Nxirret 'Lista Sekrete e të Akuzuarve të Hagës'
Thuhet se shërbimet sekrete të Republika Srpska kanë përgatitur listat e botuara së fundi me emrat e personave që dyshohet të jenë akuzuar nga gjykata e Hagës për të paralajmëruar të dyshuarit e mundshëm.
Nxirret 'Lista Sekrete e të Akuzuarve të Hagës'
Thuhet se shërbimet sekrete të Republika Srpska kanë përgatitur listat e botuara së fundi me emrat e personave që dyshohet të jenë akuzuar nga gjykata e Hagës për të paralajmëruar të dyshuarit e mundshëm.
Për të dytën javë me rradhë revista Reporter e Banja Lukas ka botuar listat e disa personave, të cilët thuhet se janë në listat e vulosura të Gjykatës së Hagës.
Më 11 shtator Reporter ka botuar 35 emra të boshnjakëve, përfshirë edhe presidentin e tanishëm të federatës së Bosnje Herzegovinës, BiH, Ejup Ganiq, dhe ish-komandantin e lartë të ushtrisë së BiH, Rasim Deliq.
Reporter ka thënë se Gjykata e Hagës është marrë me hetimet e "krimeve të kryera kundër serbëve në kampet e Silos në Tarcin, Krupa, Igman dhe Hrasnica pranë Sarajevës." Duke cituar një "zyrtar të lartë të sigurimit", revista ka thënë se "zyrtarët më të lartë boshnjakë" kanë qenë objekt i këtyre hetimeve. Raporti thoshte se edhe presidenti i presidencës tripalëshe të BiH Alija Izetbegoviq ka qenë i përfshirë në hetim, por ka pak mundësi që ai të jetë akuzuar.
Zëdhënësi i zyrës së prokurorit të gjykatës Pol Rislei ka konfirmuar se ka patur një hetim, por ka hedhur poshtë ekzistencën e kësaj liste të të akuzuarve si një "spekulim i pastër".
Botimi I këtyre listave emërore ka pasuar botimin më 4 shtator të një dokumenti të ministrisë së mbrojtjes së Republikës Srpska, RS, ku jepeshin emrat e 61 boshnjakëve, të cilët ishin përfshirë në listën e vulosur të të akuzuarve të Hagës. Dokumenti ishte i firmosur nga zëvendësministri i mbrojtjes Grujo Boriq.
Ministria e mbrojtjes së RS-së ka konfirmuar se dokumenti është origjinal. Në një deklaratë ministria ka shprehur habinë se si Reporter kishte "siguruar një dokumet zyrtar në mënyrë të paligjshme dhe se si e kishte botuar atë pa miratimin e qeverisë." Ministria ka dënuar redaktorët e Reporter dhe ka thënë se kishte nisur një hetim për të gjetur burimin e nxjerrjes së këtij materiali.
Një burim i IWPR-së në ministrinë e mbrojtjes ka thënë se dokumenti është përgatitur nga shërbimet sekrete ushtarake të RS-së dhe se botimi i tij është interpretuar si një përpjekje e qëllimshme për ta diskredituar këtë shërbim.
Një oficer i ushtrisë së RS-së ndërkohë ka paraqitur një listë tjetër, e cila, sipas tij, është përpiluar nga ministria e mbrojtjes dhe që përmbante edhe 20 emra të tjerë të njerëzve që mendohet të jenë në listat sekrete të Hagës.
"Përveç kësaj dhe listës së botuar nga Reporter, ekzistojnë edhe disa dokumente të tjerë të ngjashëm. Ata përgatiten herëpashere duke kombinuar punën e shërbimeve sekrete dhe atë analitike. Por në fakt nuk ekziston një listë që të na jetë dhënë nga Haga," ka thënë ai.
Rislei ka thënë se listat e botuara nga Reporter nuk kanë të bëjnë aspak me gjykatën. Vetëm prokurorët dhe gjykatësit e gjykatës të cilët kanë nënshkruar akuzat e vulosura i dinë emrat e atyre që janë në këto lista, ka thënë ai.
Rislei ka thënë se akuzat e vulosura dhe të mbyllura do t'i jepen policisë në RS kur gjykata të jetë e bindur se autoritetet e Banja Lukas do të veprojnë duke arrestuar personat e identifikuar. "Për momentin ne nuk e kemi këtë nivel bashkëpunimi," ka shtuar Rislei.
Kryeministri i shkarkuar kohët e fundit Milorad Dodik dhe ministrat e drejtësisë Milan Trbojeviq e Cedo Vrzina kanë qenë në bisedime me Gjykatën e Hagës dhe kishin përgatitur një projektligj për bashkëpunimin me gjykatën. Por qeveria e Dodikut nuk kishte pranuar të merrte përsipër arrestimin e të dyshuarve nëse akuzat e vulosura do të bëheshin publike.
Lista e ministrisë së mbrojtjes e botuar nga Reporter thoshte se informacioni kishte ardhur nga Goran Neskoviq, avokat mbrojtës në Hagë i ish-politikanit nga RS Momçillo Krajishnik.
Neskoviq nuk pranon që ai të ketë qenë burim i informacionit. Ashtu si edhe Rislei ai ka thënë se lista nuk ka të bëjë fare më të apo Gjykatën e Hagës. Por burime të ministrisë së mbrojtjes mendojnë se Neskoviq në fakt ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete ushtarake të RS-së për të përgatitur listën pas arrestimit të Radoslav Brxhanin në Banja Luka më 6 korrik 1999.
Burimi thekson se arrestimi i Brxhanin ka shtuar shqetësimin në mesin e ministrisë së mbrojtjes së RS-së se edhe disa zyrtarë të tjerë serbë të Bosnjes, të cilat kanë patur poste të ngjashme me të arrestuarin gjatë luftës mund të akuzohen.
"Ndoshta këto lista kanë shqetësuar shumë njerëz pa ndonjë arsye. Por është e qartë se të gjithë të arrestuarit deri më tani ishin paralajmëruar më parë," thotë burimi.
Ministria e mbrojtjes kishte paralajmëruar ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të RS-së gjeneralin Momir Taliq dhe komandantin e periudhës së luftës të korpusit Sarajevë-Romanija gjeneralin Stanislav Galiq, thekson burimi.
Taliq është arrestuar gjatë një vizite në Vienë në muajin gusht 1999. Sipas burimit, Taliq kishte vendosur të mos u kushtonte vëmendje paralajmërimeve, duke i besuar në fakt një sigurimi me shkrim të ish-komandantit të Forcës së Stabilizimit të asaj kohe, gjeneralit amerikan Erik Sinseki, sipas së cilës, ai nuk bënte pjesë në grupin e njerëzve të akuzuar.
Galiq, nga ana tjetër, kishte kërkuar menjëherë të transferohej në ushtrinë jugosllave, thekson burimi, por u arrestua në dhjetor 1999 përpara se të largohej nga Banja Luka.
Ish-komandanti i korpusit Drina, gjenerali Radislav Krstiq, tani para gjyqit në Hagë për rolin e tij në masakrat e Srebrenicës, nuk e kishte marrë seriozisht paralajmërimin e ministrisë së mbrojtjes së RS-së, thekson burimi. Krstiq, thotë ai, mendonte se ky paralajmërim ishte një lojë për ta larguar atë nga posti. Krstiq u arrestua në 2 dhjetor 1998.
Gjykata e ka interpretuar listën si një desinformim të qëllimshëm të planifikuar për të kërcënuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Por informacionet nga ministria e mbrojtjes tregojnë se qëllimi në fakt është të paralajmërohen ata që Haga mund të jetë e interesuar për t'i arrestuar.
Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.