SHQIPTARËT E DËSHPËRUAR KTHEJNË SYTË NGA SHËRUESIT POPULLORË
Në pamundësi për të përballuar trajtimet në spitale, fshatarët e varfëruar po u kthehen shëruesve lokalë për mjekime.
SHQIPTARËT E DËSHPËRUAR KTHEJNË SYTË NGA SHËRUESIT POPULLORË
Në pamundësi për të përballuar trajtimet në spitale, fshatarët e varfëruar po u kthehen shëruesve lokalë për mjekime.
Sinan Hasani, nga Terbosh, një fshat në Maqedoni, është i lumtur që ai dhe vëllai janë bërë prindër kohët e fundit pas disa vjet pritjeje dhe falenderojnë Basri “Hoxhë” Pecani, një shërues popullor, për atë që e quajnë “dhuratë” të tij.
çiftet të cilat nuk kanë fëmijë nuk janë të vetmit që vijnë tek Pecani, titulli Hoxhë i të cilit tregon se ai është një klerik musliman. Në rradhët e fshatarëve të varfër në Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë e jugut, shëruesit kanë shumë punë ndërsa banorët e varfër vendas e kanë të vështirë të përballojnë trajtimet shkencore mjeksore.
Në ndryshim nga koha e komunizmit, kur mjeksia ishte pa pagesë, kosovarët tani duhet të paguajnë për shërbimin e tyre mjeksor. Në raste të sëmundjeve të rënda, pjesa më e madhe e spitaleve nuk mund të bëjnë asgjë edhe kur pacientët mund të kenë para, pasi ato nuk kanë pajisje moderne të nevojëshme.
Doktorët shpesh i këshillojnë pacientët e sëmurë të shkojnë për trajtime në vende të tjera si Turqi apo në perëndim – udhëtime të cilat janë shumë të shtrenjta dhe nuk mund të përballohen nga pjesa më e madhe e kosovarëve.
Ata tëcilët vijnë për të takuar Pecanin nuk janë vetëm të sëmurët. Disa janë shqiptarë të cilët kërkojnë të dinë rreth anëtarëve të familjeve të cilët janë zhdukur gjatë konfliktit me ushtrinë serbe në vitet 1998-99, dhe të cilët u drejtohen fallxhorëve si mundësia e fundit për ti gjetur ata.
Ganiu, një burrë i vjetër në moshën rreth të nëntëdhjetave, thotë se ai i është drejtuar Pecanit pasi ka shkuar nëpër spitale në Prishtinë, Pejë, Shkup dhe Beograd, në kërkim të një kure për dhimbjet e shpeshta të kokës dhe paralizave. “Tani pasi jam vizituar tek Hoxhë Pecani, ndjehem shumë më mirë,” thotë ai.
çdo të martë dhe të premte njerëzit presin me orë të tëra në rradhë të “vizitohen” përpara shtëpisë dykatëshe të Pecanit në Bresje, një fshat katër kilometra nga Prishtina. Pecani thotë se klientët e tij nuk janë vetëm nga Kosova por edhe nga vendet fqinje, megjithëse shumica janë shqiptarë.
Shumë njerëz të cilët presin përpara klinikës së fshatit thonë se kanë dëgjuar për të mirat e bëra nga Pecani nga të tjerët, megjithëse ai bën edhe reklamë në radio. Reklama për shërbimet e tij mund të dëgjohet në Radio Dodona, një stacion radio lokal në Drenas, rreth 30 km në perëndim të Prishtinës.
Por së fundi, pecani thotë se popullariteti i tij është rritur aq sa edhe shqiptarë të cilët jetojnë në Evropën perëndimore apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë për tu vizituar.
Megjithëse pjesa më e madhe e klientëve të tij janë shqiptarë, Pecani nuk ka dëshirë të flasë për përkatësinë e tij etnike. Ai flet një shqipe jo të mirë.
Pecani e mbështet aftësinë e tij për të kuruar njerëzit në faktin që ai dikur ka pasur një eksperiencë të hidhur dhe gati ka humbur jetën. Kur ka qenë i ri, thotë ai, ka rënë në koma për disa ditë, gjë të cilën ai krahason me një vdekje klinike.
“Të vdekurit shërojnë të gjallët,” është një nga parrullat e tij të shkruara në mur në dhomën e vogël ku prêt klientët e tij.
Në këtë hapësirë të vogël, ku mezi qëndrojnë tre njerëz, janë vendosur disa sende, nga fije floku në letra bixhozi dhe drita. Nga një manjetofon dëgjohen vazhdimisht dëshmi të ish klientëve të tij rreth fuqisë së Pecanit.
Dy altoparlantë të vendosur në korridor ua përcjellin këto mesazhe njerëzve të shumtë të cilët presin jashtë. Megjithëse të gjithë e thërrasin atë Hoxhë, Pecani e pranon se nuk është i tillë. Ai thotë se njerëzit e kënaqur i kanë vënë këtë titull. Por për reputacionin i tij si shërues, ai është më i sigurtë: “Mos më besoni mua – pyesni njerëzit të cilët vijnë këtu”.
Shëruesit lokalë kanë një traditë të gjatë në rradhët e shqiptarëve, ashtu si edhe në të gjithë popujt e ballkanit. Pecani thotë se ai ka pasur shumë pacientë serbë përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s në 1999 dhe largimit të tyre nga Kosova.
Fshatarët konservatorë, pak prej të cilëve mund të lexonin, i shihnin me admirim shëruesit të cilët kanë shpesh të vetmit banorë vendas të cilët kanë mundur të lexonin dhe shkruanin. Ata konsideroheshin si më të afërt me Zotin.
Pecani gjithashtu thotë se ai mund të lexojë dhe kuptojë shkrimet në arabisht të cilat pjesa më e madhe e atyre të cilët flasin arabisht nuk mund ti deshifrojnë.
Pecani, i cili thotë se e ka praktikuar zanatin e tij që prej vitit 1964, ngul këmbë se shërbimet e tij janë krejtësisht të ligjëshme dhe të njohura nga autoritetet.
“Përpara vitit 1991 punoja me leje nga Beogradi – tani punoj me leje nga Prishtina,” thotë ai, duke treguar me gisht një certifikatë të futur në një korrnizë dhe të vendosur në mur të lëshuar nga ministria e shëndetësisë së Kosovës dhe me një vulë të Kombeve të Bashkuara. “Kjo është licensa ime e punës,” shpjegon ai.
Në Prishtinë, ministria e shëndetësisë mohon të ketë lëshuar ndonjë certifikatë të tillë. Skënder Berisha, një zëdhënës i ministrisë, thotë se departamenti i tij nuk mund të lëshojë një dokument të tillë. “Ne nuk japim licensa për aktivitete të tilla,” thotë ai.
Por Pecani i qëndron historisë së tij, duke thënë se ai e ka marrë licensën dhe se ai është një ndër katër persona në të gjithë Ballkanin me aftësinë për të shëruar njerëzit në këtë mënyrë.
Certifikata e Pecanit është e vendosur edhe në faqen zyrtare të internetit të Zyrës për Regjistrimin e Bizneseve, e cila vepron nën ministrinë e tregtisë dhe industrisë. Atje, biznesi i Pecanit përcaktohet si “aktivitete shëndetësore humanitare”.
Kur bëhet fjalë për pagesë, Pecani thotë se ai nuk ka çmime fikse, dhe se pranon vetëm dhurata vullnetare.
Këto nuk vijnë gjithnjë në formën e parave. Pecani kujton një rast kur një pacient i ka blerë një dele.
“Unë jam një humanist, jam këtu për tu shërbyer njerëzve,” thotë ai. “Ata më japin çfarëdo që u thotë zemra”.
Një të premte, Hata, një vajzë 14 vjeçare nga Medvegja, në Serbinë e jugut, dhe babai i saj Bislim, kanë ardhur nga qyteti i tyre për ti dhënë Pecanit një dhuratë të mbështjellë me kujdes.
Hata thotë se ajo ishte “nën syrin e keq” dhe Pecani e kishte shëruar. Ajo ishte kthyer për të falenderuar “njeriun e vdekur të gjallë”, siç e quan ajo atë.
“Unë kam shkuar tek shumë doktorë por vetëm Hoxhë Pecani më ka gjetur një kurë,” thotë Hata, shumë e lumtur ndërsa i jep dhuratën e saj një prej ndihmësve të Pecanit.
Jeton Musliu është një gazetar i së përditëshmes nw gjuhwn shqipe në Kosovë, Epoka e Re.