Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Petriç u Tërheq Veshin Drejtuesve Boshnjakë

Komuniteti ndërkombëtar po humbet durimin me drejtuesit politik të pazotë në Bosnjë.
By Janez Kovac

Ndërmjetësi më i lartë perëndimor Volfgang Petriç ka paralajmëruar se komuniteti ndërkombëtar po vë në pikpyetje përfshirjen e tij të mëtejshme në Bosnjë për shkak të ritmit të ngadaltë të procesit të paqes.


Petriç e ka lëshuar këtë paralajmërim të enjten, më 25 maj, pas kthimit nga sesioni dyditor i Këshillit të Zbatimit të Paqes i vendosur në Bruksel - i përbërë nga ministra të jashtëm të vendeve perëndimore dhe drejtorë të agjencive të përfshira në procesin e paqes në Bosnjë.


Petriç tha se lodhja e donatorëve ka filluar të reflektohet tashmë duke ulur ndjeshëm kreditë, borxhet dhe dhuratat për Bosnjën.


Mungesa e fondeve ka filluar të ndjehet tashmë në procesin e kthimit të refugjatëve. UNHCR thotë se ajo duhet të pakësojë dhe ndoshta të ndërpresë disa programe për shkak të mungesës së fondeve.


"Sasia e fondeve është më e vogla që prej dhjetë vjetëve dhe UNHCR mund të detyrohet të ndërpresë disa marrëveshje për zbatimin e ndihmës me agjencitë e saj partnere nëse vazhdon mungesa e fondeve," ka thënë kohët e fundit zëdhënësja e UNHCR-së Barbara Smith.


Kriza e fondeve vjen ndërsa procesi i kthimit të refugjatëve po tregon shenja progresi. Sipas UNHCR-së, numri i regjistruar i refugjatëve që janë kthyer në shtëpitë e tyre gjatë tre muajve të parë të vitit ka qenë 7,377 krahasuar me 1,717 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Petriç ka deklaruar se politikanët lokalë kanë shumë përgjegjësi për problemet ekonomike të vendit. "Politikanët këtu po bëjnë një punë të keqe," ka thënë ai dhe ka paralajmëruar: "Kjo ekonomi edhe kështu e dobët do të përballet me probleme shumë serioze."


Pjesa më e madhe e drejtuesve lokalë duket se janë më të interesuar për zënkat e vogla politike dhe për sulme pas shpine ndaj njëri tjetrit se sa për zbatimin e duhur të paqes dhe rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.


Parlamentet lokale, rajonale dhe shtetërore në Bosnie nuk kanë miratuar ligje të rëndësishme dhe vendime nga frika se godasin interesat e "rëndësishme" të një partie nacionaliste apo të një tjetre.


Ndërsa tre anëtarët e presidencës së përbashkët boshnjake kanë vonuar pothuajse katër muaj vendimin për një kryetar të ri të Këshillit të Ministrave, Bosnja ka pasur vështirësi për të përballuar këtë gjendje pa një qeveri për një kohë kaq të gjatë.


Presidenca më së fundi ka vendosur të propozojë një profesor të panjohur të ekonomisë me origjinë serbe, Spasoje Tusevljak.


Në këtë kuadër Petriç ka njoftuar se organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e ndryshme në Bosnje do të përqëndrohen në të ardhmen në tre çështje kryesore: një reformë ekonomike të thellë, përshpejtimin e kthimit të refugjatëve dhe forcimin e institucioneve të përbashkëta.


"Tre prioritetet duhet të zbatohen menjëherë dhe pa u toleruar moszbatimi," ka thënë ai. "Këtej e tutje nuk do të ketë aspak tolerancë për të gjitha vonesat dhe zgjatjet që mund të jenë në mëndjen dhe kokën e ndokujt nga politikanët e këtushëm".


Petriç ka thënë se ai do të veprojë më me vendosmëri ndaj atyre që pengojnë procesin e paqes duke iu referuar kështu fuqive të reja që i janë miratuar atij për të larguar nga postet zyrtarët që nuk bashkëpunojnë dhe për të vendosur për miratimin e ligjeve.


Vetëm gjatë pak javëve të fundit Petriç ka shkarkuar guvernatorin boshnjak kroat të kantonit të Livnos, sepse ka penguar kthimin e refugjatëve dhe procesin e demokratizimit, si dhe drejtorin e agjencisë federale të privatizimit, i cili, sipas zyrës së Petriç, kishte ngadalësuar shitjen e pronave të shtetit.


"Ky është një proces i vazhdueshëm dhe unë nuk do të hezitoj gjatë muajve të ardhëshëm të përdor të gjitha fuqitë e mia," ka thënë Petriç.


Në të njëjtën kohë Petriç i ka bërë thirrje boshnjakëve të përfshihen më tepër në influencimin e demokratizimit të vendit. Në një transmetim në televizionin kombëtar ai u bëri thirrje atyre të votojnë për ndryshim në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për më vonë këtë vit.


"Ju duhet të jepni ndihmën tuaj në këtë proces. Duhet të pranoni që të gjitha problemet në Bosnje-Herzegovinë janë edhe tuajat," u ka thënë boshnjakëve Petriç. "Ndihmoni në arritjen e ndryshimeve dhe pranoni përgjegjësitë, sepse situata mund të përkeqësohet edhe më shumë se tani."


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.