Serbët e Kosovës Ngjallin Zemërimin e Shqiptarëve

Shqiptarët e Kosovës janë të zemëruar me atë që e konsiderojnë si pranimin me gjysëm zemre nga ana e komunitetit serb të qeverisë së përkohshme të provincës.

Serbët e Kosovës Ngjallin Zemërimin e Shqiptarëve

Shqiptarët e Kosovës janë të zemëruar me atë që e konsiderojnë si pranimin me gjysëm zemre nga ana e komunitetit serb të qeverisë së përkohshme të provincës.

Udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës Hashim Thaçi e ka tërhequr Partinë e tij Demokratike të Kosovës, PDK, nga administrata e përbashkët e provincës pasi përfaqësuesit serbë pranuan të rihynë pjesërisht në këto institucione.


Thaçi, ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se PDK u tërhoq nga Këshilli i Përkohshëm Administrativ për të "reflektuar" për "Marrëveshjen" e 29 qershorit ndërmjet Këshillit Kombëtar Serb dhe shefit të UNMIK-ut Bernar Kushner, e cila hapi rrugën për kthimin e KKS në këto institucione me statusin e vëzhguesit.


"Marrëveshja" bën disa rekomandime për të përmirësuar gjendjen e minoritetit serb që ndodhet në kushte të vështira në provincë.


Drejtuesit e shqiptarëve të Kosovës kanë kritikuar shkallën e kufizuar të përfshirjes serbe si të pasinqertë dhe kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje të plotë. Ata kërkojnë që serbët e Kosovës të pranojnë se janë pjesë e Kosovës dhe të ndërpresin lidhjet e tyre me Serbinë.


Është akoma e paqartë se çfarë synon të arrijë PDK e Thaçit duke ngrirë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me administratën e përbashkët. Por marrëveshja ndërmjet UNMIK-ut dhe KKS u ka dhënë një pretekst politikanëve shqiptarë për të shprehur me forcë një sërë vërejtjesh që ata kanë për administratën ndërkombëtare.


Më e rëndësishmja nga këto vërejtje është se ndërmjet politikanëve shqiptarë ekziston një ndjenjë se ata akoma nuk konsiderohen si pjestarë të rëndësishëm në procesin e vendim-marrjes në këtë periudhë të pasluftës.


Vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ftuar vetëm përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në një takim në Nju Jork u konsiderua si shenjë e qartë e këtij qëndrimi. Ftesa u interpretua si një paralajmërim për drejtuesit e shqiptarëve në mënyrë që ata të përmirësojnë gjendjen dhe të shmangin dhunën ekstremiste ndaj minoritetit serb në provincë.


Reagimi i përgjithshëm i shqiptarëve të provincës ka qenë shumë negativ. Ndërsa hetuesit e Gjykatës së Hagës vazhdojnë të zhvarrosin trupat e viktimave shqiptare të dhunës serbe, ndjenja e krijuar nga "Marrëveshja" e 29 qershorit në rradhët e popullsisë shqiptare është se OKB-ja "po i përkëdhel serbët".


"Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po bën gabimin e madh duke barazuar spastrimin etnik të Beogradit me krime të veçuara që po kryhen sot ndaj serbëve," tha Jakup Krasniqi, një figurë e rëndësishme në PDK.


Shqiptarët gjithashtu tremben se marrëveshja përbën edhe një hap tjetër prapa për ambicjet e tyre për pavarësi.


Një muaj më parë Kushner ka lënë të kuptohet se politika e tij e bashkëjetesës në Kosovë nuk dukej se kishte sukses dhe se krijimi i enklavave etnike mund të ishte zgjidhja më e mirë në planin afatshkurtër. Marrëveshja e 29 qershorit lejon ngritjen e zyrave të pushtetit lokal në enklavat serbe. Disa drejtues shqiptarë shohin pas kësaj hapin e parë drejt një ndarjeje të provincës.


"Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara është kundër segregacionit dhe kundër çdo forme të institucioneve paralele në çdo nivel," thotë Krasniqi.


Zëdhënësja e UNMIK-ut Nadia Junes u përpoq të hënën të qetësonte situatën duke thënë se zyrat e propozuara për në këto enklava do të jenë të drejtuara nga UNMIK, të përkohshme dhe pa asnjë lloj lidhje me Beogradin. Ato do të veprojnë derisa të mbahen zgjedhjet lokale të planifikuara për në vjeshtë, tha ajo, pas të cilave ato do të përbëjnë bazën për qeverisjen bashkiake.


Megjithatë kritikët shqiptarë theksojnë rastet e Mitrovicës, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ku autoritetet lokale nuk janë të varura nga UNMIK dhe vazhdojnë të mbajnë lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë e Beogradit.


Vendimi i Thaçit për të ngrirë marrëdhëniet me administratën e përbashkët ka vënë në dukje ndryshimet e mëdha që ekzistojnë ndërmjet dy partive kryesore shqiptare - PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, të drejtuar nga Ibrahim Rugova.


Me përjashtim të LDK-së, të gjitha partitë e tjera shqiptare u bashkuan me korin e kritikave të Thaçit duke dënuar marrëveshjen e 29 qershorit. Vetëm partia e Rugovës nuk ka shprehur mendimin e saj për këtë çështje.


Zyrtarë të PDK-së kanë nxjerrë disa përfundime tronditëse duke deklaruar se Kushner kishte siguruar më parë "aprovimin e heshtur të Rugovës". Krasniqi bëri thirrje për një "pozicionim të qartë për këtë çështje jetike kombëtare" duke shtuar se PDK do të kërkojë të bashkojë të gjithë përgjigjen politike shqiptare.


Ndërkohë një delegacion nga Bashkimi Europian, Britania dhe Shtetet e Bashkuara u takuan me Thaçin, por nuk kanë mundur të sigurojnë kthimin e partisë së tij në Këshillin e Përkohshëm.


Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists