Opozita në Beograd Optimiste

Opozita serbe për herë të parë ka besim se do të mundë Millosheviqin në zgjedhjet e ardhshme.

Opozita në Beograd Optimiste

Opozita serbe për herë të parë ka besim se do të mundë Millosheviqin në zgjedhjet e ardhshme.

Opozita Demokratike e Serbisë, ODS, ka njoftuar se do të paraqesë një listë të përbashkët kandidatësh për zgjedhjet lokale të planifikuara për 24 shtator duke shpresuar se ky bashkim do të shtojë shanset e saj për të fituar në zgjedhje.


ODS përfaqëson të gjitha partitë e opozitës serbe, përveç Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO. Partia e Vuk Drashkoviqit ka njoftuar së fundi se ajo nuk do të marrë pjesë në asnjë zgjedhje nga të cilat përjashtohet Mali i Zi. Republika e përkrahur nga perëndimi ka kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme pasi ndryshimet kushtetuese kanë shkatërruar statusin e saj në gjirin e Jugosllavisë.


Zyrtarët e ODS-së ndërkohë kanë marrë zemër nga rezultatet e mirë të vërejtura nga një anketim i opinionit publik për drejtuesin e Partisë Demokratike Serbe, DSS, Vojislav Kostunica, i cili pritet të caktohet si kandidat i opozitës për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen së bashku me ato federale dhe bashkiake në të njëjtën ditë.


Përshkallëzimi kohët e fundit i dhunës mund të dëmtojë Millosheviqin në këto zgjedhje. Studimi i kryer nga Instituti i Shkencave Sociale ka arritur në përfundimin se në një garë elektorale Millosheviq do të merrte vetëm 28 përqind të votave ndaj 42 përqind të fituara nga Kostunica.


Instituti nuk ka vlerësuar se sa do të ndikojë tërheqja e përkrahjes së Drashkoviqit për ODS-në në rezultatin e Kostunicas, por ajo që është inkurajuese është se rreth 82 përqind e përkrahësve të SPO-së do të votonin për drejtuesin e DSS-së në zgjedhjet presidenciale. Për më tepër, studimi ka nxjerrë se rezultati i Drashkoviqit në një garë presidenciale me Millosheviqin do të ishte rreth 33 përqind ndaj 28 përqind të Millosheviqit.


Edhe presidenti malazez Millo Gjukanoviq e ka tërhequr partinë e tij DPS-së nga zgjedhjet federale. Pa një partner serioz, opozita serbe do ta ketë shumë të vështirë të arrijë një fitore në nivel federal, kështu që ODS-ja po përpiqet të bindë Gjukanoviqin të rivlerësojë qëndrimin e tij.


Ata kanë njoftuar për mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh në ditët e ardhshme, por këshilltari i Gjukanoviqit, Miodrag Vukoviq, e ka hedhur poshtë këtë mundësi si "krejtësisht të pabazë". Qëndrimi i Malit të Zi pasqyron një qëndrim të përgjithshëm se për shkak të kushteve parazgjedhore të krijuara thjesht nuk ia vlen të marrësh pjesë në këto zgjedhje.


Megjithatë ODS-ja ka deklaruar se opozita tani ka shansin më të mirë për të larguar nga pushteti Sllobodan Millosheviqin. Sipas të gjitha anketimeve të opinionit publik, opozita së bashku me SPO-në arrin një rezultat të paktën 10 përqind më të lartë se koalicioni qeveritar, i cili zor se mund të arrijë deri në 25 përqind. Një anketim ka parashikuar se një opozitë e bashkuar së bashku me SPO-në mund të marrë 53 përqind të votave, ndërsa rezultati më i mirë që regjimi mund të arrijë është 32 përqind.


Instituti i Shkencave Sociale ka arritur në përfundimin se 22 për qind e njerëzve përkrahin një bojkotim të zgjedhjeve, ndërsa 43 përqind e kundërshtojnë dhe 35 përqind janë të pavendosur. Këto shifra janë inkurajuese për DOS-në, e cila nëpërmjet arritjes së një bashkimi mund të minimizojë impaktin e vendimit të SPO-së për të mos marrë pjesë në zgjedhje


Në rradhët e ODS-së përveç optimizmit ka edhe një ndjenjë shqetësimi. Një zyrtar i Aleancës për Ndryshim, rivalja më e madhe e SPO-së, ka pranuar se ai do të ndjehej "shumë më i sigurtë nëse Drashkoviq do të ishte me ne." Ai shpresonte se drejtuesi i SPO-së mund të ndryshonte mendje. "Ne kemi shenja se komuniteti ndërkombëtar nuk do të mbështesë një bojkot, kështu që Drashkoviq mund të rihyjë në lojë nën presionin e tyre," ka thënë ai.


Drashkoviq nuk është parë në Serbi që prej ditës kur i shpëtoi një atentati në shtëpinë e tij verore në Budva, Mal të Zi, më shumë se një muaj më parë. Duke njoftuar bojkotin e partisë së tij nga Athina, ai ka thënë: "SPO nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, sepse ajo nuk dëshiron të legjitimojë dhunën kushtetuese, shkatërrimin e shtetit, një luftë të mundshme civile në Mal të Zi dhe Serbi, humbjen e Kosovës dhe shkatërrimin e të gjithë hapësirës kombëtare serbe, duke përfshirë këtu edhe Republika Srpska."


Ka shenja që tregojnë se presidenti Millosheviq do të përpiqet të krijojë një mungesë stabiliteti në periudhën parazgjedhore, duke shpresuar kështu të largojë votuesit e opozitës, të cilët mendohet të jenë më pak të vendosur se votuesit përkrahës të regjimit nga kutitë e votimit. Edhe pa Drashkoviqin pozicioni i vështirë i opozitës, dhuna në rritje e shtetit dhe një ndjenjë se këto zgjedhje janë ndoshta shansi i fundit për këtë brez politikanësh mund të shtojnë përkrahjen popullore.


Optimizmi i ODS-së është pakësuar pas komenteve të bëra nga Mikael Shtainer, këshilltari diplomatik i kancelarit gjerman Gerhard Shrëder gjatë takimit të javës së kaluar të 8 vendeve më të industrializuara në Japoni.


Shtainer bëri të ditur se Shrëder dhe kryeministri italian Xhuliano Amato kanë thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të njohë dhe pranojë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura nën ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi. Diplomatët menjëherë nuk pranuan të bënin më tepër koment, por arsyeja ishte e qartë - komuniteti ndërkombëtar mendon se Millosheviq do të fitojë.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists