SHPERTHEN KOSOVA

Konflikti më i fundit ndër etnik është më i madhi në rajon që prej tërheqjes së serbëve katër vjet më parë.

SHPERTHEN KOSOVA

Konflikti më i fundit ndër etnik është më i madhi në rajon që prej tërheqjes së serbëve katër vjet më parë.

Monday, 21 February, 2005

Sot, më 18 mars, dhuna ka shpërthyer në të gjithë Kosovën, pasi të paktën shtatë vetë janë vrarë në Mitrovicë gjatë përleshjeve që kanë pasuar zbulimin e trupave të dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër i cili ndan në dy pjesë qytetin në veri të Kosovës.


Ndërsa policia e OKB dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë humbur kontrollin mbi urrejtjen etnike, disa fshatra serbe janë sulmuar nga turma njerëzisht të zemëruar, duke detyruar gratë dhe fëmijët të largohen në drejtim të enklavave më të mëdha dhe më të mbrojtura.


Dhuna ka dalë jashtë kontrollit në disa pika. Në një enklavë të vogël serbe në Cagllavicë, pranë Prishtinës, disa shtëpi serbe janë djegur dhe banorët e fshatit janë larguar në drejtim të fshatrave të Laplje dhe Gracanicës.


Në Lipjan, në Kosovën lindore, sipas zëvendës kryetarit të bashkisë, Borivoj Vignjeviq, tre bomba janë hedhur ndaj kishës ortodokse serbe.


Sipas Ranko Manojleviq, një drejtues local serbe, në Kosovën perëndimore, 25 shtëpi të serbëve në Fushë Bardhë pranë Pejës, u është vënë zjarri ndërsa banorët e tyre janë evakuar në Pejë nga trupat italiane.


Sipas atit Benedikt, një murg i manastirit ortodoks serb të Prizrenit, edhe seminari i kishës ortodokse në këtë qytet është sulmuar dhe i është vënë zjarri.


Edhe në Prishtinë, gjendja ka qenë e brishtë ndërsa turma shqiptarësh të zemëruar kanë bllokuar hyrjen për në zyrat qendrore të OKB-së, duke bllokuar edhe një gazetare të IWPR në ndërtesë së bashku me punonjësit e OKB.


“U ndjeva përsëri si në vitin 1999,” thotë Jeta Xharra, drejtuesja e projektit të IWPR në Kosovë duke njoftuar nga Merdare, ku grupe shqiptarësh kanë bllokuar rrugën kryesore në drejtim të Serbisë. “Jemi kthyer katër vjet pas gjatë vetëm një dite. E gjithë ndjenja e sigurisë që është arritur të krijohet gjatë kësaj kohe është shkatërruar”.


Tanja Matiq, koordinatore e projektit të IWPR, e cila është bllokuar në ndërtesësn qendrore të OPKB-së në Prishtinë, thotë se “Gjendja është jashtë kontrollit. Cdo minutë mbërrijnë telefonata nga serbët në të gjithë Kosovën të cilët thonë se janë sulmuar”.


“UNMIK ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe besueshmërinë e tij. Pikërisht sot, Harri Holkeri (i dërguari special i OKB-së në Kosovë) ka thënë në televizion se serbët dhe shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në paqe së bashku. Kjo është e pabesueshme. OKB do të humbasë edhe atë pak besueshmëri që ka pasur”.


Trazirat kanë filluar në Mitrovicë rreth orës 11 të mëngjesit. Qyteti ka qenë prej kohësh një pikë e nxehtë, por shpërthimi më i fundit i dhunës ka pasur zbulimin e trupave të dy fëmijëve shqiptarë të mbytur.


Pasi media shqiptare ka njoftuar se fëmijët janë hedhur në lum nga disa të rinj serbë në pjesën veriore të qytetit, grupe demonstruesish të zemëruar janë mbledhur pranë urës që ndan pjesën serbe nga ajo shqiptare e qytetit.


Shkëmbimi i zjarrit që ka pasuar ka lënë disa të vrarë dhe mbi 200 të plagosur. Të paktën 13 ushtarë francezë janë plagosur.


Burimet spitalore nga të dyja palët kanë dhënë emrat e katër të vrarëve: serbët Jana Tucev dhe Borivoje Spasojeviq; dhe shqiptarët Isak Ibrahimi dhe Feriz Citaku.


Ndërsa trupat paqeruajtëse franceze kanë qetësuar gjendjen në Mitrovicë, përplasje në dhe përreth enklavave më të vogla serbe në Kosovë janë shtuar dhe kanë rritur edhe numrin e të vrarëve.


Pika tjetër e nxehtë ka qenë në Cagllavicë. Një grup shqiptarësh të zemëruar kanë shpërthyer me forcë kordonët e paqeruajtësve dhe kanë hyrë në fshat duke shkatërruar dhe djegur disa shtëpi të serbëve. Forca të policisë së OKB-së janë tërhequr në fshat dhe kanë marrë në mbrojtje rreth një mijë banorë të tij.


Ndërsa qeveria serbe është mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonëshme në Beograd për të diskutuar gjendjen, Holkeri i ka thënë kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica se përforcime të reja po dërgoheshin në Cagllavicë.


Megjithatë, një zëdhënëse e policisë së OKB-së, Angela Joseph, ka thënë se “Situata në Cagllavicë është jashtë kontrollit” dhe Momcillo Trajkoviq, një drejtues lokal i serbëve ka thënë se gratë dhe fëmijët janë dërguar në enklavën më të madhe të Gracanicës ku gjendja është më e sigurtë.


Me rënien e natës, është rivendosur një qetësi e brishtë në Mitrovicë ku forcat e OKB kanë vendosur ndalimin e lëvizjeve pas orës 7 të mbrëmjes, duke premtuar se do të qëllojnë ndaj cdo personi që gjendet në rrugë pas kësaj ore. Por ndërsa dhuna në Mitrovicë është qetësuar, në vende të tjera të Kosovës gjendja ka vazhduar të rëndohet.


Tensioned etnike kanë qenë të larta në Kosovë prej disa ditësh, vecanërisht pas plagosjes së një djaloshi serb 18 vjecar në Cagllavicë.


Pas këtij incidenti serbët lokalë kanë protestuar kundër asaj që ata e kanë quajtur një sulm me motive etnike duke bllokuar rrugën kryesore që të con nga Prishtina në Shkup. Zbulimi i fëmijëve të vdekur shqiptarë në Mitrovicë duket se ka shkaktuar ciklin e sotshëm të dhunës.


Forcat e OKB dhe NATO në Kosovë janë gjendur të papërgatitura nga shkalla e dhunës në Kosovë, e cila ka qenë më e madhja në rajon që pas tërheqjes së forcave serbe në vitin 1999.


Dhuna kërcënon të dëmtojë përpjekjet e OKB-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë. Kjo gjithashtu kërcënon të komplikojë edhe më tepër marrëdhëniet ndërmjet OKB-së në Kosovë dhe Beogradit, ku nacionalistët gjithnjë e më të fuqishëm po kërkojnë rivendosjen e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën.


“Kjo është një ditë e errët për Kosovën,” ka thënë Holkeri. “Incidentet e ditëve të fundit, mbytja e fëmijëve dhe vdekjet e dhunëshme sot janë shumë tronditëse dhe shqetësuese.


“Ato duhet të hetohen në thellësi dhe mënjëherë. Por nuk ka asnjë arësye për dhunë të mëtejshme. Eshtë tepër e rëndësishme që njerëzit të ruajnë qetësinë dhe të mos shtojnë tensionin dhe gjendjen e pasigurisë”.


Marcus Tanner është një redaktor/trajnues i IWPR në Ballkan.


Frontline Updates
Support local journalists