Serbët sfidojne projektin
Disa qindra rezervistë të ushtrisë kanë dalë në rrugët e Kraljevo për të protestuar kundër thirrjes së fundit të qeverisë jugosllave për t'u rreshtuar nën armë.
Serbët sfidojne projektin
Disa qindra rezervistë të ushtrisë kanë dalë në rrugët e Kraljevo për të protestuar kundër thirrjes së fundit të qeverisë jugosllave për t'u rreshtuar nën armë.
Zyrtarë të qeverisë të dërguar për të mbledhur rezervistë të ushtrisë në zonën e Kraljevos në Serbinë qendrore kanë pasur një surprizë jo shumë të këndshme në fshatin Stubal.
Rreth 200 protestues, të dëshpëruar nga vdekja e tre qytetarëve vendas në konfliktin e fundit në Kosovë, i kanë pritur zyrtarët me një lum sharjesh dhe sulmesh. "Bandë e Kuqe! Shkoni dhe merrni Markon për ushtar!" thërrisnin ata, duke aluduar për djalin e presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq. " të q .... Millosheviq" thërrisnin ata ndërsa i dëbuan zyrtarët nga fshati duke i vënë përpara të armatosur me shkopinj druri.
Konfrontimi në mes të protestuesve, të armatosur me shkopinj dhe vegla bujqësore, dhe zyrtarëve të rekrutimit, të shoqëruar nga oficerë të Ushtrisë Jugosllave (VJ), mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Një nga zyrtarët, Ljubinko Milojeviq, tha: "Ata donin të na vrisnin. Në një moment mendova të nxirrja armën dhe të qëlloja në ajër. Por ne mundëm të arrinim në makinë dhe u larguam nga fshati."
Kjo fushatë e re rekrutimi për rezervistët ka filluar shtatë ditë më parë në Serbinë qendrore dhe jugore, në qytetet Nish, Leskovac, Vranje, Kraljevo, Rska, Krushevac, dhe Kursumlija.
Disa vëzhgues thonë se fushata ka prekur zonat e kontrolluara nga partitë politike të opozitës, kryesisht ato zona të cilat kanë marrë karburant për ngrohje nga Bashkimi Europian në kuadër të programit të dimrit të kaluar "Energji për Demokraci".
Gjenerali Nebojsha Pavkoviq, shefi i shtabit të përgjithëshëm të VJ, ka hedhur poshtë njoftimet për rekrutimin e rezervistëve, duke insistuar se ata po thirren për "stërvitje të zakonshme". Rekrutët, shumica e të cilëve kanë luftuar më parë në luftërat e Millosheviqit, i hedhin poshtë këto deklarata, të bindur se ata po mobilizohen për një luftë të re.
Disa mendojnë se ata do të dërgohen në Serbinë jugore për të luftuar ndaj militantëve shqiptarë. Disa mendojnë se do të dërgohen në Kosovë për të luftuar ndaj forcave të NATO-s dhe shqiptarëve të Kosovës. Disa të tjerë dyshojnë se ata mund të dërgohen të luftojnë ndaj malazezëve.
Por shumë nga rezervistët nuk kanë dëshirë të marrin pjesë në aventurën e re ushtarake. Në Kraljevo, një qytet ku Lëvizja për Ripërtëritje Serbe dhe Partia Demokratike të opozitës kontrollojnë pushtetin lokal, vetëm 15 përqind e rezervistëve i janë përgjigjur thirrjes.
"Nëse më mobilizojnë tani, do të jetë lufta ime e pestë," thotë Igor nga Novi Selo. "Unë kam marrë pjesë në Kroaci, Bosnje dhe dy herë në Kosovë. Jam plagosur dy herë dhe kam humbur tre shokë në luftë. Nuk e di në do të mund të mbijetoj përsëri."
Një nënë nga Kraljevo, Dragica Peshiq, ka pasur tre djem në luftë në Kosovë. Pas dy ditësh të shqetësuara edhe burri i saj Stojan shkoi vullnetar për të qenë pranë djemve të tij.
"Atëherë për pak u çmenda," thotë Dragica. "Tani po i thërrasin përsëri. Policia erdhi në shtëpinë tonë dhe më tha se djemtë e mi janë dezertorë. Unë nuk do t'i lejoj të shkojnë përsëri. E ku do të shkojnë ata? Të luftojnë ndaj vëllezërve të tyre në Mal të Zi? U kam thënë se në rast se vendosin të shkojnë përsëri, më parë të më varrosin mua."
Kundërshtimi ndaj shërbimit ushtarak është shumë më i hapur se vitin e kaluar. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s prindërit fshihnin djemtë e tyre. Tani protestuesit janë të përgatitur të kundërshtojnë autoritetet.
Më 13 mars, rreth 200 rezervistë kanë zbritur në qendrën e qytetit të Kraljevo për të kërkuar shpjegime nga ushtarakët. Kryetari i bashkisë së qytetit, Mladomir Novakoviq, tha se ai është përpjekur që dikush nga VJ t'u fliste protestuesve për të qetësuar situatën. "Askush në ushtri nuk pranonte se ai ishte përgjegjës," tha ai.
Protestuesit i dërguan një listë kërkesash shtabit të përgjithëshëm të VJ, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të rekrutimit të veteranëve nga luftrat e mëparshme dhe demobilizimin e atyre që tashmë janë rekrutuar. Të gjithë 200 rezervistët e nënshkruan peticionin.
Kryetari i bashkisë së qytetit ka thirrur një mbledhje urgjente të asamblesë lokale. "Ne do t'i kërkojmë regjimit që të mos përziejë djemtë tanë në luftërat e tyre private," ka thënë Novakoviq. "Nëse Millosheviqi dëshiron të shkojë në luftë, ai duhet ta bëjë këtë me policinë e tij."
Edhe nxënësit e shkollës së mesme, të cilët nuk kishin mësim për shkak të një greve të mësuesve të tyre, janë bashkuar me protestuesit.
Zoran, një nxënës i vitit të fundit, tha: "Nesër do të jetë rradha jonë. Këta zyrtarë do të na thërrasin ne dhe do të mbushin arkivolët me trupat tanë. Për këtë arësye ne duam, përderisa jemi akoma në kohë, të ndalojmë këtë dhe çdo thirrje tjetër për në ushtri."
Dushan Vukoviq, djali i vetëm i të cilit ka vdekur në Kosovë, ka bërë thirrje popullit të Kraljevos të vazhdojnë të injorojnë thirrjet. Ai quan Millosheviqin përgjegjës për vdekjen e djalit të tij dhe 75 të rinjve të tjerë nga Kraljevo të vrarë në Kosovë. "Unë i uroj atij [Millosheviqit] të njëjtin fat si mua - rroba zie dhe asnjë trashëgimtar."
Aq e madhe është rezistenca ndaj rekrutimit, saqë autoritetet ushtarake kanë thirrur në ndihmë policinë civile për të mbledhur ata që nuk pranojnë të rekrutohen. Akuzat për brutalitet të policisë po e shtojnë edhe më tepër ndjenjën e zemërimit.
Dragan Nikoliq, nga një fshat në perëndim të Kraljevo, tha se katër oficerë policie kishin shkuar në fermën e tij për të marrë vëllain e tij. "Ata iu hodhën sipër vëllait tim duke e rrëzuar në tokë," thotë ai. "Dy oficerë të tjerë dolën nga pjesa e prapme e oborrit, e lidhën atë dhe e hodhën në një makinë si kafshë."
Një rezervist tjetër tha se ai i ishte përgjigjur thirrjes se e dinte që policia po arrestonte ata që nuk pranonin të shkonin. Ai tha se policia kishte sjellë dy burra në kazermën e tij një ditë më pare. "Të dy ata ishin të lidhur dhe dukeshin që i kishin rrahur."
Miroslav Filipoviq është korrespondent i Danas në Kraljevo.