Perëndimi Duhet të Rrisë Përkrahjen për Maqedoninë

Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më tepër për të ndihmuar Maqedoninë të përballet me kryengritjen e UCK-së

Perëndimi Duhet të Rrisë Përkrahjen për Maqedoninë

Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më tepër për të ndihmuar Maqedoninë të përballet me kryengritjen e UCK-së

Përpara shpërthimit më të fundit të dhunës rreth Tanushës dhe kodrat mbi Tetovë, Maqedonia konsiderohej nga komuniteti ndërkombëtar si një shebull unikal i parandalimit të konfliktit në Ballkan.


Vendi jo vetëm që u shkëput nga ish Jugosllavia pa dhunë, por edhe mundi të shmangte konfliktet ndër-etnike të brendëshme, edhe gjatë kulmit të krizës në Kosovë në vitin 1999 kur 300,000 refugjatë Shqiptarë të Kosovës erdhën në Maqedoni duke kërcënuar balancën etnike të republikës.


Të Premten, më 16 Mars, i dërguari special i OKB-së për Ballkanin Karl Bild e ka përmbledhur situatën në Maqedoni duke thënë se: "Këtu rrezikohet jo vetëm Maqedonia. Këtu janë vënë në pikpyetje të gjitha ato që jemi përpjekur të bëjmë në Ballkan: demokracia, bashkëpunimi ndër-etnik, dhe bashkëjetesa.


"Kjo është një demokraci, ku Shqiptarët dhe Sllavët Maqedonas janë pjesmarrës në të njëjtën qeveri. Nëse kjo gjë do të shkatërrohej nga ekstremistët nacionalistë me armë në dorë kjo është shumë e rrezikëshme për gjithë Europën".


Ekstremistët Shqiptarë thonë se përpjekjet e bëra gjatë dhjetë vjetëve të fundit për të përmirësuar të drejtat e Shqiptarëve në Maqedoni nëpërmjet mjeteve politike kanë dështuar, dhe se tani ata janë të detyruar të luftojnë për të drejtat politike me anë të mjeteve të tjera.


Megjithatë, pavarësisht se mbeten disa ështje të pazgjidhura dhe Shqiptarët etnik vazhdojnë të diskriminohen në tregun e punës dhe nga disa institucione shtetërore si policia, duhet thënë se ka pasur një progres të dukshëm në trajtimin e tyre.


Kuadri ligjor që Shqiptarët të gëzojnë të njëjtat të drejta si Maqedonasit etnik ekziston. Por dy komunitetet thellësisht të ndara nuk kanë të njëjtat mundësi të barabarta për ti ndjekur ato.


Qeveria e tanishme me pjesëmarrjen edhe të partive Shqiptare ka bërë disa hapa për të zhdukur këtë mungesë barazie. Janë rritur për shembull kuotat e pranimit të Shqiptarëve etnik në polici, ushtri, administratën civile dhe universitete.


Por këto politika të emancipimit dhe integrimit të komunitetit etnik Shqiptar në shoqërinë Maqedonase nuk mund të kenë rezultat të menjëhershëm. Për sa kohë që Shqiptarët nuk marrin pjesë në institucionet shtetërore në një numër të madh, ka më tepër mundësi që ata ti qëndrojnë më tepër besnik komunitetit të tyre etnik sesa shtetit Maqedonas.


Nga ana tjetër, shumë Maqedonas etnik mendojnë se ata u kanë bërë lëshime të shumta Shqiptarëve etnik dhe tani ndjehen të tradhëtuar nga ata që kanë marrë armët kundër shtetit, veanërisht pas pranimit të fluksit masiv të refugjatëve Shqiptarë të Kosovës nga Maqedonia gjatë krizës në Kosovë.


Për më tepër, shumë Maqedonas etnik frikësohen se kërkesat e Shqiptarëve shkojnë përtej kërkesës së shpallur për njohjen si një komb konstituiv. Ata mendojnë se në fakt axhenda e Shqiptarëve përfshin federalizimin apo shkëputjen totale të Maqedonisë perëndimore për të krijuar "Shqipërinë e Madhe".


Kjo është arësyeja që qeveria e koalicionit e përzier etnikisht është gjendur nën një presion të madh ndërsa dhuna është përshkallëzuar dhe është rritur zemërimi në të dyja komunitetet.


Po ashtu, po rritet edhe zemërimi i Maqedonasve ndaj mungesës së dëshirës të qeverisë për t'iu përgjigjur më me ashpërsi.


Në mbrëmjen e 17 Marsit, rreth 1,000 Maqedonas etnik janë mbledhur përballë ndërtesës së parlamentit në Shkup dhe kanë kërkuar që qeveria të ndërmarrë veprime më të ashpra ndaj guerrilasve Shqiptarë ose tu japë armë atyre që ti përballojnë vetë.


Mbrëmjen e ardhëshme rreth 3,000 njerëz janë mbledhur përsëri përpara parlamentit duke përsëritur të njëjtat kërkesa.


Hapat e ndërmarrë nga qeveria Maqedonase dhe komuniteti ndërkombëtar në ditët e ardhëshme do të jenë tepër të rëndësishme për parandalimin e konfliktit ndër-etnik në Maqedoni. Është shumë e rëndësishme që qeveria e koalicionit me përbërje të përzier etnike të qëndrojë në këmbë dhe që partitë e opozitës të mos shfrytëzojnë situatën me shpresë se do të sigurojnë disa avantazhe afatshkurtëra politike.


Pas një sesioni urgjent dy ditor, parlamenti ka riafirmuar më 17 Mars unitetin e qeverisë duke miratuar një deklaratë të përbashkët ku kanë votuar pro 97 deputetë dhe vetëm gjashtë kanë abstenuar. Një propozim i Lidhjes Social Demokrate të opozitës (SDSM) për të krijuar një qeveri me përbërjen e të gjitha partive është hedhur poshtë.


Deklarata ka dënuar dhunën, ka ripërsëritur respektimin e integritetit territorial të Maqedonisë, u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë dhe të kthehen në shtëpitë e tyre, dhe ka kërkuar nga forca ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, të shtojë prezencën e saj përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni.


Rezoluta ka kundërshtuar zërat për tension dhe ndarje brenda qeverisë së koalicionit. Presidenti Maqedonas Boris trajkovski, Kryeministri Ljubko Georgievski dhe Ministrja e Brendëshme Dosta Dimovska kanë shtruar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonëshme për të lejuar përdorimin e ushtrisë.


Sipas gazetës së përditëshme të pavarur Dnevnik, drejtuesi i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Arbër Xhaferri, ka kërcënuar se do të largohet nga koalicioni nëse do të ndërmerrej një hap i tillë. Xhaferri ka argumentuar se vendosja e gjendjes së jashtëzakonëshme vetëm sa do të shtonte tensionet etnike.


Në frontin ndërkombëtar, qeveria Maqedonase po kërkon të sigurohet se Perëndimi do të ndërhyjë në rast se dhuna përshkallëzohet.


Pavarësisht dënimit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj dhunës, Maqedonasit etnik duket se janë gjithnjë e më dyshues ndaj vendosmërisë së Perëndimit për të mbrojtur integritetin territorial të vendit. Kjo ndjenjë pasigurie rrjedh nga eksperienca e kaluar në Kosovë.


Dështimi i KFOR-it për të siguruar kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Shkupit për më tepër vendosmëri për të ndaluar lëvizjen e grupeve të njerëzve të armatosur dhe armëve përgjatë kufirit, ka krijuar shqetësime.


Një kërkesë për krijimin e një zone sigurie të kontrolluar nga KFOR-i është hedhur poshtë, megjithëse trupa të tjerë shtesë janë dërguar në zonë dhe NATO ka kërkuar trupa shtesë për tu dislokuar në Kosovë.


Megjithatë, forca ndërkombëtare në Kosovë duket e pamundur për të kontrolluar kufirin.


NATO është vendosur nën kritika edhe nga organizatat ndërkombëtare. Më 15 Mars, Raporteri Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ballkan Jiri Dienstbier ka fajësuar komunitetin ndërkombëtar se është shumë pasiv në parandalimin e konfliktit në Maqedoni. Ai ka akuzuar KFOR-in se i është përgjigjur shumë vonë krizës dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të zgjohet përpara realitetit të ekstremizmit me qëllim që të stabilizojë rajonin.


Me qëllim që të mos shkojnë më kot përpjekjet për të parandaluar konfliktin gjatë dhjetë vjetëve të fundit, komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë më konkretisht qeverinë Maqedonase. Deklarimet për mbështetje të integritetit territorial të vendit mund të mos jenë të mjaftueshme.


Natyrisht që është e preferueshme një zgjidhje politike, por dialogu intensiv ndër-etnik i cili favorizohet nga komuniteti ndërkombëtar mund të mos jetë i mjaftueshëm. Një përshkallëzim i krizës mund të kërkojë masa të tjera për parandalimin e konfliktit.


KFOR duhet të sigurojë kufirin e Kosovës me Maqedoninë veriore dhe të parandalojë inflitrimin e guerrilave dhe furnizimeve nga provinca. Përforcimi i patrullimit të kufirit, i vendosur më 19 Mars, është një hap në drejtimin e duhur.


Por komuniteti ndërkombëtar duhet të mendohet seriozisht edhe për pasojat e pozicionit të tij të tanishëm duke përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Maqedoni. Sekretari i përgjithëshëm i NATO-s Xhorxh Robertson ka theksuar me të drejtë se asnjë kërkesë e tillë nuk ka ardhur nga Shkupi, por Perëndimi duhet të paktën të lërë të hapur këtë mundësi nëse qeveria e Shkupit ndryshon pozicion.


Karina Johansen është një studiuese e shkencave politike e vendosur në Shkup.


Support our journalists