RINGJALLET HAKMARRJA NE KOSOVE
Shtimi i “vrasjeve për gjakmarrje” është kryesisht pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit.
RINGJALLET HAKMARRJA NE KOSOVE
Shtimi i “vrasjeve për gjakmarrje” është kryesisht pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit.
Jashtë shtëpisë së familjes Murati në fshatin Duzhnje në Kosovën jug perëndimore nuk ka asnjë shenjë jete. Dritaret janë të mbyllura dhe dëbora e rënë është e pashkelur përpara derës së shtëpisë.
Osmani Murati, 60 vjec, hap derën kryesore vetëm sa për të nxjerrë kokën për të parë se kush troket. Ai ka frikë se dikush ka ardhur për ta vrarë në shenjë gjakmarrje për një vrasje të dyfishtë të kryer nga djali i tij 20 vjecar Valoni.
Vrasjet për gjakmarrje kanë rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare dhe janë njohur edhe formalisht nga një sërë rregullash dhe kodesh mesjetare të përmbledhura në atë që ndryshe quhet edhe Kanuni i Lek Dukagjinit. Sipas kanunit, “nëse një burrë vret një tjetër, një anëtar mashkull i familjes së viktimës duhet të marrë hak”.
Gjatë periudhës së sundimit të komunizmit, gjakmarrja ka qenë relativisht e rrallë ndërmjet shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Por pas ndryshimeve politike e sociale të vitit 1990, idetë e përmbledhura në kanunin e Lekës kanë rilindur, fillimisht në Shqipëri dhe më pas edhe në Kosovën fqinje, pas sulmeve të NATO-s dhe tërheqjes së forcave serbe.
Por më tepër se tre muaj, as Valon Murati dhe as vëllai i tij, babai apo gjyqi nuk janë larguar as një hap nga shëpia nga frika e gjakmarrjes.
Vrasjet kanë ndodhur më 10 nëntor kur Valoni, një anëtar i Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK, në Gjakovë, ka qëlluar dhe vrarë Sadik dhe Safedin Zenelin, respektivisht 55 dhe 30 vjec. Viktimat kanë qenë kushërinj të Vetonit dhe nga i njëjti fshat.
Isak Zeneli ka dëgjuar krismat. “Kam parë dy njerëz të shtrirë në tokë,” tregon ai. “Valoni po vraponte drejt fshatit duke thërritur ‘kam vrarë dy vetë’”.
Në pritje të gjykimit, Murati është liruar pasi ka paguar një shumë parash. Familja Zeneli është tepër e zemëruar dhe mendon se Murati është liruar pasi ishte një oficer i SHPK. Tani ata po kërcënojnë të vendosin në vend drejtësinë vetë. Sadik Dobruna, avokati i tyre, thotë se gjykata ka vepruar gabim. “Ky vendim e ka vënë të dyshuarin në rrezik të madh,” thotë ai. “Ky vendim është më i keq për të”.
Xhafer Zeneli, vëllai i Sadikut, nuk e mohon se familja mund të marrë hak ndaj Valon Muratit. “Në Kosovë nuk ka drejtësi,” thotë ai. “Ai ka vrarë vëllain tim dhe përsëri është i lirë. Sadiku ka shumë djem në Gjermani. Ata mund të marrin hak kur të kthehen”.
Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, një vraës duhet të kërkojë siguri nga familja e viktimës – në formën e fjalës së nderit të quajtur edhe “besë” – se ai nuk do të vritet nëse del nga shtëpia.
Në rastin e Muratit, familja e të vrarëve nuk ka pranuar të japë besën, duke i lënë burrat e familjes Murati të jetojnë nën ankthin e hakmarrjes.
Valoni ka frikë pikërisht për këtë. Pasi del në derën kryesore, ai thotë se i ka vrarë dy burrat për vetë mbrojtje dhe i kërkon familjes Zeneli të kuptojë. “Si mund ti bind që mua më kanë sulmuar dhe unë vetëm jam mbrojtur?” pyet ai.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNJ, që prej përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 deri në fund të vitit 2003, kanë ndodhur rreth 40 vrasje për gjakmarrje.
“Rastet e gjakmarrjes po shtohen për shkak të mos funksionimit të ligjit dhe mos vendosjes së rendit,” thotë Pajazit Nushi, president i këtij këshilli.
Disa ekspertë lokal fajësojnë vakumin ligjor dhe politik që ka mbizotëruar që prej vitit 1999, kur janë larguar forcat ushtarake dhe administrata serbe, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë i gatshëm ti dorëzojë pushtetin institucioneve të shqiptarëve të Kosovës të cilat mund të kërkonin pavarësinë e provincës. Vetë sistemi ligjor, përfshirë gjykatësit, prokurorët publik dhe policinë, shihet si i korruptuar dhe lehtësisht i ndikueshëm.
Ndërsa vrasjet nuk ndëshkohen, shumë njerëz thonë haptazi se as ligji dhe as gjykatat nuk meritojnë respect. Në nëntor të vitit 2002, Radio Televizioni i Kosovës ka transmetuar një program për kriminalitetin në të cilin një baba djali i të cilit ishte vrarë ka paralajmëruar se nëse vrasësit nuk ndëshkohen “ne do të zgjidhim cështjen pa polici sipas Kanunit”.
Nga viti 1990 deri në 1997, disa qindra familje të përfshira në gjakmarrje janë pajtuar nëpërmjet një fushate të nisur nga Anton Ceta, një professor në pension i Universitetit të Prishtinës. Ceta ka vizituar qindra fshatra, duke bindur njerëzit të harrojnë mosmarrëveshjet ndërmjet familjeve të tyre dhe organizuar ceremoni pajtimi në të cilat festohej, dhe kërcehej e këndohej.
Kjo ka qenë një punë e vështirë. Ceta ka thënë në atë kohë se “nuk është e lehtë për familjet të cilat duhet të marrin gjakun të falin, sepse për shumë shekuj me rradhë, familjet të cilat nuk kanë marrë gjakun janë konsideruar si burracakë”. Por puna e tij është lehtësuar nga një ndjenjë e përgjithëshme që shqiptarët duhet të bashkoheshin ndaj qeverisë së Serbisë.
Ajo ndjenjë nuk i ka mbijetuar dot situatës së re dhe largimit të serbëve. “Shumë njerëz të cilët janë pajtuar gjatë viteve 1990 tani janë rikthyer në armiq dhe kanë rifilluar gjakmarrjen,” thotë Pajazit Nushi.
Sadik Dobruna thotë se anëtarë të familjes Zeneli nuk kërkojnë të marrin gjak, nëse drejtësia do të veprojë si duhet. Por ai shton se “nëse gjykatat marrin anën e oficerit të policisë, atëherë kjo mund të ndryshojë”.
Fatos Bytyqi është një gazetar me Radio Televizionin e Kosovës, RTK.