Prishtina dhe Tirana Përmirësojnë Marrëdhëniet
Marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës mendohet se do të përmirësohen pas vizitës së kohëve të fundit të Ilir Metës në Kosovë.
Prishtina dhe Tirana Përmirësojnë Marrëdhëniet
Marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës mendohet se do të përmirësohen pas vizitës së kohëve të fundit të Ilir Metës në Kosovë.
Me afrimin e fundit të vitit, kulisat politike të Prishtinës ende po spekulojnë me atë që e shtyu Kryeministrin Ilir Meta të bëhej i pari kryetar i qeverisë Shqiptare që viziton Kosovën që përpara Luftës së Parë Botërore.
Në pamje të parë, vizita e tij në fillim të Dhjetorit ka pasur të bëjë me promovimin e paqes dhe stabilitetit në një rajon të shkatërruar nga luftërat dhe vuajtjet. Por disa burime diplomatike në Prishtinë mendojnë se udhëtimi i Metës është diktuar më tepër nga kushtet politike në Shqipëri.
Objektivi i tij kryesor në Prishtinë duket se ka qenë rivendosja e marrëdhënieve të mira ndërmjet partisë së tij në pushtet Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, të drejtuar nga pacifisti Ibrahim Rugova.
Rugova nuk ka pranuar të takohet me asnjë nga drejtuesit Socialistë të Tiranës gjatë tre vjet e gjysëm të shkuara që ata kanë qenë në pushtet. Përkundrazi, duket se ai ka pasur lidhje të mira me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në opozitë, të drejtuar nga Sali Berisha.
Meta duket se ka menduar se përmirësimi i marrëdhënieve me Rugovën mund të shtojë përkrahjen për të edhe në Shqipëri ku ai po përballet me një luftë të ashpër ndaj Demokratëve të Berishës.
Ditën e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor, në vendlindjen e Berishës Bajram Curri, në rrethin e Tropojës, janë vrarë të paktën një përkrahës i Partisë Demokratike dhe plagosur disa të tjerë gjatë përleshjeve me armë me policinë.
Zënkat e kaluara e kanë bërë të vështirë vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet Socialistëve Shqiptarë dhe LDK-së. Pasi kanë qenë të bindur se politikat e tipit të Gandit të Rugovës nuk kishin arritur asnjë rezultat për Kosovën, Socialistët kanë filluar të mbështesin drejtuesin e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Hashim Thaçi.
Në mesin e Shqiptarëve të Kosovës ekziston një ndjenjë pozitive për Berishën në krahasim me kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili është kritikuar për takimin e tij me Millosheviqin në Kretë në vitin 1997.
Por bashkëpunëtorët e Metës mendojnë se nuk do të jetë shumë e vështirë për të bërë për vete Rugovën. Së fundi, Rugova është ftohur edhe me Berishën, me të cilin dikur ka pasur marrëdhënie shumë të ngrohta. Miqësia e tyre është prishur disi përpara luftës së vitit të kaluar për shkak se Berisha përmirësoi marrëdhëniet me Bujar Bukoshin, kryeministrin në mërgim të Kosovës, dhe rivalin e Rugovës brenda LDK-së.
Bukoshi ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke mbledhur fonde nga diaspora e Shqiptarëve të Kosovës jashtë vendit. Thuhet se ai ka mbledhur të paktën 60 milion marka Gjermane, të cilat ai ka thënë se do ti investojë në projekte për rindërtimin e Kosovës dhe për organizatat e të drejtave të njeriut.
Tensionet në gjirin e LDK-së kanë filluar kur anëtarët e saj kanë kërkuar të kenë kontroll mbi shpërndarjen e fondeve.
Nga të 60 milion markat që thuhet se ka mbledhur Bukoshi, vetëm tetë milion janë shpenzuar deri më tani për disa projekte sociale në Kosovë. Pjesa tjetër e fondeve mbetet në duart e tij.
Megjithëse ai nuk konsiderohet më si një drejtues politik, pushteti i tij financiar i lejon Bukoshit të vazhdojë të ushtrojë influencë politike në rradhët e LDK-së.
Gjatë luftës së vitit të kaluar, Demokratët e Berishës kanë qenë pranë LDK-së së Rugovës. Berisha gjithashtu ka mbështetur Thaçin i cili në atë kohë drejtonte Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Partia e tij e opozitës dukej se ishte më e interesuar sesa Socialistët në fuqi për të mbështetur kauzën e Shqiptarëve të Kosovës.
Pas takimit në prishtinë, si Meta ashtu edhe Rugova dukeshin shumë të kënaqur nga takimi i tyre 50 minutësh. Ata kanë thënë se do të forcojnë lidhjet e tyre.
Kjo nuk do të jetë e lehtë. Berisha mund të mbështetet tek influenca e fortë financiare e Bukoshit në LDK. Kjo influencë është parë edhe në faqet e së përditëshmes Shqiptare Bota Sot, e cila mbështet LDK-në dhe sulmon rregullisht Thaçin dhe Tiranën.
Gazeta është mjaftuar me një artikull të vogël në faqen e saj të pestë për të njoftuar për takimin e Prishtinës ndërsa të përditëshmet e tjera Shqiptare në Kosovë e kanë komentuar gjatë këtë takim. Një ditë më pas Bota Sot e ka komentuar Metën si një njeri të Beogradit dhe ka thënë se vizita e tij ka dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Por Shqiptarët e Kosovës, të cilët do të kenë nevojë për ndihmë për rindërtimin e vendit, mund të shohin se Tirana mund të luajë një rol të rëndësishëm. Meta ka premtuar marrëdhënie më të ngushta ekonomike, kulturore dhe arsimore me Kosovën, përfshirë këtu edhe një studim ekonomik për një autostradë ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Dhe ndoshta akoma më e rëndësishme, ai ka mundësi të ngadalësojë nxitimin e Perëndimit për të përqafuar udhëheqjen e re të Beogradit.
Llazar Semini është Drejtues i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.