SERBI: MLLADIQI “REKRUTOI” SHKORPIONËT FAMËKEQ

I akuzuari i Hagës personalisht ka rekrutuar njësitin vullnetar të serbëve të implikuar në masakrën e Bosnës.

SERBI: MLLADIQI “REKRUTOI” SHKORPIONËT FAMËKEQ

I akuzuari i Hagës personalisht ka rekrutuar njësitin vullnetar të serbëve të implikuar në masakrën e Bosnës.

IWPR/BIRN ka mësuar se gjenerali Ratko Mladiq, ish komandanti serb i Bosnës në arrati, ka rekrutuar forcën paramilitare famëkeqe Shkorpionët për të luftuar pranë trupave të tij në Bosne vetëm disa muaj para se këta anëtarë ekzekutuan një numër të meshkujve musliman pas rënies së Srebernicës.

Zbulimi është bërë gjatë tentimeve për të vërtetuar se kush kishte kontrolluar Shkorpionët në kohën kur ata pohohet të kenë vrarë meshkujt e Srebernicës – që do të kishte implikime të mëdha për gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë.

Dy burime pranë ish autoriteteve serbe në rajonin e Sllavonisë lindore në Kroaci i thanë IWPR/BIRN se në fillim të vitit 1995 gjeneral Mlladiqi dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë vizituan Djeletovicin, bazën e Shkorpionëve.

Pjesëtarët e këtij njësiti pohohet se janë shfaqur në një inçizim javën e kaluar në tribunalin e Hagës dhe në televizionin serb duke ekzekutuar gjashtë meshkuj dhe djemë musliman në rajonin e Trnovës në Bosnën lindore pas rënies së enklavës së Srebernicës.

Burimet e IWPR pohojnë se Mlladiqi, i akuzuar nga Haga për krime lufte, u takua me komandantin e forcës paramilitare Sllobodan Medic për disa orë dhe kërkoj të dijë nëse ushtarët e tij – vullnetarë serb nga Kroacia dhe Serbia – do të ishin të gatshëm të mbështesnin forcat serbe të Bosnës në betejën me trupat e Federatës.

Takimi ndodhi në kohën kur zyrtarët nga entiteti serb i Bosnës Republika Srpska hapur po konsideronin një union zyrtar me pjesët e Kroacisë nën kontrollin e serbëve për tu ballafaquar me rritjen e fuqisë së forcave ushtarake të Bosnës. “Qëllimi i vizitës ishte të sigurohej involvimi [i Shkorpionëve] dhe mbështetja e [forcave serbe të Bosnës]. Mlladiq dhe bashkëpunëtorët e tij kaluan disa orë me Mediqin dhe pas drekës dhe bisedimeve ata u larguan,” tha njëri nga burimet.

Burimi tha se prania e Shkorpionëve në rajonin e Trnovës – ku është pohuar se ata kishin ndërprerë një kanal të rëndësishëm të furnizimit të ushtrisë së Bosnës – ishte rezultat i marrëveshjes ndërmjet Mlladiqit dhe komandantit të njësisë paramilitare, “Shkorpionët ishin aty për të ndihmuar [forcat serbe të Bosnës] në luftë kundër forcave të Federatës.

Involvimi i Shkorpionëve në krime të luftës mund të ketë pasoja të rëndësishme për gjykimin e Millosheviqit. Prokurorët kanë akuzuar Millosheviqin për gjenocid në Bosne, duke mbështetur pohimet e tyre me dokumente dhe dëshmi të dëshmitarëve që tregojnë se ai kishte financuar dhe ofruar mbështetje logjistike për forcat serbe të Bosnës. Por deri më tani ata kanë dështuar të gjejnë fakte kyçe se ai kishte lidhje të drejtëpërdrejtë me masakrat atje.

Pyetja e cila doemos do të ngritet në tribunal, nëse inçizimi i cili tregon ekzekutimet pranohet si dëshmi, është se nën komandën e kujt kanë funksionuar Shkorpionët në verën e vitit 1995 kur ata pohohet se kanë vrarë gjashtë meshkuj dhe djemë musliman në Trnovë. Prokuroria në tribunal pohon se autoritetet e sigurisë serbe të udhëhequra nga Millosheviqi ishin në krye të njësitit, derisa ish lideri i Beogradit insiston se ky njësit ishte nën kontrollin e autoriteteve serbe të Kroacisë.

Sipas burimeve të IWPR, gjatë kohës së masakrës Shkorpionët zyrtarisht ishin pjesë e Kurpusit të 11 të VRSK, Armatës së Republikës Serbe të Krajinës, shtetit të vetëshpallur të serbëve në Kroaci.

Mediq, në dëshminë e ofruar para disa viteve në një rast lidhur me njërin nga ish bashkëluftëtarët e tij, tha se njësiti i Shkorpionëve ishte krijuar në vitin 1991, fillimisht për të siguruar fushat e naftës së Sllavonisë lindore. Ai shtoj se në vitin 1996 ky grup u kthye në njësit rezervë në Njësitin Special Anti-terrorizëm të Shërbimit për Siguri Publike të Sërbisë, SAJ.

Kjo u konfirmua javën e kaluar në gjykimin e Millosheviqit, kur dëshmitari gjeneral Obrad Stevanovic, ish ndihmës ministër i mbrojtjes në Serbi, i tha gjykatës se “momenti më i hershëm kur Shkorpionët mund të jenë futur nën udhëheqjen e ministrisë së brendshme të Serbisë mund të ketë qenë pas mbarimit të luftës në Krajinë, pas mesit të vitit 1996 ose ndoshta pak më herët [atë vit]”.

Një raport i publikuar rishtazi nga departamenti për krim të organizuar në Serbi rreth lidhjeve të Shkorpionëve me autoritetet e Beogradit thekson se njësiti paramilitar nuk ka hyrë në komandën e SAJ deri në Mars të vitit 1999.

Edhepse Shkorpionët mund të kenë qenë drejtëpërdrejtë të kontrolluar nga shefët ushtarat të VRSK, ekzistojnë dëshmi se paramilitarët kishin pasur lidhje me institucionet e sigurisë në Beograd, posaçërisht në kohën kur ishin themeluar.

Në dëshminë e tij para gjykatës, Mediq pranoj se kur njësiti ishte themeluar në vitin 1991, kjo organizatë kishte qenë pjesë e forcave ushtarake të Jugosllavisë. Dhe ministri i mbrojtjes i atëhershëm në Serbi, Marko Negovanovic, i tha parlamentit ttë Serbisë në dhjetor të atij viti se njësitet e vullnetarëve serbë në Krajinë ishin nën komandën e ushtrisë së Beogradit.

Derisa përvetësimi i inçizimit të Trnovës nga prokuroria ka ofruar një dëshmi mjaft të vlefshme në dënimin e Millosheviqit për akuza të gjenocidit, vëzhguesit paralajmërojnë se prokurorët ende kanë shumë punë për të bërë për të dëshmuar se i akuzuari në Hagë ishte përgjejgës për Shkorpionët kur ata pohohet të kenë kryer vrasjet e inçizuara.

Sipas Heikelina Verrijn Stuart, gazetare ligjore nga holanda dhe vëzhguese e vjetër e gjykimit të Millosheviqit, kjo lidhje mund të jetë sfidë për prokurorët.

“Nëse nuk ka dëshmi se Shkorpionët kanë qenë pjesë e strukturës së policisë së Serbisë në kohën e vrasjeve, prokurorët duhët të rindërtojnë lidhjen në mes të Millosheviqit dhe këtij grupi… nga dokumentet në dispozicion, dëshmitë e dëshmitarëve dhe dëshmive tjera, shumë prej të cilave ata vetëm i kanë prezentuar para gjykatës,” tha ajo për IWPR. “Dhe e gjithë kjo mund të vendos këtë grup shumë larg nga Millosheviqi [për të provuar akuzat e gjenocidit].”

Përpos fakteve se ai ka financuar dhe ka ofruar mbështetje logjistike për serbët e Bosnës, mund të ketë më shumë material që do të lidhte ish liderin serb me Mlladiqin në arkivat e ish institucionit më të lartë ushtarak të Jugosllavisë, Këshilli Suprem i Mbrojtjes, që është pranuar si dëshmi në rastin e Millosheviqit nën masa mbrojtëse pas insisitimit të Beogradit.

Por nëse prokurorët mund të provojnë se Shkorpionët ishin pjesë e forcave policore serbe në vitin 1995, zyrtarisht apo jozyrtarisht, gjërat mund të ndërrojnë krejtësisht. “Nëse një lidhje e tillë ekziston, dhe kjo vërtetohet, kjo do të jetë katastrofale për Millosheviqin,” tha Verrijn Stuart.

Danier Sunter është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR/BIRN dhe Ana Uzelac është udhëheqëse e projektit të IWPR në Hagë.

Frontline Updates
Support local journalists