Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Radikalët Serbë Fitojnë Simpatinë e Kishës

Një grup Serb i së djathtës ekstreme ka fituar simpatinë e shumë njerëzve në gjirin e Kishës Ortodokse
By Suzana Sudar

Serbët tradicionalisht e lidhin fjalën "obraz" me nderin, por një grup i së djathtës i cili ka këtë emër, dhe që deklaron se lufton për vlerat e Ortodoksisë, është quajtur nga kundërshtarët e tij si një grup fashistësh. Simboli Obraz - një kryq me gjashtë cepa - mund të shihet në mure dhe vitrina dyqanesh në të gjithë kryeqytetin. Ky grup është zhvilluar shpejt gjatë dy vjetëve të fundit - duke pasur mbështetjen e të rinjve të pakënaqur, intelektualëve dhe profesionistëve.


Dhjetë vjet të rregjimit të Millosheviqit, një ekonomi e shkatërruar dhe një sërë luftërash të humbura e kanë lënë Serbinë të dobët, dhe një terren të mirë për ekstremistët.


Obraz është krijuar katër vjet më parë, me një anëtarësi prej rreth 200 njerëzisht. Disa tani thonë se në rradhët e tij tani janë anëtarësuar rreth 30,000 njerëz, me qendra në Serbi, Mal të Zi dhe Republikën Srpska.


Anëtarët e këtij grupimi kanë trashëguar qëndrimin paranoiak të ish rregjimit nacionalist. Ata thonë se Serbët janë të vetmit Europianë pa një shtet të tyre kombëtar dhe se armiqtë e tyre po përpiqen ti shkatërrojnë. Në rradhët e armiqve janë gjithnjë ata të zakonshmit: Sionistët, Kroatët, Shqiptarët, Boshnjakët, demokratët, paqebërësit e rremë, sektet fetare, homoseksualët, të droguarit, kriminelët, etj.


Në faqen e tyre në internet kjo organizatë e shpreh haptazi urrejtjen ndaj Kroatëve dhe Boshnjakëve, duke akuzuar të parët se kanë vjedhur gjuhën dhe kulturën e tyre dhe se janë përgjegjës për "Vrasje, dëbimin dhe asimilimin me forcë të tre milionë Serbëve" gjatë dyqind vjetëve të fundit. Boshnjakët akuzohen se shpirtërisht janë edhe "më pak të vlefshëm se Kroatët".


Shqiptarët janë të këqinj dhe paralajmërohen se do të ndëshkohen nga "zemërimi i justifikuar i popullit Serb".


Ky lloj fajësimi ka tërhequr ëmendjen e Fondit Humanitar Ligjor, FHP të drejtuar nga Natasha Kandiq, i cili u ka kërkuar autoriteteve të përdorin ligjin i cili ndalon nxitjen e urrejtjes etnike dhe fetare.


Por, një nga figurat kryesore të Obraz Nebojsha Krstiq thotë se ata nuk janë në asnjë mënyrë një organizatë ekstreme - dhe në fakt janë viktimë e shpifjeve të përhapura nga koalicioni qeveritar dhe Organizatat jo Qeveritare anti Serbe.


Krstiq, me profesion sociolog, është shfaqur fillimisht si një shkrimtar dhe kritik në fillim të viteve nëntëdhjetë, duke nisur botimin e revistës Obraz në vitin 1993. Ai ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të bombardimeve të NATO-s, të cilat sipas tij po godisnin "gratë shtatzëna, fëmijët, dhe të sëmurët të cilët ishin fajtor vetëm sepse ishin të gjallë, apo më mirë, sepse janë Serbë".


Por, edhe në atë kohë, grupi nuk kishte ndonjë përkrahje tepër të madhe. Por kjo ka ndryshuar një vit më vonë, kur në ditën e festës së padronit të kësaj lëvizjeje Mbretit Milutin, ka qenë pothuajse e pamundur të shkoje në zyrat e Obraz për shkak të grumbullimit tepër të madh të të rinjve me koka të rruara jashtë ndërtesës.


Sipas Krstiq, këta njerëz nuk janë përfaqësuesit e vetëm të organizatës. Ai thotë se ajo ka mbështetje në mesin e profesorëve të universitetit, doktorëve, avokatëve dhe inxhinierëve. Por, duket se, anëtarët e kësaj organizatë të cilat janë figura publike dëshirojnë të mos dalin haptazi.


"Unë mendoj se Obraz është e vetmja organizatë e vërtetë Serbe e cila ka një orientim të sinqertë pro Serb," thotë Milan, një student në universitetin e Beogradit i cili është anëtarësuar së fundi në organizatë. "Unë mendoj se është shumë e rëndësishme për ne Serbët të kthehemi përsëri tek Zoti".


Me ndihmën e mesazheve si "Nacionalizëm Ortodoks në vend të internacionalizmit pa fe" dhe "shtetarë besimtarë dhe jo tradhëtarë të pafe," Obraz ka fituar edhe simpatinë e shumë pjestarëve të Kishës Ortodokse.


"Kjo është një lëvizje e nderuar dhe e ndershme synimi i së cilës është të kthejë Serbët të cilët kanë qenë në një moçal shpirtëror dhe moral që prej një kohe të gjatë në njerëz të admiruar nga e gjithë Europa dhe bota," ka thënë një figurë e lartë e kishës Dragan Terziq.


Liberalët thonë ndryshe, duke vlerësuar se lëvizja është një version i ndryshuar i elementëve radikalë të cilët dikur kanë mbështetur figura ekstremiste si Vojislav Sheshelj. Qëllimi i tyre, thonë vëzhguesit, është të largojnë vëmendjen nga problemet kryesore ekonomike të Serbisë duke kërkuar të fajësojnë të huajt për problemet e mëdha të vendit.


Branislav Jeliq i Aleancës Civile të Serbisë e konsideron këtë grupim si një mbetje nga rregjimi i kaluar i cili ushqeu përçarjen fetare dhe etnike, urrejtjen dhe ksenofobinë.


FHP deri më tani nuk ka ngritur akuza ndaj Obraz për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare, duke preferuar të presë nëse prokurori do të ndërmarrë ndonjë hap ndaj këtij grupi.


Avokati i FHP-së Igor Olujiq insiston se Obraz nuk është i vetmi grup ekstremist në Serbi. Radikalë ndoshta jo të lidhur me organizatën kanë shkatërruar disa varre të Hebrenjve dhe kanë pikturuar grafite anti Romëve - duke shkruajtur parrula të tilla si "Romët jashtë, Serbia e Serbëve" në muret e një teatri dhe një kinemaje në Beograd.


Për Olujiq, Obraz është treguesi i një vale në rritje të simpatizantëve të ekstremit të djathtë. Ai ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje të diskutohet seriozisht dhe të debatohet haptazi përpara se lëvizja të arrijë të tërheqë edhe më tepër mbështetje.


Suzana Sudar është një gazetare e së përjavëshmes Oko në Beograd.