SERBI: VDEKJA E USHTARËVE SHQETËSON USHTRINË

Prestigji i ushtrisë do të dëmtohet rëndë nëse një komision i pavarur hetimor për vdekjen e dy ushtarëve arrin në përfundime të ndryshme nga ato të vetë ushtrisë.

SERBI: VDEKJA E USHTARËVE SHQETËSON USHTRINË

Prestigji i ushtrisë do të dëmtohet rëndë nëse një komision i pavarur hetimor për vdekjen e dy ushtarëve arrin në përfundime të ndryshme nga ato të vetë ushtrisë.

Vdekja e dy ushtarëve në kazermat Topcider në Beograd ka dëmtuar rëndë reputacionin e Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi dhe ka shtuar shqetësimet mbi të ardhmen e reformave të domosdoshme në ushtri.


Ndërsa komisioni i pavarur i cili heton mbi vdekjet e Dragan Jakovljeviq dhe Drazen Milovanoviq, të dy 21 vjeçarë, përgatitet të paraqesë rezultatet e hetimit, duket se përfundimi do të jetë i ndryshëm nga ai i dhënë pas një hetimi të kryer nga ushtria.


IWPR ka mësuar se disa anëtarë të komisionit do të thonë se një person i tretë ka qenë i përfshirë në këtë incident. Kjo është në kundërshtim me versionin e ushtrisë, sipas të cilit të dy ushtarët kanë vrarë njëri tjetrin në një duel.


Pavarësisht nga rezultati, vrasjet kanë dëmtuar besimin e publikut tek ushtria, e cila - ndërsa gjendet në mes të zbatimit të një programi reformash të nisur tre vjet më parë - po vuan nga shkurtimet e buxhetit dhe mosmarrëveshjet politike ndërmjet drejtuesve të Serbisë e Malit të Zi mbi rolin e forcave të përbashkëta të armatosura në një shtet të bashkuar i cili nuk funksionon si duhet.


"Ka natyrisht frikë për çfarë do të ndodhë, sepse forcat e armatosura kushtojnë shumë dhe janë tanimë drejt rrënimit," thotë Ljubodrag Stojadinoviq, ish kolonel dhe tani një analist ushtarak. "Të gjithë njerëzit të cilët kanë në dorë fatin përfundimtar të shtetit të bashkuar e dinë se ai po shkon drejt shpërbërjes. Askush nuk ka arritur dhe as ka dashur të përgatisë një strategji për mbijetesën e ushtrisë në kohën kur i gjithë shteti i përbashkët po rrëzohet".


Kriza më e fundit ka nisur në fillim të tetorit kur një hetim rutinë i ushtrisë mbi vdekjen e Jakovljeviq dhe Milovanoviq ka arritur në përfundimin se Milovanoviq ka vrarë Jakovljeviq dhe më pas edhe veten.


Pas protestave publike, presidenti i shtetit të bashkuar, Svetozar Maroviq, ka urdhëruar një komision të pavarur nën drejtimin e Bozo Preleviq për të hetuar. Ndërkohë ushtria ka vazhduar me hetimet e saj.


Ndërkohë, spekulimet në media rreth përmbajtjeve të mundëshme të këtyra raporteve kanë shtuar konfuzionin në rradhët e publikut. Deklarimet e përsëritura nga ushtria se ata nuk besojnë se është përfshirë edhe një person i tretë në këtë ngjarje kanë shtuar edhe më tepër dyshimet se dikush nga drejtuesit e saj po përpiqet të fshehë diçka.


Shtypi serb ka spekuluaar se ushtarët janë vrarë nga rojet e trupit të një të akuzuari nga gjykata e Hagës i cili fshihej në kazermën që ruanin ushtarët, ndoshta Ratko Mlladiq, ish komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjes, i cili tani është një ndër të kërkuarit kryesorë të gjykatës së Hagës.


Nebojsha Pavkoviq, një ish shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë i kërkuar nga gjykata e Hagës për krime të kryera në Kosovë, është përmendur si një i dyshuar i mundur nga Danica Drashkoviq, gruaja e ministrit të jashtëm të shtetit të bashkuar, Vuk Drashkoviq, e cila është edhe vetë një politikane. Ajo mendon se rojet e trupit të Pavkoviq janë vrasësit e vërtetë.


Në një koment në Srpska Rec, gazeta zëdhënëse e Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, ajo i ka akuzuar ata se kanë vrarë ushtarët dhe u ka kërkuar prindërve të mos i dërgojnë djemtë e tyre për të kryer shërbimin ushtarak deri sa të sqarohet ky rast.


Ushtria ka mohuar akuzat por spekulimet në media kanë rihapur historinë e përmendur edhe më parë për mundësinë që kriminelë të luftës të fshihen në bazat e ushtrisë në Serbi. Interesi i publikut është shtuar pas botimit të një fotografie të vitit 2002 të Veselin Svljivancanin - i akuzuar nga gjykata e Hagës për krime lufte në Kroacinë lindore në vitin 1991 - duke hipur në një makinë ushtarake në një kazermë të ushtrisë serbe.


Fotografia është marrë në një kohë kur akuza ndaj tij ishte bërë publike prej kohësh dhe zyrtarë të lartë ushtarak serbë mohonin se ushtria po mbronte ndonjë të dyshuar për krime lufte.


Hetimet fillestare të ushtrisë për vdekjen e ushtarëve kanë treguar se secili prej tyre ishte qëlluar me nga tre plumba. Dy plumba kanë mbetur në trupat, nga njëri në secilin, dhe ekspertët e kriminalistikës kanë parë se të dy ato janë qëlluar nga pushka e Milovanoviq. Pas kësaj ekspertize, hetuesit ushtarak kanë arritur në përfundimin se Milovanoviq ka vrarë kolegun e tij dhe më pas edhe veten. Të gjitha plumbat janë qëlluar nga pushkët e Jakovljeviq dhe Milovanoviq.


Asnjë person tjetër, sipas hetuesve, nuk ka qëlluar dhe sistemi elektronik i sigurisë në kazermë nuk ka regjistruar asnjë hyrje të paautorizuar apo dalje në atë mëngjes, duke përjashtuar kështu mundësinë që ndonjë civil të ketë qenë në skenën e krimit.


Megjithatë, besueshmëria e këtyre rezultateteve është dëmtuar javën e kaluar nga vetë ushtria kur një raport më i hollësishëm i saj ka arritur në një përfundim më të ndryshëm, duke thënë se hetuesit tani mendojnë se Jakovljeviq ka vrarë Milovanoviq, dhe jo anasjelltas.


Një gazetar dhe ekspert i çështjeve ushtarake i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër ka thënë se hetuesit vështirë se mund të arrijnë në përfundim të këtij hetimi. "Askush nuk do të zbulojë se kush i ka vrarë ushtarët nëse dikush i përfshirë në këtë ngjarje nuk flet," ka thënë burimi.


Gjithsesi, incidenti ka cënuar besimin e publikut tek ushtria dhe ka ndodhur menjëherë pas disa incidenteve të tjera përfshirë vdekjen e Dragan Kostiq, i cili ka vdekur në kazermat e ushtrisë në Leskovac më 27 gusht në një aksident gjatë një stërvitjeje. Një anketim i kohëve të fundit ka treguar se besimi tek ushtria ka rënë nga 71 përqind një vit më parë në 41 përqind.


Ky është një zhvillim i pazakontë në Serbi, ku ushtria së bashku me Kishën Ortodokse Serbe - tradicionalisht kanë gëzuar një nivel tepër të lartë besimi në rradhët e publikut.


Tani, shumë njerëz janë të pakënaqur me faktin që asnjë person nuk është bërë përgjegjës për tragjedinë më të fundit. Ministri i mbrojtjes ka transferuar komandantët e Topcider përfshirë kolonel Radomir Cosiq, komandant i Brigadës së Rojeve, dhe Marko Kovaceviq, togerin përgjegjës për rojet atë mëngjes, në poste të tjera.


Kjo ngjarje ka ndodhur në një moment të vështirë për ushtrinë, në mes të reformës së nisur nga ish ministri i mbrojtjes të shtetit të bashkuar, Boris Tadiq, tani president i Serbisë.


Meqënëse mbijetesa e shtetit të bashkuar nuk është aspak e sigurtë, ekziston një pikpyetje e madhe edhe mbi institucionin i cili është krijuar pikërisht për të mbrojtur këtë shtet.


Deri më tani, elita politike në Serbi dhe Malin e Zi ka qenë e paaftë për të gjetur një formulë të pranuar nga të dyja palët për rolin e forcave të përbashkëta të armatosura në shtetin e bashkuar, dhe marrëveshja duket e pamundur për sa kohë që aspiratat e Malit të Zi për shkeputje janë ende të gjalla.


Në mars të vitit 2002, një votim popullor për tu shkëputur nga shteti i bashkuar është shtyrë për tre vjet, por pritet që në pranverën e vitit 2005 të jetë e vështirë ti mohohet Malit të Zi e drejta për të organizuar një referendum për pavarësinë.


Ushtria e ka edhe më të vështirë të pranojë gjendjen keqe të tanishme, pas shkëlqimit të jo shumë kohëve më parë.


Ushtria e Serbsisë dhe Malit të Zi është pasuesja e Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, e cila në prag të luftës së parë në territorin e ish Jugosllavisë në vitin 1990 numëronte 179,000 ushtarë të ndarë në 24 korpuse. Në atë kohë, JNA ka qenë ushtria e katërt më e fortë në Evropë.


Sot, numri i trupave ka rënë në 65,000, dhe ushtria është hije e asaj që ka qenë. Shkurtime të mëdha të buxhetit ushtarak kanë ulur nivelin e gadishmërisë luftarake, e kanë lënë ushtrinë pa pajisje dhe teknologji moderne ushtarake dhe kanë shtuar rrezikun e aksidenteve për anëtarët e forcave të armatosura.


Megjthëse një prej pak institucioneve të përbashkëta në shtetin e bashkuar, ushtria është lënë pas dore në buxhetet e këtyre vitevetë fundit nga qeveria serbe, e cila mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve. Serbia mbulon 95 përqind të shpenzimeve të shtetit të përbashkët dhe pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve shkon për forcat e armatosura. Ushtria mund të përballet me shkurtime të tjera në dy vitet e ardhëshme, pasi Serbia po përgatitet të kryejë shkurtime të mëdha të buxhetit në vitin 2005.


Një ditë pas miratimit të buxhetit më të fundit të Serbisë, ministri i mbrojtjes Prvoslav Daviniq është ankuar se mungesa e fondeve për ushtrinë rrezikon të ardhmen e reformës ushtarake. "Fondet e caktuara për ushtrinë nuk japin mundësi për zbatimin e reformave," është ankuar ai.


Megjithëse analistët në Beograd e përgëzojnë ministrinë e mbrojtjes për progresin e arritur në forcimin e kontrollit civil mbi ushtrinë, mbeten ende pikpyetje për efektivitetin e reformave të zbatuara deri më tani.


Vendosja e shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë nën kontrollin e ministrisë së mbrojtjes së shtetit të përbashkët gjatë dy vjetëve të fundit është një fitore e madhe e reformave, por ndryshimet e tjera po zbatohen me ngadalësi.


Politikanët civilë janë pjesërisht fajtorë për këtë gjendje.


Ministrat e mbrojtjes Tadiq dhe Daviniq kanë përkrahur reformat, por sipas Zoran Dragishiq, bashkëpunëtor në Fakultetin për Mbrojtje Civile në Universitetin e Beogradit: "Nuk është arritur një konsensus politik për rolin e ushtrisë në shtet dhe mënyrën me të cilën shteti i bashkuar duhet të përballojë sfidat e sigurisë".


Një tregues i luftës ndërmjet kampeve pro dhe anti reformiste e cila po pengon strategjinë e reformave në ushtri, ka ndodhur vetëm pak ditë më parë, kur është parlamenti ka miratuar strategjinë e mbrojtjes për shtetin e bashkuar në mesin e muajit nëntor.


Një ose dy ditë përpara mbledhjes së parlamentit më 17 nëntor dhe miratimit të strategjisë, këshilli i ministrave ka paraqitur një version të ndryshuar të dokumentit, në të cilin bashkëpunimi me Hagën nuk përmendej.


Konfliktet mbi çështjen e strategjisë të pasqyruar në këtë dokument reflektojnë mungesën e konsensusit politik në Serbi mbi drejtimin e përgjithëshëm të vendit, ku partitë e qendrës kërkojnë bashkëpunimin me Hagën dhe anëtarësimin në NATO, ndërsa radikalët e fuqishëm dhe aleatët e tyre të partisë socialiste kërkojnë të kundërtën.


Nuk përbën ndonjë sekret gjithashtu që edhe drejtuesit e ushtrisë janë të përçarë, megjithëse ka mendime të ndryshme mbi pozicionet e tyre. Fakti që në publik, zyrtarët e ushtrisë nuk kanë paraqitur pikpamjet e tyre negative për reformat e nisura, nuk ka shumë domethënie.


"Shumë njerëz në rradhët e ushtrisë vazhdojnë të mbështesin të kaluarën e tyre ideologjike," ka thënë Stojadinoviq. "Anëtarët e elitës ushtarake e kanë mendjen ende në vitin 1948 [viti kur Tito prishi marrëdhëniet me Stalinin]".


Dragishiq, nga ana tjetër, paralajmëron kundër idesë se ushtria mund të transformohet vetëm thjesht duke shkarkuar oficerët e lartë të saj.


"Ndryshimet e personelit janë të rëndësishme, por ne nuk mund të prodhojmë gjeneralë të rinj brenda natës," ka thënë ai.


"Njerëzit të cilët kanë shërbyer në kohën e Millosheviqit duhet të largohen, por ne duhet të presim ende që një brez i ri ushtarakësh të lartë të arrijnë pjekurinë e duhur. Rregullat e brendëshme nuk duhet të shkelen, dhe politika nuk duhet të ndërhyjë me profesionalizmin".


Vala e fundit e kritikave publike për ushtrinë shihet nga shefat e ushtrisë si një sulm ndaj ushtrisë si institucion.


Krijimi i komisionit të pavarur për hetimin e incidentit në Topcider ka zemëruar disa prej zyrtarëve të lartë të ushtrisë, veçanërisht kur filloi të merrej vesh se komisioni ndoshta nuk do të mbështesë versionin e ushtrisë për ngjarjet në Topcider.


Shefi i shtabit të ushtrisë, Gjeneral Branko Krga, ka bërë thirrje kohët e fundit në televizionin shtetëror për ndalimin e sulmeve ndaj forcave të armatosura, dhe ka kritikuar politikanët [si Drashkoviq] të cilët u kanë bërë thirrje prindërve të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në ushtri, duke shtuar se mbrojtja e vendit nuk është një çështje e dëshirës së mirë por një detyrim.


Krga ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, më 18 nëntor se nëse raportet e komisioneve ushtarake dhe atij të pavarur nuk përputhen, marrëdhëniet ndërmjet ushtarakëve dhe strukturave civile të shtetit mund të dëmtohen.


Kryetari i gjykatës ushtarake të Beogradit, Gjorgje Trifunoviq ka thënë për median serbe se krijimi i një komisioni të pavarur është një tregues për mosbesimin në sistemin e drejtësisë ushtarake.


Në fakt, karta kushtetuese e Serbisë dhe Malit të Zi nuk parashikon vazhdimin e ekzistencës së gjykatave ushtarake dhe rekomandon transferimin e çështjeve të tyre në gjykatat civile, nëpërmjet një ligji special.


Mosmiratimi i këtij legjislacioni në Serbi është arësyeja për boshllëkun ligjor ku vazhdojnë të veprojnë gjykatat ushtarake të cilat janë tanimë jokushtetuese. Ligji për transferimin e juridiksionit të gjykatave ushtarake në ato civile pritet të miratohet në Serbi në muajin dhjetor. Në Malin e Zi, ky ligj është miratuar në korrik të këtij viti.


Mendimet janë të ndara për sa i përket pasojave afatgjata të incidentit të vdekjes së dy ushtarëve.


"Mundësia më e keqe është zbulimi i parregullsive, pa dënuar personat përgjegjës," ka thënë Dragishiq. "Nga ana tjetër, ky incident mund të shndërrohet në një mundësi për spastrimin në rradhët e ushtrisë - nëse ajo merr hapat e nevojëshme ndaj personave përgjegjës".


Stojadinoviq thotë se është e rëndësishme të behet dallimi ndërmjet sulmeve ndaj drejtuesve të lartë të ushtrisë dhe ushtrisë si një institucion.


"Këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të madh," ka thënë ai për IWPR. "A është më pak e besueshme ushtria sot si institucion, apo janë drejtuesit e saj të cilët gëzojnë më pak respekt".


Pedja Obradoviq është një gazetar i RTV B92.


Frontline Updates
Support local journalists