Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

PARTITË E MËDHA LUFTOJNË PËR VOTAT E MINORITETEVE

Kërkesat zgjedhore rezultojnë në koalicione lokale të çuditshme, me marrëveshje ndërmjet partive ekstreme të djathta dhe partive minoritare.
By Marinika Ciobanu

Partitë e mëdha politike të Serbisë janë duke tërhequr vota duke krijuar koalicione lokale me partitë etnike minoritare dhe pastaj duke i emëruar liderët e tyre në pozita të larta, thonë analistët.


Një shembull i koalicionit të pazakontë që kjo krijon në nivelin lokal është fshati Margita, në të cilin banojnë serbët dhe rumunët.


Në këtë fshat, Partia Radikale e Serbisë, SRS, lideri i së cilës, Vojisllav Koshtunica, është në gjykim për krime lufte në Hagë, është e udhëhequr nga një rumun, Mihai Jepure.


Rreth 20 rumun etnik janë anëtarësuar në degën lokale të SRS – gati gjysma e anëtarësisë së përgjithshme.


Jepure thotë se ai iu bashkëngjitë radikalëve sepse Shesheli gjithmonë ka treguar të vërtetën. “Shesheli ishte i vetmi politikan i cili gjithmonë ka kritikuar komunizmin dhe qeverinë e Millosheviqit,” ai tha. “Ai ishte i vetmi që kujdesej për qytetarët e thjeshtë dhe të varfër.”


Rasti i Margitës thekson suksesin e partive të mëdha, madje edhe atyre ekstreme të djathta, në tërheqjen e pakicave në radhët e tyre.


Analistët besojnë se kjo reflekton faktin se asnjë parti serbe nuk mund të krijoj qeveri me forca vetanake, duke bërë kështu kërkimin e partnerëve për koalicion një çështje kruciale.


Në anën tjetër, liderët e partive minoritare shpesh mund të hyjnë në parlament vetëm si pjesë e një koalicioni më të gjerë politik, ku mund të fitojnë pozita të rëndësishme.


Në Vojvodinë, parti të ndryshme të vogla reflektojnë interesat e më shumë se 20 bashkësive të ndryshme etnike.


Pas rënies së Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000, minoritetet, të cilat mbështetën Opozitën Demokratike të Serbisë, DOS, pritën të shpërblehen me përfaqësim të garantuar në qeveri, pavarësisht nga votat e fituara.


Ata u zhgënjyen kur qeveria ruajti minimumin e lartë të votave për të hyrë në parlament.


Ligji zgjedhor kërkon nga kandidatët minoritar të fitojnë së paku 18,000 për të fituar një vend, një minimum që vetëm kandidatët e partive hungareze dhe boshnjake mund të kenë shpresë të kalojnë.


Për të tjerët, koalicionet me partitë e mëdha ofrojnë rrugën e vetme për në parlament. Dhe shumë shpesh këto koalicione krijohen përkundër dallimeve të mëdha në platformat politike të partive.


Dusan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie etnike, tha se këto koalicione ofronin përfitime për të gjitha palët.


“Parimi që partitë e mëdha përdorin gjatë këtij procesi është i thjeshtë – kjo do të thotë ‘interesi im për të negociuar me ju është i madh aq sa elektorati i juaj’,” ai tha.


“Në anën tjetër liderët minoritarë kanë interesat e tyre, të cilat janë hyrja në parlament përkundër pengesave të krijuara nga ligji zgjedhor.”


Partia Demokratike, DS, e udhëhequr nga presidenti pro-evropian, Boris Tadic, ka krijuar një koalicion me partinë më të fuqishme hungareze, Aleancën e Hungarezëve në Vojvodinë, SVM, të udhëhequr nga Josef Kasza.


Kjo parti kohëve të fundit ka kërkuar autonomi territoriale brenda Vojvodinës për komunat me shumicë hungareze.


DS krijoi aleancë të ngjashme me Listën e Sanxhakut të Sulejman Ugljanin. E konsideruar si parti radikale boshnjake, ajo gjithashtu kërkon autonomi territoriale për rajonet me shumicë boshnjake në Sanxhak.


“Këto koalicione janë artificiale,” komentoi Janjic. “Në një anë kemi SVM qëllimi kryesor i të cilëve është autonomi territoriale për hungarezët, derisa në anën tjetër kemi Partinë Demokratike, e cila fuqimisht kundërshton këtë synim.”


Ai shtoj, “E njëjta vlen për partinë boshnjake të Ugljanin me kërkesat e tyre për Sanxhak, të cilat DS gjithashtu i kundërshton.”


Laszlo Joza, anëtar i SVM, nuk mohon se koalicioni në mes të DS dhe SVM duket i pazakontë. Por ai thotë se kjo ishte mënyra e vetme për partitë minoritare të fitojnë ulëse në parlamentin e Serbisë.”


Jozef Kasza, lideri i SVM, ndanë këtë mendim. “Minoritetet duhet të arrijnë marrëveshje të ndryshme me partitë serbe për të mbijetuar,” ai tha.


SVM përfitoj gjatë zgjedhjeve të Vojvodinës në shtator 2004 nga koalicioni me DS. SVM fitoj pozita të larta në parlament dhe qeverinë e provincës, përfshirë postin e zëvendës kryetarit të parlamentit, zëvendës kryeministrit, ministrit për pakica kombëtare dhe ministrin e kulturës.


Lista për Sanxhak e Ugljaninit fitoj dy ulëse në parlamentin e Serbisë falë aleancës së saj me DS në zgjedhjet e fundit parlamentare.


Me 22 shtator, partia e Ugljanin nënshkroi një marrëveshje me Partinë Demokratike të Serbisë, DSS, të udhëhequr nga kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica.


DS vazhdon të tërheq vota në mënyrë aktive nga grupet minoritare dhe dhjetorin e kaluar krijoj Komisionin për Bashkësi Etnike për të ngritur popullaritetin.


Kryesuesi i këtij komisioni, Lodi Gabor, gjithashtu zëvendës kryeministri për Vojvodinë, thotë se synimi është të monitorohet aplikimi i të drejtave të pakicave në kulture, shkollim, religjion, dhe përdorimin e gjuhës amtare dhe publikimi.


Koalicioni më i pazakontë në nivelin lokal është sigurisht aleanca në mes të Aleancës Demokratike të Hungarezëve të Vojvodinës, DZVM, të udhëhequr nga Pal Sandor, dhe Partisë Radikale të Serbisë.


Koalicioni post-zgjedhor, i cili u formulua tetorin e kaluar, është duke udhëhequr çështjet komunale në qytetin e Becej. Sandor pastaj u zgjodh president i asamblesë komunale, ku qendroj deri në këtë prill.


Sikur SVM, DZVM kërkon autonomi për komunat me shumicë hungareze. Në fakt, programi i saj është në kundërshtim me platformën e Radikalëve, e cila kërkon të minizoj, apo ndaloj plotësisht, autonominë e Vojvodinës.


Por Sandor tha se një rritje në incidentet etnike në mes të serbëve dhe hungarezëve në këtë rajon arsyetonte një koalicion në mes të DZVM dhe Radikalëve.


”Ne dëshiruam të përfshinim radikalët në problemet me të cilat grupet minoritare ballfaqohen dhe kështy t’i shtyejmë ata të marrin përgjegjësi,” tha Sandor.


”Ishte veprim i menqur,” ai shtoj, pasi Radikalët për herë të parë filluan të dënojnë incidentet e dhunshme.


Megjithate, shumë anëtarë të minoriteteve etnike të cilët nuk janë të lidhur me ndonjë parti janë skeptik sa i përket koalicioneve të tilla. Ata dyshojnë se derisa marrëveshjet arrihen prapa dyerve të mbyllura, të drejtat e pakicave po injorohen.


Laszlo Vegel, një intelektual i njohur i Vojvodinës, thotë se këto koalicione duken të dyshimta, pasi detalet e marrëveshjeve të tyrë kurrë nuk zbulohen për publikun.


Pavel Domonji, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut, pajtohet. ”Është vështirë të kuptohet se çfarë marrëveshje internet arrihen rreht posteve të rëndësishme,” ai tha.


”Të gjithë mundohen të fshehin çmimin që ata paguan për koncesione gjatë procesit të marrëveshjes politike. Askush kurrë nuk do të thotë se a ishte kjo çështje dollarëve, eurove, apartamenteve, copë të tokave apo premtime të tërheqjeve të akuzave penale.”


Goran Basic, drejtor i Qendrës për Hulumtim të Etnicitetit, është gjithashtu skeptik rreth pohimeve të politikanëve se ata përfaqësojnë pakicat e tyre në parlament.


”Unë nuk jam i sigurtë nëse përfaqësuesit hungarez apo boshnjak të cilët fituan ulëse në parlament me ndihmën e DS në të vërtetë do të mbrojnë intereset e të gjithë 20 grupeve minoritare në Serbi,” ai tha.


”Unë as nuk do të thosha se ata do të mbrojnë intereset e grupit të tyre etnik, pasi përvoja tregon se synimi kryesor i tyre janë vendet ministrore dhe zyrat publike.”


Paralelisht me formimin e koalicioneve, në mënyrë të heshtur po zhvillohet biznesi në mes të njerëzve të rëndomtë, të cilët pranojnë anëtarësi në parti të mëdha në këmbim për shpërblime në vende pune apo promovime.


Një grua e shkolluar rumune nga Alibunar, në lindje të Vojvodinës, tha se ajo kohëve të fundit iu bashkangjit DSS të Koshtunicës pasi kjo ishte mënyra e vetme për të fituar një punë më të mirë.


”Derisa nuk u antarësova, të gjithë rreth meje më trajtonin si një rumune të çmendur e cila mbante inat ndaj Serbisë sepse kërkoja të drejtat e mija,” ajo tha.


“Pas anëtarësimit në DSS, unë haptazi kërkova një punë më të paguar në profesionin tim në një qytet më të madh dhe këtë e fitova. Papritmaz, u shëndërrova në një ekspert me rrespekt në fushën time.”


Një grua tjetër rumunë, sekretareshë në një ndërmarrje në Pancevë, tha se ajo iu bashkangjit DS të shpëtoj punën e burrit të saj pasi shefi i tij e kishte fyer atë sepse kishte martuar një rumune.


”Ne nuk dinim nëse ai bëntë shaka por nuk guxuam të pysnim, prandaj të dy vendosëm të anëtarësohemi në DS për të treguar dashurinë tonë për Serbi,” tha gruaja.


Zyrtarët e DSS thonë se ata nuk marrin parasysh prapavijën etnike të anëtarëve gjatë zgjedhjes së deputetëve, edhe pse pranojnë se ende nuk kanë zgjedhur askend me prapavi minoritare për parlament të Serbisë.


Velibor Radusinovic, një zyrtar i lartë i DSS, thotë se kushti i vetëm për zgjedhjen e deputetëve është ekspertiza. ”Doli se nuk kemi deputet në parlament nga grupet etnike të pakicave por kjo nuk është bërë me qëllim, kjo është e sigurtë,” ai tha.


Zyrtarët e DS gjithashtu pohojnë se ata nuk brengosen nëse anëtarët janë nga pakicat etnike apo jo.


Radikalët, në anën tjetër, kanë më shumë deputetë në parlamentin e Serbisë nga grupet minoritare se sa DS apo DSS. Ata përfshijnë Sulejman Spaho, një musliman, dhe Stefan Zankov, një bullgarë.


Në fshatin e përzier rumuno-serb të Margitës, lideri lokal radikal, Mihai Jepure, thotë se ai ka hungarezë dhe maqedonë për kolegë në partinë e tij.


Të gjithë ata, ai thotë, hedhin poshtë pohimin se Radikalët ishin në krye të përndjekjes së popullatës jo serbe në Vojvodinë gjatë të nëntëdhjetave.


Por një serb lokal, i cili preferoj të mbetet anonim, tha se rumunët iu bashkangjitën Radikalëve vetëm sepse ata i frikoheshin atyre. ”Rumuënt më kanë thënë se ata e kanë më mirë të jenë me Radikal se sa kundër tyre.”


Marinika Ciobanu është redaktore e gazetës së gjuhës rumune Libertatea