SERBI: AKUZA PER MASHTRIM ME VOTA NE PARLAMENT

Parlamenti po humbet besueshmërinë në sytë e popullsisë pas akuzave për mashtrim në procesin e votimit.

SERBI: AKUZA PER MASHTRIM ME VOTA NE PARLAMENT

Parlamenti po humbet besueshmërinë në sytë e popullsisë pas akuzave për mashtrim në procesin e votimit.

Qeveria serbe e goditur nga skandale të shumta po përballet me akuza të reja për mashtrim, të cilat do të rrisin mbështetjen për kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja parlamentare.


Më 29 Shtator, një organizëm administrativ i parlamentit i përbërë kryesisht nga anëtarë të koalicionit qeveritar të DOS – ka hedhur poshtë një akuzë të rëndë të përfshirë në një padi gjyqësore të ngritur nga lëvizja e rëndësishme Otpor (Qëndresa) ndaj kryetares së parlamentit dhe presidentes së përkohëshme të Serbisë, Natasha Miciq.


Otpor e akuzon Miciq – e cila është një anëtare e DOS – se është përgjegjëse për procesin e votimit të zhvilluar më 22 korrik në një seancë të parlamentit ku deputetët kanë votuar për shkarkimin e Mladjan Dinkiq, zëvendës kryetar i partisë reformatore të opozitës, G17 Plus, nga posti i guvernatorit të bankës kombëtare të vendit. Sipas kësaj padie, procesi i votimit është fallsifikuar.


Vendimi është marrë me vetëm një votë diferencë, dhe G17 Plus ka thënë se në këtë process është përdorur karta e votimit të një deputeti i cili nuk ka qenë i pranishëm në sallë në momentin e votimit. Neda Arneriq e Partisë Demokratike, DS, anëtare e koalicionit qeveritar, ka qenë me pushime në Turqi ditën që është zhvilluar votimi, dhe vota e saj është dhënë pro vendimit.


Nëse kjo është e vërtetë atëherë procesi i votimit ka qenë i parregullt, dhe vendimi është marrë me një votë më pak se 126 votat e nevojëshme.


Zëdhënësi i DS, Aleksandar Radosavljeviq ka thënë së fundi për TV B92 se ai e kishte parë personalisht Arneriq atë ditë në parlament, dhe ka thënë se ai mund ta provonte me fakte, megjithëse këto fakte nuk janë bërë ende publike.


Deri më sot, Arneriq as nuk ka pranuar dhe as nuk e ka kundërshtuar faktin nëse ajo ka qenë apo jo e pranishme në seancën e 22 korrikut, duke mos u paraqitur fare në publik që prej ditës që ky skandal është bërë publik.


Një mik i afërt i deputetes ka thënë më 27 shtator se Arneriq është momentalisht në Greqi, dhe po mendonte të largohej përgjithnjë nga politika. Deri në momentin që ky artikull është botuar, ajo nuk i është përgjigjur asnjë prej përpjekjeve tona për ta kontaktuar.


Edhe nëse Arneriq ka qenë e pranishme dhe ka votuar më 22 Korrik, përsëri mbeten dyshime në lidhje me procesin e votimit.


Dragan Rafailoviq, një deputet i partisë Kristian Demokratike, DHS, një tjetër anëtare e koalicionit të DOS, ka thënë për median më parë këtë muaj se ai nuk kishte marrë pjesë në seancën e përfolur, dhe ka lënë të kuptohet se një person misterioz kishte përdorur kartën e tij të votimit pa dijeninë e tij.


Duke folur për IWPR këtë javë, Rafailoviq ka thënë se cdo gjë është e qartë. “Të gjithë kanë folur mbi faktin nëse Neda [Arneriq] ka qenë apo jo e pranishme, dhe kjo ka qenë tema kryesore e diskutimit. Megjithatë, unë them se edhe unë nuk kam marrë pjesë në atë seancë votimi në parlament”.


Këmbëngulja e Rafailoviq që ai nuk ka marrë pjesë në votim ka shtuar edhe më tepër shqetësimet në lidhje me numrin e deputetëve që kanë votuar pro vendimit për shkarkimin e guvernatorit të përgjithëshëm të bankës.


Miroslav Hristodulo, deputet i partisë Inisiativa për Serbi Normale, ka thënë për IWPR javën e kaluar se “abuzimi me kartat e deputetëve ka qenë një praktikë e zakonëshme në parlament”.


Skandali gjithashtu ka hedhur shije dyshimi edhe mbi legjitimitetin dhe vlefshmërinë e shumë vendimeve të mëparëshme të parlamentit të miratuara me minimumin e mundëshëm të deputetëve.


DOS ka një shumicë të vogël në parlament dhe duhet të mbështetet në disa parti të opozitës të drejtuara nga ish bashkëpunëtorë të Millosheviqit me qëllim që të miratojë disa ligje. Disa analistë të pavarur kanë sugjeruar se këta drejtues të partive janë paguar ose edhe kërcënuar për të mbështetur qeverinë – një deklarim i cili është kundërshtuar me forcë nga koalicioni qeveritar.


Ndërkohë, Partia Radikale Serbe ultra nacionaliste, SRS, ka paraqitur një mocion për zëvendësimin e Miciq për shkak të akuzavë më të fundit për manipulimin e procesit të votimi. Ky mocion po mbështetet edhe nga parti të tjera, përfshirë Partinë më të fuqishme të opozitës Partia Demokratike e Serbisë, DSS, e drejtuar nga Vojisllav Koshtunica.


Skandali i votimit nuk është i vetmi problem me të cilin përballen DOS dhe parlamenti në fillim të sesionit të vjeshtës – parlamenti po akuzohet edhe se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës kushtetuese të Serbisë të 27 majit sipas të cilit shtatë ish deputetë të koalicionit qevetiar, të cilët janë bashkuar me parti të tjera, duhet të rimarrin vendet e tyre në parlament. Gjykatësit kanë vendosur që këto vende në parlament u përkasin vetë deputetëve – dhe jo partive të tyre.


Kur kryetari i gjykatës Sllobodan Vucetiq ka kërkuar që ish deputetët e DOS të rimarrin vendet e tyre në parlament, anëtari i koalicionit qeveritar, Boshko Ristiq – i cili drejton komisionin administrativ të parlamentit – e ka akuzuar Vucetiq se “po ushtron presion mbi parlamentin”.


Sipas burimeve të IWPR-së të afërta me DOS, deputetët e tij mund të përpiqen të qetësojnë krizën e tanishme parlamentare duke organizuar një votim për ta quajtur ose jo të ligjshëm votimin e 22 korrikut dhe duke kërkuar më tepër kohë për t’ju përgjigjur vendimit të gjykatës kushtetuese.


Ndërsa kjo do ti jepte parlamentit dhe koalicionit qeveritar – i cili është goditur gjatë vitit të kaluar nga një sërë skandalesh financiare – një moment qetësie, problemi i tyre më i madh, rivendosja e besueshmërisë, do të vazhdojë të mbetet.


Shumë vëzhgues tani mendojnë se koalicioni qeveritar tani nuk ka më kohë, dhe se zgjedhjet e parakohëshme të kërkuara nga opozita – të cilat me siguri që do të cojnë në humbjen e pushtetit nga DOS – po afrohen gjithnjë e më tepër.


Milan Podunavac, profesor në Shkollën e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, ka denoncuar koalicionin qeveritar, duke thënë se “humbja e legjitimitetit demokratik dhe autoritetit të parlamentit të Serbisë është një prej pasojave më të rënda pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti”.


Dhe analisti politik Slobodan Divjak ka shtuar se “Eshtë e vështirë të mohosh se Serbia tanimë i është nënshtruar tiranisë së një shumice parlamentare të paligjëshme. E vetmja rrugë dalje nga kjo krizë mund të jetë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare”.


Zeljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists