SERBËT NDOSHTA DO TË VOTOJNË NË ZGJEDHJET NË KOSOVË

Megjithëse pavendosmëria e Beogradit i ka hutuar disi serbët e Kosovës, ata duket se nuk do të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

SERBËT NDOSHTA DO TË VOTOJNË NË ZGJEDHJET NË KOSOVË

Megjithëse pavendosmëria e Beogradit i ka hutuar disi serbët e Kosovës, ata duket se nuk do të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Monday, 21 February, 2005

Analistët thonë, se serbët e Kosovës duket se do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në entitet më vonë këtë vit, megjithëse sinjalet e përziera nga Beogradi dhe mosmarrëveshjet ndërmjet politikanëve serb në provincë mund të rezultojnë në një pjesëmarrje të ulët, duke ulur ndjeshëm numrin e vendeve që do të fitojnë në parlament.


Zgjedhjet e 23 tetorit do të jenë të katërtat që do të mbahen në Kosovë që prej vitit 1999. Serbët kanë bojkotuar zgjedhjet lokale në Kosovë në vitin 2000, të parat që janë organizuar nën drejtimin ndërkombëtar, por kanë marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2001 dhe ato lokale në vitin 2002.


Sipas Kuadrit Kushtetues, akti rregullator më i lartë në Kosovë, dhjetë nga 120 vendet në parlament do ti shtohen numrit të vendeve të fituara direkt nga serbët, nëse ata fitojnë të paktën një vend në këto zgjedhje.


Për të maksimizuar efektivitetin e votave të serbëve, politikanët serbë të Kosovës në vitin 2001 kanë krijuar një koalicion, të quajtur Povratak (Kthimi), duke u paraqitur si një forcë e vetme në parlamentin e Kosovës. Ky koalicion ka fituar 22 vende në zgjedhjet e kaluara – 12 nga vota direkte dhe dhjetë të tjera sipas Kuadrit Kushtetues.


Por gjatë tre vjetëve të fundit, Povratak është shpërbërë. Në të njëjtën kohë, megjithëse ngul këmbë që ai vendos vetë për punët e tij, koalicioni është dëmtuar nga fakti që mbështetet tek këshillat nga Beogradi, të cilat janë shpesh kontradiktore.


Për shembull në muajin korrik, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica u ka kërkuar serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në votime, pak pas shpalljes së ditës së votimeve.


Nëse serbët do të votonin, thuhej në një deklaratë të qeverisë, kjo “do të varroste përfundimisht planet për një zgjidhje politike të krizës në Kosovë nga qeveria serbe, gjë të cilën Beogradi nuk do ta lejojë”.


Një ditë më pas, Vuk Drashkoviq, ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, ka dhënë një mesazh të kundërt, duke thënë se serbët duhet të votojnë me çdo kusht. “Nuk mund të fitohet në asnjë lojë pa marrë pjesë në të,” ka thënë Drashkoviq, duke thënë se me një fushatë të fuqishme dhe të bashkuar, serbët mund të fitojnë deri 30 vende.


Më 5 gusht, në sesionin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zoran Lonçar, përfaqësuesi i Serbisë, ka përsëritur qëndrimin e qeverisë se Serbia është kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet në Kosovë. “Për momentin, Beogradi nuk mund tu kërkojë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në provincë,” ka thënë ai.


Por një ditë më pas, Velimir Iliq, ministër i investimeve kapitale në Serbi, ka sinjalizuar një linjë të re, duke njoftuar se “konsultime” të tjera në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në Kosovë do të zhvillohen në Beograd gjatë ditëve të ardhëshme.


Ivan Protiq, korrespondent i agjensisë spanjolle të lajmeve EFE në Beograd, i cili ndjek zhvillimet në Kosovë, mendon se qeveria serbe do të ndryshojë mendim në momentin e fundit, siç ka bërë edhe më parë.


“Deklarimet më të fundit të qeverisë nuk janë aq të forta sa më parë, dhe tani ata po njoftojnë bisedime të reja në qeveri,” ka thënë Protiq për IWPR. “Qeveria do të kuptojë se serbët mund të arrijnë më tepër duke pasur përfaqësues në asamble sesa duke mbetur jashtë strukturave zyrtare”.


Nëse do të ketë një pjesëmarrje të ulët të serbëve të Kosovës në zgjedhje, përfaqësuesit e tyre do të fitojnë më pak vende në parlament.


Sipas misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili ka organizuar zgjedhjet e mëparëshme, për çdo vend të fituar në zgjedhjet e vitit 2001 kanë votuar 7,000 zgjedhës. Në ato zgjedhje kanë votuar 64 përqind e 1.2 milion votuesve.


Por, këtë vit numri i votave të nevojshëm për të fituar një deputet mund të jetë shumë më i madh, sepse analistët mendojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje do të jetë më e madhe.


Shkëlzen Maliqi, një sociology i njohur, thotë se shumë votues shqiptarë nuk kanë votuar në zgjedhjet e fundit, për shkak të mungesës së grupimeve civile dhe partive të pakta që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Këtë rradhë është ndryshe, po të kemi parasysh pjesëmarrjen e disa grupimeve të reja politike.


“Mundësia më e madhe për të zgjedhur mund të tërheqë më tepër të rinj shqiptarë për të votuar,” ka thënë Maliqi për IWPR, duke iu referuar të paktën tre grupimeve të reja politike të cilat do të marrin pjesë në këto zgjedhje, dhe synojnë të sigurojnë votat e të rinjve.


Edhe nëse Povratak merr pjesë, ai do të përballet me konkurencë. Pronari serb i mediave Bogoljub Kariq dhe Momçilo Trajkoviq, një politikan i vjetër serb i Kosovës, kanë krijuar koalicionin e tyre, i cili është i regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.


Në mënyrë të papritur, grupimi i ri ka tërhequr aplikimin e tyre më 10 gusht, ndërsa qeveria në Beograd nuk ka vendosur ende për pjesëmarrjne e serbëve në këto zgjedhje. Por ata e kanë lënë të hapur mundësinë për pjesëmarrje në momentin e fundit, nëse Beogradi ndryshon pozicionin e tij.


Trajkoviq ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të tij më Povratak, edhe nëse koalicioni merr pjesë, duke thënë se paraqitja e dy listave të ndryshme të kandidatëve serb nuk do të ndryshojë shumë pozicionin e serbëve në parlamentin e Kosovës. “Dy apo tre vende më pak nuk do të kenë shumë rëndësi,” ka thënë Trajkoviq. “Ajo që ka rëndësi është cilësia dhe jo sasia”.


Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po shton presionin ndaj serbëve. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit më 5 gusht mbi çështjen e Kosovës i ka nxitur serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit. Zëdhënësi i UNMIK Georgy Kakuk, ka thënë për IWPR se UNMIK po punon aktivisht për të bindur drejtuesit e Beogradit dhe të serbëve të Kosovës për të marrë pjesë.


“Është shumë e rëndësishme që komuniteti serb në Kosovë të marrë pjesë plotësisht në procesin politik,” ka thënë Kakuk për IWPR.


“Ne shpresojmë që Beogradi do të ndryshojë qëndrim dhe që në fund të fundit do tu kërkojë pakicës serbe në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje”.


Paaftësia apo mungesa e dëshirës së Beogradit për të vendosur përfundimisht mbi këtë çështje ka shkaktuar një gjendje të pakënaqëshme tek drejtuesit e serbëve në Kosovë. Oliver Ivanoviq, anëtar i presidencës së asamblesë së Kosovës, ka thënë se ai shqetësohet se Serbia mund të humbasë si rezultat i kësaj vonese.


“Më e keqja që mund të ndodhë është që komuniteti serb në Kosovë të mbetet i ndarë për këtë çështje si pasojë e hezitimit të autoriteteve të Beogradit,” ka thënë ai. “Qeveria duhet të marrë një vendim bazuar mbi informacionin e duhur nëse do të mbëshesë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, bazuar në fakte – dhe jo emocione”.


Ivanoviq ka shtuar se ai është i shqetësuar se Beogradi është më i zënë me zgjedhjet e ardhëshme në Serbi, dhe si pasojë, “Koshtunica nuk do të marrë ndonjë vendim përfundimtar deri në fund të shtatorit”.


Ivanoviq ka paralajmëruar se vitet 2005 dhe 2006 do të jenë vite të rëndësishme për komunitetin serbe, sepse komuniteti ndërkombëtar ka thënë që bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës do të fillojë gjatë viteve të ardhëshme.


Në periudhën e ardhëshme, ka thënë ai, serbët do të përballen “me një presion të madh ndërkombëtar për të caktuar njerëz të cilët do të kenë detyra shumë të rëndësishme. Serbët këtu duhet të zgjidhen me sa më tepër vota që është e mundur”.


Ivanoviq ka shtuar, se “Vetëm atëherë, me mbështetjen e plotë të qeverisë serbe, ata do të mund të përballojnë detyrat e vështira. Nëse qeveria serbe nuk mendon kështu, ajo duhet të ketë ndonjë zgjidhje tjetër. Për momentin, nuk jam i sigurtë që ajo ka ndonjë zgjidhje tjetër”.


Dragisa Krstoviq, kryetar i koalicionit Povratak në parlamentin e Kosovës, ka paralajmëruar gjithashtu një zbutje të mundëshme të qëndrimit të ashpër të Beogradit për pjesëmarrjen në zgjedhje. Më 6 gusht, ai ka thënë se një listë zgjedhore mund të paraqitet për tu regjistruar për çdo eventualitet.


“Ne duhet ta bëjmë këtë si një masë paraprake, sepse mund të ndodhë që Beogradi të vendosë në momentin e fundit që serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje, dhe atëherë koalicioni Povratak nuk do të jetë në listën zgjedhore,” ka thënë Krstoviq.


Ndërsa Beogradi po vendos për këtë çështje, serbët e Kosovës presin urdhërat. Dragan, 30 vjeç, nga Graçanica, shpreh mendimin e shumë serbëve kur thotë që ata nuk duhet të votojnë nëse Beograd nuk u thotë të marrin pjesë në votime.


Komuniteti ndërkombëtar, thotë ai, i ka mashtruar më parë serbët e Kosovës, duke iu premtuar “liri” nëse ata do të merrnin pjesë në zgjedhje, “Por deri më tani nuk kemi parë asgjë, dhe për këtë arësye unë nuk do të votoj këtë herë. Serbët nuk duhet të votojnë dhe duhet të zbatojnë urdhërat e qeverisë sonë në Beograd”.


Zoran Culafiq punon për radion e UNMIK në Prishtinë. Tanja Matiq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists