Qëllohet Një Gazetare Serbe e Kosovës
Ekziston një shqetësim në rritje në rradhët e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për sigurinë e gazetarëve të minoriteteve etnike në Kosovë, pasi një gazetare serbe u plagos në qendër të Prishtinës.
Qëllohet Një Gazetare Serbe e Kosovës
Ekziston një shqetësim në rritje në rradhët e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për sigurinë e gazetarëve të minoriteteve etnike në Kosovë, pasi një gazetare serbe u plagos në qendër të Prishtinës.
Sulmi me armë ndaj një gazetareje serbe dhe të dashurit të saj më herët këtë javë ka shtuar shqetësimet mbi gjendjen e rëndë të gazetarëve të minoriteteve etnike në provincë.
Valentina Çukiq, rreth 20 vjeçe, një gazetare e Radio Kontakt në Prishtinë, një stacion shumëetnik, dhe i dashuri i saj u qëlluan me armë në Rrugën Nënë Tereza. Çukiq u godit në kraharor. Gjendja e saj është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. I dashuri i saj pati plagë të lehta në këmbë.
Policia e UNMIK-ut në Prishtinë ka thënë për IWPR-në se çifti u qëllua nga tre persona të armatosur. Ata thanë se motivet e sulmit, i cili vjen në vazhdën e tensioneve ndëretnike dhe dhunës në provincë, akoma nuk është përcaktuar.
Një ditë pas këtij incidenti, zyrtarë të lartë të OKB-së - përfshirë edhe shefin e UNMIK-ut Bernar Kushner dhe Prokuroren e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte - dhe anëtarë të Këshillit Tranzitor të Kosovës vendosën një buqetë me lule në vendin e ngjarjes.
"Ne jemi këtu për të shprehur zemërimin dhe kundërshtimin tonë të ashpër ndaj dhunës që vazhdon në Kosovë," tha Kushner. "Dhuna duhet të ndalojë. Le të punojmë së bashku për një Kosovë të bazuar në drejtësi, tolerancë, liri dhe demokraci."
Kryeredaktori i Radio Kontakt, Zvonko Tarle, deklaroi se plagosja e gazetares është pasojë e një debati të nxehtë në median e Kosovës.
Në një shkrim për IWPR, Tarle ka thënë se një sulm me granatë ndaj një apartamenti të përdorur nga stafi i Radio Kontakt ka qenë vepër e ekstremistëve shqiptarë. Një artikull që ka pasuar në të përditshmen shqiptare, Koha Ditore, thoshte se njoftimi i Tarles përmbante fakte jo të sakta dhe ishte i njëanshëm.
Kryeredaktori i Koha Ditore, Baton Haxhiu, fajësoi për sulmin policinë sekrete të Beogradit, duke thënë se regjimi i Sllobodan Millosheviqit nuk është i interesuar për zhvillimin e institucioneve shumëetnike në Kosovë.
Haxhiu tha se përkrahësit e Millosheviqit kishin shkatërruar kohët e fundit edhe një stacion radiofonik që mbështeste peshkopin e moderuar ortodoks Artemije.
Në një incident tjetër, Radio 106 në Çagllavicë, një fshat i banuar nga serbë pranë Prishtinës, në pronësi të kishës ortodokse serbe, u bastis. Pjesa më e madhe e pajisjeve u vodhën.
Shoqata e Medias së Pavarur Elektronike shprehu zemërimin e saj për atentatin e kësaj jave. Shoqata tha se u "habit që Çukiq u qëllua në qendër të Prishtinës, ndërsa mbante edhe kartën e identifikimit të KFOR-it për përfaqësuesit e shtypit.
"Shoqata u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe mbi të gjitha KFOR, UNMIK dhe Bernar Kushner të bëjnë çfarë është e mundur që t'i nxjerrin fajtorët përpara drejtësisë dhe të parandalojnë incidente të tilla në të ardhmen."
Në një deklaratë të Radio Kontakt thuhej: "Duket se zjarri është drejtuar drejt Radio Kontakt dhe se gjithë frika që i kemi shprehur UNMIK-ut, policisë së OKB-së, KFOR-it dhe OSBE-së, ka qenë e bazuar.
"Të gjithë pjestarët e stafit redaksional, pavarësisht nga kombësia, janë të rrezikuar nga ky sulm terrorist. Radio Kontakt në shenjë proteste do të transmetojë vetëm muzikë dhe informacionet e shërbimit publik."
Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.