SERBI: PAKËNAQËSI NË LIDHJE ME MONCKTON
Agjenti i fshehtë anglez ka shkaktuar zemërimin e politikanëve serbë dhe të disa pjestarëve të shërbimeve sekrete.
SERBI: PAKËNAQËSI NË LIDHJE ME MONCKTON
Agjenti i fshehtë anglez ka shkaktuar zemërimin e politikanëve serbë dhe të disa pjestarëve të shërbimeve sekrete.
Sipas disa burimeve të IWPR, diplomati britanik, Anthony Monckton, i cili është zbuluar kohët e fundit si shefi i shërbimeve sekrete britanike në Serbi, ka bërë shumë armiq në qarqet politike serbe dhe në shërbimet sekrete të vendit.
Akuzat ndaj Monckton kanë nisur të publikohen në shtypin serb në 11 gusht, kur Nedeljni Telegraf – një gazetë e konsideruar e afërt me shërbimet sekrete serbe, DB, që prej rrëzimit të Sllobodan Millosheviq – e ka përshkruar diplomatin, këshilltar politik në ambasadën britanike që prej marsit 2001, si shefin e MI6 në Serbi dhe Malin e Zi.
Në edicionin e saj më të fundit, më 18 gusht, gazeta ka botuar akuza të tjera të cilat janë dukur si një përpjekje e drejtpërdrejtë për të dëmtuar reputacionin e Monckton.
Pa publikuar burimet e saj, Telegraf ka thënë se Monckton ka luajtur një rol të madh në arrestimin dhe transferimin e Millosheviqit në Hagë në vitin 2001. Gazeta e ka kritikuar gjithashtu atë se nuk ka arritur të parashikojë valën e fundit të dhunës së shqiptarëve të Kosovës ndaj serbëve lokal në mesin e marsit 2004.
Zërat për rolin e Monckton si agjent i shërbimeve sekrete janë publikuar fillimisht në median britanike në qershor 2000, pasi një operativ i MI6 i shkarkuar nga detyra ka botuar një listë të spiunëve në disa faqe interneti.
Është e paqartë se kush qëndron pas deklarimeve të Telegraf, por burime të IWPR nga policia dhe shërbimet sekrete thonë se Monckton ka shkaktuar zemërimin e një numri politikanësh serbë dhe elementësh kundërshtarë në rradhët e DB.
Burimet thonë se një prej kritikëve të tij më të mëdhenj është ish zëvendës shefi i DB, Zoran Mijatoviq – i shkarkuar pas një kryengritje të brendëshme në nëntor 2001 të trupave anëtare të Njësisë së Operacioneve Speciale, JSO – i cili fajëson Monckton për shkarkimin e tij. Mijatoviq ka dhënë dorëheqjen nga DB pas rrëzimit të Millosheviq por u rikthye në postin e zëvendësit të shefit Goran Petroviq, i cili është emëruar në këtë post nga ish kryeministri Zoran Gjingjiq.
Mijatoviq ka pasur lidhje të vjetra me Telegraf, dhe ka punuar dikur për gazetën në vitin 1999-2000, pasi ka dhënë dorëheqjen nga shërbimet sekrete. Këtë pranverë, gazeta ka botuar librin e Mijatoviq, Elegjia e Një Shërbimi Sekret, në të cilin autori ka dhënë edhe një përshkrim jo të mirë të diplomatit britanik.
Burime të IWPR thonë se Monckton ka qenë një ndër njerëzit më të informuar në Beograd për DB. Ata thonë se ai është përpjekur të bindë shërbimet sekrete në vitin 2001 të pranojë planin e tij për reformat. “Ai ka sjellë një propozim të tijin, i cili parashikonte shkurtimin e personelit të shërbimeve sekrete me dhjetë fish, duke punësuar vetëm 300 vetë,” ka thënë një burim.
Kjo ide është kundërshtuar, sepse DB ka pasur frikë që një reformë e tillë do të pakësonte ndikimin e saj në rradhët e klasës politike në vend.
Për më tepër, thonë burimet, udhëheqja e DB ka qenë e shqetësuar se Monckton ka pasur shumë ndikim në atë kohë mbi ish ministrin e policisë, Dushan Mihajloviq, me të cilin ka qenë shumë i aftë.
Kur Goran Petroviq dhe Mijatoviq janë shkarkuar nga policia sekrete pas revoltës së vitit 2001 në JSO, të dy kanë fajësuar Mihajloviq dhe Monckton për rrëzimin e tyre. “Unë mendoj se Mijatoviq nuk e ka falur kurrë Monckton,” ka thënë një burim i IWPR.
I njëjti burim thotë se në atë kohë, një konflikt ndërmjet Monckton dhe disa individëve të tjerë në udhëheqjen serbe është zgjeruar edhe më tepër pas vrasjes së Gjingjiq në mars të vitit 2003.
Gjatë operacionit të policisë për arrestimin e fajtorëve për vrasjen e Gjingjiq, figura të rëndësishme në qeverinë e re të Zoran Zivkoviq janë përpjekur të rivendosin ish aleatin e tyre të vjetër Mijatoviq në policinë sekrete. Ata nuk kanë pasur sukses – pjesërisht, mesa duket, për shkak të kundërshtimit të Monkton. Burimet thonë se falë përpjekjeve të tij, diplomatët britanik dhe amerikanë u kanë kërkuar njerëzve të Zivkoviq të mos e marrin një vendim të tillë.
Disa anëtarë të qeverisë së Zivkoviq, të cilët nuk kanë fituar në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2003, mendonin se diplomatët britanik dhe amerikanë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në diskreditimin e administratës së tyre, dhe se pas diplomatëve kanë qendruar shërbimet sekrete britanike dhe amerikane, ndër të cilët edhe Monckton.
Përveç armiqësisë ndaj Mijatoviq dhe anëtarëve të rëndësishëm të qeverisë së Zivkoviq, Monckton flitet se është përplasur edhe me disa persona në gjirin e DB, sepse siç ka thënë një burim i IWPR, ai duket se dinte shumë rreth botës kriminale serbe.
Burimet tona thonë se përpara vrasjes së Gjingjiq, Monckton u kishte treguar shërbimeve sekrete një dokument i cili shpjegonte veprimtarinë e bandës mafioze të Zemunit – grupi i cili më pas është akuzuar për vrasjen e Gjingjiq. Monckton, thonë burimet, i ka treguar disa pjesë të këtij dokumenti oficerëve të lartë, të cilët më pas kanë parë se ai dinte më tepër rreth kësaj bande se sa oficerët operativ të shërbimeve sekrete serbe.
Këto burime thonë se ky incident ka qenë ai që ka shqetësuar zyrtarët e DB dhe i ka bërë ata të mendojnë – ndërkohë që vazhdonin hetimet mbi urdhëruesit dhe zbatuesit e vrasjes së Gjingjiq – se agjenti britanik mund të kishte informacione të cilat mund të ishin të sikletëshme për zyrtarët e lartë të qeverisë serbe.
IWPR e ka kontaktuar Monckton rreth akuzave të shpërndara në media dhe fakteve të zbuluara nga IWPR nëpërmjet postës elektronike. Diplomati e ka transferuar çështjen në zyrën e shtypit të Ministrisë së Jashtëme Britanike, ku një zëdhënës ka thënë se ai nuk ishte në gjendje të komentonte për këto çështje.
Zeljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR.