihet me saktësi se sa armë janë shpërndarë sepse në atë kohë nuk i është kushtuar shumë vëmendje dokumentacionit. "Në atë kohë, janë shpërndarë pa asnjë kontroll armë automatike, dhe nuk janë mbajtur lista të rregullta me emrat e atyre që kanë marrë nga një Kallashnikov," ka thënë oficeri, i cili nuk dëshiron të identifikohet. "Ato armë të cilat janë regjistruar janë kthyer. Por shpesh armët janë shpërndarë direkt në depo dhe nuk është mbajtur asnjë dokumentacion".


Situata bëhet edhe më e rëndë nëse kihet parasysh që disa nga rezervistët e përzgjedhur si anëtarë të Luanëve kanë pasur një të kaluar kriminele. Emin Salah, një ekspert në ministrinë e brendshme, ka thënë pak kohë më parë se ndërmjet viteve 1999 dhe 2002, kur VMRO ka qenë në pushtet janë dhënë 2,425 armë me leje njerëzve të cilët në të kaluarën kanë qenë të përfshirë në krime të ndryshme, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë maqedonas etnik.


KRIMI DHE VARFËRIA


Ndërsa tensionet ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe maqedonase janë ulur që prej vitit 2001, konflikti është zëvendësuar nga një rritje e madhe e kriminalitetit. Statistikat e botuara në muajin tetor nga Instituti Maqedonas për Armët tregojnë se 71 njerëz janë vrarë me armë zjarri gjatë vitit 2003, duke vazhduar me ritme të njëjta me atë të një viti me parë kur janë regjistruar 84 vrasje. Kjo statistikë e bën Maqedoninë një ndër vendet më të rrezikëshme në Europë për krime të kryera me armë zjarri.


Disa nga të vrarët mund të jenë viktimë e grindjeve personale, por pjesa më e madhe janë viktima të përplasjeve ndërmjet bandave të armatosura kriminale, vecanërisht në veri dhe perëndim të vendit ku kontrabanda është tepër e zhvilluar dhe kontrolli policor ende jo i fortë.


Dr. Dragan Markoviq, një kirurg në spitalin qendror në Tetovë, në veri perëndim të Maqedonisë, ka qenë dëshmitar i shumë vrasjeve dhe plagosjeve. Një specialist në kirurgjinë e kraharorit, Dr Markoviq është pjestar i një ekipi të vogël, të cilët pavarësisht pagave tepër të ulta dhe pajisjeve të vjetra, përpiqen të shpëtojnë nga vdekja viktimat e krimeve me armë zjarri.


Nuk është për tu habitur që ai ndjehet tepër i lodhur. Ai ka thënë për IWPR se vitin e kaluar ka kryer 100 deri 150 operacione, pjesa më e madhe mbi burra të moshës 15 deri 30 vjec, me plagë plumbash në kraharor, krah, shpinë dhe këmbë. Ata të cilët kanë plagë në kokë dërgohen në spitalin e Shkupit i cili ndodhet 40 kilometra nga qyteti - "Për ta nuk mund të bëjmë asgjë këtu". Këto shifra janë të larta për një qytet me 70,000 banorë.


"Vitin e kaluar kemi pasur shumë njerëz me trauma të rënda, dhe plagë të tmerrshme plumbash të cilat kanë lënë shenja të përjetshme për shumë të rinj," thotë ai.


Kirurgu thotë se vala e kriminalitetit nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike - ai mendon se pacientët janë në një numër të përafërt si shqiptarë ashtu edhe maqedonas etnik.


Sipas tij, dhuna i ka rrënjët tek varfëria. Njerëz nga të dyja komunitetet do të vazhdojnë të mbajnë armë për sa kohë që janë të varfër. Me një nivel zyrtar papunësia prej 37 përqind, është e pashmangëshme që shumë njerëz do të përfshihen në krimin e organizuar.


"Këta njerëz duhet të punojnë," thotë ai. "Nëse ke një punë dhe pagë të rregullt, atëherë mundesh të përballosh të gjitha shpenzimet me mjete të ligjëshme. Nëse ke para të mjaftueshme për të edukuar fëmijët, të paguash për një shtëpi dhe të ushqesh familjen, atëherë nuk ka rëndësi se kush është president dhe nuk të bëhet vonë se kush parti është në pushtet. Nëse ke të ardhura të rregullta, atëherë bën një jetë më të qetë".


PËRPJEKJET PËR ÇARMATIM NUK KANË SHUMË SUKSES


Një vit pasi ka rrëzuar nga pushteti VMRO, qeveria e tanishme - një koalicion ndërmjet Bashkimit Socialist Demokratik të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim - ka filluar një program të madh për të nxitur dorëzimin vullnetar të armëve.


Një fushatë në media e cila ka filluar në shtator ka publikuar amnistinë kombëtare duke filluar nga 1 nëntor, duke pasur në qendër të saj ndryshimin e mentalitetit të komuniteteve shqiptare dhe maqedonase në lidhje me armët. Qeveria ka njoftuar se cilido që dorëzon një armë mund të marrë pjesë në një llotari për të fituar një makinë. Disa cinikë kanë thënë se për shumë njerëz, një Kallashnikov i ri do të kishte qenë një çmim më tërheqës se makina.


Amnistia 45 ditore përfshin 123 pika dorëzimi të armëve ku njerëzit mund të dorëzojnë armët pa leje - apo edhe ato me leje të cilat nuk i duan më. Deri më 15 nëntor - dy javë pas fillimit të amnistisë - Blagoja Markovski, drejtues i këtij programi, ka thënë se zyrtarët e tij kanë mbledhur 389 armë. Ndër armët e mbledhura kanë qenë raketa hedhëse, mina dhe eksploziv si edhe disa mijëra fishekë, dhe shumë lloje pushkë automatike dhe pistoleta.


Kur ka kaluar rreth një e treta e kohës së kësaj amnistie, numri i armëve të mbledhura deri më tani tregon se në kuadër të programit do të mund të mblidhen vetëm një pjesë shumë e vogël e dhjetra mijëra armëve që mendohet se janë në duart e civilëve.


Përpara fillimit të kësaj fushate, disa pjestarë të komunitetit ndërkombëtar kanë shprehur shqetësim se fushata nuk është e planifikuar mirë dhe e parakohëshme. Diplomatët e kanë nxitur qeverinë të caktonte një amnisti për pranverën e ardhshme, në mënyrë që të kishte më tepër kohë për të përgatitur atë. Në shtator, një diplomat i rëndësishëm ka thënë për IWPR se "Ata [qeveria] ka ngulur këmbë se janë të gatshëm por ne nuk kemi asnjë informacion mbi mënyrën se si mendojnë t'i mbledhin armët. Ajo që është e paqartë është se përse nuk presin dhe të sigurohen që do të kenë sukses përpara se të fillojnë një aksion të tillë".


Një shqetësim tjetër është se procesi do të jetë i pabarabartë, sepse shqiptarët vazhdojnë të jenë të papërgatitur të dorëzojnë armët e tyre për shkak se nuk kanë besim tek forcat qeveritare të sigurisë.


"Nuk ka asnjë mundësi që ky aksion të japë rezultate të mira," ka thënë për IWPR një analist i cili kërkon të mbetet anonim, përpara fillimit të amnistisë. "Shqiptarët nuk janë të gatshëm të dorëzojnë armët, dhe kjo për arësye se ata ende kanë nevojë për to për shkak se policia me përbërje shumë etnike ende nuk është në lartësinë e duhur. Ata kanë nevojë për armët jo vetëm për tu mbrojtur nga maqedonasit por edhe nga vetë shqiptarët".


"Ata mund të dorëzojnë ndonjë armë të tepërt, por gjithnjë do të mbajnë një armë në shtëpi".


Gjendja e tanishme tregon se ky konstatim është i vërtetë. IWPR ka mësuar se amnistia ka pasur më tepër sukses në Shkup dhe në disa zona me popullsi kryesisht maqedonase në perëndim dhe në qendër të vendit. Disa burime kanë thënë për IWPR se shqiptarët në Maqedoninë perëndimore duket se janë më tepër të armatosur se të tjerët, dhe nuk duket se janë të gatshëm të dorëzojnë armët.


Një tjetër problem është se analistët kanë frikë se partitë e opozitës - maqedonase dhe ato shqiptare - mund ta kundërshtojnë këtë proces. Deri më tani Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e drejtuar nga Arbër Xhaferi, nuk ka pranuar të mbështesë fushatën, dhe është përpjekur të bllokojë amnistinë në veri perëndim. Ekziston shqetësimi se ish partia në pushtet VMRO mund të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me përkrahësit e saj në rradhët e maqedonasve etnik.


Qeveria nuk ka thënë se çfarë mendon të bëjë nëse do të përballet me një kundërshtim të tillë të organizuar. Gjatë verës, këshilltari i kryeministrit për sigurinë kombëtare, Dr. Lazar Kitanovski, ka pranuar se "ne nuk kemi përgatitur një strategji veprimi nëse PDSH apo VMRO bllokojnë fushatën e çarmatimit. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta vemë në dukje dhe t'i tregojmë komunitetit ndërkombëtar se kush vepron për të penguar demilitarizimin dhe pajtimin në republikën tonë".


Një strategji tjetër e qeverisë është miratimi i ligjeve më të ashpra për regjistrimin e armëve, të cilat tani janë në diskutim. Por gjeneral Tushi, zëvendës shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë, mendon se ndryshimet në legjislacion nuk do të kenë shumë ndikim nëse procesi i çarmatimit bëhet me urdhër nga lart.


"Ne do të miratojmë një ligj të ri çarmatimit, por ai nuk do të ketë asnjë vlerë nëse njerëzit e thjeshtë nuk e pranojnë atë" ka thënë ai. "Në rradhët e popullsisë shqiptare ekziston një shkallë e lartë mosbesimi ndaj autoriteteve. Po ashtu ekziston një urrejtje e madhe dhe mungesë tolerance etnike. Shqiptarët duhet të përfshihen në këtë proces dhe tu shpjegohet atyre që armët përbëjnë një kërcënim mbi të gjitha për ata vetë dhe për familjet e tyre".


Pavarësisht rezervave për mënyrën e zhvillimit të kësaj fushate, shqetësimi kryesor për Safeworld është se kjo fushatë duhet të jetë fillimi i një procesi ku njerëzit të ndjehen gjithnjë e më të sigurtë për të hequr dorë nga mbajtja e armëve si një mënyrë jetese.


"Qeveria ka treguar se i kushton rëndësi të madhe çarmatimit duke miratuar këtë amnisti, por ky është vetëm një hap i parë," ka thënë drejtori i Safeworld Paul Eavis në një konferencë për shtyp në ditën e parë të amnistisë. "Procesi duhet të mbështetet nga masa për të përmirësuar sigurinë afatgjatë në vend dhe në rajon, për të siguruar që anëtarët e të dyja komuniteteve etnike të ndjehen të sigurtë për të dorëzuar armët".


KOSOVARËT E MBAJNË BARUTIN TË THATË


Në veri të kufirit, në Kosovë, ka edhe më tepër armë të cilat kanë mbetur nga konflikti. Një raport i Studimit të Armëve të Vogla në qershor të vitit 2003 ka arritur në përfundimin se në Kosovë gjenden rreth 330,000 deri 460,000 armë të vogla dhe të lehta, rreth 300,000 prej të cilave pa leje. Një anketim i zhvilluar nga kjo organizatë ka treguar se dy nga tre familje në Kosovë kanë një armë. Ndërkohë, një studim i kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, ka arritur në përfundimin tronditës se një ndër pesë nxënës shkolle është i armatosur.


Ashtu si edhe në Maqedoni, komuniteti ndërkombëtar ka filluar përpjekjet për çarmatim pothuajse menjëherë pas përfundimit të konfliktit. Në qershor 1999, NATO ka filluar operacionin e vështirë të mbledhjes së armëve nga UÇK. Forca e armatosur e përbërë nga rreth 20,000 vetë është detyruar të dorëzojë armët e saj në përgatitje për procesin e transformimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK. Me përfundimin e këtij procesi në tetor 1999, UÇK ka dorëzuar mbi 6,000 armë forcës ushtarake të drejtuar nga NATO, KFOR.


TMK është lejuar të mbajë 2,000 pushkë, prej të cilave 200 përdoren për të ruajtur instalimet ushtarake dhe pjesa tjetër ruhen në depo të sigurta.


Legjislacioni është forcuar, dhe Misioni i OKB i Administratës së Përkohëshme në Kosovë, UNMIK, ka marrë në dorë regjistrimin dhe kontrollin e armëve, duke vendosur gjoba të rënda dhe dënim me deri 10 vjet burgim për ata të cilët kapen me armë të paregjistruara.


Por armët e dorëzuara kanë qenë vetëm maja e ajsbergut. Edhe tani vazhdojnë të zbulohen sasi të mëdha armësh. Sipas të dhënave të KFOR të siguruara nga IWPR, forcat paqeruajtëse kanë bllokuar dhe shkatërruar 18,000 armë të cilat mbaheshin në mënyrë të paligjëshme, që prej ardhjes së tyre në provincë në qershor 1999. Majori i KFOR, Hans Lampalzer thotë se ndër armët e bllokuara kanë qenë pushkë, armë anti tanke dhe gjashtë million fishekë.


Një natë në muajin gusht të këtij viti, një ekip i ushtarëve të KFOR kanë bllokuar tre ton municion të paketuar në dy varka të cilat lundronin përgjatë lumit Drin në kufirin me Shqipërinë. Në këto varka nuk kishte asnjë njeri, dhe mbetet e paqartë se kush kanë qenë pronarët dhe pritësit e kësaj sasie municioni, e cila është më e madhja që kur KFOR ka hyrë në Kosovë në vitin 1999.


Policia e UNMIK ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në bllokimin e armëve. Nga qershori i vitit 1999 deri në fund të shkurtit të këtij viti, ata kanë konfiskuar 3,361 armë të paligjëshme përfshirë armë automatike dhe pushkë me dylbi.


Ashtu si edhe në Maqedoni, një pjesë e madhe e armëve të dorëzuara ose të bllokuara kanë ardhur nga Shqipëria, pas plaçkitjes së depove të ushtrisë në vitin 1997.


Edhe në Kosovë ka pasur një sërë projektesh në shkallë të vogël për të nxitur dhe publikuar çarmatimin. Një projekt i përbashkët ndërmjet KFOR, OKB, zyrës së kryeministrit të Kosovës dhe organizatës lokale të grave Jeta Ime ka pasur për qëllim shkrirjen e armëve dhe me metalin e tyre prodhimin e zbukurimeve dhe dhuratave të cilat janë shitur në të gjithë Kosovën. Megjithëse këto armë kanë qenë prej atyre të bllokuara dhe jo të dorëzuara vullnetarisht, ky projekt ka qenë një propagandë e mirë për çarmatimin vullnetar.


Këtë vit, PNUD, ka nisur një program më ambicioz për dorëzimin e armëve i cili ka qenë i lidhur me përfitime, për ata që e bëjnë një gjë të tillë. Duke përdorur fonde të dhuruara nga qeveria e Japonisë, PNUD ka premtuar të shpenzojë 675,000 dollarë amerikan për ndërtimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe atyre të komunitetit në tre bashkitë të cilat do të mblidhnin numrin më të madh të armëve.


Por pavarësisht një fushate të gjërë publike për këtë projekt, amnistia një mujore e cila ka përfunduar më 1 tetor ka qenë një zhgënjim. Gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar vetëm 155 armë. Duhet shtuar se shumë armë të tjera janë regjistruar dhe janë bërë të ligjëshme, duke kontribuar kështu në një regullim më të madh të pronësisë mbi armët.


PNUD në Kosovë ende nuk e ka përcaktuar strategjinë për të ardhmen. "Ne ende nuk e kemi kuptuar se ku kemi gabuar duke mos arritur të mbledhim një pjesë të mirë nga armët e shumta që janë në duart e civilëve," ka thënë Marie-France Desjardins, drejtuese e projektit të PNUD, për Kontrollin e Armëve të Vogla të Paligjëshme. "Ne duhet të mendojmë shumë dhe të zbulojmë se ku kemi gabuar".


Ky projekt është zhvilluar në bazë të projektit "armë për zhvillim" i cili është provuar fillimisht me sukses në Shqipëri. Atëherë, përse në Kosovë ka dështuar?


Banorë vendas të intervistuar nga IWPR kanë dhënë një sërë arësyesh. Ashtu si në Maqedoni, niveli i përgjithëshëm i kriminalitetit dhe mungesa e besimit tek policia i bëjnë njerëzit të shqetësuar për të mbrojtur familjet e tyre. Por skema e nxitjes së dorëzimit të armëve duket se është menduar gabim po të kemi parasysh mungesën e theksuar të besimit të njerëzve tek autoritetet e qeverisjes lokale. Për pasojë njerëzit nuk kanë qenë të bindur se ndihma e donatorëve të huaj do të ndjehej vërtetë në komunitetin e tyre. Në ndryshim, në Shqipëri, PNUD ka kontrolluar në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën e shpenzimit të fondeve.


Në Kosovë armët përdoren për shumë qëllime - për të larë llogari të vjetra por edhe për të siguruar shtëpinë. Por një temë kryesore në të gjitha deklarimet e shqiptarëve etnik me të cilët ka kontaktuar IWPR ka qenë se mbajtjta e armëve tregon mungesë besimi dhe pasiguri për të ardhmen. Shumë kosovarë nuk i besojnë komunitetit ndërkombëtar në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Siç ka thënë një burrë "nëse nuk na japin pavarësinë, kjo do të thotë që forcat serbe të sigurisë mund të lejohen të kthehen - dhe nëse ndodh kjo ne nuk duam të gjendemi me duar bosh".


Megjithëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kanë filluar në tetor bisedime paraprake, pak shqiptarë të Kosovës apo serbë mendojnë se mund të arrihet së shpejti ndonjë zgjidhje paqësore për statusin e provincës.


Në qytetet dhe fshatrat e protektoratit frika për të ardhmen dhe kujtimet e së kaluarës, të shoqëruara me dyshime mbi aftësinë e policisë për ti mbrojtur ata, ka bërë që serbët dhe shqiptarët të vazhdojnë të mbajnë armët e tyre.


Të çarmatosësh njerëzit në Kosovë do të thotë që të bindësh banorët e fshatrave si Prekazi të dorëzojnë armët. Ky fshat i vogël, 16 kilometra në veri të Prishtinës, shtrihet në Luginën e Drenicës, qendra e rezistencës së UÇK-së. Ai duket si shumë fshatra të tjerë në Kosovë - i vogël, i rrethuar nga fusha të punuara dhe nga kodra, me ferma të ndërtuara në mënyrën e vjetër me një kullë në një kënd të tyre, dhe fshatarë të cilët punojnë për të rindërtuar jetën e tyre pas luftës.


Ajo që e dallon Prekazin është roli i rëndësishëm që ka luajtur në fillimin e konfliktit në Kosovë në vitin 1998. Prekazi është fshati i familjes Jashari, të cilët janë një familje e njohur që nga koha e pushtimit turk, gjithnjë të armatosur dhe gjithnjë të pavarur. Kreytari i fundit i familjes, Shaban Jashari, ka vdekur së bashku me dy djemtë e tij - një prej tyre, Ademi, një prej themeluesve të UÇK-së - dhe 52 anëtarë të tjerë të familjes, duke luftuar për tre ditë më rradhë ndaj forcave serbe. Qëndresa e familjes është thyer vetëm pasi forcat serbe kanë goditur dhe shkatërruar me artileri të rëndë fshatin.


Qëndresa e familjes Jashari është shndërruar në një legjendë në rradhët e shqiptarëve të Kosovës, dhe tani i thuren vargje dhe këngë popullore.


Këtu njerëzit qeshin vetëm kur mendojnë për dorëzimin e armëve. Ky është një vend i cili beson vetëm tek mbrojtja e vetvetes me armë. Me kujtimet e luftës ende të freskëta në mendjet e njerëzve, është tepër e vështirë ti bindësh ata se dikush tjetër mund ti ofrojë siguri.


I ulur në traktorin e tij të vjetër, 50 vjecari Gani Xhemajli ka ndalur punën për të folur me IWPR. Ai është i vendosur se çarmatimi është një ide e keqe. "Edhe nëse do të kisha armë, nuk do ti dorëzoja ato, sepse nuk mendoj se policia apo KFOR mund të më sigurojnë mua dhe familjen".


As forcat e policisë lokale dhe as ato ndërkombëtare, dhe as trupat paqeruajtëse nuk janë të besueshme sepse shumë pak prej krimeve të rënda arrihen të zbulohen, thotë ai. "Të gjithë kanë nevojë për një armë për të mbrojtur veten, sepse policia kur ndodh një vrasje thotë se kanë nisur hetimet. Dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk ndodh asgjë".


Shifrat e dhëna nga policia e UNMIK e mbështesin këtë vlerësim. Nga 44 vrasje të regjistruara këtë vit, 26 mbeten të pazgjidhura.


Mytaher Haskuka, një psikolog i cili punon për PNUD pranon se shumë njerëz në Kosovë nuk kanë besim tek zbatimi i ligjit. Ai thotë se mungesa e besimit i ka fillimet shumë kohë përpara luftës së fundit, dhe është e rrënjosur në mentalitetin e shqiptarëve. Gjatë gjithë historisë së tyre, për shkak të mungesës së një qeverie të fortë qendrore në këtë pjesë të botës, ata janë detyruar të vetëmbrohen.


"Mungesa e shtetit, dhe e institucioneve të tij, bën që njerëzit të kërkojnë të zbatojnë drejtësinë e tyre," ka thënë ai për IWPR. "Në këtë aspekt, armët janë shndërruar në një lloj kulti për shqiptarët, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipërinë e veriut, ku historikisht ka mungur shteti i fortë ligjor për të vendosur rregullin dhe ligjin. Për sa kohë që njerëzit të ndjehen të pasigurtë ata gjithnjë do të tentojnë të mbajnë armë".


Por ashtu si edhe në Maqedoni, jo vetëm shqiptarët kanë armë. Pakica serbe duket se nuk është më tepër e gatëshme për të dorëzuar armët. "Ne mendojmë se asnjë nga forcat e sigurisë të cilat veprojnë në Kosovë për momentin nuk janë të afta të ndihmojnë dhe të mbrojte serbët, dhe për rrjedhim ne duhet të mbrojmë veten," thotë një burrë nga enklava e Graçanicës. Armët u janë shpërndarë serbëve të Kosovës gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë nga ministria e brendëshme në Beograd, dhe sasi të mëdha janë shpërndarë nga ushtria jugosllave kur ajo është tërhequr nga rajoni në qershor të vitit 1999.


Shkalla edhe ashtu e ulët e besimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është dëmtuar edhe më tepër gjatë verës nga një sërë sulmesh me motive etnike nga të dyja palët. Një prej incidenteve më të rënda ka ndodhur në muajin gusht, kur një njeri i armatosur ka hapur zjarr ndaj një grupi fëmijësh të cilët laheshin në një lum pranë enklavës serbe të Gorazdevcit, duke vrarë dy prej tyre, përfshirë një djalë 11 vjeçar serb.


SHQIPËRIA E PËRMBYTUR NGA ARMËT


Jo të gjitha armët e përdorura në konfliktet në Kosovë dhe Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria. Por masa e madhe e armëve e rrëmbyer nga rreth 1,300 depo armatimi në të gjthë vendin në vitin 1997 ka bërë që armët të mund të gjeheshin me shumicë dhe me çmime të ulta.


Trazirat sociale kanë shpërthyer në të gjithë Shqipërinë në mars 1997 ndërsa turma të zemëruara njerëzish kanë protestuar ndaj rrëzimit të skemave "piramidale" të investimit. Në Shqipërinë e varfër, njerëzit kishin rrezikuar kursimet e tyre të jetës duke investuar ato në fonde private të cilat premtonin interesa të larta - por që nuk kishin bazë financiare dhe mund të paguanin interesat vetëm për sa kohë që investitorë të rinj vazhdonin të depozitonin kursimet e tyre. Kur këto skema më në fund u rrëzuan, mijëra njerëz humbën çdo gjë që kishin, dhe kërkuan kompensim nga qeveria - e cila edhe vetë ishte në prag të falimentimit.


Grupe njerëzish kanë filluar të plaçkisnin dyqane, dhe më pas u janë drejtuar depove të ushtrisë duke rrëmbyer çfarë gjenin. Sipas të dhënave të qeverisë, ushtria shqiptare ka humbur 550,000 armë, 31,000 granata dore, të paktën 840 milion fishekë, dhe sasi të mëdha eksplozivi. Sipas disa shifrave të tjera, armët e rrëmbyera kanë qenë më tepër, rreth 650,000.


Nga 550,000 armët të cilat qeveria mendon se janë rrëmbyer, 200,000 janë mbledhur, 150,000 janë trafikuar jashtë vendit, dhe rreth 200,000 të tjera mendohet se mbeten ende në duart e popullsisë civile.


Të gjendur përpara një situate të pa precedent, autoritetet shqiptarë kanë ndërmarrë një përgjigje në shkallë kombëtare, duke organizuar operacione për mbledhjen e armëve. Në gusht të vitit 1997, qeveria shpalli një amnisti për dorëzimin vullnetar të armëve të rrëmbyera. Një komision qeveritar i kryesuar nga zëvendës kryeministri është krijuar për të mbikqyrur procesin e mbledhjes së armëve. Në maj 2000, komisioni ka zgjeruar aktivitetin e tij duke rekrutuar 250 oficerë policie të cilët do të merreshin vetëm me këtë çështje. Megjithëse kjo forcë më pas është pakësuar në numër, oficerët e policisë kanë shkuar në më tepër se një milion shtëpi që prej vitit 1997 duke u kërkuar njerëzve të dorëzonin armët në mënyrë vullnetare ose të nënshkruanin një deklarate ku të thonin se nuk kishin armë.


Parlamenti ka zgjatur dy herë afatin për dorëzimin e armëve, dhe ai tani do të përfundojë në pranverën e vitit 2005.


SKEMË E RE PËR NXITJEN E DORËZIMIT TË ARMËVE


Në mbështetje të amnistisë së qeverisë, PNUD ka ndërmarrë një sërë programesh për të lidhur dorëzimin e armëve me dhënien e fondeve për projekte të zhvillimit lokal.


Projekti i parë ka qenë një projekt pilot i cili ka filluar në vitin 1998 në rrethin e Gramshit, i zgjedhur për shkak se atje ndodhej një bazë e madhe e ushtrisë nga e cila janë rrëmbyer shumë armë. Në përfundim të projektit, në vitin 2000, janë mbledhur 5,000 armë dhe janë vendosur bazat për vazhdimin e projekteve të zhvillimit në shkëmbim të dorëzimit të armëve të paligjëshme nga ana e komunitetit lokal.


Ky projekt është pasuar nga projekti i quajtur Armët në Shkëmbim të Zhvillimit, një projekt i cili është zhvilluar në rrethet Elbasan dhe Dibër dhe ka përfunduar në vitin 2002, duke siguruar mbledhjen e 6,000 armëve. E njëjta strategji ëshë përdorur edhe për një projekt tjetër, por këtë rradhë për shkatërrimin e armëve - në kuadër të të cilit janë shkatërruar 16,000 armë.


Projekti i tanishëm njihet si projekti i Kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta. Ky projekt ka nisur në vazhdën e atyre parardhëse, por në ndryshim nga ato ka pasur edhe elementin e konkurencës duke financuar projekte në pesë rrethe - Tiranë, Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Vlorë - në bazë të rezultateve të arritura në mbledhjen e armëve. Ato fshatra, bashki apo rrethe të cilat mbledhin më shumë armë fitojnë edhe financimin për një projekt të zhvillimit lokal të planifikuar më parë. "Ne kemi përdorur një formulë e cila përcakton fshatin më të suksesëshëm, bazuar në krahasimin e numrit të banorëve me numrin e armëve të mbledhura," thotë Lawrence Doczy, drejtues i programit të PNUD në Shqipëri për reformën në sektorin e sigurisë, dhe më parë drejtues i projektit në fjalë. "Në nivel fshati, ata të cilët mbledhin më tepër armë do të marrin një shumë prej 20,000 dollarë, në nivel bashkie 50,000 dollarë. Ne kemi njoftuar që në fillim që në këtë projekt mund të marrë pjesë çdo komunitet".


Efekti i këtij projekti shumëfishohet nëpërmjet një fushate publicitare e cila informon njerëzit në lidhje me përfitimet e çarmatimit. Në vitin 2003, programit i është shtuar edhe një komponent i ri - ai i reformës së sektorit të sigurisë, i cili përqëndrohet në vendosjen e rendit nga vetë komuniteti.


Domethënia e këtyre programeve të mbledhjes së armëve në shkëmbim të zhvillimit nuk është aq numri i armëve të mbledhura - rreth 18,000 armë janë dorëzuar në kuadër të gjithë projekteve të PNUD - se sa rezultati që kanë ato në ndryshimin e mentaliteteve të vjetra në lidhje me mbajtjen e armëve.


Një tjetër faktor i rëndësishëm - i cili i veçon këto projekte nga amnistia e kohëve të fundit e financuar nga PNUD në Kosovë - është se në Shqipëri, ka qenë OKB e cila ka qenë përgjegjëse për fondet dhe projektet dhe jo autoritetet lokale. Në biseda private, burime të OKB-se kanë thënë për IWPR se tani që ligji për pronësinë e armëve është forcuar, qeveria shqiptare nuk duhet të zgjasë më afatin përfundimtar të amnistisë e cila përfundon në pranverën e vitit 2005. Përkundrazi thonë ata, ligji duhet të fillojë të zbatohet sa më parë nga forca policore për mbledhjen e armëve.


"Nëse qeveria shqiptare dëshiron të ndihmojë në ndryshimin e mentalitetit, atëherë duhet të ndalen amnistitë dhe policia të zbatojë ligjet që ekzistojnë," ka thënë një burim i OKB-së për IWPR.


KRIMI DHE TRAFIKIMI


Trafiku i madh i armëve që nisi në vitin 1997 dhe ndihmoi në furnizimin me armë të konflikteve në Kosovë dhe Maqedoni filloi të ulet pas përfundimit të këtyre luftërave.


Përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të ndaluar trafikun e armëve janë ndihmuar edhe nga vendosja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me autoritetet e UNMIK në Kosovë.


"Duhet të kini para sysh se zona jonë [Kuksi, në veri të Shqipërisë] shtrihet në kufi me dy rajone të cilat janë përfshirë nga konflikte të armatosura për një kohë, Kosova dhe Maqedonia," thotë shefi i policisë rajonale të Kukësit, Medi Canga, për IWPR. "Por jam i sigurtë kur them se tani trafiku i armëve nuk zhvillohet më në rajon; trafiku është në nivelin zero. Ka disa arësye për këtë, por për sa i përket Kosovës, ajo kryesorja është niveli i mirë i bashkëpunimit që kemi vendosur me UNMIK-un. Ndërsa përsa i përket Maqedonisë, ne po kontrollojmë me shumë kujdes rajonin kufitar".


Canga paralajmëron se policia duhet të jetë gjithnjë në gadishmëri: "Ne kemi informacione se shumë sasi armësh janë fshehur në afërsi të kufirit. Grupet kriminale mund të mos i trafikojnë tani këto armë, por i kanë fshehur, ndoshta për përdorim të mëvonëshëm".


Avni Jashellari, drejtues i njësisë anti trafik të krijuar në ministrinë e brendshme në vitin 2001, pranon se trafiku i armëve ka ardhur në ulje. Ai mendon se anëtarët e bandave kriminale të organizuara mund të kenë drejtuar vëmendjen nga trafiqet më fitimprurëse siç janë ato të drogave dhe qenieve njerëzore tani që kërkesa për armë ka rënë. "Një prej arësyeve për pakësimin e trafikut të armëve është përmirësimi i gjendjes së sigurisë në vendet fqinje me ne dhe mundësia për konflikte të armatosura atje është më e vogël," ka thënë ai për IWPR. "Një tjetër arësye mund të jetë se grupet kriminale të cilat kanë qenë të përfshira në trafikun e armëve tani i janë drejtuar veprimtarive të tjera kriminale".


Në qytetin port të Vlorës, kur kanë filluar edhe trazirat sociale në vitin 1997, shefi i policisë lokale, nën kolonel Neritan Nallbati thotë se problemi i vërtetë nuk është trafiku ndërkombëtar por kriminelët vendas. "Shumë civilë kanë ende armë, por në shumicën e rasteve ato janë në duart e grupeve kriminale të cilat veprojnë në qytet, dhe i përdorin ato për të mbrojtur veten nga grupet rivale," thotë ai. "Për sa i përket trafikut në vendet fqinje, ne nuk kemi pasur raste - dhe as ndonjë informacion për këtë".


KONKLUZION


Në Shqipëri të krijohet ideja se ky do të jetë një proces i gjatë dhe i ngadaltë i cili përfshin qeverinë, oficerë të policisë dhe komunitetet lokale - dhe ku të gjithë duhet të pranojnë konceptin e çarmatimit.


Në secilin nga vendet e vizituara nga IWPR - Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri - pasojat e përhapjes së armëve kanë pasur shumë gjëra të përbashkëta, dhe kanë qenë shkak dhe pasojë e mungesës së stabilitett apo konfliktit. Por në secilin nga këto vende konteksti politik ka qenë tepër i ndryshëm, dhe kjo ka përcaktuar edhe shkallën e mospranimit të njerëzve për të dorëzuar armët. Gjithashtu i ndryshëm ka qenë edhe roli që kanë luajtur shteti dhe komuniteti ndërkombëtar në nxitjen apo zbatimin e çarmatimit, siç ka qenë e ndryshme edhe përgjigjja e publikut.


Mësimet e nxjerra në Kosovë dhe Maqedoni tregojnë se ndryshimet e ligjit dhe amnistitë nuk mjaftojnë - kryesorja është ndryshimi i qëndrimit dhe mentalitetit të njerëzve, të cilat i kanë rrënjët thellë në traditën e së kaluarës por edhe në mungesën e stabilitetit politik dhe rritjes së kriminalitetit. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë shumë njerëz nuk do të jenë të gatshëm të dorëzojnë armët.


Duket se pika më e rëndësishme është që çarmatimi të mbështetet fuqishëm politikisht dhe nga ana sociale ashtu siç është mbështetur tradicionalisht armatosja - me anë të nxitjes, apo duke dhënë shembuj.


Xhavit Shala, shef i policisë në Lezhë, një qytet në veri të Shqipërisë, ka menduar sistemin e tij për të bindur njerëzit të dorëzojnë armët e tyre të dashura, gradualisht dhe pa i alarmuar shumë ata. Ai ka filluar duke u kërkuar oficerëve të tij të dorëzojnë nga një armë prej arsenalit të familjeve të tyre - për shembull një pushkë të vjetër austriake të kohës së Luftës së Parë Botërore. Kjo mënyrë nga lart poshtë ka pasur sukses, dhe shumë shpejt ka dhënë rezultate - deri më tani Shala ka grumbulluar shumë armë, përfshirë 165 pushkë, 12 raketa anti tank, dhe ka marrë informacione për sasi armësh të cilat kanë qenë të gatëshme për tu trafikuar.


"Unë shoh që komuniteti beson në programin e mbledhjes së armëve. Një armë më pak do të thotë një krim më pak," thotë Shala.


Në Maqedoni, një zyrtar i çarmatimit, Gëzim Ostreni, ka thënë për IWPR se popullsia ende ka një mendim të gabuar mbi çfarë do të thotë një shoqëri e armatosur.


"Këto armë nuk përbëjnë rrezik për shtetin, përkundër asaj që mendohet," thotë ai. "Ato përbëjnë rrezik për popullsinë të cilët jetojnë pranë pronarëve të këtyre armëve. Ato nuk do të përdoren për të nisur kryengritje, por për të vrarë fëmijët apo fqinjët e njëri tjetrit. Unë kam parë dy luftra, dhe jam i sigurtë për këtë që them".


Ky artikull investigativ është përgatitur nga David Quin, redaktor koordinues në Shkup; me bashkëpunimin e Ilir Aliaj në Shqipëri, Naser Miftari, Artan Mustafa dhe Jeta Xharra në Kosovë, dhe Vladimir Jovanovski e Ana Petruseva në Maqedoni.


Investigimi është financuar nga Safeworld (www.Saferworld.org.uk) si pjesë e përpjekjeve të saj për të zhvilluar kapacitetin e shoqërive civile për të vepruar në fushën e çarmatimit në Evropën juglindore. Pikëpamjet dhe idetë e dhëna në këtë artikull nuk janë domosdoshmërisht ato të Saferworld.


E Drejta e Autorit:


© IWPR and Saferworld 2003. All rights reserved.


Support our journalists