Shënim i Redaktorit: Episodi Tarle

Dy media të rëndësishme liberale në Kosovë po grinden se kush është viktima më e madhe, megjithëse humbësi më i madh ka qenë gazetaria.

Shënim i Redaktorit: Episodi Tarle

Dy media të rëndësishme liberale në Kosovë po grinden se kush është viktima më e madhe, megjithëse humbësi më i madh ka qenë gazetaria.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Disa javë më parë një sasi eksplozivi shpërtheu pranë një apartamenti në Prishtinë dhe për fat të mirë askush nuk u plagos. Por shpërthimi ka shkaktuar një valë mosmarrëveshjesh të ashpra në gjirin e komunitetit të vogël të medias në kryeqytet - duke vendosur dy zëra liberalë përballë njëri tjetrit dhe duke treguar edhe një herë kufizimet e debatit të lirë në Kosovë.


Në atë moment gazetarë të Radio Kontakt po mbanin një mbledhje në të njëjtën ndërtesë, vetëm një derë më tej. Askush nuk ka thënë se ishin ata qëllimi i sulmit - çdo njeri, i çdo kombësie, mund të ishte vrarë. Por duke qenë se shpërthimi ka ndodhur kaq pranë njërës prej organizmave multietnike në Prishtinë - në atë takim kishte serbë, shqiptarë, një kroat dhe një boshnjak - kjo goditje ka theksuar rreziqet për gazetarët e Radio Kontaktit e minoritetet dhe çdo njeri që përpiqet të mbyllë ndarjen etnike në provincë.


Zvonko Tarle, redaktori i radios, është tronditur shumë. Kroat nga Dalmacia i cili është edhe bashkëpronar i një stacioni të pavarur radioje në Vojvodinë, Tarle është një nga karakteret më intrigues dhe të diskutueshëm në Prishtinë. Stacioni i tij, dhe grupi "Shtëpia Civile" me të cilën bashkëpunon, janë përpjekur gjatë gjithë krizës kosovare të ruajnë një profil multietnik duke transmetuar në shqip, serbisht e turqisht me një staf të përzier. Ai ka qenë edhe një bashkëpunëtor i vlefshëm i IWPR-së duke shkruajtur një sërë artikujsh shumë kritik ndaj Beogradit.


Megjithatë në reagim të shpërthimit të muajit prill Tarle mori një pozicion të kundërt duke shkruajtur një pjesë ku theksonte rreziqet me të cilat përballen minoritetet në Kosovë. Siç është përmbledhur në shkrimin e redaktorit, "Radioja e vetme shumë etnike në Kosovë, e cila ka qenë për një kohë të gjatë në shënjestër të radikalëve serbë, tani po bie viktimë e esktremistëve shqiptarë."


Ai ka theksuar rreziqet që i kanosen çdo njeriu që nuk flet shqip apo anglisht nëpër rrugë, frikën e serbëve për të qëndruar në vende të tjera përveç atyre të përcaktuara dhe mbrojtura nga trupat ndërkombëtare, dhe problemet me të cilat është përballur Radio Kontakt, të cilën ai e quan "stacioni i vetëm shumëetnik". Ai ka përshkruar me hollësi një rast kur njëri nga gazetarët e tij është ngacmuar.


Artikulli ishte tepër i ashpër dhe përfaqësonte një perspektivë të vlefshme. Ai dukej pjesërisht si një reklamë për Radio Kontakt. A ka qenë me të vërtetë kështu? Duke gjykuar se vetë stacioni është një ngjarje e rëndësishme dhe interesante në Kosovë, redaktorët menduan se jo dhe ky artikull u botua në Raportin e Krizës në Ballkan të IWPR-së, [BCR Nr.134, 28 prill 2000].


Megjithatë njerëz të tjerë në Kosovë mund të kenë pasur mendime të ndryshme. Por askush nuk mund të priste sulmin e ashpër personal ndaj Tarles të bërë një javë më pas në faqen kryesore të Koha Ditore, gazeta kryesore e pavarur. (Shënim: IWPR ka pasur një bashkëpunim të gjatë me botuesin e saj, Veton Surroi, ka organizuar program shkëmbimesh disa vjetë më parë për gazetarët e saj të rinj dhe ka zyrat në Prishtinë në të njëjtën ndërtesë me të.)


"Mbajtës i idesë së multietnicitetit në shërbim të propagandës së Millosheviqit," shkruhej në titullin kryesor me gërma të mëdha. I shkruajtur nga Naser Miftari, një gazetar i ri, teksti i ngatërruar akuzonte Tarlen se kishte gënjyer rreth kombësisë së tij (duke thënë në mënyrë akuzuese se ai është serb), se kishte ekzagjeruar rëndësinë e Radio Kontakt (duke insistuar se ka edhe shumë stacione të tjera radioje shumëetnike në Kosovë) dhe se kishte shtrembëruar faktet rreth ngacmimit të kolegut të tij.


Artikulli vinte në diskutim deklaratat e Tarles se ndërtesa ku stacioni i tij ka pasur zyrat përpara luftës, dhe ku kanë mbetur disa pajisje të rëndësishme, tani shërben si zyra të "qeverisë" së ish-drejtuesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi dhe thoshte se joshqiptarët në fakt mund të qarkullojnë lirisht në Prishtinë. Artikulli përfundonte se Tarle vetëm po përpiqej të shfrytëzonte serbët në Kosovë si "lodrat" e tij për përfitime personale.


Debatet etnike nuk janë ndonjë gjë e re në Ballkan, por cila ka qenë e vërteta? Tarle ka thënë se "ky nuk është një artikull gazete, por një kërcënim, një lajmërim për t'u larguar, duke qartësuar shënjestrën për radikalët" - të gjitha këto janë në fakt vazhdime të ideve të tij fillestare. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) e ka parë artikullin dhe e ka quajtur atë të gabuar për shkak të toneve raciste dhe për këtë është vënë në dijeni edhe shefi i OKB-së Bernar Kushner, duke u cilësuar si një shembull i mundshëm i urrejtjes, megjithëse nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare.


Gazetarët shqiptarë jo të Koha Ditore kanë ndjerë se sulmi ka qenë tepër i ashpër, por mendojnë se Tarle ka keqinterpretuar faktet për të nxjerrë përfitim. Nga ana e tyre redaktorët e Koha Ditore duket se nuk e kanë kuptuar këtë rrëmujë të krijuar. Ata mendojnë se Tarle ka gënjyer, apo të paktën ka ekzagjeruar, por në çdo rast mënyra e diskutimit të gazetës së tyre ka qenë e gabuar. "Kjo është një mënyrë normale të shkruajturi për ne," thotë një redaktor i vjetër. "Nuk ka të bëjë fare me kombësinë e tij."


Kjo histori vazhdoi edhe të nesërmen me një artikull prej dy faqesh. Koha Ditore botoi përgjigjen e Tarles dhe artikullin e tij origjinal, (me kërkesën e tij), plus një përgjigje tjetër nga Miftari. Të dy kanë vazhduar të diskutojnë rreth detajeve dhe trashëgimisë të së shkuarës: eksperiencat gjatë fushatës së bombardimeve, gjendjen e kroatëve në Kosovë, eksperiencën e mëparshme gazetareske.


Tarle ka theksuar se Radio Kontakt është ndaluar fillimisht nga Millosheviqi në korrik të vitit 1998; Miftari e akuzoi atë se ka shkruajtur propagandë të stilit politik. Por në fakt për shumë gjëra u ra dakort: bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit në fakt po qëndrojnë në zyrat e vjetra të Radio Kontakt; stacionet e tjera të mëdha "shumëetnike" drejtohen nga të huaj; Tarle në fakt mund të jetë me të vërtetë kroat.


Nga ana e saj, IWPR ka rinjoftuar faktet në artikullin origjinal të Tarles dhe ka arritur në përfundim se, ndërsa disa nga ngjyrimet e dhëna mund të ishin të hapura për interpretim, ato ishin të gjitha kryesisht të vërteta. I vetmi gabim në gjykim, për të cilin ne kërkojmë ndjesë, është se kemi përfshirë në këtë histori një individ i cili nuk kishte dhënë pëlqimin e tij për t'u përmendur me emër. Si rezultat, disa interpretime të ekzagjeruara nga të dyja krahët kanë shkaktuar shqetësime.


Aspekti më shqetësues i të gjithë kësaj historie ka qenë spektakli i gazetës kryesore që merret me faktin se cila është viktima më e madhe - shqiptarët apo serbët. Të përfshihesh në një proces të tillë tregon për një varësi të vazhdueshme, të paktën të disa autorëve, në një diskutim tashmë të vjetëruar. Të vësh në diskutim pozicionin e traumatizuar të popullsisë joshqiptare në Kosovë sot është në rastin më të mirë cinizëm.


Nga pikëpamja profesionale ka qenë e dukëshme se si shkrime jo të sakta, njoftime të njëanshme dhe mendimet jo të qarta mund të çojnë në një përshkallëzim të panevojshëm të retorikës. Siç ka theksuar një vëzhgues ndërkombëtar me eksperiencë: "Ky fakt ka qenë një tregim shokues i nivelit përgjithësisht të ulët të gazetarisë dhe debatit publik këtu."


Por të paktën në një drejtim ndoshta jo. Pasi kishte nisur këtë zhurmë, përgjigja e Koha Ditore ditën e dytë - duke botuar artikullin dhe letrën e plotë të Tarles - ka treguar një dëshirë të admirueshme për të zgjidhur këtë furtunë të vogël në mënyrë të hapur dhe të plotë.


Për fat të mirë, kjo zënkë fjalësh nuk degjeneroi në dhunë. Këtu janë vënë në disktuim me të vërtetë çështje të rëndësishme, veçanërisht legjitimiteti dhe koncepti shumëetnik në Kosovë dhe marrëdhëniet që duhet të vendosin me njëri tjetrin shumica dhe pakicat e reja të krijuara rishtazi. Natyrisht, të gjitha palët duhet të kenë nxjerrë disa mësime nga kjo histori dhe, në fund të fundit, ajo mund të ketë treguar pikërisht rolin më kryesor të medias, atë që të transmetojë mosmarrëveshjet publike dhe të kontribuojë në zgjidhjen e tyre në mënyrë (relativisht) të qetë.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i Institutit për Raportimin e Luftës dhe Paqes.


Frontline Updates
Support local journalists