Shtohet Përçarja në Mal të Zi

Shoqëria malazeze po polarizohet me shpejtësi ndërmjet përkrahësve të pavarësisë dhe atyre që përkrahin bashkimin me Serbinë.

Shtohet Përçarja në Mal të Zi

Shoqëria malazeze po polarizohet me shpejtësi ndërmjet përkrahësve të pavarësisë dhe atyre që përkrahin bashkimin me Serbinë.

Jashtë qytetit të Kotorit, të rrethuar me mure të shekullit të 12-të, fshati piktoresk i peshkatarëve në Ljuta shtrihet nën malet e zinj, të cilat i kanë dhënë emrin republikës. Por nuk është çdo gjë aq e qetë sa duket.


Në kioskën e fshatit gjashtëdhjetëvjeçarja Andja fajëson fqinjët e saj se kanë harruar rrënjët e tyre dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje besimit të tyre ortodoks. Shumë njerëz në Ljuta mbështesin lëvizjet e kujdesshme të presidentit Milo Gjukanoviq drejt pavarësisë, por Andja është një nga ata të paktë njerëz të cilët besojnë se rruga drejt pavarësisë mund të çojë republikën e vogël prej 600,000 banorësh në një shkatërrim.


Lidhjet të cilat mbajnë të bashkuara dy republikat janë shumë të ngatërruara, thotë ajo, dhe, për më tepër, ajo dyshon nëse Mali i Zi mund të mbijetojë vetëm. E shqetësuar se së shpejti çdo gjë mund të shkatërrohet, ajo mbështet Partinë Popullore Socisliste, SNP, të kryeministrit jugosllav Momir Bullatoviq, e cila ofron një mbështetje të pandryshueshme për presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe shpreh zemërimin e saj me fshatarët e tjerë të cilët mendojnë ndryshe.


Pak më poshtë bregut në Budva, regjisorja 27-vjeçare Maria ka një vizion krejt ndryshe për Malin e Zi. E lodhur së prituri, ajo dëshiron që qeveria malazeze të ndërmarrë hapa konkrete për të qartësuar statusin e republikës - mundësisht në rrugë paqësore.


"Unë dua të di se kush jam, të çlirohem nga ky konfuzion." Për momentin, sipas Marias, ajo jeton në një shtet de fakto të pavarur. Dinari jugosllav pothuajse është zhdukur nga qarkullimi në Mal të Zi, ku edhe punonjësit e qeverisë paguhen në marka gjermane dhe kur udhëton në Serbi ajo kontrollohet njëlloj sikur të ishte duke kaluar një kufi ndërkombëtar. "E përse të shtiremi? Përse të presim?", pyet ajo. "Ne tashmë jemi të ndarë." Tani Maria kërkon edhe divorcin.


Shoqëria malazeze është polarizuar së tepërmi ndërmjet dy pozicioneve të kundërta, me përkrahësit e Momir Bullatoviqit, që u bashkohen njësive rezervë të Ushtrisë Jugosllave, ndërsa të rinjtë të cilët përkrahin pavarësinë po bashkohen me shpejtësi me njësitë rezervë të policisë malazeze, të cilat janë nën urdhërat direkte të Millo Gjukanoviqit.


Ashtu si në të gjithë konfliktet e tjera në Jugosllavi, ekzistojnë edhe armiqësi të vjetra historike, të cilat kanë qenë të fshehura për shumë kohë. Në 1918 dinastia serbe e Karaxhorgjeviçëve ka rrëzuar nga froni mbretin malazez Nikola Petroviq, i cili më vonë emigroi në Itali. Forcat pro-serbe të njohura edhe si të "Bardhët" mundën "të Gjelbrit" të cilët përkrahnin pavarësinë dhe Mali i Zi iu aneksua Mbretërisë së Serbisë, kroatëve dhe sllovenëve nën drejtimin e dinastisë Karaxhorgjeviq.


Forcat pro dhe kundër pavarësisë në Malin e Zi akoma vazhdojnë të mbajnë emrat e pararendësve të tyre. "Të Bardhët", të cilët përkrahin SNP-në, janë kryesisht të brezit të vjetër, shpesh ish-komunistë të cilët dëshirojnë ruajtjen e idealit jugosllav me çdo kusht. Shumë të rinj malazezë janë "të Gjelbër", të cilët shpresojnë se pavarësia do të sjellë ndryshimet e shumëpritura ekonomike dhe begatinë e vendit. Ekziston edhe një ndarje e thellë ndërmjet veriut, ku popullsia përkrah kryesisht Bulatoviqin, dhe jugut i cili përkrah Gjukanoviqin.


Ndryshimet më të fundit kushtetuese në Beograd kanë acaruar edhe më shumë tensionet e larta në Mal të Zi. Malazezët pro pavarësisë janë të zemëruar nga ajo që ata e konsiderojnë si një përpjekje tjetër të Millosheviqit për të konsoliduar pushtetin e tij dhe për të mënjanuar Malin e Zi. "Unë mendoj se Mali i Zi duhet të shkëputet. E vetmja mënyrë që unë mund të përkrahja bashkimin ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë do të ishte nëse quhej Mali Serbi," thotë duke qeshur Sandra, një studente 24-vjeçare nga Podgorica.


Shumë malazezë i konsiderojnë ndryshimet më të fundit kushtetuese si një provë tjetër që Mali i Zi nuk mund të jetë kurrë një partner i barabartë në Jugosllavi. "Numri i serbëve dhe malazezëve është në raport 17:1," thotë Miko Zhivkoviq, drejtuesi i Partisë Liberale. "Barazia e anëtarëve të parlamentit në nivel federal është tepër e rëndësishme. Përndryshe, si mundet që 600,000 malazezë të jenë të barabartë me 10 milion serbë?"


Por Zhivkoviq nuk shikon ndonjë kërcënim më serioz në këto ndryshime; ai mendon se Millosheviq është thjesht duke i dërguar një sinjal Gjukanoviqit që të mos kandidojë në zgjedhjet federale që pritet të zhvillohen më vonë këtë vit. "Ai po përpiqet të izolojë Serbinë si një mënyrë për të konsoliduar pushtetin e tij. Ai nuk dëshiron të ketë Malin e Zi pranë si një faktor destabilizimi. Në fakt, ai dëshiron që ne të largohemi," thotë ai.


Ndërsa sezoni veror në Mal të Zi po arrin kulmin, avionë, autobusë dhe trena të mbushur me serbë po mbërrijnë në qendrat turistike bregdetare, pavarësisht nga një fushatë e mediave shtetërore, e cila i paralajmëron ata se "u duhet një thes me monedhë të huaj" për të bërë pushimet në Mal të Zi dhe i inkurajon të kalojnë pushimet në qendrat turistike serbe.


Megjithëse mirëpresin këtë "pushtim" të turistëve nga Serbia, malazezët janë më të shqetësuar se kurrë për influencën serbe ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre. "Ne jetojmë në një zonë me pak diferenca, gjë e cila e bën kërkimin e identitetit tonë edhe më të vështirë," thotë një ish-diplomat jugosllav, i cili tani jeton në Podgoricë pasi ka dhënë dorëheqjen nga ministria e jashtme për shkak të mospranimit të politikave dhe pikpamjeve të Millosheviqit.


Analistët vendas thonë se Millosheviq nuk do të ketë nevojë të dërgojë Ushtrinë Jugosllave për të bllokuar pavarësinë e republikës së vogël. Ai, duke shfrytëzuar ekzistencën e dy grupimeve rivale në terren, do të mund të provokonte një gjakderdhje që nga Beogradi.


Megjithatë, ashtu si edhe kroatët e boshnjakët më parë, malazezët e thjeshtë duket se nuk e ndjejnë rrezikun e një konflikti të afërt. Ndërsa afron gushti, shumë prej tyre mendojnë për një pushim të gjatë veror pranë detit dhe duan të fillojnë të mendojnë për politikën jugosllave vetëm pas mbarimit të sezonit të verës.


Dragana Nikoliq është bashkëpunëtore e IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists