Rumunët Xhelozë për të Drejtat e Pakicës Hungareze
Planet e Budapestit për t'u dhënë Hungarezëve etnik në Rumani përfitime të mëdha kanë zemëruar Bukureshtin
Rumunët Xhelozë për të Drejtat e Pakicës Hungareze
Planet e Budapestit për t'u dhënë Hungarezëve etnik në Rumani përfitime të mëdha kanë zemëruar Bukureshtin
Valentin Lovu është një nga ata të pakënaqurit me një lajm që sapo ka parë në shtypin e mbrëmjes Rumun. Parlamenti në Budapest po përgatit një ligj i cili u jep një sërë lehtësirash dhe përfitimesh Hungarezëve etnik, ose Magjarave, në disa vende fqinje. "Unë nuk e kuptoj se përse ata duhet të kenë më tepër të drejta se unë, sepse ne jemi të gjithë qytetarë të të njëjtit vend," thotë ai.
Lovu, i cili është i papunë, është një ndër tetë milion Rumunët të cilët jetojnë nën nivelin e varfërisë. "Unë dua të punoj, të ushqej familjen time. Nuk ka rëndësi nëse unë gjej një punë të paguar mirë në Rumani, Hungari, apo diku tjetër," thotë ai.
Ai shpreh një ndjenjë të shumë Rumunëve, të cilët janë natyrisht xheloz për përfitimet speciale që u janë premtuar bashkëqytetarëve të tyre Hungarezë.
Ligji i propozuar në Hungari, i njoftuar javën e kaluar, do të prekë rreth 1.7 milion Magjarë të cilët jetojnë në Rumani, komuniteti më i madh i diasporës Hungareze. Një nga nenet e ligjit i cili do të marrë forcë që në fillim të Janarit - do ti japë atyre të drejtën të punojnë për tre muaj në Hungari, ku do të kenë të drejtën të udhëtojnë lirisht, të drejta sociale dhe shëndetësore dhe mundësi edukimi universitar pa pagesë.
Budapesti mendon se këto masa do të inkurajojnë Magjarët të qëndrojnë në vendet ku janë, dhe jo të emigrojnë në Hungari siç ekziston frika përpara se Hungaria të anëtarësohet në Bashkimin Europian - e cila pritet të arrihet në vitin 2004. Një studim i kohëve të fundit tregon se rreth 30 përqind e Hungarezëve etnik po mendojnë tani të emigrojnë, megjithëse kjo shifër është dy herë më e ulët se ajo e Rumunëve të cilët mendojnë të emigrojnë.
Propozimi ka shkaktuar alarm në Rumani. Kryeministri Adrian Nastase ka thënë se Rumania nuk do të ndërhyjë në procesin e bërjes së ligjeve në Hungari, por se ai do të kërkojë bisedime dy palëshe për legjislacionin e propozuar të cilin ai e ka quajtur "diskriminues".
Nastase gjithashtu ka shprehur edhe shqetësimin e tij rreth mundësisë së abuzimit me ligjin nga familjet e përzierja etnike dhe mashtruesit të nxitur nga mundësia për të kaluar kufirin. "Ne mund të gjendemi një ditë në një situatë ku të kemi miliona qytetarë të cilët deklarojnë se janë Hungarezë vetëm sepse disa nuk do të mund ti rezistojnë tundimit për të bërë një xhiro falas në metronë e Budapestit," ka thënë ai.
Partia nacionaliste e Rumanisë së Madhe, PRM, ka denoncuar pa humbur kohë vendimin e Budapestit, i cili sipas tyre është pjesë e skemës së madhe të Budapestit për të aneksuar tokat e banuara nga Hungarezët.
As edhe vetë Magjarët nuk janë shumë të lumtur me këtë ligj. Arësyet e tyre janë të ndryshme por pikpamja e përgjithëshme është se ata nuk janë shumë të kënaqur me këto përfitime dhe kanë pritur më shumë.
"Unë dua të jem i hapur," thotë Denes Lazslo, kryeredaktor i gazetës së përditëshme Hungareze Erdelyi Naplo. "Ne, Magjarët në Rumani, prisnim një ligj i cili do të na jepte nënshtetësinë Hungareze apo të paktën një status special, për shembull të drejtën për një pasaportë Hungareze.
"Për mendimin tim, projekt ligji i tanishëm nuk është i mjaftueshëm sepse na jep vetëm disa përfitime materiale dhe nuk ndihmon sa duhet në ruajtjen e identitetit tonë kulturor dhe entik".
Hungarezët në Rumani janë të pakënaqur edhe për shkak se disa çështje nuk janë zgjidhur, si për shembull autonomia territoriale e Szekerland (një zonë me popullsi kryesisht Hungareze në Transilvani), përdorimi i gjuhës Hungareze në administratën publike dhe krijimi i një universiteti të pavarur Hungarez.
Në mëndjet e Magjarëve, këto çështje janë më të rëndësishme sesa problemet e mëdha dhe të thella me të cilat përballet vendi - papunësia e lartë dhe inflacioni.
Këto mbeten problemet më të mëdhaja për Rumunët të cilët e ndjejnë se ky projekt ligj është shumë i pandershëm ndaj tyre. "Nuk është për tu habitur që shumë Rumunë kundërshtojnë statusin special për Hungarezët etnik," thotë analisti politik Stefan Stanciugelu, "atyre po u jepen disa lehtësira të cilat Rumunët mund ti shohin vetëm në ëndërr".
Marian Ciriak është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.