SERBI: KRIZA POLITIKE MUND TE SJELLE ZGJEDHJE TE REJA
Dy partitë më të mëdha demokratike duhet të arrijnë një marrëveshje shumë shpejt nëse duan të bashkëpunojnë për krijimin e një qeverie.
SERBI: KRIZA POLITIKE MUND TE SJELLE ZGJEDHJE TE REJA
Dy partitë më të mëdha demokratike duhet të arrijnë një marrëveshje shumë shpejt nëse duan të bashkëpunojnë për krijimin e një qeverie.
Partitë më të mëdha pro demokracisë në Serbi po përpiqen të gjejnë një rrugë dalje nga bllokimi politik i cili e ka lënë republikën pas një qeveri dhe mund ta cojë vendin në zgjedhje të reja të parakohëshme.
Shteti është pa drejtues që prej zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, në të cilat Partia Radikale Serbe ultranacionaliste, SRS, ka siguruar një pjesë të madhe të votave – por jo të mjaftueshme për të krijuar një qeveri.
Pasi asnjë parti tjetër nuk ka pranuar të bashkohet me ultranacionalistët në koalicion, partitë demokratike duhet të përpiqen të krijojnë një koalicion qeveritar – por diskutimet e deritanishme nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Vëzhguesit tani po shpresojnë për arritjen e një marrëveshjeje, pasi Partia Demokratike, DS, më 22 janar ka rihapur mundësinë e një dialogu të ri duke thënë se ajo do të konsideronte si një shenjë vullneti të mirë nëse asaj i premtohej pozicioni i kryetarit të parlamentit në asamblenë e re serbe.
Vetëm një ditë më parë u duk se gjendja ishte e pashpresë, kur kryetari i DS Boris Tadiq ka thënë në një konferencë për shtyp se ai nuk pranonte të mbështeste një qeveri të pakicës – të përbërë nga Partia Demokratike e Serbisë, DSS, partia reformatore G17 Plus dhe një koalicion i Lëvizjes për Rimëkëmbjen Serbe, SPO, dhe Serbia e Re, NS – dhe ka propozuar krijimin e një qeverie të shumicës, e cila duhet të përbëhej nga partitë e mësipërme dhe partia e tij.
Ky propozim është kundërshtuar me forcë nga Dragan Marsicanin, zëvendës kryetar i DSS, i cili ka akuzuar partinë e Tadiq se po bënte një lëvizje politike të papërgjegjëshme për momentin në të cilin ndodhet vendi.
Parlamenti i ri duhet të mblidhet më 27 janar, por mosmarrëveshjet ndërmjet dy partive më të mëdha demokratike – të cilat kanë punuar së bashku për rrëzimin e Sllobodan Millosheviq nga pushteti në tetor të vitit 2000 dhe kanë përbërë zemrën e koalicionit të Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, i cili ka zëvendësuar atë – ka vënë në dyshim krijimin e një qeverie dhe mund të shkaktojë thirrjen e zgjedhjeve të reja të parakohëshme.
Stojan Ceroviq, një komentator politik i së përjavëshmes Vreme, ka thënë për TV B92 se arritja e një kompromisi është ende e mundëshme.
“Unë mendoj se do të ketë bisedime të tjera,” ka thënë ai. “Nëse DSS dhe DS nuk mund të krijojnë së bashku një qeveri, atëherë zgjedhjet nuk do të ishin përsëri zgjidhje, sepse asnjë bllok demokratik nuk mund të fitonte shumicën. Gjendja do të ishte njësoj si tani – dhe për këtë arësye problemi duhet të zgjidhet tani.
Cështja e kohës është shumë e rëndësishme, sepse kërcënimi i zgjedhjeve të reja po bëhet më i mundëshëm nëse partitë kryesore nuk arrijnë një marrëveshje. Nëse do të thirreshin zgjedhje të reja, analistët kanë frikë se elektorati do të dënonte partitë demokratike për mos marrjen e vendimeve dhe luftën e brendëshme duke mbështetur radikalët.
Analistja politike Ljiljana Baceviq, ka theksuar se “të gjitha partitë të cilat janë në bisedime dhe drejtuesit e tyre duhet të kuptojnë se kundërshtari i tyre i vetëm është partia radikale”.
Mosmarrëveshjet dhe armiqësitë ndërmjet partive pro demokratike kanë filluar disa vjet më parë.
DSS ka qenë e para që është larguar nga koalicioni i drejtuar nga DS i cili ka ardhur në pushtet pas rrëzimit të Millosheviq, duke akuzuar rivalen e saj për korrupsion, bashkëpunim me bandat kriminale dhe shkelje të procedurave demokratike. Dy vjet më pas, G17 ka bërë të njëjtën gjë.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve, kryetari i DSS dhe ish presidenti federal Vojislav Koshtunica ka përsëritur disa herë se ai nuk ishte i gatshëm të krijonte një koalicion me DS e cila ka humbur shumë popullaritet. I përballur me një zgjedhje ndërmjet një qeverie pakice ose të shumicës, ai ka zgjedhur këtë të fundit, duke e përjashtuar në këtë mënyrë partinë e Tadiq.
Analisti Djordje Vukadinoviq ka thënë për IEPR se të gjitha partitë e bllokut demokratik – duke mos përjashtuar as radikalët – kanë fituar vota duke kritikuar DS dhe do të humbisnin besueshmërinë nëse tani do të krijonin një qeveri në bashkëpunim me këtë parti.
Deri pak kohë më parë, Tadiq, të cilin DSS e sheh si një aleat të mundëshëm, ka mbështetur idenë e një qeverie të pakicës. Megjithatë, shumë analistë thonë se ai nuk ka mundur të mbajë këtë pozicion për shkak të presioneve të ushtruara nga gjiri i partisë së tij të cilët kanë kërkuar që partia të jetë patjetër anëtare në koalicionin qeveritar.
Vendimi përfundimtar nëse DS do të mbështesë apo jo një qeveri të pakicës pritet të merret në takimin e organizmit drejtues të partisë i cili do të mblidhet më 25 janar, megjithëse mesa duket DS nuk do të mbështesë një qeveri të pakicës.
Një zyrtar i lartë i DS, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë për IEPR se një luftë për pushtet në gjirin e partisë po pengon bisedimet për krijimin e qeverisë së re.
Tadiq dhe kryeministri i tanishëm i Serbisë, Zoran Zivkoviq po përpiqen të zgjidhen në postin e krytarit të partisë ku do të pasojnë ish kryetarin dhe kryeministrin e vrarë Zoran Gjingjiq.
“Kjo gjendje do të vazhdojë të paktën deri më 21 shkurt, kur DS të zgjedhë pasardhësin e Gjingjiq, megjithëse nuk mund të përjashtohet mundësia e përshkallëizimit të këtij kaosi edhe pas asamblesë elektorale,” ka thënë zyrtari.
Baceviq mendon se qeveria do të krijohet vetëm pasi DS të zgjidhë konfliktin e saj të brendëshëm, dhe dyshon se qëndrimi i saj ndaj një qeverie të pakicës mund të ndryshojë ende.
Koshtunica me kokëfortësi thotë se ai nuk do të lejojë DS të marrë pjesë në qeveri deri sa ajo të ketë ndërprerë të gjitha lidhjet me drejtuesit e administratës së tanishme të cilët ai i akuzon për korrupsion, krime dhe sjellje jo demokratike.
Nëse ndodh një gjë e tillë, Tadiq mund të ftohet të hyjë në qeveri më pas, nëse ai fiton garën për kryetar i partisë dhe arrin të largojë nga partia njerëzit e ashtuquajtur të kompromentuar.
Megjithatë, DS mund të ndodhet në një pozicion të vështirë dhe ti kërkohet të marrë një vendim më të shpejtë. Burime të IEPR thonë se komuniteti ndërkombëtar mund të ngulë këmbë që partia të mbështesë një marrëveshje për krijimin e koalicionit ndërmjet DSS, G17 Plus dhe bllokut të SPO/NS më 20 janar, sepse platforma e këtij koalicioni – e cila ka si pika kryesore qëndrimin ndaj gjykatës së Hagës, përgatitjen e kushtetutës së re dhe vazhdimin e reformave – është pothuajse krejtësisht e ngjashme me atë të DS.
Një burim anonim nga partia ka konfirmuar për IEPR se një presion i tillë pritet të ushtrohet së shpejti.
Deri më tani, komuniteti ndërkombëtar nuk është përfshirë në këtë cështje. Analistët mendojnë se pjesa më e madhe e zgjidhjeve do të ishin të pranueshme për Uashingtonin dhe Brukselin – përvec një përfshirjeje të mundëshme të ish partisë së Millosheviq dhe radikalëve në qeveri.
Një zyrtar perëndimor i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se “Komuniteti ndërkombëtar do të dëshironte të shihte të gjitha forcat demokratike në këtë vend të linin më një anë mosmarrëveshjet sa më shpejt dhe të arrinin një marrëveshje”.
Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për politikën e jashtëme, Javier Solana, deri më tani nuk ka përmendur asnjë zgjidhje të preferuar, por ka bërë thirrje bllokut demokratik të arrijë një marrëveshje për formimin e qeverisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Zeljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IEPR në Beograd.