Rrëmujat e NATO-s po Shqetësojnë Maqedonasit

Maqedonasit thonë se trupat e rrëmujshme të NATO-s po abuzojnë me mikpritjen e tyre.

Rrëmujat e NATO-s po Shqetësojnë Maqedonasit

Maqedonasit thonë se trupat e rrëmujshme të NATO-s po abuzojnë me mikpritjen e tyre.

Thursday, 20 April, 2000

Shpërthimet e dhunës ku janë përfshirë trupa të NATO-s në Maqedoni po keqësojnë marrëdhëniet ndërmjet aleancës ushtarake perëndimore dhe banorëve vendas.


Shqetësimet po shkaktohen nga rreth 4,500 trupa të NATO-s të vendosur në Maqedoni dhe trupat e Aleancës të cilët vijnë nga Kosova.


Një ushtar gjerman i vendosur në kryeqytetin Maqedonas, Shkup, thotë: "Ushtarët në Kosovë janë të izoluar për dy deri tre muaj me rradhë. Kështu që kur vijnë këtu, ata janë të prirur të dehen dhe të përfshihen në zënka të mëdha."


Në një incident në një kafene të Shkupit javën e kaluar, një grup i madh marinsash amerikanë të dehur, të cilët kishin ngacmuar vajzat në tavolinat pranë, u zunë me klientë të tjerë në një shesh aty pranë. Një polic i cili u përpoq të ndërhynte u plagos nga një tullë.


Zënka ndaloi vetëm pasi mbërritën përforcime të policisë të cilët morën me vete ushtarët amerikanë të dehur.


Sipas disa informacioneve jozyrtare, të gjithë ushtarët e përfshirë në këtë dhe incidente të tjera të ngjashme kishin marrë pjesë në manovrat e fundit të NATO-s në Kosovë.


Një zëdhënës i KFOR-it në Shkup ka konfirmuar se policia ushtarake amerikane dhe ajo civile maqedonase po hetonin rreth incidentit, i cili, sipas disa zyrtarëve ushtarakë amerikanë, është provokuar nga vendasit. "KFOR-i shpreh keqardhje të thellë për këto incidente. Ne dëshirojmë të theksojmë se ne nuk presim këtë lloj sjellje nga trupat tona," ka thënë Reinike.


Nga ana e tij, KFOR është ankuar se 22 makina të saj janë qëlluar me gurë që prej fillimit të muajit prill.


Një seri incidentesh të dhunshme ku janë përfshirë trupat e KFOR-it është bërë e ditur gjatë vitit të fundit.


"Ata këndojnë, bërtasin dhe qëllojnë dyert e makinave," thotë një banor i Shkupit, Aco Kitanovski. "Ata veprojnë në mënyrë jonormale dhe kryesisht provokojnë vajzat."


Një banor tjetër, Kire Manevski, thotë se trupat e KFOR-it që shkaktojnë rrëmuja janë një fatkeqësi: "E çfarë sjellje është kjo - duke pirë dhe goditur njerëz? Ata pa dyshim që abuzojnë me mikpritjen tonë."


Gjatë fushatës së NATO-s në Kosovë 19 ushtarë të zgjedhur britanikë janë rrahur pasi janë përleshur me pesë kamarierë në një restorant të Shkupit. Dy nga ushtarët përfunduan në spital.


Në atë kohë lideri nacionalist ekstremist serb, Vojisllav Sheshelj përgëzoi kamarierët maqedonas, duke thënë se ata u kishin dhënë një mësim "pushtuesve britanikë".


Verën e kaluar në Kumanovë disa ushtarë danezë të KFOR-it janë zhveshur dhe janë futur në shatërvanin e qytetit. Ata janë rrahur nga banorët vendas të habitur nga sjellja e tyre.


Sipas burimeve të policisë, trupat e NATO-s janë përfshirë në 128 aksidente trafiku, ku në 75 përqind të rasteve e kanë pasur fajin vetë.


Aksidenti më tragjik ka qenë përplasja e një mjeti të KFOR-it me një makinë qeveritare, me të cilën udhëtonte ministri Radovan Stojkovski, gruaja dhe vajza e tij. E gjithë familja së bashku me shoferin vdiqën në këtë aksident.


Shoferi norvegjez i KFOR-it i cili shkaktoi aksidentin do të gjykohet në vendin e tij, duke shkaktuar kështu zemërim të madh në rradhët e publikut maqedonas.


Zemërimi i tyre është shtuar veçanërisht pas deklaratave të prokurorit norvegjez, i cili ka vendosur që shoferi i KFOR-it të dalë në gjyq me akuzën për pakujdesi në ngarjen e makinës dhe jo vrasje pa paramendim, siç prisnin maqedonasit.


Ekspertët ligjor e kishin paralajmëruar qeverinë në fillim të misionit të NATO-s në Maqedoni se ajo nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur detajeve dhe kushteve të marrëveshjes në bazë të së cilës do të vepronte forca ndërkombëtare në vend.


Një mangësi kryesore, mendojnë disa maqedonas, ka qenë pranimi i qeverisë që trupat e NATO-s të cilët kryejnë krime këtu të lejohen të gjykohen në vendet e tyre.


Shumë njerëz në Maqedoni mendojnë se autoritetet kanë bërë shumë lëshime ndaj NATO-s me shpresën se kështu do të shpejtohej anëtarësimi i vendit në Aleancë.


Profesori i së drejtës kushtetuese në fakultetin juridik në Shkup, Svetomir Skariq, ka paralajmëruar se statusi i trupave të KFOR-it në vend është një shkelje e kushtetutës maqedonase.


Ish ministri dhe eksperti ligjor Xhorxhi Naumov ka propozuar në një takim të kohëve të fundit të organizmit këshillimor qeveritar, Këshillin Ligjor, ligje të reja që e detyrojnë qeverinë të kompensojnë qytetarët e prekur nga veprimet e ushtarëve të NATO-s.


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists