PËRPJEKJA E VOJVODINËS PËR AUTONOMI

Provinca e Vojvodinës kërkon që autoritetet serbe t'i rijapin statusin e mëparshëm të autonomisë.

PËRPJEKJA E VOJVODINËS PËR AUTONOMI

Provinca e Vojvodinës kërkon që autoritetet serbe t'i rijapin statusin e mëparshëm të autonomisë.

Këtë javë qeveria serbe la të kuptohet për vullnetin e saj për të rivendosur statusin e autonomisë për Vojvodinën duke i ulur kështu mundësinë përpjekjeve të udhëheqësve provincialë për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje.


Të zemëruar që statusin i Vojvodinës nuk është diskutuar ende dhjetë muaj pasi Opozita Democratike e Serbisë mposhti Sllobodan Millosheviçin në zgjedhje, tre partitë kryesore të rajonit kishin kërcënuar se do të shkonin tek komuniteti ndërkombëtar për të gjetur mbështetje nëse qeveria nuk do të merrej me këtë çështje deri më 3 gusht.


Pesë ditë para se të përfundonte ky afat e përditshmja e Vojvodinës Dnevnik citoi zëvendëspresidentin serb Zharko Koraç, i cili tha se autonomia do të diskutohet kur të përfundojnë pushimet në fund të gushtit.


Në një intervistë për stacionin e pavarur të radios 021 në Novi Sad kryetari i parlamentit serb Dragan Marsiçanin shkoi edhe më tej duke thënë se statusi i Vojvodinës duhet të ndryshojë për të reflektuar dëshirat e shumicës së popullsisë së provincës.


Ai bëri thirrje për durim dhe tha se hartimi i një kushtetute të re për Serbinë do të fillojë pas gjashtë muajsh, kohë gjatë së cilës shpresohet se Mali i Zi dhe Serbia do të zgjidhin marrëdhëniet e tyre brenda Jugosllavisë.


Në teori qeveria përsëri e kalon afatin e vendosur, i cili kërkonte që diskutimet të fillonin Brenda 3 gushtit. Nenad Çanak, udhëheqës i Social Demokratëve të Vojvodinës, një prej tre partive që qëndrojnë prapa ultimatumit, njoftoi se ai do të organizonte protesta në rrugë në rast se ky afat nuk respektohej, por u largua për pushime pa e bërë një gjë të tillë.


Kolegu i tij Mile Isakov, udhëheqës i Reformistëve të Vojvodinës, gjithashtu shkoi për pushime duke bërë që vëshguesit të konkludonin se të tre partitë - ku përfshihet edhe Aleanca për Hungarezët e Vojvodinës e drejtuar nga Jozef Kasa - duken të kënaqura me faktin se ultimatumi i tyre pati sukses për ta përfshirë autonominë e Vojvodinës në rendin politik të ditës.


Tre udhëheqësit e partive me bazë në Novi Sad janë bërë gjithnjë e më shumë të pakënaqur me partnerët e koalicionit të tyre në Beograd. Në prag të zgjedhjeve të tetorit DOS-i premtoi t'i rikthente autonominë Vojvodinës - të cilën Millosheviçi ia kishte hequr më 1989 - por deri tani nuk ka shfaqur ndonjë përpjekje për ta diskutuar këtë çështje.


Në mars parlamenti i Vojvodinës i kërkoi kolegëve në Serbi që të anullonin më shumë se 100 ligje që në mënyrë automatike e privonin provincën. Kur nuk morën përgjigje kërkesa u ribë më 25 korrik në formën e një ultimatumi.


Të tre udhëheqësit kanë këmbëngulur që atëhere se ata nuk kanë ndonjë plan separatist. Në konferencën e shtypit ku u bë i ditur ultimatumi Çanak, që është edhe kryetar i parlamentit të Vojvodinës, theksoi se provinca mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit serb dhe se nuk ka interes të përcaktojë drejtime të veçanta lidhur me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes.


Megjithatë parlamenti i Vojvodinës dëshiron të ketë nën kontrollin e tij bujqësinë, kujdesin shëndetësor, sigurimet sociale, kujdesin për fëmijët, arsimin, gjuhën, jetën kulturore të minoriteteve dhe bashkëpunimin ndërkufitar e rajonal.


Anullimi i ligjeve të vitit 1996 lidhur me nacionalizimin e të gjithë pasurisë nga qeveria lokale është gjithashtu një kërkesë kyç. Legjislacioni ia kalonte pronësinë e parqeve, ndërtesave bashkiake dhe atyre të bizensit nga Vojvodina tek Beogradi. Të gjitha të ardhurat nga këto pasuri ridrejtoheshin në kryeqytetin jugosllav.


Politikanët nga Vojvodina dëshirojnë gjithashtu të marrin pjesë në bisedime mbi të ardhmen e shtetit jugosllav. Grupet e punës janë në progres tashmë për më shumë se një muaj midis qeverisë federale dhe përfaqësuesve të disa partive malazeze. Përfshirja e tyre në këto bisedime do të pranonte Vojvodinën si një etnitet të dallueshëm brenda Jugosllavisë.


Ekonomia është shtytja kryesore për fushatën për autonomi. Në periudhën 1974 deri 1989, kur Vojvodina kishte kushtetutën e saj dhe pavarësinë ekonomike, krahina kishte një GDP shumë më të lartë se sa pjesa tjetër e Serbisë, duke iu afruar republikave më të zhvilluara të Kroacisë e të Sllovenisë.


Heqja e detyrueshme e autonomisë shkaktoi një rënie dramatike ekonomike në rajon, pasi fondet lokale thitheshin nga Beogradi dhe provinca u shkëput nga tregjet e saj në Slloveni, Kroaci dhe Europën Perëndimore.


Rivendosja e autonomisë do të lejojë një zhvillim ekonomik më të shpejtë, që gjithashtu do të jetë edhe në përfitim të Serbisë në përgjithësi, argumentojnë udhëheqësit partiakë.


Anketimet e opinionit publik tregojnë se 60 për qind e popullsisë në Vojvodinë mendon se centralizimi ishte arsyeja kryesore për rënien ekonomike, gjë që mund të ndreqet nëse provincës i rikthehet autonomia.


Anketime të tjera tregojnë se deri në tre të katërtat e popullsisë lokale mendojnë se shumica e taksave dhe e të ardhurave të tjera që mblidhen në Vojvodinë duhet të qëndrojnë në provincë dhe jo të kalojnë në buxhetin qendror.


Udhëheqësit partiakë të Vojvodinës e kanë ndërprerë kërcënimin e tyre për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për autonominë, por mund të ringrihen nëse bisedimet shtyhen edhe më tej, ose nëse kjo çështje nuk zgjidhet ashtu siç dëshirojnë ata.


Gjatë muajve të fundit Çanak, Kasa dhe Isakov kanë patur kontakte me qeveri të ndryshme dhe me organizata ndërkombëtare. Shumë ambasadorë perëndimorë kanë shkuar në Novi Sad të ftuar nga parlamenti i Vojvodinës.


Në fillim të korrikut Çanak drejtoi një tryezë të rrumbullakët që i dedikohej provincës, e organizuar nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Pas kthimit Çanak komentoi se Janus Bugaiski, drejtor i qendrës, i tha atij se Shtetet e Bashkuara mbështesin kërkesat e Vojvodinës.


Meqë këto takime janë mbuluar në mënyrë shumë sipërfaqësore nga media, është vështirë të gjykohet se çfarë mbështetje ndërkombëtare gëzon Vojvodina. Politikanët e Vojvodinës kanë pretenduar se ata do t'i afrohen si Bashkimit Europian ashtu edhe Kombeve të Bashkuara dhe kanë lënë të kuptohet se do të krijojnë lobin që ndihma ndërkombëtare të kushtëzohet me rikthimin e autornomisë për Vojvodinën. "Ne do të kërkojmë çdo lloj ndihme me përjashtim të ndërhyrjes ushtarake," tha Kasa duke i qartësuar çështjet pak më shumë.


Deklaratat e qeverisë mbi Vojvodinën e kanë shtyrë fushatën deri në shtator, por mbetet për t'u parë se si do ta trajtojë çështjen e Vojvodinës koalicioni DOS. Partia e presidentit jugosllav Vojisllav Koshtunica, Partia Demokratike e Serbisë që gëzon shumë influenceë, e kundërshon ashpër rivendosjen e autonomisë ose ndonjë federalizim të shtetit.


Partitë e tjera, si Bashkimi Social Demokrat, mendojnë se kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë të qetë. Udhëheqësit e kësaj partie në provincë janë të mendimit se ata nuk do të dëshironin të largoheshin nga DOS-i, por dëshirojnë që premtimet paraelektorale të përmbushen - dhe sa më shpejt. "Shtyrja e bisedimeve për Vojvodinën mund t'u kushtojë shtrenjtë atyre," ka paralajmëruar Isakov.


Mihajllo Ramaç është kontribues i IWPR-së nga Novi Sad.


Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists