Serbia Duhet të Rishikojë të Kaluarën

A është e përgatitur udhëheqja Serbe të pranojë krimet e kryera nga forcat e armatosura të saj?

Serbia Duhet të Rishikojë të Kaluarën

A është e përgatitur udhëheqja Serbe të pranojë krimet e kryera nga forcat e armatosura të saj?

Wednesday, 10 January, 2001

Kur një batalion i ushtrisë Jugosllave i drejtuar nga Kapiteni Petroviq mbërriti në fshatin Gornja Susica në Kosovë në fund të muajit Mars 1999, ai ka urdhëruar të gjithë Shqiptarët të dalin nga shtëpitë. Feriz Krasniqi dhe gruaja e tij e paralizuar Rukije nuk kanë mundur të dalin. Mosbindja u ka kushtuar atyre jetën.


I zemëruar nga lutjet e Ferizit se ai nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të linte vetëm gruan e tij të paralizuar, Petroviq ka urdhëruar rezervistët e ushtrisë Nenad Stamenkoviq dhe Tomica Joviq të vrisnin çiftin. Një njësi speciale e ushtrisë Jugosllave e krijuar me qëllimin e vetëm për të djegur dhe zhdukur trupat I ka larguar më pas kufomat e tyre.


Historia e Feriz dhe Rukije Krasniqit dhe mizoria me të cilën janë vrarë ata do të ishte varrosur me siguri së bashku me kufomat e tyre nëse nuk do të ishte një oficer i ndërgjegjëshëm i ushtrisë Jugosllave. Zëvendës koloneli Ljubisha Miçiq, i dislokuar aty pranë pasi ka dëgjuar për këtë vrasje ka shkuar në fshatin ku banonte çifti Krasniqi dhe ka mbledhur prova gjatë bombardimeve të NATO-s.


Më 20 Dhjetor, gjykata ushtarake në Nish ka dënuar Stamenkoviq dhe Joviq me katër vjet e gjysëm burgim për vrasjet. Petroviq është dënuar me katër vjet e dhjetë muaj burgim sepse ka urdhëruar vrasjet.


Ky gjyq është një ngjarje pa precedent. Kurrë më parë nuk është dënuar ndonjë ushtar federal në Serbi për vrasjen e civilëve Shqiptarë. Megjithëse ky rast do të kujtohet gjatë për dënimet shumë të lehta, përsëri duhet thënë se janë ngritur disa çështje të rëndësishme.


Qendra Humanitare Ligjore e Beogradit ka thënë se rasti ka hedhur dritë për herë të parë mbi çështjen e 'spastrimit etnik' në një sallë gjyqi të Serbisë.


Kryetari i trupit gjykues Kolonel Radenko Miladinoviq i ka kërkuar një dëshmitari, rezervist i ushtrisë Jugosllave Nebojsha Dimitrijeviq, të shpjegonte kuptimin e një shënimi në ditarin e tij: "dy njerëz të pastruar". Dimitrijeviq ka thënë se shënimi i referohej djegies së kufomave.


Gjyqi ka qenë gjithashtu edhe hera e parë që një gjykatë në Serbi ka bashkëpunuar me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për mbledhjen e provave. Kjo do të ishte e pamendueshme gjatë kohës që Sllobodan Millosheviq ka qenë në pushtet.


Por prokurori ushtarak nuk i ka akuzuar të pandehurit për krime lufte ndaj popullsisë civile - krim i mbuluar nga Neni 142 I Kodit Penal Jugosllav - pavarësisht se të gjitha rrethanat provonin një krim të tillë. Po ashtu, nuk është përmendur fare Konventës së Katërt të Gjenevës (1949) e cila kërkon mbrojtjen e civilëve gjatë periudhës së luftës.


Por, megjithëse jo perfekt, në Nish të paktën është bërë një farë drejtësie.


Përndryshe, në Bijelo Polje, në veri të Malit të Zi, gjyqi i Nebojsha Ranisavljeviq, i cili ka filluar në Maj të vitit 1998, është penguar nga pengesa të shumta.


Ranisavljeviq është akuzuar për krime lufte ndaj civilëve. Ai është akuzuar për tortura, vjedhje dhe vrasjen e të paktën 19 Muslimanëve të cilët janë zbritur nga një tren në Strpci në Republikën Srpska, RS, më 27 Shkurt, 1993.


Autoritetet e RS-së kanë penguar hetuesit Malazez, duke dhënë kështu një shembull perfekt se përse krimet e luftës duhet të gjykohen në Hagë, ashtu siç kërkon edhe Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e luftës në ish Jugosllavi, ICTY.


Florence Hartman, zëdhënësja e Prokurores së përgjithëshme të ICTY-së Karla del Ponte, i ka thënë IWPR-së se zhvillimi i gjyqeve për krime lufte në vendet e ish Jugosllavisë është shumë i vështirë dhe komplikuar, sepse secili nga shtetet e reja ka veçantitë e tij politike dhe juridike.


Problemi i gjyqeve dhe ekstradimit të kriminelëve të luftës ka qenë një shqetësim i madh për autoritetet e reja Jugosllave që nga momenti i ardhjes së tyre në pushtet. Që prej daljes së parë në publik të Presidentit Vojislav Koshtunica në televizionin Serb, qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar - ai ka kundërshtuar ekstradimin e Millosheviqit sepse ai ka dyshime për motivet dhe legjitimitetin e ICTY-së.


Në Dhjetor, Koshtunica ka përsëritur në një intervistë me të përditëshmen Franceze Le Figaro se ai nuk është I bindur që gjykata e Hagës është vendi më i mirë për të gjykuar krimet e luftës të kryera në ish Jugosllavi. "Unë mendoj se është një kërkesë për të gjitha vendet e rajonit që të kthejnë procesin e drejtësisë në vendet e tyre," thotë ai.


Koshtunica ka përmendur veçanërisht Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin e krijuar në Afrikën e Jugut për të hetuar krimet e kryera gjatë periudhës së aparteidit. Presidenti i ri Jugosllav ka vlerësuar gjithashtu Kilin për kurajon e treguar në përballimin e së kaluarës së tij dhe për fillimin e procedurave legale ndaj ish diktatorit Augusto Pinoçet.


Nuk ka asnjë provë që të tregojë se autoritetet e reja Serbe dëshirojnë në ndonjë farë mënyre të mos pranojnë faktin se në ish Jugosllavi janë kryer krime lufte apo që përgjegjësit për to duhet të dënohen. Vetëm pak orë pas ardhjes në pushtet të autoriteteve të reja, televizioni shtetëror ka transmetuar për herë të parë pamje të krimeve të luftës të kryera nga Serbët.


Por, ajo që nuk është e qartë, është se kush ka autoritetin juridik për të gjykuar këto raste. Beogradi do të preferonte që këta kriminelë lufte të gjykoheshin në Serbi nga sistemi gjyqësor i cili duhet reformuar sa më parë, "ku çështja e përgjegjësive për krimet e luftës do të ishte po aq e rëndësishme sa edhe problemet e sigurisë personale dhe të të drejtave të njeriut," ka thënë për IWPR-në një burim i afërt me presidentin e ri Jugosllav.


Por ende mbeten disa pyetje thelbësore të cilat kërkojnë përgjigje. Si mundet sistemi gjyqësor i mësuar prej vitesh ti shërbejë drejtuesve politik të bëhet menjëherë i pavarur? Dhe sa kohë do të nevojitet për këtë proces?


Liljana Bogdanoviq, këshilltare ligjore e Qendrës Ligjore Humanitare në Beograd të drejtuar nga Natasha Kandiq, thekson se ICTY është krijuar në kohën kur gjykimi i kriminelëve të luftës në Kroaci, Bosnje dhe veçanërisht në Serbi, ishte i pamundur për shkak të qeverive nacionaliste të atyre vendeve.


Bogdanoviq thekson se kushtet në gjykatat e Serbisë mbeten të papërshtatëshme për zhvillimin e gjyqeve për krime lufte. Por ajo thotë se Serbia duhet të marrë vetë inisiativën për të gjykuar kriminelët e saj të luftës dhe jo gjithmonë të presë që Haga të ndërmarrë hapa në këtë drejtim.


"Vetëm duke gjykuar fajtorët populli Serb mund të çlirohet nga përgjegjësia kolektive," ka thënë Bogdanoviq duke shtuar se gjyqetpër krime lufte ndihmojnë në qartësimin e nocionit në mendjet e njerëzve se ligjet veprojnë jo vetëm në kohë paqeje por edhe në kohë lufte.


Më 4 Janar, Ministri i Jashtëm Jugosllav Goran Svilanoviq ka qenë zyrtari i parë federal që viziton Uashingtonin që pas përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Qershor të vitit 1999.


Gjatë vizitës së tij, të cilën Sekretarja e Shtetit Amerikane Madlen Ollbrait e konsideroi si "një gjë të paimagjinueshme deri gjashtë muaj më parë", çështja e ekstradimit të kriminelëve të luftës në Hagë ka qenë çështja më e diskutuar.


Svilanoviq ka përsëritur mendimin e autoriteteve të reja Jugosllave për të bashkëpunuar me Gjykatën dhe "për të gjykuar të gjithë personat e akuzuar në bashkëpunim me ICTY-në [për sa kohë që këto gjyqe] zhvillohen në territorin e Republikës Federale të Jugosllavisë."


Ai ka shtuar gjithashtu se po priste me padurim takimin me kryeprokuroren në Beograd për të diskutuar aspekte të tjera të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Gjykatën.


Përgjigja nga Haga nuk ka vonuar. "Nuk është Gjykata e cila duhet të bashkëpunojë me Jugosllavinë, por anasjelltas," ka thënë Hartman. "Është e pamundur të zhvillohen gjyqe në Beograd sepse ai nuk është një vend neutral. Askush nuk mund të imagjinojë që viktima nga shtetet fqinje të mund të vijnë në Beograd për të dëshmuar."


Mendimi i Beogradit se Gjykata është thjesht një vegël e SHBA-së për të "nxirë emrin e kombit Serb", dhe diskutimet e shumta teorike të rregjimit të ri për sa i përket legjitimitetit të ICTY-së, mund të mos lejojnë që Serbia të pranojë krimet e kryera në të kaluarën.


Pranimi që vrasja e Feriz dhe Rukije Krasniqit ka qenë një krim lufte sipas ligjit Jugosllav dhe atij ndërkombëtar duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Pa një hap të tillë, argumentat e Koshtunicës se Beogradi është aq i përgjegjëshëm sa të bëjë vetë drejtësinë për krimet e luftës tingëllojnë si boshe.


Dragana Nikoliq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists