Përpjekja e Millosheviqit për një Mandat të Dytë
Ndryshimet e bëra në kushtetutë për t'i lejuar një mandat të dytë Millosheviqit kanë zemëruar opozitën serbe dhe udhëheqjen e Malit të Zi.
Përpjekja e Millosheviqit për një Mandat të Dytë
Ndryshimet e bëra në kushtetutë për t'i lejuar një mandat të dytë Millosheviqit kanë zemëruar opozitën serbe dhe udhëheqjen e Malit të Zi.
Parlamenti jugosllav ka votuar këtë javë për disa ndryshime kushtetuese të cilat i lejojnë presidentit Sllobodan Millosheviq të kandidojë për t'u rizgjedhur në postin e tij, ndërsa mandati i tanishëm i përfundon pas një viti.
Këto ndryshime janë një sfidë e hapur për opozitën e përçarë serbe dhe për presidentin pro-perëndimor të Malit të Zi Millo Gjukanoviq.
Sipas sitemit të ri, presidenti i vendit dhe parlamenti do të zgjidhen me votim direkt nga populli - duke i dhënë kështu mundësinë Millosheviqit të sigurojë një mandat të dytë në postin e tij dhe duke reduktuar së tepërmi statusin e republikës së vogël të Malit të Zi.
Me një popullsi prej vetëm 600,000 banorësh, krahasuar me 10 milion të Serbisë, Mali i Zi humbet barazinë e tij në dhomën e lartë të parlamentit - ku deri më tani të dy republikat kanë pasur të drejtë për të dërguar nga 20 deputetë secila. Kjo gjithashtu do të çonte edhe në rritjen e numrit të përfaqësuesve malazezë pro-Beogradit në asamblenë federale.
Parlamenti i Podgoricës është mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm për të diskutuar këto ndryshime. Miodrag Vukoviq, këshilltar i lartë i Gjukanoviqit, tha se këto ndryshime "nuk do të kishin vlerë në Mal të Zi".
"Meqënëse këto janë në kundërshtim me kushtetutën e një vendi të ri, Mali i Zi është i detyruar të ndërmarrë tani hapa të paevitueshëm," ka thënë ai. "Në ditët e ardhshme Mali i Zi do të miratojë ligje, të cilat do të sanksionojnë përfundimisht pavarësinë e tij në të gjitha fushat."
Megjithatë Gjukanoviq nuk ka shpallur pavarësinë e menjëherëshme, një hap ky i cili mund të provokonte një ndërhyrje të Ushtrisë Jugosllave.
"Mali i Zi duhet të gjejë mekanizma për të mbrojtur veten nga një dhunim i tillë kushtetues dhe ligjor nëpërmjet parlamentit të tij dhe me mbështetjen e të gjithë qytetarëve," thuhej në një deklaratë të presidentit.
Opozita serbe është gjendur gjithashtu e papërgatitur përballë këtyre ndryshimeve të paparalajmëruara kushtetuese. Deputetët e zemëruar të opozitës janë ankuar se ata nuk kanë qenë të informuar për ndryshimet dhe kanë denoncuar të gjithë procesin si të jashtëligjshëm.
"Megjithëse unë jam një anëtar i komisionit parlamentar kushtetues, unë nuk kam marrë ende tekstin e ndryshimeve të projektit," është ankuar Lazlo Jozha i Aleancës Hungareze të Vojvodinës. "Kushtetuta nuk mund të ndryshohet në këtë mënyrë, por mesa duket në këtë vend nuk i bëhet njeriu vonë për këtë."
Tomisllav Jeremiq i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe të opozitës i ka quajtur këto ndryshime një "puç kushtetues" duke shtuar: "Kjo është ajo që ne e quajmë legalizimi i tiranisë".
Pavarësisht nga rënia e madhe e popullaritetit të Millosheviqit që prej bombardimeve të NATO-s, opozita duket se ka pak shanse për të fituar përballë Millosheviqit në zgjedhje direkte të presidentit.
Anketimet e opinionit publik tregojnë se Millosheviqi për momentin gëzon përkrahjen e vetëm 14 përqind të popullsisë. Por drejtuesi i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe Vuk Drashkoviq mund të marrë vetëm 6 përqind të votave, ndërsa drejtuesi i Partisë Demokratike Zoran Gjingjiq vetëm 3 përqind.
Nga anketimet e kryera prej Institutit Kombëtar Demokratik më 20 maj, ka rezultuar se 38 përqind e serbëve do të votonin përsëri për Millosheviqin, sepse, sipas tyre, ai "është më i mirë se opozita".
Një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit, SPS, ka thënë se hapi më i fundit i presidentit tregon se ai për herë të parë që nga fushata ajrore e NATO-s ndjehet i sigurtë. "Ai tani ka filluar ofensivën dhe mendon se mund t'u japë goditjen përfundimtare opozitës dhe Gjukanoviqit.," ka thënë ky zyrtar.
I njëjti zyrtar mendon se triumfi i Millosheviqit në zgjedhjet presidenciale direkte do të bindë qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rivendosë kontaktet zyrtare me Beogradin. Ai ka thënë se qeveria e Millosheviqit ka informacione se në Uashington gjithnjë e më shumë po konfigurohet ideja e lidhjeve në nivel të ulët, por direkte me presidentin jugosllav.
Burime të paidentifikuara nga SPS-ja njoftohet të kenë thënë më 5 korrik se Millosheviq po punon për një "marrëveshje" me Uashingtonin, e cila do të lehtësonte largimin e tij nga posti në shkëmbim të imunitetit ndaj gjykimit nga Gjykata e Hagës.
Lajmi vjen një javë pasi New York Times ka njoftuar se zyrtarë amerikanë dhe rusë po diskutojnë mundësinë e imunitetit për Millosheviqin në shkëmbim të dorëheqjes së tij. Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë këto zëra më 20 qershor. Zëdhënësi i saj Xhou Lokhart tha: "Politika jonë është se Millosheqivi duhet të dërgohet në Hagë dhe të gjykohet për akuzat e drejta që i janë bërë ... Politika jonë nuk ka ndryshuar."
"Ai [Millosheviq], natyrisht, nuk mund ta humbasë mundësinë për të drejtuar edhe 10 vjet të tjera," ka thënë zyrtari i SPS-së për IWPR-në. "Por nëse ai nuk mundet ta bëjë këtë, ai do të ketë nevojë më shumë se kurrë për një vazhdues të fortë dhe afatgjatë - për Putinin e tij."
Sipas njoftimeve të medias serbe, Jovica Stanishiq do të ishte trashgimtari më i mundshëm i Millosheviqit. Stanishiq, shefi i policisë sekrete serbe gjatë luftërave në Bosnje dhe Kroaci, është larguar nga posti i tij në fund të vitit 1998 pas një mosmarrëveshjeje rreth politikës jugosllave në Kosovë.
Analisti politik Aleksandar Tijaniq thotë se ekziston një linjë në gjirin e SPS-së, e interesuar të ruajë pozitat e saj, e cila e konsideron Stanishiqin si një pasues të besueshëm dhe një njeri i cili mund të ketë edhe përkrahjen e një pjese të opozitës.
Por emri i Stanishiq është vetëm njëri prej disa opsioneve të dala nga koalicioni qeveritar. Sllobodan Unkoviq, ambasadori jugosllav në Pekin, përmendet shpesh si një zgjidhje e pranueshme për perëndimin. Gjenerali Nebojsha Pavkoviq, shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, është përmendur gjithashtu, si edhe Ljubisha Ristiq, një zyrtar i lartë i Partisë së Majtë të Bashkuar Jugosllave të drejtuar nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq.
Zvonimir Trajkoviq, ish-këshilltar i Millosheviqit, mendon se presidenti duhet të gjejë "Putinin e tij" nëse dëshiron të sigurojë një dorëzim paqësor të pushtetit. Megjithatë zyrtari i SPS-së thotë se çështja e pasuesit të Millosheviqit për momentin është në "plan të dytë".
"Së pari duhet të shihet nëse Millosheviq do të ketë sukses me amendamentet kushtetuese, nëse opozita dhe Gjukanoviq do të japin një përgjigje të efektëshme dhe nëse fiton në zgjedhjet e ardhshme nëse ai do të mund të pranohet nga amerikanët si një bashkëbisedues direkt, edhe nëse kjo gjë bëhet në sekret të plotë," ka thënë zyrtari.
Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.