NJË FLETËAKUZË E FRIKSHME
Ish lideri i forcave guerrile Ramush Haradinaj dhe oficerët e tij janë akuzuar për përndjekjen e shqiptarëve dhe të serbëve.
NJË FLETËAKUZË E FRIKSHME
Ish lideri i forcave guerrile Ramush Haradinaj dhe oficerët e tij janë akuzuar për përndjekjen e shqiptarëve dhe të serbëve.
Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj arriti në Hagë këtë javë për tu ndeshur me akuzat për pjesëmarrjen e tij në një fushatë brutale të kidnapimit, torturimit dhe vrasjes së dhjetra njerëzve duke përfshirë këtu shqiptarë, romë si dhe serbë në vitin 1998.
Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e tij më 8 mars dhe iu dorëzua tribunalit të Kombeve të Bashkuara ditën e ardhshme, do të ndeshet me 37 raste të krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljen e rregullave dhe ligjeve të luftës.
Aktakuza kundër tij, e lëshuar në publik më datën 10 mars, e vën në dyshim reputacionin që ai me sukses e kishte gëzuar në Kosovë gjatë viteve të fundit si shtetar i respektuar dhe pionier i pavarësisë për shumicën shqiptare të protektoratit.
Prokurorët supozojnë se si njëri ndër komandantët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në fund të viteve të nëntëdhjeta, ai ishte përgjegjës për taktikat brutale të përdorura me qëllim të largimit të serbëve nga shtëpitë e tyre dhe për të siguruar dominimin e UÇK-së në Kosovën perëndimore.
Prokurorët thonë se ai ka qenë prezent kur të burgosurit jane rrahur dhe gjymtuar, si dhe gjatë lëshimit të urdhërave për ekzekutimin e tyre.
Ai është i akuzuar gjithashtu për pjesëmarrje personale në kidnapimin e dy shqiptarëve të cilët më vonë janë gjetur të vdekur.
Haradinaj është akuzuar së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij: Lahi Brahimaj, i cili thuhet të ketë qenë kontakt personi ndërmjet qendrës lokale dhe stafit gjeneral të UÇK-së; dhe Idriz Balaj për të cilin prokurorët thonë se ka qenë në udhëheqje të njësitit special në rajon të njohur si “Shqiponjat e Zeza”.
Brahimaj dhe Balaj secili akuzohen për 35 raste. Sikur Haradinaj, edhepse ata nuk mund të kenë marrë pjesë personalisht në të gjitha incidentet në fjalë, ata janë akuzuar për shkak se krimet kanë ndodhur si rezultat i një “ndërrmarrjeje të përbashkët kriminale” ku ata kanë luajtur një rol aktiv.
Prokurorët thonë se krimet kanë ndodhur pas fundit të marsit të vitit 1998, kur trupat nën komandën e Haradinaj filluan një fushatë për marrjen nën kontroll të pjesëve të ashtëquajtura “zona operacionale e Dukagjinit”, afër kufirit perëndimor me Shqipëri.
Kur forcat serbe e rimorrën rajonin në shtator, një ekip i mjekëve ligjorë serb zbuluan dhjetëra trupa, shumica e të cilëve më vonë u identifikuan të jenë civilë serbë, romë dhe shqiptarë që ishin zhdukur gjatë pesë muajve të fundit.
Aktakuza vazhdon të numërojë një seri të incidenteve gjatë të cilave civilët janë kidnapuar nga forcat e UÇK-së gjatë asaj periudhe. Në të shumtën e rasteve, ata nuk janë parë më kurrë.
Në mesin e majit, thonë prokurorët, Ivan Zaric, serb, dhe shqiptarët Agron Berisha dhe Burim Bejta janë arrestuar nga trupat e UÇK-së dhe janë mbajtur në qendrën për paraburgim në Jabllanicë.
Atje, Haradinaj sipas të gjitha gjasave ka parë se si Balaj i ka prerë veshin Zaric-it, akuzojnë prokurorët. Më pas, Brahimaj-ende me Haradinaj prezent-thuhet të ketë deklaruar, “Tani do ti lëshojmë dokumentet për Drenicë”-zhargon ky për ekzekutim jashtëligjor. Prokurorët thonë se të tre personat janë bartur dhe nuk janë parë të jenë gjallë që nga ajo kohë.
Në fund të korrikut, Haradinaj dhe një ushtar tjetër i UÇK-së supozohet të kenë kidnapuar dy shqiptarë tjerë, Hajrullah Gashi dhe Isuf Hoxha nga një autobus në rrugë për Malishevë. Trupat e tyre janë gjetur më vonë nga policia serbe, ku shenjat kanë dëshmuar se këta persona janë rrahur brutalisht.
Gjithashtu, në korrik, prokurorët thonë se një shqiptar tjetër, Naser Lika ishte arrestuar nga trupat e UÇK-së për shkak të përkrahjes nga ana e tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, lëvizje rivale që fokusohej në rezistencë pasive ndaj qeverisë së Beogradit.
Lika, thuhet nga prokurorët, ishte dërguar në Jabllanicë ku Haradinaj u tha ushtarëve, “Ju e sollët këtu, prandaj urdhëroni e vazhdojeni punën tuaj.”
Pasiqë Lika ishte kërcënuar me armë dhe ishte rrahur gjersa ishte alivanosur në tokë, supozohet se Haradinaj e kishte kapur atë për flokësh, ja kishte tërhequr kokën dhe i kishte pështyer në fytyrë. I burgosuri më pas ishte mbajtur aty për më shumë se tri javë derisa nuk kishte arritur të ikte.
Brahimaj, kushëri i afërt i Haradinaj, supozohet të ketë qenë përgjegjës për qendrën e paraburgimit në Jabllanicë. Krahas krimeve të përmendura më lartë, ai dhe Balaj janë akuzuar për pjesëmarrje personale në një seri incidentesh tjera.
Në një sulm posaqërisht brutal, Balaj thuhet të ketë qenë prezent kur një të paraburgosuri i është hequr hunda. Prokurorët thonë se Balaj mandej e ka prerë të burgosurin së bashku me dy të burgosur tjerë në qafë, duar dhe ije, u ka vënë kripë në plagë dhe i ka qepur ata me gjilpërë. Balaj mandej supozohet ti ketë lidhur të paraburgosurit me tela me gjemba, duke ngulur telat në lëkurën e tyre, dhe ka shpuar njërin prej tyre me tel në sy.
Të tre personat supozohet të jenë lidhur prapa veturës së Balaj dhe janë tërhequr zvarrë në drejtim të liqenit Radoniq, vendi ku është gjetur varreza masive më e madhe nga policia serbe. Ata nuk janë parë më që nga ajo kohë dhe supozohet të jenë të vdekur.
Balaj thuhet të ketë dhunuar një femër gjatë marrjes së saj në pyetje në lidhje me bashkëpunimin e saj me policinë dhe ushtrinë serbe. Kjo femër do të dëshmojë në procedimet kundër të treve.
Balaj ishte në shërbim të dënimit me burgim prej 15 vitesh që nga viti 2002, kur ishte akuzuar së bashku me katër anëtarë tjerë të UÇK-së për vrasjen e katër ushtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës FARK në vitin 1999.
Pas përfundimit të atij gjykimi, dy dëshmitarë të prokurorisë u vranë në incidente të veçanta në dhe rreth qytetit të Pejës. I treti i mbijetoi një atentati më vonë në vitin 2003.
Mbetet ende e paqartë nëse këto sulme kanë qenë të lidhura me krimin e organizuar, apo nëse kanë qenë hakmarrje për paraqitjen e këtyre dëshmitarëve para gjyqit.
Michael Farquhar është raportues për IWPR nga Haga.