Qeveria Serbe Përballet me Sfida të Vështira

A mundet administrata e re Serbe të riparojë dëmet ekonomike dhe politike të shkaktuara nga rregjimi i Millosheviqit?

Qeveria Serbe Përballet me Sfida të Vështira

A mundet administrata e re Serbe të riparojë dëmet ekonomike dhe politike të shkaktuara nga rregjimi i Millosheviqit?

Qeveria Serbe e zgjedhur së fundi do të përballet me probleme të mëdha për riparimin e gjendjes së rëndë të trashëguar nga rregjimi i Sllobodan Millosheviqit.


Ajo do të përpiqet të ruajë bashkimin me Malin e Zi dhe të mos lejojë largimin e Kosovës. Ajo gjithashtu duhet të rimëkëmbë ekonominë, të godasë krimin e organizuar dhe të vendosë nëse do të ekstradojë kriminelët e luftës.


Por për momentin, çështja më urgjente është konflikti në Serbinë jugore në kufi me Kosovën, ku Shqiptarë të armatosur sulmojnë policinë dhe rrëmbejnë qytetarë Serbë pothuajse çdo ditë.


Konflikti po u tërheq vëmendjen Presidentit Koshtunicadhe kryeministrit të emëruar Zoran Gjingjiq nga problemet e vjetra me të cilat atë duhet të merren.


Gjingjiq ka denoncuar sulmet - e nxitura nga Shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten si Ushtria Clirimtare e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit (UCPMB) - si "një përpjekje tjetër për të futur Serbinë në luftë".


Qeveria e re reformatore e Serbisë deri më tani është përmbajtur dhe nuk ka vepruar me forcë me shpresë se do të impresionojë botën me qëndrimin e saj të moderuar. Ajo ka nisur një inisiativë diplomatike për rishikimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila I dha fund luftës në Kosovë.


Sipas kësaj marrëveshje, është krijuar një zonë sigurimi prej pesë kilometra përgjatë kufirit të Serbisë me Kosovën. Në këtë zonë të kontrolluar nga NATO nuk lejohet hyrja e ushtrisë Jugosllave apo militantëve Shqiptarë të Kosovës, duke lejuar vetëm patrullimin nga ana e policisë Serbe të armatosur lehtë. Pjesa më e madhe e slumeve të UCPMB-së janë kryer në këtë zonë.


Muajin e kaluar, komandanti i K-For të drejtuar nga NATO-ja, gjenerali Italian Karlo Kabidozu, ka thënë se ka shumë mundësi që ushtria Jugosllave të lejohet të hyjë në zonën e sigurisë.


"Përse duhet ti trajtojmë Serbët si armiqtë tanë," ka thënë Kabidozu. Gjenerali kishte sugjeruar më parë, pas zgjedhjeve të datës 23 Dhjetor në Serbi, se NATO-ja po rishikon Marrëveshjen e Kumanovës.


Është evidente se partnerët Europianë të NATO-s kanë dëshirë të ndryshojnë marrëveshjen sepse zona e sigurisë është krijuar për të parandaluar një sulm të mundëshëm ndaj Kosovës nga forcat e Sllobodan Millosheviqit. Ata mendojnë se pas ndryshimeve politike në Beograd, kjo zonë nuk e ka më qëllimin e saj fillestar. Megjithatë, qeveria Amerikane duket se vazhdon të ketë ende rezerva për këtë çështje.


Ndërsa qeveria Serbe po përmbahet dhe nuk po vepron me forcë ndaj dhunës së UCPMB-së, radikalët Serbë po forcojnë pozitat e tyre.


Partia nacionaliste e Unitetit Serb, SSJ, e krijuar nga Zheljko Raznatoviq, i quajtur ndryshe Arkan, i cili është vrarë vitin e kaluar, ka fituar 14 vende në parlamentin republikan me 250 deputetë në zgjedhjet e 23 Dhjetorit. Shumë analistë mendojnë se tensionet në Kosovë dhe Serbinë e jugut e kanë ndihmuar mjaft SSJ-në. Drejtuesi i saj Borislav Peleviq ka kaërkuar tashmë që sesioni i parë i parlamentit të ri të Serbisë të mbahet në Prishtinë.


Socialistët e Millosheviqit dhe Radikalët e ultra nacionalistit Vojisllav Sheshelj kanë akuzuar koalicionin fitimtar DOS për agravimin e krizës në Serbinë e jugut.


Edhe disa anëtarë të DOS-it kanë bërë disa deklarime radikale. Një nga drejtuesit e koalicionit, Momçillo Perishiq, ka thënë se Koshtunica nuk duhet të përpiqet të ndryshojë Marrëveshjen e Kumanovës sepse marrëveshja "që në fillim nuk duhej pranuar dhe zbatuar."


"Marrëveshja ushtarako-teknike ka qenë kapitullim i një pjese të territorit Jugosllav dhe nuk duhet të ishte nënshkruar fare," ka thënë ai. "Ata që kanë nënshrkuar këtë marrëveshje duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duhet arritur një marrëveshje e re me botën për rikthimin e Kosovës Serbisë dhe Jugosllavisë."


Deri më tani, Koshtunica dhe Gjingjiq kanë arritur me sukses të kontrollojnë radikalët.


Të dy këta janë veçanërisht të interesuar për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Serbisë në muajt e ardhëshëm, pas të cilëve vendi duhet të jetë bërë më i fortë ekonomikisht pas mbërritjes së ndihmave ndërkombëtare.


Nëse Koshtunica dhe Gjingjiq arrijnë këtë dhe ruajtjen e bashkimit me Malin e Zi, ata shpresojnë se do të jenë në një pozitë më të mirë për të filluar bisedimet mbi Kosovën.


Kjo është njëra arësye se përse Mali i Zi përbën një prioritet për qeverinë e re. Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq i ka paraqitur tashmë Koshtunicës dhe Gjingjiqit një propozim për zgjidhjen e këtij problemi. Ai përkrah një koncept sipas së cilit Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtete të pavarura.


Pavarësia i jep Gjukanoviqit shansin e vetëm për të ruajtur pushtetin. Heqja dorë në këtë moment nga përpjekjet për pavarësi do të ishte një vetëvrasje politike për të.


I njohur si 'i përkëdheluri' i komunitetit ndërkombëtar gjatë periudhës së Millosheviqit, Gjukanoviq kërcënohet seriozisht nga rrëzimi i ish presidentit Jugosllav.


Tani vëmendja dhe përkrahja e botës është drejtuar ga Vojisllav Koshtunica. Gjukanoviq, dikur i përshëndetur për largimin e tij nga kthetrat e Millosheviqit, nuk ka arritur të krijojë institucione demokratike apo të vendosë bazat e ekonomisë së tregut. Përndryshe, ai ka krijuar një shtet të vogël i cili mbijeton falë një fluksi të vazhdueshëm parash të huaja, të cilat përdoren për të mbuluar deficitin buxhetor dhe jo për investime në ekonomi.


Propozimi i Gjukanoviqit për pavarësinë është hedhur poshtë menjëherë nga Gjingjiq dhe Koshtuncia. Ata kanë përgatitur një kundër propozim. Gjukanoviq ka hedhur poshtë atë që në fillim, duke akuzuar Koshtunicën se kërkon që Beogradi të sundojë Malin e Zi.


Këto mosmarrëveshje e kanë larguar Gjingjiqin nga Gjukanoviqi, me të cilin dikur ka qenë tepër i afërt. Tani, Gjingjiq ka ndryshuar krah dhe është afruar mjaft me Koshtunicën. Pozicioni i tyre është se largimi i Malit të Zi do të çojë në shpërbërjen e shtetit dhe pavarësinë formale të Kosovës. Përgjigja e Gjukanoviqit është se "Mali i Zi nuk mund të mbetet peng i Kosovës."


Problemi tjetër me të cilin përballet qeveria e Gjingjiqit është stabilizimi i ekonomisë. Pjesa më e madhe e ndihmës ndërkombëtare po përdoret për të mbajtur në këmbë furnizimin me energji të vendit. Për këtë arësye Beogradi ka shumë shpresa se në muajin Mars do të organizohet një konferencë e donatorëve, e cila pritet të nisë rindërtimin e infrastrukturës së Serbisë.


Megjithatë, Marsi është një muaj i rëndësishëm edhe për arësye të tjera. Pas kësaj date, autoritetet Serbe do të vihen përballë kërkesës për ekstradimin e Millosheviqit në Hagë nëse dëshirojnë të përfitojnë vazhdimin e ndihmës ekonomike.


Askush në rradhët e autoriteteve të reja Serbe nuk dëshiron të ekstradojë ish presidentin në gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Përndryshe, ata janë në favor të gjykimit të tij në Serbi me aprovimin e gjykatës së krimeve të luftës. Megjithëse Haga deri më tani nuk e ka pranuar propozimin e Beogradit, duket se të dyja palët po lënë hapësirë për dialog.


Problemi tjetër i madh i qeverisë është edhe lufta ndaj krimit të organizuar. Goran Vesiq, një këshilltar i ministrit federal të policisë, ka njoftuar se administrata e re do të përdorë modelin Italian për të luftuar korrupsionin dhe mafian.


"Ka shumë mundësi që prokurorët specialë të kenë autoritet të veçantë për të luftuar krimin e organizuar," ka thënë Vesiq. "Nuk do të ketë dhe nuk duhet të ketë asnjë kompromis." Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte spastrimi i sistemit gjyqësor nga lakenjtë e vjetër të Millosheviqit.


Shumë shpejtë do të bëhet e qartë nëse qeveria e re Serbe dëshiron të shkatërrojë të kaluarën e trashëguar nga Millosheviqi, apo thjesht të marrë nën kontroll atë.


Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpuëntor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists