Prova të Reja Lidhin Serbinë me Masakrën në Srebrenicë

Dokumente të policisë dhe ushtrisë serbe tregojnë se Beogradi mund të ketë luajtur një rol në krimet në Bosnjen lindore.

Prova të Reja Lidhin Serbinë me Masakrën në Srebrenicë

Dokumente të policisë dhe ushtrisë serbe tregojnë se Beogradi mund të ketë luajtur një rol në krimet në Bosnjen lindore.

Wednesday, 9 November, 2005

Dokumente të reja të zbuluara nga serbët dhe serbët e Bosnjes tregojnë se autoritetet serbe kanë mbledhur dhe dorëzuar kolegëve të tyre të serbëve të Bosnjes disa dhjetra muslimanë nga Srebrenica të cilët janë larguar për në Serbi.


Provat mund të ndihmojnë përpjekjet e prokurorëve të gjykatës për të implikuar Beogradin në masakrën e Srebrenicës – pasi trupat e tre muslimanëve të dëbuar janë gjetur në një varr masiv pranë enklavës lindore të Bosnjes dhe fati i shumë të tjerëve nuk dihet.


Shumica e ekzekutimeve të muslimanëve të Bosnjes kanë ndodhur në Srebrenicë ndërmjet 12 dhe 16 korrikut, por vrasjet kanë vazhduar edhe më pas. Muslimanët e arrestuar në Serbi u janë dorëzuar serbëve të Bosnjes në gjysmën e dytë të muajit korrik.


Dokumente të policisë së Serbisë dhe të ushtrisë e policisë së serbëve të Bosnjes – të cilat janë siguruar nga IWPR nga një agjensi ndërkombëtare e përfshirë në hetimet për ngjarjet e ndodhura pas marrjes nën kontroll të Srebrenicës – tregojnë se të paktën 37 muslimanë të cilët janë larguar nga zona janë arrestuar në Serbi dhe deportuar në Republika Srpska.


Dokumentat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e prokurorisë për të dënuar Sllobodan Millosheviq dhe në rastin e padisë për genocid të ngritur nga qevera e Bosnjes ndaj Serbisë dhe Malit të Zi përpara Gjykatës Ndërkombëtare.


Gjatë gjithë paraqitjes së provave të prokurorisë ndaj tij, Millosheviq ka thënë se as ai dhe as regjimi i tij nuk kanë pasur të bëjnë aspak me masakrat e kryera në Srebrenicë, në të cilat rreth 7,000 burra dhe djem muslimanë janë ekzekutuar.


Megjithatë, vitin e kaluar, prokurorët kanë paraqitur para trupit gjykues një dokument të policisë serbe të Bosnjes i cili tregonte se një njësi e policisë serbe – garda e krijuar nga Millosheviq, të cilët vareshin direkt prej tij – ishte urdhëruar të shkonte në qytet më 10 korrik 1995.


Ky fakt, së bashku me dokumentat më të fundit, mund të ndihmojnë prokurorët të provojnë akuzat për genocid apo bashkëpunim në genocid.


Përpjekjet e prokurorisë kanë marrë një shtytje të fuqishme edhe nga vendimi i rëndësishëm i dhën nga dhoma e apelit të gjykatës më 19 prill, sipas të cilit ekzekutimet në Srebrenicë përbëjnë genocid.


Dokumentat e siguruara nga IWPR tregojnë se pasi policia serbe ka arrestuar të ikurit muslimanë të Bosnjes, ata u janë dorëzuar autoriteteve të serbëve të Bosnjes në pikat e kalimit kufitar në Ljubovija dhe Bajina Basta, të cilat janë në afërsi të Srebrenicës.


Në atë kohë, policia serbe ka regjistruar me kujdes emrat e të arrestuarve, sa para kanë pasur ata me vete, si edhe nëse ata kanë qenë të armatosur.


Dokumenti i parë i cili mban datën 20 korrik 1995, tregon se polici serb Zoran Seviq ka dorëzuar Ahmet Tepiq dhe Edin Dzaniq, të dy nga Srebrenica, Vidoje Radoviq, një oficer i policisë së serbëve të Bosnjes.


Po atë ditë, këta persona u janë dorëzuar brigadës së Bratunac të ushtrisë së serbëve të Bosnjes. Momir Nikoliq, shefi i sigurimit të brigadës, i ka marrë ata në dorëzim. Asnjë prej të arrestuarve nuk është parë më i gjallë.


Më 21 korrik, policia serbe ka dorëzuar katër muslimanë kolegëve të saj serbë të Bosnjes në pikën kufitare të Bajina Basta.


Katër të arrestuarit, Smajil Mehmedoviq, Ramiz Muminoviq, Bekir Kandzetoviq dhe Ibrahim Kandzetoviq, të katër nga Srebrenica, janë marrë në dorëzom nga Pero Miliq, një oficer i policisë së serbëve të Bosnjes nga Bratunac. Më pas ata u janë dorëzuar policisë ushtarake të Republika Srpska në Skelani.


Sipas dokumentave, Muminoviq ka pasur 2,260 marka gjermane dhe 100 franga zvicerane, Kandzetoviq 650 marka dhe 220 dinarë serb dhe Mehmedoviq 40 marka. Asnjë prej këtyre të katërve nuk është parë më vonë.


Gjatë javës së ardhëshme, policia serbe ka arrestuar edhe grupe të tjerë muslimanësh.


Grupi i parë është ndaluar më 23 korrik dhe ka qenë i përbërë nga pesë burra. Tre prej tyre thuhet se kanë pasur me vete armë dhe para, ndërsa dy të tjerët nuk kanë qenë të armatosur dhe nuk kanë pasur para.


Ata janë mbajtur për pesë muaj në një burg, dhe pastaj janë shkëmbyer më 24 dhjetor 1995, në Gracanicë, në veri të Tuzlës.


Grupi i dytë ka qene i përbërë nga gjashë muslimanë të cilët i janë dorëzuar serbëve të Bosnjes në Bajina Basta. Skeletet e tre prej tyre, Mefail Rahmiq, Ferid Haliloviq dhe Nedzib Rahmiq, janë zhvarrosur më vonë nga një varr masiv në Glogova, një fshat pranë Bratunac. Me të tjerët nuk dihet se cfarë ka ndodhur.


Grupi i tretë është arrestuar më 26 korik dhe ka qenë i përbërë nga tre burra, Sadik Isakoviq nga Bratunac dhe Naser Durakoviq e Emir Durakoviq nga Potocari. Dokumentat tregojnë se ata janë dërguar nga Ljubovija në Bratunac dhe se ata kanë pasur një thikë, një pistoletë, tre fishekë dhe 2,000 marka. Asnjë prej tyre nuk është parë më pas.


Në fund, ndërmjet 29 korrik dhe 1 gusht 1995, brigadës së Bratunac i janë dorëzuar edhe gjashtë muslimanë të tjerë – Hajrudin Beciq, Azem Avdiq, Sefik Efendiq, Hajro Ahmetoviq e Ibro Krliq nga Srebrenica dhe Muhedin Siruciq nga Bratunac. Asnjë prej tyre nuk është parë më pas.


“Dokumentet tregojnë qartë se Serbia ka qenë e përfshirë në operacionet në Srebrenicë,” thotë Sadik Salimoviq, një zyrtar i Komisionit të Bosnjes për Personat e Zhdukur, për IWPR. “Tani cështja shtrohet, cfarë ka ndodhur me të gjithë ata muslimanë të Bosnjes të cilët kanë kaluar në Serbi por nuk janë kthyer në Bosnje?”


Salimoviq, i cili është një i mbijetuar në Srebrenicë dhe ka humbur tre vëllezër në këtë masakër, thotë se dokumentet mund të jenë një burim tjetër vuajtjesh për anëtarët e familjes së të zhdukurve.


Por ka thënë se shpresonte që zyrtarët serbë do të nxirren para drejtësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës: “Ne duhet të vazhdojmë me përpjekjet tona në padinë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi dhe të provojmë që ata kanë marrë pjesë në genocid”.


Emir Suljagiq është një bashkëpunëtor i IWPR në Sarajevë.


Frontline Updates
Support local journalists