Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Rumunët Humbasin Besimin tek Politikanët

Zgjedhjet lokale në Rumani kanë vënë në dukje apatinë politike të njerëzve.
By Marian Chiriac

Opozita e majtë rumune ka arritur fitore të rëndësishme në zgjedhjet locale, të cilat janë karakterizuar nga një apati e madhe e votuesve.


Rezultatet kanë qenë një goditje e rëndë për koalicionin centrist në pushtet, por edhe kanë theksuar zhgënjimin e publikut me politikën rumune në përgjithësi.


"Unë nuk jam shumë i shqetësuar nëse vendi drejtohet nga ish-komunistët apo liberalët. Për mendimin tim, Rumania ka nevojë për politikanë të cilët kanë dëshirë të përmirësojnë kushtet e vështira të jetesës," thotë një pensionist duke reflektuar kështu një ndjenjë mbizotëruese në elektorat.


Më pak se gjysma e 17,6 milionë votuesve të vendit morën pjesë në zgjedhjet lokale. Rezultatet e para tregojnë se ish-komunistët e Partisë Social Demokrate, PDSR, kanë marrë kontrollin e këshillave lokale në pjesën më të madhe të qyteteve.


Në Bukuresht kandidati i PDSR-së, Sorin Opresku, drejtor i spitalit bashkiak të qytetit, është në krye me 44 përqind të votave. Dy kandidatë të tjerë - Katalin Çirita i Bashkimit Demokratik dhe ministri i transporteve Traian Basesku i Partisë Demokratike - kanë fituar rreth 17 përqind secili.


Vëzhguesit lokalë mendojnë se rezultatet e zgjedhjeve lokale do të jenë një tregues i qartë për rezultatet e zgjedhjeve legjislative dhe presidenciale të planifikuara për në nëntor. PDSR dhe Ion Iliesku, të cilët kanë drejtuar vendin pas revolucionit i cili rrëzoi ish-diktatorin Nikolae Çaushesku, priten të rimarrin pushtetin.


Rezultatet e dobëta të koalicionit qeveritar në zgjedhjet lokale tregojnë si dështimin e tij për të përmirësuar nivelin e jetesës pas katër vjetësh në pushtet, ashtu edhe një zhgënjim të madh me politikanët e pazotë të vendit.


Analisti politik Kornle Nistoresku ka shkruajtur në Eveimentul Zilei: "Një përqindje e madhe e elektoratit ka bojkotuar zgjedhjet, sepse ata nuk dinë se kujt t'i besojnë më."


Një analist tjetër, Ssilviu Brucan, ka thënë: "Në fund të fundit kjo mund të shkatërrojë legjitimitetin e politikanëve rumunë në sytë e kombit."


Besimi i publikut tek politikanët rumunë thuhet të ketë rënë pas një sërë skandalesh politike dhe financiare. Në prill ka patur zëra për një përvetësim të disa miliona dollarësh, ku është implikuar një biznesmen francez me origjinë rumune, Adrian Kostea. Ai thuhet të ketë pastruar rreth 100 milion dollarë nga fondet publike për llogari të politikanëve rumunë.


Sipas prokurorëve, Kostea ka shtypur postera elektoralë për ish-presidentin Ion Iliesku katër vjet më parë dhe i ka futur ato fshehurazi në vend. Thuhet se Kostea ka eksportuar në mënyrë të paligjshme naftë në Serbi, nëpërmjet Bukureshtit, duke thyer kështu sanksionet e vendosura nga OKB-ja ndaj Beogradit.


Gjatë muajit të fundit, banka më e madhe shtetërore Banka Comerciala Romana, BCR, është vënë nën presion nga depozituesit pasi disa telefonata anonime i kanë paralajmëruar ata se banka është e pasigurtë.


Për më tepër, një nga fondet më të mëdha të investimit në vend, Fondul National de Investii, FNI, ka ndërprerë veprimet.


Të premten e kaluar, drejtori i organizatës së kontrollit të tregtisë së Rumanisë, Stefan Boboc, është akuzuar se ka lejuar parregullsi në menaxhimin e fondeve. Njoftohet se çështja e FNI-së i ka kushtuar shtetit rreth 49 milion dollarë.


Problemet në FNI ngjallën protesta të dhunshme në rrugë të dielën në shumë qytete të vendit. Mijëra investitorë të zemëruar bllokuan trafikun në disa qytete duke kërkuar që qeveria t'i ndihmojë për të rimarrë paratë e tyre.


Ata u kanë bërë thirrje edhe njerëzve të tjerë të bashkohen më ta dhe të bojkotojnë zgjedhjet. "Mos votoni për hajdutët, mos votoni për ata që vjedhin paratë tona," thërrisnin protestuesit përpara ndërtesës kryesore të qeverisë në qendër të Bukureshtit.


Duke rënduar edhe më tepër problemet financiare të Rumanisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, ka shtyrë marrjen e një vendimi për një kredi të re duke përmendur si arsye problemet e sistemit bankar në vend.


Marian Kiriak është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.