PËRPLASJA ME ARMË TREGON PËR PËRCARJEN NË GJIRIN E POLICISË SË OKB-së

Një përplasje me armë ndodhur disa ditë më parë tregon nevojën për një ndryshim të forcës policore ndërkombëtare në Kosovë.

PËRPLASJA ME ARMË TREGON PËR PËRCARJEN NË GJIRIN E POLICISË SË OKB-së

Një përplasje me armë ndodhur disa ditë më parë tregon nevojën për një ndryshim të forcës policore ndërkombëtare në Kosovë.

Përplasja me armë në një burg të administruar nga OKB në Kosovë ndërmjet anëtarëve të forcës policore ndërkombëtare të OKB-së ka shkaktuar një debat mbi aftësinë e misionit për të ruajtur paqen, vetëm një muaj pas shpërthimit përleshjeve ndër etnike të cilat kanë shkaktuar 19 të vrarë.


Incidenti i 17 prill, në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ka pasur si figurë kryesore një oficer jordanez nga Njësia Speciale Policore, NSP, i cili ka qëlluar ndaj disa makinave të cilat transportonin kryesisht oficerë amerikan të policisë së OKB-së. në këtë incident kanë humbur jetën dy oficere amerikane dhe janë plagosur 11 të tjerë. Një oficer i tretë amerikan i plagosur gjatë incidentit ka humbur jetën më pas në spital.


Zyrtarë të policisë ndërkombëtare pa humbur kohë kanë thënë se përplasja me armë ka qenë një incident i izoluar dhe nuk do të ndikojë në strategjinë e tyre të përgjithëshme.


“Policia ndërkombëtare dhe Forca Policore e Kosovës, FPK, do të vazhdojnë të ruajnë rendin në Kosovë,” ka thënë shefi i policisë Stephan Feller.


Pavarësisht deklarimeve zyrtare, incidenti ka ngritur pikpyetje të rëndësishme rreth faktit nëse forca policore ndërkombëtare ka nevojë për një ristrukturim në mënyrë që të mund të garantojë sigurinë e popullsisë së ndarë etnike në Kosovë.


Alex Anderson, drejtor për Kosovën i organizatës Grupi Ndërkombëtar i Krizave me qendër në Bruksel, thotë se përleshjet e muajit mars kanë treguar tanimë një përcarje të rrezikëshme në gjirin e forcës policore.


“Gjatë përleshjeve ndër etnike në muajin mars, është dukur qartë se forca policore e OKB-së nuk ka vepruar si një forcë policore e bashkuar dhe nuk ka treguar një ndjenjë të fortë identiteti,” ka thënë Anderson, duke shtuar se forca policore nuk shfaq “një ndjenjë vlerash të përbashkëta”.


Nuk është për tu habitur që forca policore ndërkombëtare ka treguar shenja dobësie në një situatë krize, po të kemi parasysh strukturën e saj heterogjene komanduese dhe numrin e madh të vendeve prej të cilave janë rekrutuar anëtarët e saj.


Oficerët të cilët shërbejnë në Kosovë vijnë nga mbi 40 vende të ndryshme, disa me një nivel të pakënaqshëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të tjerë nga vende pa shumë traditë policore.


Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, është fakti se disa vende pjesëmarrëse në forcën policore të OKB-së në Kosovë kanë probleme dhe mosmarrëveshje territoriale me njëri tjetrin, si në rastin e Indisë dhe Pakistanit, ndërsa të tjerë kanë marrëdhënie historikisht të këqia, si Greqia dhe Turqia.


Kritikët lokal të policisë së OKB-së ankohen se presionet politike nga vendet anëtare të OKB-së, duke kërkuar përfshirjen në misionet fitimprurëse ndërkombëtare, kanë precedent mbi vlerësimin e drejtë dhe të ndershëm të aftësive profesionale të forcave policore të këtyre vendeve.


“Të gjithë 3,500 anëtarët e policisë ndërkombëtare kanë pikat e tyre referuese kulturore,” ka thënë Anderson, duke shtuar se mund të jetë e vështirë të heqësh dorë nga këto pikpamje edhe pse kërkohet zbatimi i ligjit në standartet më të larta.


Zëdhënësi i policisë së OKB-së, Neeraj Singh ka thënë se forca policore ende është në pritje të përfundimeve të hetimit për incidentin me armë në Mitrovicë dhe nuk mund të pritet ndonjë reformë përpara se ajo të njihet me përfundimin zyrtar të këtij hetimi.


“Nëse përfundimi është se sulmi ka qenë i organizuar politikisht, atëherë do të merren masa për të zgjidhur mosmarrëveshjet etnike apo kombëtare brenda forcës policore,” ka thënë ai.


Kosovarët të cilët kanë punuar me forcën e OKB-së thonë se armiqësia ndërmjet njësive të ndryshme të policisë nuk është një sekret.


“Kjo ‘marmalatë’ policësh nga vende të ndryshme është një eksperiment për të provuar se si mund të integrohet një sistem policor,” thotë Samir Potera, një ish përkthyes i policisë së OKB-së.


“Unë kam vënë re një ndjenjë inferioriteti në rradhët e policëve të cilët vijnë nga vendet në zhvillim. Kjo ndjenjë ka qenë padyshim e pranishme në rradhët e oficerëve nga Jordania”.


Potera ka thënë se ai ka vënë re gjithashtu ndjenja të forta anti-Amerikane në rradhët e disa oficerëve me të cilët ai ka punuar gjatë 18 muajve si përkthyes. Kjo ndjenjë ka qenë më e fortë në rradhët e oficerëve nga vendet që ai i quan si të lindjes së afërme.


Shumica shqiptare në Koosvë, nga ana tjetër, i sheh amerikanët si clirimtarë – një trashëgimi e rolit të luajtur nga ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright dhe ish presidenti Bill Clinton, në krye të sulmeve ajrore të NATO-s të cilat i dhanë fund sundimit serb në Kosovë në vitin 1999.


Në kryeqytetin e Kosovës, mund të shihen qartë shenjat e kësaj ndjenje pro Amerikane. Një fotografi e madhe e Bill Clinton duke përshëndetur me dorë është vendosur në ndërtesën e universitetit. Një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit ka marrë emrin e ish presidentit Clinton, ndërsa një kopje e Statujës së Lirisë qëndron mbi një prej hoteleve më të mëdha të qytetit në rrugën drejt këyeqytetit të Maqedonisë, Shkup.


Analistët vendas thonë se shqiptarët në Kosovë i konsiderojnë sulmet ndaj prezencës së policisë amerikane si sulme ndaj forcës policore në përgjithësi.


Blerim Shala, redaktor i së përjavëshmes kosovare Zëri, thotë se incidenti i 17 prillit ka qenë një tjetër thirrje paralajmëruese për OKB-në pas përleshjeve të 17 marsit – dhe ka provuar “përsëri atë që dihet tanimë prej një muaji: sistemi policor i OKB-së duhet ti nënshtrohet ndryshimeve të thella”.


Megjithatë, si kosovarët ashtu edhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë duket se janë të paqartë mbi këto ndryshime të nevojëshme.


Duke mos dashur të hapë një diskutim publik mbi preferencat e kosovarëve për forcat policore të shteteve të ndryshme, OKB këtu nuk ka bërë asnjë deklarim në lidhje me ndonjë ndryshim të mundëshëm në forcën policore.


Në një konferencë të përbashkët për shtyp të OKB-së një ditë përpara funeralit të oficerëve amerikan, komandantët e njësive amerikane, jordaneze, turke dhe austriake kanë bërë një deklaratë të përbashkët, duke premtuar se tragjedia nuk do të ndikojë mbi bashkëpunimin në mes forcave të tyre.


Megjithatë, kjo shfaqje solidariteti vështirë se mund të qetësojë diskutimet publike. Në Beograd, qeveria serbe ka këmbëngulur se incidenti është një provë më tepër për mungesën e sigurisë për rreth 80,000 serbët të cilët kanë mbetur në Kosovë, dhe që janë vendosur në qendër të shënjestrës gjatë dhunës më të fundit etnike.


Në të njëjtën kohë, Oliver Ivanoviq, krytar i Koalicionit Kthimi të serbëve të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së parlamentit të Kosovës, ka përsëritur këto kritika.


“Kjo ngjarje tregon një dobësi të strukturave policore lokale,” ka thënë ai. “Realiteti është se pasojat e ngjarjeve të cilat ndodhin në vende si ato të Lindjes së Mesme mund të ndjehen edhe këtu. Unë e di se oficerët janë profesionistë, por në fund të fundit ata janë qenie njerëzore”.


Për habi, nevoja për një rivlerësim të plotë të strukturave policore të OKB-së është një prej pikave të pakta ku mendimet e shqiptarëve dhe serbëve nuk janë shumë të ndryshme.


Jackson Allers është një gazetar amerikan i vendosur në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists