SERBI - MALI I ZI: NJË MARTESË JO E LUMTUR

Megjithëse BE dëshiron që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen si një shtet i vetëm ose fare, në asnjë nga republikat nuk ekziston vullneti politik për të bërë që Shteti i Bashkuar të funksionojë si duhet.

SERBI - MALI I ZI: NJË MARTESË JO E LUMTUR

Megjithëse BE dëshiron që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen si një shtet i vetëm ose fare, në asnjë nga republikat nuk ekziston vullneti politik për të bërë që Shteti i Bashkuar të funksionojë si duhet.

Në një të shtunë në parkun Kalemegdan të Beogradit, shitësit ambulant kanë ngritur tezgat e tyre ku shesin kalendarë, dhe ndërmjet fotografive e posterave të ndryshëm edhe ato të një prej dy të dyshuarve kryesorë për krime lufte nga gjykata e Hagës, ish drejtuesit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq. Pranë tezgave, një këngëtar krijon një zhurmë shurdhuese duke i rënë një vegle tradicionale popullore me një tel të quajtur "gusle", duke zbavitur grupet e kalimtarëve me këngë të cilat evokojnë historinë e popullit serb.


Këto tezga janë vendosur aty që prej tre vjetësh. Por mallrat e tyre nuk janë thjesht pjesë e një foklori të padëmshëm. Fotot dhe kalendaret e Karaxhiq dhe shefit të tij ushtarak Ratko Mlladiq i drejtohen grupimit të madh nacionalist i cili ende mbështet krijimin e një "Serbie të Madhe" dhe është përgjithësisht armiqsor ndaj perëndimit.


Kjo ndjenjë anti perëndimore në Serbi është një prej arësyeve që drejtuesit e vendit përmbahen dhe nuk deklarojnë mbështetjen e tyre për gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, megjithëse bashkëpunimi me të është një ndër kushtet e vendosura për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


Por problemi i Serbisë me Evropën është dicka më e thellë se cështja e opinionit publik. Vendi ka edhe një problem strukturor. Edhe nëse Svetozar Maroviq, president i Shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi, do të premtonte ekstradimin e Karaxhiq apo Mlladiq, fjalët e tij nuk do të kishin shumë rëndësi pasi presidenti nuk ka pushtetin të zbatojë një vendim të tillë.


Kjo për arësye se Shteti i Bashkuar, organizmi i cili ka bashkuar Serbinë dhe Malin e Zi, nuk funksionon si një shtet i njohur, dhe për rrjedhim vendimet e presidentit të vendit nuk kanë pushtet.


Sipas kartës kushtetuese të bashkimit, të përgatitur nën mbikqyrjen e Evropës në mars të vitit 2002 për të parandaluar shpërbërjen e mëtejëshme të ish Jugosllavisë, anëtarësimi në BE është një prej synimeve kryesore të vendit.


Por ekzistojnë pikpyetje të mëdha mbi faktin nëse një strukturë e tillë e fryrë mund të arrijë një progres të tillë. Megjithëse BE e trajton Serbinë dhe Malin e Zi si një subject ndërkombëtar, të aftë për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe për tu bërë anëtar i organizmave ndërkombëtare, në të vërtetë autoriteti i Shtetit të Bashkuar është tepër i vogël. Janë dy shtetet përbërëse, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat gëzojnë realisht sovranitetin.


Profesori Jovan Teokareviq, redaktor i revistës Forumi Evropian, thotë se ndërsa Shteti i Bashkuar supozohet të koordinojë vendimet të cilat do të zbatohen më pas nga dy shtetet, në të vërtetë kjo nuk ndodh. Teokareviq ka thënë për IWPR se "Nuk ekziston vullneti politik nga ana e dy shteteve për të zbatuar këtë koordinim".


Me fjalë të tjera, megjithëse Brukseli kërkon që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen në BE si një shtet i vetëm ose do të mbetet jashtë këtij bashkimi, në asnjërën prej republikave nuk ekziston vullneti i duhur politik për të shndërruar Shtetin e Bashkuar në një shtet funksional.


Mungesa e një vullneti të tillë politik është treguar edhe gjatë intervistës së presidentit të Shtetit të Bashkuar më 17mars, gjatë së cilës Maroviq ka shprehur haptazi simpatinë e tij për pavarësinë e Malit të Zi. "Unë jam lindur në Malin e Zi dhe ndjehem malazez," ka thënë ai. "Unë mendoj se e ardhmja duhet të jetë e drejta e Malit të Zi për të zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugën e tij".


NJË SHTET I BASHKUAR ME FORCË?


Shteti i Bashkuar është krijuar nën presionin ndërkombëtar. I krijuar me këmbënguljen e BE-së, Shteti i Bashkuar ka nisur jetën e tij kur Vojislav Koshtunica, në atë kohë president i Jugosllavisë, dhe kryeministri i Malit ë Zi, Millo Gjukanoviq, nënshkruan Marrëveshjen e Beogradit.


Kjo marrëveshje vendosi bazat për krijimin e Shtetit të Bashkuar, dhe në bazë të saj referendumi i mundëshëm për pavarësinë e Malit të Zi do të shtyhej për të paktën tre vjet.


Kjo pikë e marrëveshjes ka qenë një humbje e rëndë për drejtuesit e Malit të Zi. Pasi pro perëndimorë Gjukanoviq ka fituar zgjedhjet në vitin 1997 në Malin e Zi, marrëdhëniet ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit janë keqësuar ndjeshëm. Në përpjekje për t'u distancuar nga Sllobodan Millosheviq, Mali i Zi ka përqafuar një qëndrim separatist me mbështetjen aktive të perëndimit dhe ka filluar të zbatojë politikën e saj të jashtëme të pavarur. Mali i Zi ndaloi përdorimin e monedhës jugosllave, dinarit, dhe krijoi sistemin e tij doganor.


Pas rrëzimit të Millosheviqit në tetor të vitit 2000, politika perëndimore filloi të ndryshojë. Pasi kishin nxitur aspiratat e Malit të Zi për pavarësi, perëndimi ka ndryshuar qëndrim dhe ka kërkuar që Mali i Zi të bashkëpunojë përsëri me Serbinë.


I shqetësuar nga pasojat e mundëshme të pavarësisë së Malit të Zi në Kosovë dhe Bosnje Herzegovinë, perëndimi ka vendosur të mos lejojë ndryshimin e mëtejshëm të kufinjve në Ballkan duke detyruar bashkimin e dy republikave në një shtet fiktiv.


Podgorica është urdhëruar të heqë dorë nga synimi për pavarësinë e menjëherëshme dhe në prezencë të Përfaqësuesit të Lartë të BE për politikën e jashtëme, Havier Solana, ka nënshkruar Marrëveshjen e Beogradit, e cila ka përcaktuar kushtet e bashkimit të ri me Serbinë.


Rezultati ka qenë një entitet i cili nuk gëzon besueshmëri. Sipas Mihajlo Crnobrnja, një ish këshilltar i ministrit për integrimin në BE, "ky është një shtet i bashkuar me presione, pa asnjë lidhje të vërtetë".


Megjithëse në sytë e botës Serbia e Mali i Zi duket si një shtet, me një parlament, një president, politikë të jashtëme dhe ushtri, kjo fasadë nuk arrin të fshehë ekzistencën e dy shteteve të vecanta. Kur kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Beogradit, shteti i ri nuk ka ende as edhe një emblemë zyrtare, një flamur apo një himn kombëtar.


Ekzistenca e dy forcave policore të ndara dhe dy gjykatave të larta është një kujtesë e faktit që sistemi i drejtësisë mbetet i ndarë.


Dy monedhat - dinari në Serbi dhe euro në Malin e Zi - dhe dy bankat qendrore, janë një shenjë se edhe ekonomitë e tyre janë të ndara.


Ekzistenca e këtyre sistemeve të ndara ekonomike dhe tregjeve provohet fare mirë nga ekzistenca e kufinjve doganor brenda bashkimit. Mallrat dhe paraja nuk lëvizin lirisht ndërmjet dy republikave.


James Lyon, Drejtor i Projektit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Serbinë, thotë se ai që ka qenë një kufi i dobët i brendëshëm në fakt "është një prej kufinjve më të kontrolluar në Ballkan".


Tregtarët të cilët duan të importojnë në Serbi dhe Malin e Zi sapunë të prodhimit të huaj luksoz duhet të paguajnë një taksë doganore për të future mallrat në Serbi dhe një taksë tjetër shtesë për ti dërguar ato nga Serbia në Malin e Zi.


Transaksionet financiare ndërmjet dy republikave vazhdojnë të jenë një procedurë e komplikuar për shkak të përdorimit të monedhave të ndryshme. Edhe një gjë e thjeshtë si për shembull abonimi në një gazetë në Malin e Zi nga Serbia nëpërmjet pagesës bankare është dicka tepër e komplikuar, për shkak të mungesës së gadishmërisë nga ana e bankave në njërën anë të pranojnë transfertat e bankave nga ana tjetër.


Mungesa e unitetit financiar pasqyrohet edhe në konfuzionin kushtetues. Rivaliteti i dyanshëm ka bërë që Serbisë dhe Malit të Zi ti duhet pothuajse një vit për të përgatitur një kartë të re kushtetuese, e cila ka krijuar Shtetin e Bashkuar, dhe po aq kohë që dy parlamentet të miratonin marrëveshjen pas nënshkrimit të saj. Të dyja republikat nuk kanë ndryshuar ende kushtetutat e tyre respective për ti vendosur ato në përputhje me kartën kushtetuese.


Në fillim, Brukseli e ka lejuar këtë mungesë harmonizmi. BE ka pranuar ekzistencën e këtyre ndryshimeve si pasojë e martesës së organizuar me urgjencë. Por tani Evropa kërkon të shohë rezultate. Vecanërisht, ajo kërkon të shohë krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike, me një sitem të vetëm doganor.


Në mars të vitit 2002, parlamenti i Shtetit të Bashkuar ka miratuar një plan veprimi për të arritur këtë synim, duke rregulluar dhe harmonizuar lëvizjen e mallrave, kapitaleve, njerëzve dhe shërbimeve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi dhe duke i vendosur ato në përputhje me kushtet e BE-së.


Megjithatë, BE kohët e fundit ka shprehur shqetësim se 56 tarifa doganore për prodhimet bujqësore nuk janë harmonizuar ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Ekspertët thonë se duket se marrëveshja ndërmjet dy shteteve për këtë problem duket një mundësi e largët.


Problemi më i madh në këtë fushë janë interesat e ndryshme të të dy republikave. Serbia, me një sektor të zhvilluar bujqësor, kërkon vendosjen e taksave doganore më të lartë për prodhimet ushqimore të importit për të mbrojtur sektorin bujqësor vendas, ndërsa Mali i Zi - i cili nuk prodhon shumë - kërkon tarifa të ulta ose heqjen e tyre për të mbajtur cmimet e shitjes me pakicë në nivele të ulta.


Goran Svilanoviq, ministër i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, ka thënë se nuk duhet të fajësohen vetëm dy palët në Shtetin e Bashkuar. Ai ka kritikuar rolin e Brukselit në krijimin e Shtetit të Bashkuar në një fjalim në fillim të muajit mars, duke thënë se Evropa kishte pasur dorë të lirë në krijimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi dhe duhet të mbante edhe një përgjegjësi për problemet e dala.


"Evropa ka lejuar që bashkimi të kishte dy banka qendrore dhe dy monedha duke kërkuar vetëm harmonizimin e sistemeve ekonomike dhe më pas krijimin e një tregu të përbashkët," u ka thënë ai përfaqësuesve evropianë. "Ne po mbajmë pasojat e vendimeve të qeverive tuaja".


LISTA E KËRKESAVE TË BE


Lista e kërkesave që duhet të përmbushë Serbia dhe Mali i Zi përpara anëtarësimit në BE fillon me krijimin e një shteti të përbashkët funksional.


Kjo do të thotë krijim i një hapësire të përbashkët ekonomike, një treg të përbashkët dhe institucione funksionale. Evropa gjithashtu kërkon edhe zbatimin e disa reformave të rëndësishme, duke filluar nga sistemi gjyqësor, policia dhe forcat e armatosura. Në fund, Evropa kërkon bashkëpunim të plotë me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë.


Sipas kritereve të Kopenhagenit, një grup kërkesash për anëtarët e rinj të përcaktuara që në vitin 1991, aplikantët duhet të kenë institucione të qëndrueshme demokratike dhe të tregojnë vendosmëri në zbatimin e ligjeve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave etnike. Në fushën ekonomike, ato duhet të tregojnë se kanë një ekonomi tregu funksionale dhe mund të përballojnë presionin e konkurrencës në tregun e BE-së.


Zyrtarë të lartë të BE-së kanë përsëritur se duhet të krijohet një shtet i vetëm funksional në Serbi dhe Malin e Zi. Ky ka qenë edhe mesazhi i dhënë vitin e kaluar në takimin e BE-së në Selanik, ku është dhënë sinjali që vendet e Ballkanit perëndimor duhet të përgatiten për tu anëtarësuar në BE.


Kërkesa për një shtet të vetëm nuk është një kapricio por një kërkesë praktike. Evropa për momentin nuk ka asnjë bashkëbisedues i cili mund të flasë në emër të shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi. "Nuk dihet adresa e partnerit për bisedime," ka thënë profesori Slobodan Samarxhiq, një këshilltar i Kosthunicës, për revistën Forumi Evropian.


Danijel Pantiq, sekretar i përgjithëshëm i Lëvizjes Evropiane në Serbi, ka thënë për IWPR se kriteret e Kopenhagenit nuk janë përmbushur. "Serbia dhe Mali i Zi kanë dy sisteme ekonomike krejtësisht të vecanta," ka thënë ai. "Derisa të zgjidhet kjo, ky vend nuk mund të bëhet një partner i BE-së".


Në Shtetin e Bashkuar nuk ekziston asnjë autoritet i cili mund të zbatojë ndonjë prej kërkesave ekonomike apo politike të BE-së. Si rezultat, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbatojnë më vete reformat e tyre.


Bëhet fjalë për rreth 80,000 faqe legjislacioni i cili duhet të miratohet për të përgatitur ekonomitë e të dyja vendeve anëtare në përballimin e konkurrencës në tregun e përbashkët të BE-së. Sllovenisë, e cila ka qenë shumë më e përgatitur, i janë dashur 13 vjet për të plotësuar këto kërkesa. Deri më tani, Serbia dhe Mali i Zi kanë përgatitur disa ligje të rëndësishme, por nuk është bërë asgjë për zbatimin e tyre.


Më 24 mars, Zivorad Kovaceviq, drejtues i Lëvizjes Evropiane Serbe, ka thënë se Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë bërë sa duhet për të zgjidhur tre pengesat kryesore në rrugën drejt integrimit evropian, dhe pikërisht bashkëpunimin me gjykatën e Hagës, përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi dhe cështjen e Kosovës.


Si rezultat, ka thënë ai, ende nuk është bërë asnjë hap domethënës drejt BE dhe Shteti i Bashkuar ndodhet "në vagonin e fundit të trenit të Ballkanit për në Bruksel". Vendi jo vetëm që është shumë prapa Kroacisë, por edhe pas vendeve fqinje më të varfëra ekonomikisht si Maqedonia, Bosnje Herzegovina dhe Shqipëria.


DILEMA E PAVARËSISË SË MALIT TË ZI


Megjithëse nën presion të vazhdueshëm nga Evropa për tu adoptuar me mënyrën e funksionimit të Bashkimit të Shtetit, Mali i Zi nuk është ende i vendosur për lidhje të forta me Serbinë. Mali i Zi ende planifikon një referendum për pavarësinë dhe punon për të gjetur një strategji daljeje nga bashkimi i tanishëm.


Pavarësisht varfërisë në republikën e vogël, kur rroga mesatare është 170 dhe pothuajse dy të tretat e popullsisë të aftë janë të papunë, koalicioni qeveritar i Malit të Zi i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Gjukanoviq, DPS, dhe Partia Social Demokrate, SDP, e drejtuar nga Ranko Krivokapiq, flet me optimizëm për anëtarësimin më vete në BE.


Krivokapiq ka thënë për median malazeze në muajin shkurt se Shteti i Bashkuar është një peshë në kurriz të Malit të Zi. "Ai po ngadalëson integrimin e Malit të Zi në BE, duke mos kontribuar në demokratizimin e vendit dhe duke cuar kështu në shkatërrimin e tij," ka thënë ai.


Drejtuesit malazez mendojnë se sistemet ekonomike të Serbisë dhe Malit të Zi janë shumë të ndryshme për të përmbushur kërkesat e Brukselit për një bashkim më të ngushtë. Ata thonë se rruga më e mirë për në Evropë do të ishte që Serbia dhe Mali i Zi të ndanin programet e tyre në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit, MSA.


Gjatë një konferencë për shtyp më 17 mars, Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi dhe Serbia duhet të mendojnë modele të reja për integrimin në BE.


Mali i Zi i konsideron kërkesat e Brukselit për krijimin e një banke qendrore dhe një treg të përbashkët si një shkelje të kushteve të Marrëveshjes së Beogradit - e cila sipas tyre parashikonte që Serbia dhe Mali i Zi të ruanin nivelet e tanishme të sovranitetit.


Gjukanoviq ka thënë gjithashtu se Solana ka premtuar se Marrëveshja e Beogradit nuk do të bëhej pengesë për integrimin evropian të Malit të Zi.


"Nëse BE dëshiron të ndjekë detyrimet e saj ndërkombëtare, ajo të krijojë një model specifik të MSA për Serbinë dhe Malin e Zi. Përndryshe, ne mund të mendojmë për mënyra të tjera për anëtarësim në Evropë," ka thënë ai.


Në fillim të muajit mars, për të testuar gjendjen, Krovikapiq, i cili është gjithashtu edhe kryetar i parlamentit të Malit të Zi, ka thënë se referendumi për pavarësinë do të zhvillohej në Malin e Zi në muajin mars të vitit të ardhëshëm.


Ndërkohë, Mali i Zi thotë se po zbaton reformat e tij evropiane. Rajko Miloviq, i cili ka punuar për zyrën ligjore në qeverinë e Malit të Zi, ka thënë për IWPR se 95 përqind e legjislacionit të Malit të Zi - rreth 360 ligje në total - ishin ndryshuar për të përmbushur standardet e BE-së.


Megjithatë, një zyrtar i misionit të BE në Serbi dhe Malin e Zi, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se ai ishte skeptik ndaj këtyre deklarimeve - dhe se ekzistonte një ndryshim i madh ndërmjet miratimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre.


Në të vërtetë, kontrabanda dhe korrupsioni tek të cilat mbështeten shumë njerëz shkojnë në kundërshtim me synimet e shpallura nga qeveria për anëtarësim në Evropë. Disa ekspertë në Podgoricë thonë se qeveria flet për reforma por në fakt dëshiron të ruajë gjendjen e tanishme, duke pasur frikë se lidhjet e ngushta me evropën do të sjellin edhe një shkallë të padëshirueshme rregullash dhe ligjesh si edhe ndjekjen penale të shumë zyrtarëve.


Sipas Nebojsha Medojeviq, drejtor ekzekutiv i Grupit për Ndryshim një organizatë jo qeveritare malazeze, "Elita politike e Malit të Zi kontrollohet nga oligarkia financiare dhe nuk dëshiron vendosjes dhe zbatimin e rregullave dhe standardeve evropiane në Malin e Zi".


"Ata nuk duan asnjë ndryshim. Afrimi me BE do të thotë zbatim i reformave, të cilat deri më tani kanë qenë vetëm teorike dhe mund të dëmtojë interesat e 'bizneseve' të tyre".


Medojeviq thotë se qeveria nuk ka nisur ende zbatimin e reformave në polici apo sistemin e drejtësisë, të cilat mbeten të prekura nga korrupsioni dhe nën presionin e ekzekutivit.


"Mali i Zi nuk ka përgatitur as edhe një dokument të vetëm të kërkuar nga procesi i Stabilizimit dhe Asocimit - qeveria nuk di se cfarë të bëjë," ka përfunduar ai.


SERBI - VENDI I ZHYTUR NË NACIONALIZËM


Ndërsa partneri më i madh dhe më i pasur i Malit të Zi është më premtues në fushën ekonomike, radikalizimi në rritje i politikës, i kombinuar me keqësimin e problemit të gjykatës së Hagës, po e zhyt Serbinë më thellë.


Në Serbi nuk ka një konsensus politik në lidhje me të ardhmen evropiane të vendit dhe pakënaqësia e madhe që ekziston ndaj padive të ngritura për krime lufte ushqen një ndjenjë të fortë anti evropiane.


Kryeministri i ri i republikës, Vojisllav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, DSS, ka mbështetur këtë ndjenjë në fillim të mandatit të tij kur ka njoftuar se "Bashkëpunimi me gjykatën e Hagës nuk do të jetë një prioritet i qeverisë".


Qeveria e tij e pakicës, e cila ka ardhur në pushtet në dhjetor të vitit 2003, bashkon disa parti me programe dhe ide të ndryshme mbi bashkëpunimin me gjykatën e krimeve të luftës. Për më tepër, qeveria mbështetet në ndihmën e Partisë Socialiste të Serbisë, SPS, në Serbi, drejtuesi i të cilit Sllobodan Millosheviq, po gjykohet në Hagë.


Shpresat e Serbisë dhe Malit të Zi për anëtarësim në BE dhe programin e NATO-s Partneritet për Paqe, mbeten të bllokuara nga dështimi i tyre për të zgjidhur cështjen e të dyshuarve për krime lufte. Ekspertët pranojnë se e vetmja rrugë që shkon drejt evropës është ajo nëpërmjet gjykatës.


Sipas profesorit Teokareviq: "Evropa vështirë se mund të bëjë një lëshim në këtë cështje". Ai ka shtuar se Evropa nuk do të vendosë sanksione mbi Serbinë dhe Malin e Zi nëse ato nuk bashkëpunojnë me gjykatën e Hagës, "Ata vetëm nuk do të na lejojnë të anëtarësohemi në BE".


Ashtu si edhe Kroacia e cila është bllokuar në përpjekjet e saj për arritjen e MSA nga mospranimi i saj për të dorëzuar një të dyshuar të rëndësishëm për krime lufte, gjeneralin Ante Gotovina, rruga e Serbisë dhe Malit të Zi është bllokuar nga cështja e dorëzimit të Karaxhiq dhe Mlladiq.


"Pa Gotovinën nuk do të ketë ratifikim të MSA nga Kroacia," ka thënë Teokareviq. "E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë e Malin e Zi. Pa ekstradimin e Karaxhiq dhe Mlladiq nuk do të ketë ratifikim të MSA".


Një burim i BE ka theksuar se problemi i Serbisë me gjykatën është më serioz se sa ai i Kroacisë, sepse qeveria e Beogradit mbështetet në parlament në një parti kryetari i së cilës është Millosheviq, i akuzuari më i madh për krime lufte.


Një tjetër problem për Serbinë është se ajo duhet të dorëzojë dy figura të rëndësishme - Karaxhiq dhe Mlladiq - dhe jo vetëm një - si në rastin e Kroacisë me Gotovinën. Po ashtu, gjykata është më pak popullore në rradhët e publikut serb se sa atij në Kroaci.


Ekziston një pakënaqësi e thellë ndaj gjykatës së Hagës në rradhët e serbëve të thjeshtë, pjesa më e madhe e të cilëve e shohin atë si një institucion politik i cili bën një drejtësi përzgjedhëse kundër serbëve.


Një pensioniste 60 vjecare nga Beogradi ka thënë për IWPR se megjithëse e kupton se integrimi evropian varet nga dorëzimi i Karaxhiq dhe Mlladiq, ajo përsëri kundërshton ekstradimin. "Këta njerëz kanë mbrojtur vendin e tyre, ata janë heronj," thotë ajo.


Megjithëse 70 përqind e publikut dejkaron shpesh mbështetjen e tij për integrimin në BE, pak njerëz e kuptojnë procesin apo janë të gatshëm të shpejtojnë atë nëpërmjet ekstradimeve në Hagë.


Publiku serb nuk e ka kuptuar se "Evropa nuk përfaqëson vetëm lule por edhe gjëmba," ka thënë Crnobrnja. "Për më tepër, njerëzit nuk janë të interesuar të ecin nëpër këto gjemba.


Rruga drejt Evropës mund të jetë edhe më e vështirë nëse - ashtu sic pritet - Tomislav Nikoliq, kandidat i Partisë Radikale Serbe, SRS, një parti anti evropiane dhe ultra nacionaliste, fiton zgjedhjet presidenciale në Serbi në qershor.


SRS, kryetari i së cilës, Vojislav Sheshelj, është në Hagë për tu gjykuar për krime lufte, ka fituar 27.5 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar. Ajo nuk ka mundur të krijojë një qeveri por rezultati i mirë ka theksuar mungesën e konsensusit ndaj drejtimit që duhet të marrë qeveria e Serbisë.


Programi i SRS është haptazi anti peëndimor dhe armiqësor vecanërisht ndaj gjykatës së Hagës. Partia nuk humbet asnjë rast për ti paraqitur publikut "rrezikun që vjen nga gjykata e Hagës".


Partia ka premtuar gjithashtu të "demaskojë" aktivitetin e gjykatës dhe të ndihmojë të burgosurit serbë. Ajo kundërshton anëtarësimin e Serbisë në NATO, duke kujtuar "agesionin e egër të saj ndaj vendit tonë" - duke iu referuar fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 e cila i detyroi Serbinë të tërhiqte forcat ushtarake nga Kosova.


Kosova është pengesa e tretë e madhe për integrimin evropian të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe ka mundësi të bëhet një problem edhe më i madh se sa marrdhëniet e Serbisë me Malin e Zi apo gjykatën e Hagës.


Një shpërthim i dhunës anti serbe në Kosovë më 17 dhe 18 mars ka shkaktuar një shtim të frymës nacionaliste në vetë Serbi dhe ka nxitur shumë politikanë serb të kërkojnë nga protektorati ndërkombëtar më tepër autonomi në zonat ku ata përbëjnë shumicën.


Ndërsa shqiptarët e konsiderojnë decentralizimin si një përpjekje për të krijuar entitete të vecanta si në rastin e Republika Srpska në Bosnje, mundësia e shtimit të dhunës në Kosovë apo ndërmjet kosovarëve dhe Serbisë nuk mund të përjashtohet.


Pa një marrëveshje mbi statusin përfundimtar të Kosovës, ekziston edhe mundësia e shpërthimit të një lufte të re. Sipas Charles Grant, i Qendrës për Reforma Evropiane në Londër, një krizë e re në Kosovë është thuajse e pashmangëshme.


"Për sa kohë që statusi përfundimtar i Kosovës nuk zgjidhet, rajoni nuk mund të integrohet në Evropë për shkak të potencialit të madh për konflikt ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve," ka thënë ai. Grant prashikon se zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës do të jetë një parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.


CFARË SHTRIHET PËRPARA?


Që prej rrëzimit të Millosheviqit, Serbia dhe Mali i Zi janë rifutur në skenën ndërkombëtare dhe janë bërë anëtarë të plotë të Këshillit të Europës dhe Kombeve të Bashkuara.


Megjithatë, ndërsa Shteti i Bashkuar nuk funksionon, shumë analistë pranojnë se progresi i mëtejshëm drejt Europës do të kërkonte që BE të rishikonte qëndrimin e saj ndaj Shtetit të Bashkuar dhe të merrte një qëndrim më aktiv.


Sipas Teokareviq, BE duhet të nisë duke pranuar se as Podgorica dhe as Beogradi nuk mund të arrijnë vetë krijimin e një shteti të përbashkët funksional dhe Brukseli duhet të ketë një qëndrim më fleksibël.


Samarxhiq ka thënë se një shembull i përfshirjes më aktive mund të kërkojë që Evropa të përgatisë një plan veprimi konkret i cilimund të përmbushet në mënyrë realiste nga Shteti i Bashkuar, dhe të cilin Brukseli duhet ta monitorojë, dhe të heqë dorë nga këmbëngulja që struktura e tanishme jo funksionale e Shtetit të Bashkuar mund të sigurojë arritjen e pikësynimeve të vendit.


Nëse në Malin e Zi zhvillohet referendumi marsin e ardhëshëm, i cili do të përfundonte me shpërbërjen e Shtetit të Bashkuar, dy republikat do të duhet të nisin nga fillimi, por këtë rradhë në mënyrë individuale procedurat për anëtarësimin evropian. Disa ekspertë mendojnë se kjo mund të jetë një zgjidhje më e mirë në planin afatgjatë, megjithëse për momentin duket si një zgjidhje e dhimbëshme.


Sido që të rrjedhin ngjarjet, megjithëse Serbia dhe Mali i Zi do të kenë së shpejti kufi me një vend anëtar të BE-së, Hungarinë - dhe pas vitit 2007 mund të jetë e rrethuar nga vende anëtare të BE-së - pak njerëz mendojnë se Serbia dhe Mali i Zi do të kenë një vend në tryezën në Bruksel të paktën deri në vitin 2016.


Dragana Nikoliq-Solomon është drejtuese e projektit të IWPR në Beograd. Daniel Sunter, një ndihmës redaktor i IWPR, dhe Nedjeljko Rudoviq, një gazetar i së përditëshmes së Podgoricës, Vijesti, kanë kontribuar në këtë artikull.


Frontline Updates
Support local journalists