PËRKUJTOHET IZETBEGOVIQ

Ish presidenti i vdekur boshnjak shihet me admirim nga shumë muslimanë por nuk do të kujtohet me dhimbje nga serbët.

PËRKUJTOHET IZETBEGOVIQ

Ish presidenti i vdekur boshnjak shihet me admirim nga shumë muslimanë por nuk do të kujtohet me dhimbje nga serbët.

Tuesday, 6 September, 2005

Alija Izetbegoviq, njeriu të cilin shumë e konsiderojnë si babain e shtetit të Bosnjes, ka vdekur më 19 tetor, duke lënë pas një të kaluar të përzier.


I admiruar nga shumë muslimanë të Bosnjes për faktin se ka mbrojtur me forcë të drejtën e tyre për pavarësi, ai është konsideruar në të njëjtën kohë si një forcë përcarëse nga serbët e republikës dhe kroatët, shumë prej të cilëve e kanë parë atë gjithnjë si një fondamentalist të rrezikshëm fetar.


Shumë zyrtarë dhe diplomatë ndërkombëtarë e kujtojnë si një njeri të qetë dhe me dinjitet me të cilin ishte më lehtë të kuptoheshe se sa drejtuesit e Serbisë apo Kroacisë. Por politikat e tij të pasluftës shpesh kanë qenë jo të pëlqyera në vend, ku ai është akuzuar se drejtonte një parti të korruptuar dhe të mbushur me njerëz të afërt të tij.


Presidenti i parë i Bosnje Herzegovinës ka vdekur më 19 tetor nga një pushim zemre dhe komplikacione të shkaktuara nga dëmtimet që ka pësuar pas një rrëzimi rreth pesë javë më parë. Ai ka qenë 78 vjec.


Pas një karriere politike prej 13 vjetë, ai ka lënë pas një sistem demokratik shumë partiak, megjithëse ende vuan nga plagët e shkaktuara nga lufta që ka shkatërruar vendin për më tepër se tre vjet.


Izetbegoviq u lind në vitin 1925 në qytetin verior të Bosanski Samac dhe është bërë anëtar aktiv i lëvizjes rinore muslimane në moshën 15 vjecare. Kundërshtar i lëvizjes komuniste dhe ideve të drejtuesit të ri jugosllav, Josip Broz Tito, ai ka vazhduar aktivizmin e tij dhe në vitin 1946 është burgosur për herë të parë.


Me profesion këshilltar ligjor, ai është burgosur përësi në vitin 1983 për shperndarje të propagandës islamike, një dënim i cili tregon pjesërisht edhe qëndrimin e tij anti qeveritar të përfshirë në librin e tij të vitit 1970, "Deklarata Islamike", i cili bënte fjalë për marrëdhëniet ndërmjet islamit dhe shtetit në vendet muslimane.


Pas disa dekadave relativisht në hije, Izetbegoviq ka dalë si një figurë e rëndësishme publike gjatë rrëzimit të Jugosllavisë. Në vitin 1990 Partia e Veprimit Demokratik, SDA, e drejtuar prej tij dhe me një orientim të qartë musliman ka dalë partia e parë në zgjedhjet e para shumë partiake të mbajtura në Bosnje Herzegovinë, atëherë ende një republikë e ish Jugosllavisë.


Megjithatë, Izetbegoviq ka qenë i papërgatitur për rolin e një drejtuesi kombëtar në republikën shumë etnike e cila po kalonte një periudhë tepër të vështirë dhe të rëndësishme. Ai nuk kishte asnjë eksperiencë të mëparëshme në drejtimin e shtetit, dhe kjo ka qenë një disavantazh i madh që ka pasur në bisedimet me drejtuesin serb Slobodan Millosheviq dhe atë kroat Franjo Tugjman të cilët - pavarësisht nga mosmarrëveshjet ndërmjet tyre - ishin të bashkuar në dëshirën e tyre për të ndarë Bosnjen.


Izetbegoviq fillimisht ka mbështetur decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit për tek republikat si zgjidhjen e krizës politike që kishte përfshirë Jugosllavinë në fillim të viteve 1990.


Kur është bërë e qartë se Sllovenia dhe Kroacia do të shkëputeshin, ai ka ngulur këmbë që edhe Bosnje Herzegovina të shpallte pavarësinë, duke thënë se nëse Bosnja do të mbetej pjesë e Jugosllavisë, atëherë do të ishte e dënuar të nënshtrohej përjetë nga Serbia.


Një referendum popullor në vitin 1992 përfundoi me mbështetje për shkëputjen dhe i hapi rrugën njohjes ndërkombëtare të Bosnjes si një shtet i pavarur. Por shpresat për një shkëputje paqësore nga Jugosllavia u bënë pluhur kur serbë dhe kroatë të armatosur, me ndihmë ushtarake nga dy shtetet fqinje, u ngritën dhe morrën nën kontroll pjesën më të madhe të territorit në republikën e re.


Pavarësisht statusit të ri të Bosnje, drejtuesit serbë dhe kroatë të Bosnjes e akuzuan Izetbegoviq dhe SDA se synonin vendosjen e një shtetit islamik, duke rikujtuar edhe një herë dy dënimet e tij për shkak të aktivitetit musliman gjatë periudhës së komunizmit.


Në të vërtetë, Izetbegoviq nuk është përpjekur të aplikojë një model islamik në Bosnje, dhe si në presidencën e Bosnje Herzegoinës ashtu edhe si drejtues i SDA ai është përpjekur të punojë me partitë të cilat përfaqësonin dy grupimet e tjera të mëdha etnike në vend.


Si drejtues në një luftë ku ai ishte dukshëm më i dobti, Izetbegoviq ka ruajtur një dinjitet dhe qetësi nën sulmet e vazhdueshme dhe bombardimet në zyrën e tij të rrethuar me thaës rëre, duke habitur shtetarët dhe diplomatët e huaj. Ai gjithashtu ka ruajtur mbështetjen e disa serbëve dhe kroatëve të cilët mbështesnin vizionin e tij për një republikë shumë etnike.


Por me vazhdimin e luftës, muslimanët jo fetarë si edhe serbët e kroatët janë ankuar gjithnjë e më tepër se qeveria po humbiste reputacionin që kishte për tolerancë. Shumë njerëz kanë qenë të pakënaqur me lidhjet gjithnjë e më të forta të Izetbegoviq me disa shtete jo demokratike arabe, dhe nxitjen që i jepte ai luftëtarëve të huaj islamik për të luftuar në Bosnje.


Izetbegoviq nuk ka fshehur zhgënjimin e tij për marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 e cila i dha fund luftës duke i ofruar serbëve një shtet brenda shtetit i cili përbënte pothuajse gjysmën e territorit të republikës. Republika ka qenë praktikisht e ndarë në dy entitete, Federata dhe Republika Srpska.


Izetbegoviq ka vazhduar të mbajë postin e drejtuesit të presidencës së përbashkët të Bosnjes pas luftës, duke u tërhequr nga skena politike vetëm në vitin 2000. Ai ka përmendur shëndetin e keq, megjithëse largimi i tij ka pasur edhe arësye të tjera si presioni nga Bashkimi Europian që të gjithë drejtuesit e kompromentuar të Bosnjes gjatë luftës të largoheshin nga skena politike.


Kur SDA i rikthye në pushtet në vitin 2002, Izetbegoviq ka vazhduar të jetë shumë i pushtetshëm në postin e tij si kryetar nderi i partisë. Megjithatë, si partia ashtu edhe ai vetë janë fajësuar nga shumë drejtime për korrupsion i cili ka bërë që një pjesë e mirë e ndihmave financiare të huaja të caktuara për rimëkëmbjen e Bosnjes pas luftës të keqpërdoren.


SDA është dobësuar gjithashtu edhe nga mosmarrëveshjet e brendëshme të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen e saj politike tani që Izetbegoviq nuk jeton më.


Fakti që Izetbegoviq ka qenë një figurë e cila ka nxitur mendime të ndryshme është reflektuar edhe me reagimet tepër të ndryshme që kanë pasuar vdekjen e tij nga muslimanët dhe serbët e Bosnjes.


Media në Federatë ka vlerësuar lart jetën dhe veprën e tij. Revista e përjavëshme Dani ka thënë se ai ka pasur një ndikim "të padiskutueshëm" mbi popullin e tij, ndërsa gazeta e përditëshme e cila botohet në Sarajevë, Dnevni Avaz ka thënë se Bosnja ia dedikon mbijetesën e saj si një ide dhe si një vend Izetbegoviq.


Reagimi në rrugët e Sarajevës ka qenë thuajse i njëjtë. "Me atë, ne krijuam vendin tonë, ushtrinë dhe klasën politike, pavarësisht se si mund të jenë ato," ka thënë Jasmin Odobasiq. "Ai është njeriu që ka krijuar dhe mbrojtur Bosnjen".


Por në Republika Srpska, lajmi i vdekjes së Izetbegoviq pothuajse ka kaluar pa u vënë re. Ndërsa radio dhe televizioni në Federatë kanë përkujtuar këtë ngjarje me muzikë klasike dhe filma të përkujtim të jetës së tij, media serbe pothuajse nuk e ka përmendur fare.


Duke shprehur një ndjenjë e cila ndahet edhe nga shumë serbë të tjerë për një njeri i cili ka qenë pjesërisht fajtor për shkatërrimin e Jugosllavisë, Milorad Dodik, drejtues i Social Demokratëve të serbëve të Bosnjes, ka shprehur keqardhje që Izetbegoviq nuk ka dalë kurrë para gjykatës së Hagës për krime lufte.


Kështu janë ndjerë edhe shumë kroatë të Bosnjes, të cilët mendojnë se komuniteti ndërkombëtar nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur krimeve të shkaktuara nga ushtria muslimane e drejtuar nga Izetbegoviq ndaj civilëve gjatë luftës.


Në fakt, Izetbegoviq është konsideruar si i dyshuar dhe ishte nën hetim, ka thënë zëdhënësja e gjykatës së Hagës, Florence Hartmann më 22 tetor. "Por fakti që ai vdiq, do të thotë që të gjitha procedurat ligjore ndaj tij do të ndalen".


Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnje.


Support our journalists