Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Shqiptarët Mbështesin Unitetin e Maqedonisë

Një studim i qeverisë Amerikane në Maqedoni tregon se pjesa më e madhe e Shqiptarëve janë kundër ndarjes etnike të vendit.
By Tim Judah

Sipas teorive të komploteve, agjentë të fshehtë të perëndimit hyjnë dhe dalin nga Ballkani në kërkim të informacioneve, të cilat më pas dërgohen në vendet e tyre, duke përdorur pëllumbat mesazhierë të drejtuar nga satelitët. Në fakt, IWPR, mund të provojë se të paktën në ndihmë të përcaktimit të politikës në Maqedoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fakt po mbështeten në metoda shumë më të besueshme dhe shkencore. SHBA po zhvillon anketime të opinionit publik.


Anketimi më i fundit, i kryer në emër të Zyrës për Studime të Departamentit të Shtetit, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe IWPR-ja, është tepër interesant. Sipas këtij anketimi, ndërsa 69 përqind e Shqiptarëve simpatizojnë luftën e luftëtarëve të UCK-së, 87 përqind e tyre thonë gjithashtu se është e rëndësishme për ta personalisht që Maqedonia të mbetet e bashkuar. Po ashtu, 99 përqind e Maqedonasve dëshirojnë që vendi i tyre të mbetet i bashkuar.


Anketimi i kryer në 1091 të rritur me kombësi të ndryshme, përfshirë 787 Maqedonas dhe 227 Shqiptarë, është zhvilluar ndërmjet 16 Prillit dhe 3 Majit - pak përpara krijimit të qeverisë së unitetit në Maqedoni.


Ajo që është e habitëshme është se ndërsa mbi disa pyetje Maqedonasit dhe Shqiptarët kanë pikpamje thuajse krejtësisht të kundërta, mbi disa të tjera është e qartë se ekziston, apo të paktën ka ekzistuar ende një farë optimizmi se një luftë e përgjithëshme mund të shmanget.


Anketimi ka treguar se Maqedonasit kanë aprovuar mënyrën se si qeveria ka përballuar krizën ndërsa Shqiptarët e kundërshtojnë atë. Maqedonasit janë tepër të përçarë në pikpamjet e tyre mbi prezencën e NATO-s në Maqedoni dhe përgjatë kufirit me Kosovën ndësa Shqiptarët janë shumë në favor.


Ndërsa disa diplomatë kanë filluar të hedhin idenë e një MFOR (një force paqeruajtëse të drejtuar nga NATO në Maqedoni) është domethënëse një nga pyetjet e bëra nëse njerëzit do të aprovonin apo jo hyrjen në Maqedoni të forcave të KFOR-it, të cilat veprojnë në Kosovë, për të "ndihmuar në përfundimin e dhunës në pjesën veri-perëndimore të vendit. Shumica e Maqedonasve, 59 përqind, e kanë kundërshtuar këtë, ndërsa 79 përqind e Shqiptarëve kanë thënë se ata e përkrahin një gjë të tillë.


Përndryshe, vendimi i NATO-s për të lejuar rikthimin e forcave Jugosllave në Zonën e Sigurisë në kufi me Maqedoninë, një hap i cili shpejtoi shpërbërjen e UCPMB-së, organizatës simotër të UCK-së në Serbinë jugore, ka shkaktuar një reagim të kundërt. Rreth 84 përqind e Maqedonasve e kanë aprovuar, ndërsa 79 përqind e Shqiptarëve e kanë kundërshtuar.


Gjëja më shqetësuese, është se duket qartë se dy kombësitë kanë mendime krejt të kundërta kur vjen fjala për kërkesat e Shqiptarëve për reforma në vend. Për shembull, 96 përqind e Maqedonasve kanë kundërshtuar idenë e njohjes së Shqiptarëve si "komb" në Maqedoni, ndërsa 98 përqind e Shqiptarëve kanë mbështetur këtë gjë. Po ashtu, 97 përqind e Maqedonasve kundërshtojnë bërjen e gjuhës Shqipe zyrtare për kontrata dhe biznes, përfshirë përdorimin e saj zyrtar në gjykata dhe parlament. Kjo është mbështetur nga 98 përqind e Shqiptarëve.


Dy të tretat e Maqedonasve mendojnë se Shqiptarët do të preferonin të jetonin në një shtet ndër Shqiptar. Megjithatë, kjo ide nuk mbështetet nga Shqiptarët. Për shembull, shumica e Shqiptarëve, 71 përqind, thonë se ata do të preferonin të jetonin në një Maqedoni me përbërje etnike të përzier dhe jo në një shtet të madh Shqiptar. Vetëm 16 përqind e Shqiptarëve mbështesin idenë e një shteti të madh Shqiptar.


Ata që mbështesin Shqipërinë e Madhe janë pyetur më pas nëse ende e mbështesnin këtë ide nëse do të duhej "të luftonin me vendet fqinje". Atëherë, vetëm 13 përqind e tyre e mbështesnin ende këtë zgjidhje.


Zyra e Studimeve ka arritur në përfundimin se mbështetja për UCK-në vjen nga qëllimi i saj i deklaruar për të ngritur statusin politik të Shqiptarëve etnik dhe jo për të ndarë Maqedoninë perëndimore nga pjesa tjetër e vendit.


Po ashtu, anketimi ka gjetur edhe disa ndryshime të pikpamjeve të Shqiptarëve në varësi të rajoneve ku ata banojnë. Për shembull, ka rezultuar se Shqiptarët që jetojnë rreth Kumanovës, rajoni më i prekur nga luftimet gjatë javëve të fundit, "shprehin mbështetjen më të fortë për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve në një shtet; në fakt vetëm në këtë rajon Shqiptarët mbështesin një shtet të madh Shqiptar ndaj një Maqedonie shumë etnike".


Anketimi ka treguar se Shqiptarët rreth Tetovës "janë relativisht simpatizues të idesë për bashkimin e gjithë Shqiptarëve në një shtet të vetëm, por preferojnë sigurisht të qëndrojnë në një Maqedoni me përbërje etnike të përzier". Megjithatë, anketimi ka treguar se ata janë shumë dyshuaes dhe mosbesues ndaj fqinjëve të tyre Maqedonas.


Anketimi ka treguar gjithashtu se Shqiptarët në zona të tjera të Maqedonisë perëndimore "janë të vendosur të ruajnë kufinjtë aktual të Maqedonisë dhe janë kundër idesë së një shteti Shqiptar të bashkuar. Ata që jetojnë në pjesën më jugore të vendit përreth Manastirit (ku kanë shpërthyer edhe trazirat kundër Shqiptarëve) kundërshtojnë veçanërisht idenë e një Shqipërie të madhe dhe vetëm në këtë rajon, pjesa më e madhe e tyre kundërshtojnë aktivitetin e UCK-së".


Megjithëse anketimi i ka pyetur Shqiptarët rreth bashkimit të tyre me Shqiptarët e tjerë në rajon, ai nuk ka bërë ndonjë dallim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Për shembull, disa Shqiptarë, mund të jenë shumë më tepër të interesuar të bashkohen vetëm me Kosovën. Ndoshta kjo pyetje mund të bëhet në anketimin e ardhëshëm.


Është shqetësuese që vetëm një e treta e Maqedonasve kanë një imazh të mirë për fqinjët e tyre, por në kundërshtim me ta, tetë nga dhjetë Shqiptarë kanë një mendim të mirë për Maqedonasit. Anketuesit thonë se "një shenjë tjetër e mirë është se jo më tepër se dy nga dhjetë thonë se marrëdhëniet ndëretnike janë aq të këqia sa të shkaktojnë një 'krizë të thellë'".


Një fakt i rëndësishëm është se 82 përqind e Maqedonasve dhe 77 përqind e Shqiptarëve mendojnë se mbas dhjetë vjetësh "Maqedonia do të vazhdojë të jetë një vend i bashkuar" - një mendim i cili për çudi, është "përforcuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit".


Që prej zhvillimit të këtij anketimi, shpresat për paqen janë shtuar, pakësuar, shtuar dhe shkatërruar fare. Tashmë janë njoftuar viktimat e para në rradhët e civilëve, dhe si pasojë e bisedimeve ndërmjet politikanëve Shqiptarë dhe UCK-së, qeveria e koalicionit, të paktën për momentin, vetëm emrin ka qeveri e unitetit kombëtar. Pikpamjet mund të ndryshojnë shpejt në një gjendje të tillë.


Titulli i vendosur në fillim të raportit të anketimit nga Zyra e Studimeve është "Opinioni Publik Mbështet Zgjidhjen e Ngadaltë të Krizës në Maqedoninë Veriperëndimore…Por Shumica Mendon se Vendi do të Mbetet i Bashkuar". Tani ne do të presim me padurim të lexojmë rezultatet e anketimit të tyre të ardhëshëm.


Tim Xhudah është autori i librit Kosova: Lufta dhe Hakmarrja, i botuar nga qendra e shtypit të Universitetit të Yale.