Shuhet Fushata e Opozitës

Ekziston një zhgënjim publik në rritje me fushatën e opozitës serbe për të rrëzuar presidentin serb Sllobodan Millosheviq.

Shuhet Fushata e Opozitës

Ekziston një zhgënjim publik në rritje me fushatën e opozitës serbe për të rrëzuar presidentin serb Sllobodan Millosheviq.

Tuesday, 6 September, 2005

Dështimi i opozitës serbe për t'i ofruar popullsisë një përgjigje konstruktive ndaj mbylljes së mediave kryesore të pavarura dhe tëuniversiteteve, si edhe rrahjeve e arrestimeve të aktivistëve pro-demokracisë nxjerr në pah falimentimin e plotë të jetës politike në vend.


Përgjigja e vakët e opozitës ndaj dhunës së regjimit ka shkaktuar një apati të theksuar dhe e ka shtuar ndjenjën e dorëzimit. Në këtë fund-jave vetëm rreth 15,000 njerëz dolën në rrugë për atë që ishte parashikuar si një miting i madh proteste në përgjigje të marrjes nën kontroll nga qeveria të Studio B. Në ditët para kësaj demonstrate u mbajtën një sërë demonstrimesh të përditshme ku ka patur një pjesëmarrje të vogël.


Janë vetë anëtarë të opozitës që kanë bërë kritikat më të ashpra ndaj opozitës. Këta njerëz thonë se numri i madh i partive të opozitës, 16 të tilla, tregon se ato nuk janë në gjendje të arrijnë konsensus për hapat që duhen ndërmarrë për të kundërshtuar fushatën e dhunës së Millosheviqit.


"Opozita ka dy probleme. Është shumë e madhe dhe e ka të vështirë të arrijë një konsensus për çfarëdo pike," thotë Zharko Koraq, profesor i psikologjisë dhe drejtues i Partisë Social Demokrate. "Problemi i dytë është se drejtuesit kryesorë të opozitës kanë qenë në këto poste prej vitesh dhe ata nuk dëshirojnë të rrezikojnë të humbasin ato që kanë. Disa kanë pushtet lokal në Beograd e të tjerë në qytete të tjera dhe kjo është arsyeja që ata nuk dëshirojnë të rrezikojnë."


Një nga këta politikanë është Vuk Drashkoviq, drejtuesi i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, e cila kontrollon Studio B. Ai vazhdon të bëjë thirrje për qetësi dhe kujdes, megjithëse dikur kishte deklaruar se marrja nën kontroll e stacionit nga autoritetet do të shërbente si fillimi i një kryengritjeje masive.


Shumë politikanë të opozitës thonë se Drashkoviq vazhdon të ushqejë iluzione se Millosheviq do ta zgjedhë atë si pasuesin e tij në një skemë të ngjashme me zëvendësimin e Jelcinit nga Putin. "Drashkoviq ëndërron të bëhet një lloj Putini," thotë Koraq. "Por Millosheviq është përpjekur ta vrasë Drashkoviqin. Millosheviqi nuk do të heqë kurrë dorë nga pushteti i tij politik edhe nëse nuk do të ishte akuzuar nga Gjykata e Hagës për Krime Lufte. Këtu është një situatë krejtësisht e ndryshme nga Rusia."


Ish-kryetarja e Aleancës Civile të Serbisë, GSS, Vesna Peshiq, mendon se të dy ata kanë arritur njëfarë marrëveshjeje. "Unë nuk mund të them se çfarë lloj lidhje kanë ata, por është për t'u habitur që Drashkoviq thotë se ka qenë zëvendës-kryeministri serb Vojisllav Sheshelj që ka përgjegjësinë për mbylljen e Studio B dhe jo Millosheviqi, sikur të ishte Sheshelj që merr këto vendime dhe jo Millosheviqi dhe ekipi i tij. Unë nuk do të habitesha sikur, për shkak të këtyre marrëdhënieve të fshehta, Studio B t'i rikthehet Drashkoviqit."


Disa njerëz tani besojnë se Drashkoviq është pengesa kryesore për fillimin e fushatës së mosbindjes publike nga ana e opozitës në shenjë proteste ndaj marrjes nën kontroll të mediave prej Millosheviqit.


"Nëse ne do të donim me të vërtetë të shtonim presionin ndaj regjimit, ne duhet të përdorim të gjitha burimet që ka opozita në dispozicion," thotë një zyrtar i GSS. "Ne do të kishim ndërprerë, për shembull, ujin dhe energjinë elektrike për disa ndërtesa dhe do të kishim ndaluar trafikun e autobusëve në të gjithë qytetin. Vetëm se duhet të kishim marrë një vendim.


"Por nëse mendon se ka rrezik të përdoret ky lloj konfrontimi direkt, atëherë thuaj këtë gjë dhe anulloji protestat. Thuaj që situata është shumë komplekse, njerëzit po rrihen dhe ndërpriti protestat. Por në vend të kësaj ne kemi zgjedhur një mungesë të vërtetë aktiviteti. Protestat kanë humbur forcën e tyre. Ne nuk kemi arritur asgjë."


Aktivistë të lëvizjes studentore Otpor, të cilët u përpoqën të regjistroheshin ligjërisht si një organizatë politike pranë ministrisë së drejtësisë të Jugosllavisë javën e kaluar, ka kohë që janë të zemëruar me qëndrimet e opozitës serbe.


Gjithnjë e më tepër Otpor dhe studentët e universiteteve po mbushin boshllëkun e krijuar nga opozita politike. Regjimi është përgjigjur duke mbyllur universitetet dhe duke kaluar një ligj të ri mbi terrorizmin duke i dhënë fuqi policisë të ngrejë akuza për aktivistët e Otpor në mënyrë që ata të kenë mundësi t'i arrestojnë dhe dënojnë me burgim këta aktivistë, të cilët deri tani mundet vetëm të mbahen të ndaluar nga policia për disa orë.


"Ne kemi një problem të madh me këta të opozitës. Ata po tërhiqen edhe njëherë e po na lënë të zbuluar," thotë përfaqësuesi i Otpor, Srxha Popoviq. "Njerëzit po na mbështesin ne dhe ne i kemi dhënë opozitës një pjesë të legjitimitetit tonë.


"Partia në pushtet po na sulmon me të gjitha mekanizmat që ka në dispozicion shteti. Ne po zgjerojmë kaq shumë energji për opozitën duke u përpjekur t'i bëjmë ata të kuptojnë atë që është e qartë si drita e diellit: Millosheviq po e shndërron këtë vend në një diktaturë totale."


Ognjen Pribiçeviq, këshilltar i Drashkoviqit, hedh poshtë akuzat se opozita po tërhiqet. "Ne jemi të kënaqur me numrin e pjesmarrësve në mitingje. Ka pasur shi, moti ka qenë i keq dhe ata pësëri po marrin pjesë. Ne nuk jemi dakort me njerëzit e Otpor-it. Ne nuk po tërhiqemi."


Edhe Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thotë: "Opozita është jo kompetente, e korruptuar, imorale dhe nacionaliste. Opozita ka vdekur, nuk ka më energji morale. Pra, njerëzit mendojnë se nëse Drashkoviqit nuk i bëhet vonë kur policia mbyll Studio B, e përse duhet të dalim ne në rrugë? Në njëfarë mënyre i vetmi aktor dinamik në skenën politike në Serbi është Millosheviq."


Laura Rozen është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Serbia
Support our journalists