Serbët Presin Ndihmën e Perëndimit
Tani që më në fund Millosheviqi është në pranga në Hagë, donatorët ndërkombëtarë duhet të japin fondet e premtuara aq të nevojëshme për rindërtimin e Jugosllavisë.
Serbët Presin Ndihmën e Perëndimit
Tani që më në fund Millosheviqi është në pranga në Hagë, donatorët ndërkombëtarë duhet të japin fondet e premtuara aq të nevojëshme për rindërtimin e Jugosllavisë.
Ekstradimi i ish presidentit Jugosllav Sllobodan Millosheviq në gjykatën e Hagës në prag të konferencës së donatorëve të Brukselit ka larguar çdo dyshim se qeveria Serbe nën drejtimin energjik të Kryeministrit Zoran Gjingjiq është e vendosur të zbatojë reformat politike dhe ekonomike.
Tani i takon qeverive Perëndimore dhe donatorëve të tjerë të japin mbështetjen e tyre ekonomike dhe të kontribuojnë në konsolidimin e një prej vendeve më të rëndësishme në Ballkan. Serbët presin që shuma e këtyre donacioneve të kapi shifrën mbi 1.25 miliard dollarë Amerikan.
Shpresat për një shumë të tillë janë shtuar pas pranimit të qeverisë Amerikane për të marrë pjesë në konferencën e Brukselit. Sekretari Amerikan i shtetit kolin Pauell ka thënë të Premten se dorëzimi i Millosheviqit e bën shumë më të lehtë "dhënien e fondeve në konferencën e donatorëve dhe më pas".
Uashingtoni kishte kërcënuar më parë se nuk do të merrte pjesë në konferencë nëse Beogradi nuk tregonte bashkëpunim të plotë me gjykatën e krimeve të luftës.
Goran Pitiq, ministri Serb i marrëdhënieve ekonomike me jashtë, ka thënë se rreth 800 milion dollarë ndihmë janë përcaktuar për ekonominë, rreth 250 milion për arsimin, shëndetësinë dhe pensionet dhe rreth 200 milion për të mbuluar deficitin buxhetor.
Por akoma më e rëndësishme se shifra prej 1.25 milion dollarë e ndihmës është shpresa që Beogradi mund të sigurojë mbështetje për riskedulimin e pagesës së borxhit të jashtëm të vendit.
Zëvendës kryeministri Jugosllav, Miroljub Labush, drejtuesi i ekipit Jugosllav në Bruksel ka theksuar se nëse borxhi riskedulohet sipas atyre që njihen si kushtet e Napolit, Beogradi do të duhet të paguajë rreth 40 miliard dollarë për borxhin e tanishëm prej 12 miliard dollarë gjatë 20 vjetëve të ardhëshëm.
Nëse përdoren kriteret e Hjustonit, kjo shifër mund të rritet deri në 78 miliard dollarë - një diferencë e madhe. Kjo është arësyeja që Beogradi po përpiqet shumë të fitojë mbështetjen e Uashingtonit, sepse influenca Amerikane mund të jetë decizive kur kreditorët Perëndimorë të vendosin se cilën metodë të riskedulimit të borxhit të përdorin.
Riskedulimi i borxhit dhe ndihma e huaj janë tepër të rëndësishme nëse autoritetet e reja në Beograd dëshirojnë të arrijnë një rimëkëmbje ekonomike në Jugosllavi. Presioni ndërkombëtar ka detyruar kabinetin federal të adoptojë një dekret më 23 Qershor i cili lejon ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte nga Jugosllavia për në Hagë, pasi një projekt ligj i cili synonte të njëjtën gjë nuk arrit të sigurojë shumicën e votave në parlament.
Ky hap është mirëpritur në Perëndim dhe ka siguruar pjesëmarrjen e SHBA-së në konferencën e Brukselit. Por deklaratat nga Uashingtoni kanë lënë të kuptohet se nuk do të jepen para derisa Millosheviq dhe të akuzuar të tjerë do të dërgohen në Hagë.
Më 28 Qershor, përpjekjet e Millosheviqit për të bllokuar ekstradimin e tij nëpërmjet gjykatës kushtetuese Jugosllave, i mbështetur edhe nga presidenti Jugosllav Vojislav Koshtunica, u shmangën nga qeveria Serbe, e cila në mënyrë të një anëshme dorëzoi ish presidentin me shpjegimin se në rast se ai nuk dorëzohej do të dëmtoheshin interesat e vendit.
Kryeministri Serb Zoran Gjingjiq ka theksuar rëndësinë e konferencës së donatorëve duke thënë se "në rast se nuk e dorëzonim ish presidentin do të rrezikonim një zhgënjim të madh … sepse donatorët do të anullonin pjesëmarrjen e tyre në konferencë," ka thënë Gjingjiq të Enjten.
Labus ka thënë se ai planifikon të udhëtojë menjëherë drejt Uashingtonit pas përfundimit të konferencës. Ai nuk ka pranuar të komentojë rreth disa zërave se organizatorët e konferencës, Banka Botërore, ka plane tepër të ndryshme nga ato të Beogradit për mënyrën e përdorimit të fondeve.
Qeveria Serbe planifikon të shpenzojë 156.6 milion dollarë për mbulimin e deficitit buxhetor, 112.4 milion për zhvillimin e sektorit privat, 18.3 milion për reformimin e sektorit financiar, 18 milion për telekomunikacion, 258.8 milion për energjinë, 218.7 milion për transportin, 71 milion për bujqësinë, 38.5 milion për ambjentin, 38 milion për shërbime, 170.5 milion për fondin e pensioneve, 65.3 milion për kujdes shëndetësor dhe 83.5 milion për arsimin.
Kjo shumë e përgjithëshme prej 1,249.5 milion përbën 32 përqind të shumës totale prej 3,904.2 milion dollarë fonde të planifikuara për Jugosllavinë deri në vitin 2004.
Vëzhguesit mendojnë se fakti që Banka Botërore pranon këtë plan, sipas të cilit rreth 64 përqind të totalit të ndihmës financiare shkon për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, do të thotë që Uashingtoni e ka pranuar që vendi duhet të ndihmohet në mënyrë që të jetë i aftë të ecë me këmbët e tij.
Sipas llogaritjeve të bëra nga një grup ekonomistësh të pavarur në Beograd, G-17, fushata e bombardimeve të NATO-s, përveç dëmeve fizike, ka shkaktuar edhe një humbje të prodhimit të përgjithëshëm bruto në nivel rreth 26 miliard dollarë.
Ndihma prej 3.9 miliard dollarë e planifikuar është pothuajse e njëjtë me disa vlerësime për dëmet e shkaktuara nga bombat e NATO-s ekonomisë dhe infrastrukturës së Serbisë. Kjo nuk është një koincidencë dhe kjo i ka lejuar zyrtarëve Jugosllavë të paraqesin ndihmat e dhuruara si reparacione për dëmet e pësuara.
Dimitrje Boarov është një eknomist i njohur në Novi Sad.