Regjimi Mendon të 'Blejë' Votat

Autoritetet e Beogradit duket se po planifikojnë të jain rryshfete për elektoratin dhe të falimentojnë opozitën në prag të zgjedhjeve të planifikuara për në vjeshtë.

Regjimi Mendon të 'Blejë' Votat

Autoritetet e Beogradit duket se po planifikojnë të jain rryshfete për elektoratin dhe të falimentojnë opozitën në prag të zgjedhjeve të planifikuara për në vjeshtë.

Në atë që shumë njerëz e konsiderojnë si një përpjekje për të shtuar shanset për fitore elektorale, qeveria serbe ka miratuar një ligj për kompensimin e qytetarëve të saj të varfër dhe për të ndërprerë financimin e partive rivale të saj.


Qeveria mendon të ofrojë prona të shtetit në shitje për njerëzit të cilëve u janë ngrirë depozitat e tyre në monedhë të forte, si edhe të paguajë shuma në para për pagesat e prapambetura për mbajtjen e familjeve duke shitur bono thesari shtetërore. Në të njëjtën kohë regjimi do të marrë përsipër pjesën më të madhe të të ardhurave të gjeneruara nga bashkitë e kontrolluara nga opozita.


Megjithatë planet për kompensim duken krejtësisht jorealiste - mesa duket ato janë njoftuar me qëllim që të përmirësojnë imazhin e qeverisë në prag të zgjedhjeve federale dhe lokale, që priten të zhvillohen më vonë këtë vit.


Veprimi i qeverisë për të kontrolluar financat bashkiake duket se është një përpjekje për të falimentuar financiarisht rivalët e tij politikë.


Serbia gjatë viteve të fundit ka ngrirë rreth 3.6 miliard marka gjermane në llogaritë e depozitave të kursimit. Regjimi ka premtuar se do të fillojë të paguajë këto para, por do ta ketë të vëshirë, sepse arka e tij në monedhë të fortë është e boshatisur.


Në vend të kësaj, regjimi po u ofron pronarëve të këtyre llogarive bankare prona dhe biznese shtetërore. Megjithatë skema e kompensimit nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Ndërtesat nuk konsiderohen një investim i mirë. Kur regjimi u përpoq t'i shesë ato vitin e kaluar, vetëm pak njerëz ishin të interesuar për të blerë.


Qeveria thotë se ajo do të shesë këto prona për depozituesit me kusht që ata të paguajnë 20 përqind të vlerës së tejrritur të këtyre pronave në valutë të huaj. Është lehtësisht e kuptueshme që ky propozim nuk është mirëpritur nga depozituesit.


"Mua më kanë ngrirë një depozitë prej 20,000 markash. Edhe nëse do të doja të blija këtë ndërtesë pa vlerë për biznes, unë nuk mund ta përballoj," thotë Gradimir Gjugjeviq. "Si mund të gjej unë 20 përqind të çmimit të shitjes prej 2,800 marka për metër katror. Ata e kanë menduar këtë gjë shumë bukur për të na e hedhur!"


Në një lëvizje po aq cinike, qeveria po planifikon të shpërblejë familjet të cilët nuk kanë marrë pagesat e përkrahjes sociale gjatë dy vjetëve të fundit me të ardhurat e siguruara nga shitja e bonove të thesarit.


Bonot do të hidhen në treg me një çmim "të arsyeshëm" për kompanitë publike, të cilët do t'i përdorin ato për të paguar taksat dhe kreditë shtetërore. Por në të vërtetë, vetëm koncernet e mëdha të lidhura ngushtë me qeverinë dhe regjimin do të përfitojnë nga kjo skemë, sepse vetëm ato kanë fondet e mjaftueshme për të paguar për këto bono. Planet e autoriteteve për të mbledhur mbi 4 miliard dinarë duket se janë të ekzagjeruara.


Në planin ekonomik, shtetit po përpiqet shumë me anë të këtyre ligjeve të paguajë borxhet e tij kur nuk ka para dhe ndërkohë të ketë edhe fitime.


Qeveria pa dyshim do të zbatojë më me lehtësi një ligj tjetër, i cili e bën atë përgjegjëse për kompanitë publike në nivel lokal. Fitimet e realizuara nga këto kompani deri më tani kanalizoheshin në buxhetet bashkiake, por tani do të shkojnë drejt e në buxhetin qendror. Ndërsa autoritetet lokale të qyteteve më të mëdha kontrollohen nga opozita, ky hap është menduar për të ndërprerë financimin e partive rivale të opozitës.


Branislav Pomoriski, politikan i opozitës dhe drejtor i kompanisë shtetërore SPENS në Novi Sad, ka paralajmëruar se shërbimet bashkiake do të jenë viktima më e madhe e këtij ligji të ri.


Ai thotë se të ardhurat e realizuara nga kompanitë shtetërore si SPENS, një qendër biznesi sportive, janë shumë të rëndësishme për infrastrukturën lokale. "Fitimet e SPENS janë përdorur për të mirëmbajtur rrugët dhe kontrolluar trafikun. Qyteti po humbet burimet e tij të të ardhurave dhe është në mëshirën e pushtetit qëndror."


Vetë partitë e opozitës nuk pritet të dëmtohen rëndë nga ky hap, sepse pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre vijnë nga zonat e errëta të financave të bashkive, si, për shembull, marrëveshjet mbi dhënien me qera të hapësirave të biznesit, apartamenteve shtetërore dhe transaksionet e fshehta për lejet dhe licensat e dhëna nga autoritetet lokale. Qeveria nuk mund t'i kontrollojë dot kurrë këto dhe do t'i duhej të miratonte ligje të reja për ta bërë një gjë të tillë.


Ligjet më të fundit tregojnë se Beogradi po planifikon të blejë votuesit dhe të shtrydhë opozitën përpara zgjedhjeve të ardhshme. Por vetëm një pjesë e vogël e elektoratit do të gënjehet nga këto lëshime dhe shumica e partive të opozitës duhet të jenë në gjendje të grumbullojnë së bashku fondet e nevojshme për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme.


Dimitrije Boarov është bashkëpunëtor i IWPR-së.


Serbia
Support our journalists