Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Rusia Ndërhyn Në Mosmarrëveshjen e Dnestrit

Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar të punojë për një zgjidhje të konfliktit separatist në Moldavi.
By Marian Chiriac

Ish-kryeministri rus Jevgeni Primakov do të drejtojë një komision të ri të ngritur për të zgjidhur konfliktin e gjatë ndërmjet Moldavisë dhe rajonit të Dnestrit, i cili kërkon të shkëputet.


Presidenti rus Vladimir Putin e bëri të ditur nismën e re gjatë një vizite në republikën e vogël me 17 qershor. "Është në interesin kombëtar rus që Moldavia të zhvillohet shpejt si një shtet sovran dhe i pavarur dhe me territorin e saj të paprekur," tha Putin.


Putin, i cili dëshiron të rindërtojë lidhjet me ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, tha se qeveria moldave i ka kërkuar Rusisë të "shtojë përpjekjet e saj" për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhjetëvjeçare për statusin e rajonit të Dnestrit. Presidenti rus shtoi se do të arrihet një zgjidhje vetëm nëse do të respektohen interesat e të gjithë popujve në rajon.


Udhëheqësi i Kremlinit refuzoi një takim privat me udhëheqësin e separatistëve të Dnestrit, Igor Smirnov - duke dhënë një sinjal të qartë se Moska kërkon zgjidhje të cilat nuk përmbajnë pavarësinë për rajonin që kërkon të shkëputet.


Dnestr, i cili kufizohet me Ukrainën, ka një popullsi prej 600,000 banorësh, ku pak më tepër se gjysma janë sllavë (rusë dhe ukrainas). Në vitin 1990 rajoni shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë duke patur frikë se shumica rumune në Moldavi do të kërkonte të bashkohej me Rumaninë pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik.


Shtatëqind njerëz vdiqën gjatë konfliktit që pasoi, i cili zgjati deri në vitin 1992. Vetëm ndërhyrja e trupave ruse, të cilat ishin akoma të vendosura në Moldavi, u dha fund luftimeve.


Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja kanë vepruar si ndërmjetës për të dyja palët. Në vitin 1997, pas disa vjet bisedimesh ndërmjet Moldavisë dhe rajonit që kërkonte shkëputjen, më në fund u arrit një "memorandum mirëkuptimi".


Dnestri akoma ka monedhën e tij, kushtetutën dhe forcat e armatosura, por kërkon njohjen si shtet më vete.


Moska ka rreth 2,500 trupa të vendosur në Dnestr, si edhe sasi të mëdha armësh dhe municionesh që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Në takimin e OSBE-së në Stamboll në dhjetor 1999, Rusia ka pranuar të largojë trupat e saj ushtarake nga rajoni brenda vitit 2002, por akoma nuk është përcaktuar një plan për tërheqjen e tyre.


OSBE-ja ka planifikuar 30 milion dollarë për të ndihmuar në financimin e tërheqjes ushtarake. Planet për të vendosur një forcë paqeruajtëse të OSBE-së kanë hasur në kundërshtimin e drejtuesve të Dnestrit, të cilët kanë kërkuar një forcë të drejtuar nga NATO-ja.


"Njerëzit në Dnestr e dinë mirë se opsioni i NATO-s nuk është i mundshëm, veçanërisht pas asaj që ndodhi në Kosovë," ka thënë Vladimir Atamanjuk, zëvendës-presidenti i Moldavisë.


Putin nuk i është referuar direkt tërheqjes së trupave ruse gjatë vizitës së tij, duke thënë se Moska respekton vendimet e organizatave ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Moldavisë. Udhëheqësi i Kremlinit tha se ai ishte dakort me homologun e tij moldav, Petru Luçinski, për të filluar punën mbi traktatin dypalësh.


Luçinski tha se Putin i kishte dhënë siguri se Moska "nuk ka në plan të mbajë të lidhur dhe të kontrollojë nga afër Moldavinë".


Ndërsa janë përcaktuar zgjedhjet presidenciale për këtë vit, vizita e Putin mund të përforcojë shanset e Luçinskit për t'u zgjedhur ndërmjet votuesve rusë, të cilët janë në një numër të madh në republikë.


Megjithatë shumë zyrtarë moldavë kanë qenë më pak entuziastë rreth vizitës së Putin. Ata vazhdojnë të jenë skeptikë dhe të mos besojnë që presidenti i ri i Rusisë do të zbatojë marrëveshjen e Stambollit dhe se ai nuk do të largojë trupat ruse nga Moldavia.


"Konflikti në Dnestr ka qenë një rast për Rusinë që të zgjasë prezencën e saj ushtarake në këtë rajon, një zonë e cila vepron si një urë ndërmjet Rusisë dhe Europës juglindore," thotë një politikan vendas.


Prania e vazhdueshme ushtarake ruse e lejon Rusinë të ushtrojë një influencë të ndjeshme ndaj politikës moldave dhe veçanërisht ndaj çështjeve të tilla si integrimi në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura dhe bashkëpunimin me NATO-n, tha politikani.


Marian Kiriak është redaktor i lajmeve i Agjencisë së Lajmeve MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë që botohet çdo tre muaj nga Akademia e Shkencave të Rumanisë.