Policia Boshnjake Arreston një nga Manjatët më të Mëdhenj Myslimanë

Arrestimi i një biznesmeni të rëndësishëm mysliman, i transmetuar edhe nga televizioni, është ngjarja më e fundit në kuadër të luftës së shpallur ndaj korrupsionit në Bosnje, e cila mund të jetë thjesht një bllof paraelektoral.

Policia Boshnjake Arreston një nga Manjatët më të Mëdhenj Myslimanë

Arrestimi i një biznesmeni të rëndësishëm mysliman, i transmetuar edhe nga televizioni, është ngjarja më e fundit në kuadër të luftës së shpallur ndaj korrupsionit në Bosnje, e cila mund të jetë thjesht një bllof paraelektoral.

Thursday, 10 August, 2000

Një të premte në mbrëmje, më 4 gusht, telespektatorët në Bosnje patën mundësinë të ndjekin një spektakël të rrallë të policisë lokale në Sarajevo duke arrestuar një nga biznesmenët më të pasur mysliman të vendit. Alija Delimustafiq, 46 vjeç, i cili ka shërbyer dy herë në qeverinë boshnjake dhe tani kontrollon disa kompani të mëdha dhe një qendër tregtare, përballet me akuza për mashtrim dhe shpërdorim të pozicionit të tij.


Akuzat kanë të bëjnë me bizneset e BH Bank, të krijuar nga Delimustafiq dhe vëllezërit e tij. Banka është shpallur e falimentuar më tepër se një vit më parë duke i mbetur borxh shumë klientëve të saj, përfshirë edhe qeverinë e SHBA dhe disa organizata perëndimore, shuma prej disa qindra mijëra dollarë.


Zyra e prokurorit federal ka thënë se Delimustafiq do të mbahet i arrestuar të paktën një muaj, periudhë gjatë së cilës do të kryhen hetime rreth akuzave për abuzim të pozicionit dhe fallsifikim. Një zyrtar ka thënë se biznesmeni është arrestuar në lidhje me bankën e falimentuar BH Bank. Zyrtarët kanë thënë se është lëshuar një urdhër arresti edhe për vëllain e tij, Mirsad, bashkëpronar i bankës.


Xhozef Ingram, drejtuesi i misionit të Bankës Botërore në Bosnje, ka thënë se: "Mund të shihet që kanë filluar arrestimet në luftën kundër korrupsionit. Kjo do të vazhdojë."


Arrestimi i Delimustafiq vjen si pasojë e rritjes së hetimeve publike mbi korrupsionin në rradhët e politikanëve, organizmave qeveritare, zyrtarëve shtetërorë dhe bizneseve shtetërore në Bosnje. Shtytja kryesore për këtë fushatë anti-korrupsion ka qenë presioni i agjencive perëndimore, të cilat paralajmërojnë se korrupsioni i gjerë dhe evazioni fiskal në vend mund të çojnë Bosnjen drejt falimentimit total.


Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, dhe Banka Botërore kanë pranuar së fundi që federata myslimano-kroate kishte një deficit buxhetor prej 140 milion marka gjermane. Në Republika Srpska gjëndja është akoma më e rëndë - pritet që deficiti këtu të arrijë deri në 200 milion marka.


Agjencitë ndërkombëtare kanë fajësuar shpenzimet e mëdha të qeverisë, evazionin fiskal dhe kontrabandën si arësyet kryesore për këtë deficit. FMN dhe Banka Botërore po ngulin këmbë që të dy entitetet në Bosnje të ndërmarrin reforma urgjente ligjore, fiskale, financiare dhe strukturore përpara ofrimit të një asistence financiare të re. Përndryshe, paralajmërojnë këto agjensi, qeveria nuk do të jetë më në gjendje të paguajë pensionet dhe rrogat.


Delimustafiq, i cili ka filluar karrierën e tij si një polic thjeshtë dhe më pas një dyqanxhi i vogël, ka pasur një rritje të paimagjinueshme duke ardhur nga anonimiteti për t'u bërë ministër i brendshëm i Bosnjes në vitin 1990. Pasi hyri në elitën e lartë, ai ka shërbyer edhe si ministër i tregtisë së jashtme dhe më pas ka krijuar kompaninë e eksport - importit Cenex së bashku me vëllezërit e tij.


Thuhet se kjo kompani ka pasur marrëdhënie biznesi me serbët e Bosnjes dhe kroatët përgjatë linjave të frontit gjatë luftës. Zyrat qendrore të Cenex, një ndërtesë prej xhami në qendër të zonës industriale të Sarajevos, mbijetoi gjatë rrethimit dhe luftës trevjeçare pa asnjë dëmtim duke bërë që të hapeshin zërat se vëllezërit Delimustafiq janë të "mbrojtur" falë marrëdhënieve të tyre me "armiqtë". Në fakt Delimustafiq u detyrua të largohej për një farë kohë për shkak të armiqësisë së shkaktuar ndaj tij nga këto zëra.


Delimustafiq ka pasur fitime të mëdha nga lëshimi me qera i qendrës së Cenex dhe pronave të tjera të patundshme organizatave ndërkombëtare.


Ndërkohë BH Bank ka qenë e vetmja bankë e cila ka vazhduar të kryejë pagesa dhe tranferta parash edhe gjatë luftës dhe rrethimit të Sarajevos. Për çdo transaksion mbahej një komision prej 10 përqind, por duke qenë se ishte e vetmja mundësi për lëvizjen e parave, askush nuk ankohej për këtë komision të lartë.


Megjithatë kjo bankë tani mund të jetë edhe arsyeja kryesore e akuzimit të Delimustafiq. Dyshohet se banka ka shërbyer për pastrimin e aprave të mafias dhe zyrtarëve të korruptuar të Partisë nacionaliste Myslimane të Veprimit Demokratik, SDA.


Në një raport të publikuar në qershor, Zyra e Përgjithshme e Llogarive të SHBA-së ka thënë se qeveria amerikane ende nuk ka marrë 900,000 dollarë të depozituar në bankë për të mbuluar kostot operative të ambasadës amerikane. Raporti thoshte se banka ishte përfshirë në korrupsion.


Megjtihatë disa analistë e kanë intepretuar arrestimin e Delimustafiq si një shou paraelektoral i organizuar nga SDA, e cila ka humbur shumë pikë në publik. E mundur së fundi në zgjedhjet lokale, kryesisht për shkak të reputacionit të saj të keq si e përfshirë në korrupsion, arrestimi i një personazhi kaq të rëndësishëm mund të ndikojë në fitimin e më shumë votave në zgjedhjet e përgjithëshme që po afrohen.


Është hera e parë në Bosnje që disa media janë njoftuar përpara arrestimit të Delimustafiq. Pra, gazetarë, fotografë dhe ekipe të televizioneve ishin të pranishëm kur policia arrestoi Delimustafiq në zyrën e tij në qendrën tregtare të Cenex në rrethinat e Sarajevës.


Disa ekspertë ligjorë kanë theksuar se akuzat e ngritura ndaj Delimustafiq kanë pak gjasa që të pranohen nga gjykata. Përgjegjësia për veprimet në bankë duhet të jetë e drejtorit të përgjithshëm, thonë ekspertët - ndërsa Delimustafiq ka qenë "vetëm" pronar i saj.


Pritet që hetimet dhe gjyqi të zgjasin për muaj me rradhë, edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për në nëntor. Ndërkohë SDA mund të përdorë arrestimin e Delimustafiq si një provë të kredencialeve të saj anti-korrupsion.


Si rrjedhojë ekziston një përkrahje e gjerë publike për agjencitë perëndimore, si Zyra e Përfaqësuesit të Lartë apo Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, që ato ta mbiqkyrin nga afër procesin hetimor dhe gjyqin në çdo hap.


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists