Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Prioritetet e Kosovës

Kosova duhet të përpiqet të krijohet si një shtet funksional
By Veton Surroi

Mund të parashikohet lehtësisht që Kosova as pas pesë vjetësh s'do të jetë një shtet me demokraci të kulluar apo në gjendje të mirë ekonomike.


Arsyeja është e thjeshtë: ajo s'ka qenë e tillë kurrë dhe, në gjendjen e saj të tanishme si territor i administruar nga OKB-ja, Kosova është e preokupuar me procesin e tranzicionit pas 50 vjetësh komunizëm, një dekadë të dominimit Serb, politikave të aparteidit dhe luftës.


Ajo që është edhe më e keqja, statusi i saj mbetet i papërcaktuar. Ndonëse protektorat i


OKB-së, Kosova formalisht mbetet nën sovranitetin e federatës së shpërbërë Jugosllave, RFJ.


Tani për tani, mundësia e vendosjes së një demokracie funksionale dhe prosperiteti ekonomik ndoshta janë objektiva tepër ambiciozë. Para së gjithash, Kosova duhet të krijohet si shtet.


Momentalisht, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk i lejon Kosovës sovranitetin e shtetit, derisa të konkludohet ndryshe me një marrëveshje të negociuar. Por, ajo që është me rëndësi është se rezoluta nuk përbën pengesë për zhvillimin e saj si shtet funksional.


Në këtë pikë ekzistojnë disa mundësi reale. Zgjedhjet lokale të Tetorit të kaluar, zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës, treguan një dëshirë për progres e reformim.


LDK-ja, nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, arriti një fitore të parashikuar, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e votuesve me 'sjelljet revolucionare' të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët menjëherë pas luftës kanë përfituar forcërisht avantazhe politike dhe ekonomike.


Kosovarët po ashtu shprehën vullnetin e tyre për të shkuar më përpara në drejtim të një kushtetute të përkohëshme, zgjedhjeve të përgjithëshme dhe privatizimit. Nëse këto hapa kryhen me zgjuarsi, ato mund të sjellin një ndryshim të paparë në dinamikën politike e sociale të Kosovës. Por a do të mjaftojë kjo për Shqiptarët e Kosovës? Në fakt jo. Ekzistojnë edhe shumë pengesa tjera si për Kosovarët, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare.


Ndërsa reformat politike e ekonomike do të kenë një ndikim të madh në të ardhmen e Kosovës, duhet të mbahen parasysh edhe dy çështje të tjera: kapaciteti për tolerancë dhe aftësis për të vendosur marrëdhënie më të mira mes shteteve fqinje.


Vullneti i Kosovarëve për të ndërtuar një shoqëri më tolerante do të duhet të shoqërohet nga një vullnet edhe më i madh i pakicës Serbe për të pranuar drejtimin e shumicës.


Por, gjatë këtij viti e gjysëm që ka kaluar, është vënë re një mungesë e theksuar e tolerancës. Bashkësia ndërkombëtare e ka penguar në një farë mënyre edhe vetë atë proces, duke mos arritur të ushtrojë ndikimin e saj në rastet kur ka dështuar pushteti i ligjit.


Zgjidhja e çështjes së marrëdhënieve ndërmjet shteteve fqinje në thelb ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të marrëdhënies së vetë Kosovës me Serbinë. Kjo e dyta, pas rrëzimit të Millosheviçit, vështrohet nën një dritë më optimiste - megjithatë mbetet një dozë skepticizmi.


Millosheviçi mund të konsiderohet si diçka e së kaluarës, por politikat Serbe gjatë dekadës së shkuar janë bazuar mbi një konsensus nacionalist, ku ish-opozita ka marrë pjesë kokë e këmbë.


Për më tepër, çdo ndryshim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë varet nga


çështja themelore, nëse është Serbia e aftë t'ë çrrënjosë nacionalistët ekstremë gjatë rrugës drejt demokracisë së mirëfilltë.


Fqinjët e Serbisë e identidikojnë ende Beogradin me krimet e kryera gjatë dekadës së kaluar.


Euforia e Perëndimit rreth rrëzimit të Millosheviçit nuk mund të zgjasë përherë, ashtu si edhe mbështetja pa kushte për Presidentin Koshtunica nuk mund të afrojë subjektet të cilat nuk e dëshirojnë këtë në një federatë.


Kosovarët, Malazezët dhe Serbët duhet të projektojnë një dëshirë për të ecur në rrugën e krijimit të entitete të pavarura e të barabarta. Përndryshe, plaga e vjetër e shteteve të dobëta të Evropës Juglindore jo vetëm që do të vazhdojë të krijojë mungesë stabiliteti, por edhe do ta detyrojë Perëndimin t'i kushtojë këtij rajoni burime të mëdha ushtarake e financiare.


E kam thënë edhe më parë se akti përfundimtar i shpërbërjes të ish-Jugosllavisë do të


përfundojë sipas 'skenarit Tajvanez', në të cilin të tri shtetet, duke kaluar një proces konsolidimi të brendëshëm, do të përqëndrohen më tepër në fuksionimin e shtetit se sa në njohjen e tij ndërkombëtare.


Fakti që RFJ u pranua në OKB nuk i forcon marrëdhëniet e Beogradit me Podgoricën e me Prishtinën. Republika federale nuk mund të dalë si një entitet sovran, për arësyen e thjeshtë se jo të gjitha shtetet përbërëse të saj kanë dëshirën ta pranojnë atë ide.


Një gjë e di me siguri, se çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje është e destinuar të dështojë nëqoftëse nuk merr para sysh të drejtën e Kosovarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.


Veton Surroi është kryeredaktor i së përditshmes Kosovare Koha Ditore